Në varret e të Ringjallurit jemi shpëtuar

Apr 27 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela II e Pashkëve (C) –  E diela e Mëshirës Hyjnore

 

 

Leximi i parë   Vap 5, 12-16

Fuqia që Jezusi kishte për të fituar mbi vdekjen dhe mbi çdo të keqe u transmetua me të vërtetë tek apostujt, të cilët kryenin të njëjtat mrekulli ashtu si Jezusi. Por fitorja e vërtetë mbi të keqen nuk shfaqet vetëm duke kryer mrekulli, por duke dëshmuar gëzimin e jetës vëllazërore, miqësinë që ngushëllon një zemër të dëshpëruar, vullnetin për ta bërë më të mirë mjedisin tonë: e gjithë kjo vlen më shumë se një mrekulli.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Të gjithë besimtarët si me marrëveshje e kishin zakon të bashkohen në Tremin e Salomonit. Prej tjerëve askush s’kishte guxim të bashkohet me ta, porse megjithate populli u jepte nderim. Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i qitnin në tregje të sëmurit dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e asish që i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  118

 

Ref: I kemi medituar, O Zot, veprat e tua të madhërueshme

—————————————–

Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

—————————————–

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,

e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,

e përjetshme është dashuria e tij!

——————————————

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë! 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:

të galdojmë e të gëzojmë në të!

——————————————-

Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd,

deh, o Zot, ma jep të mbarën!

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!

Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

Hyji është Zot, Ai na ndriçoi.

——————————————

 

Leximi i dytë    Zb 1, 9-11.12-13.17-19

Gjoni i internuar në Efes u shkruan në di-tën e Zotit (e Diela) të krishterëve të perse-kutuar. Tregon vizionin që ka pasur: Jezusi i shfaqet i ngjashëm me një bir njeriu, me veshje meshtarake dhe mbretërore. Ai është Krishti, Zot i Kishës, mbret dhe meshtar. Ai është i Gjalli përgjithmonë, të cilin e takojmë çdo të dielë.

 

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos. Një ditë të Dielë pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: “Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojau shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice!”  U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandana të artë dhe në midis të shandanave dikënd si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës. Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: “Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Mbrami, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e vdekjes dhe të nëntokës! Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë! Lidhur me fshehtësinë e shtatë yjeve që i pe në të djathtën time dhe lidhur me shtatë shandanat e artë: sthtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, kurse shtatë shan-danat janë shtatë kishat.” Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!

Aleluja

 

 

Ungjilli    Gjn 20, 19-31

Jezusi i ngjallur u shfaqet dishepujve dhe u jep atyre paqen dhe gëzimin e Atit.Vetëm tani ata e njohin motivin dhe vlerën e vdekjes së tij: në të vërtetë nga kraharori i plagosur dhe nga duart e tij të shporuara u dhurohet atyre paqja e Shpirtit.  Ngjallja e Jezusit është fitorja mbi frikën, gëzimi, paqja, dhurata e Shpirtit dhe falja e mëkateve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigji: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”  Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çdo tetë ditë, në ditën e Zotit të ngjallur, të Dielën, apostujt përjetojnë përvojën e të Ngjallurit. Kështu deklarohet që ekziston një kohë e privilegjuar në të cilën bashkësia e krishterë mund të takojë Jezusin e ngjallur e të përjetojë në mënyrë aktuale atë që ndodhi atë ditë të parë të javës.

“Erdhi Jezusi, u ndal në mes tyre e u tha: ‘Paqja me ju’. Pasi u tha këtë u tregoi atyre duart dhe kraharorin”. Vdekja e Jezusit që dukej se shënonte zhdukjen e tij përfundimtare në realitet ka inaguruar ardhjen e tij, praninë e tij përfundimtare. I Ngjalluri, duke u shfaqur, do të sigurojë dishepujt se nuk është një fantazmë, është Ai vetë, që ka jetuar me ta e që e kanë parë të varur në kryq.

Duke u treguar duart e kraharorin, Jezusi shfaqet si i Kryqëzuari nga kraharori i të cilit rrjedhin “gjaku e uji”. Gjaku na kujton ofertën e Jezusit, dhuratën e vetvetes për dashuri dhe Eukaristinë; uji simbolizon jetën, Shpirtin Shenjt dhe Pagëzimin. Sakramentet janë burimi i përhershëm i Kishës, lindur nga kraharori i Krishtit.

Paqja, që dhuron, është plotësia e marrëdhënies me Hyjin e mes njerëzve, përvoja e faljes. “Fryu mbi ta”: na dhuron Shpirtin Shenjt, përmbledhja e dhuratave të Hyjit. Në takimin e së dielës i Ngjalluri na komunikon, ashtu si apostujve, Shpirtin Shenjt. “Mos ji pa besim, por besimtar”. “Toma” është në secilin prej nesh e kur vëren vështirësinë për të besuar, mund t’i thuash Jezusit: “Zoti im e Hyji im!”.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, Zoti na ka thirrur në praninë e tij për të na komunikuar jetën dhe dashurinë e tij. Me besim ia drejtojmë atij lutjet tona. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, shtoje besimin tonë.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët që të jenë gjithmonë shenjë e pranisë së Krishtit të ngjallur dhe dashurisë së tij. Të lutemi

L. Që dita e Zotit, e Diela, të jetohet nga të krishterët me një angazhim të ripërtërirë për të dëshmuar Pashkët. Të lutemi

L. Për ata që nuk besojnë, që të jenë të mbushur me guxim nga besimi i qartë dhe i ndërlidhur i të krishterëve. Të lutemi

L. Që në këtë të Dielë kushtuar Mëshirës Hyjnore të dimë të ushqejmë besim në mirësinë hyjnore dhe të ushtrojmë mirësi dhe butësi drejt të gjithë vëllezërve tanë. Të lutemi

M. O Atë, që nën udhëheqjen e Shpirtit na zbulon neve sekretet e dashurisë sate, dëgjoji lutjet tona e bëj që, duke marrë pjesë me besim në misteret e shenjta, të rinjohim Birin tënd të pranishëm në mesin tonë. Ai që jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve.  Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »