Fjala e Zotit ka fuqi, edhe mbi shpirtrat e ndytë

Mar 10 • Meditimi i ditës

10 mars 2019 – E diela 1-rë e Kreshmëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 26,4-10; Ps 91,1-2.10-15; Rom 10,8-13; Lk 4,1-13)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

 Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat vetjake,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çka kërkon Hyji prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

 

Fjala

Të mërkurën filloi koha e Kreshmës, dhe mund ta kesh vënë re një ndryshim në ton te leximet. Kemi dëgjuar thirrjen për t’u kthyer te Hyji; për ta parë se qeniet njerëzore nuk i përgjigjen gjithmonë mirësisë në të cilën Hyji i thërret.

Në paragrafin e sotëm të ungjillit, dëgjojmë se si edhe Jezusi u tundua të largohej nga rruga e Atit të tij. Leximi i kësaj të diele është nga Ungjilli sipas Lukës. Dëgjoje me mend e zemër.


 

Lk  4, 1-13

 

1 Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë, 2 ku, për dyzet ditë e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, u urit.

3 Atëherë djalli i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroji këtij guri të bëhet bukë.”

4 Jezusi iu përgjigj:

“Thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë.’”

5 Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, 6 e i tha:

“Ty do të ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua dhe unë ia jap kujt të dua. 7 Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.”

8 Jezusi iu përgjigj:

“Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd,

dhe vetëm atij shërbeji!’“

9 Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, 10 sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të të ruajnë’, 11 dhe ‘do të të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur.’”

12 Jezusi iu përgjigj:

“Por u tha edhe:

‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd!’”

13 Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  •         A të befason që Jezusi u tundua në këtë mënyrë? Se ai duhet të ketë menduar seriozisht për kryerjen e misionit të tij në një mënyrë tjetër, ndoshta më spektakolare? Duke ushqyer mrekullisht çdo njeri të uritur që e takon, duke organizuar demonstrime të dukshme të kujdesit të Hyjit për të, duke marrë kontrollin politik të vendit? Ku është dëmi? A nuk do të ishin këto gjëra të mira për të?
  •     Jezusi duket se beson se Ati i tij dëshiron që ai të veprojë në një mënyrë më të qetë, nganjëherë madje më të fshehur. Mendo për mënyrat se si Jezusi është duke vepruar në jetën tënde tani. A është ai i pranishëm atje me zhurmë dhe me spektakël, apo vepron në mënyra më diskrete, mënyra që mund të neglizhohen lehtë nga pavëmendja?
  • Jezusi i tregon tunduesit se qeniet njerëzore kanë nevojë më shumë sesa për bukë për të jetuar. Pasi të kesh plotësuar nevojat e tua materiale, çfarë tjetër mendon se të duhet për të jetuar një jetë të pasur dhe të plotë?
  •     Ndërsa e dëgjon përsëri, vë re se si Jezusi reagon ndaj djallit që e tundon atë dhe ndaj tundimeve të veçanta që ky djall paraqet.

 

Bashkëbisedimi

Së fundi merr një moment për të folur me Jezusin rreth mënyrave tipike në të cilat e gjen veten të tunduar për të hequr dorë nga rruga nëpër të cilën Hyji po të drejton; dhe për ndihmën që të nevojitet prej Tij, për t’i rezistuar atyre tundimeve.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Në shkretëtirë, Jezus nuk je lëshuar në debate medjallin, por thjesht e ke cituar fjalën e Hyjit që e gjejmë në Shkrimin Shenjt. Fjala e Hyjit ka fuqi, edhe mbi demonët, shpirtrat e ndytë.

Përvoja jote, Jezus, na mëson se nuk ka asgjë të keqe nëse tundohemi. Është e rëndësishme se si reagojmë kur jemi në provë, çfarë qëndrimi marrim dheçka bëjmë! Kjo është arsyeja pse lutemi: “Mos na lërë të biem në tundim.” Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »