E diela III e Pashkëve – Viti C
Leximi i parë Vap 5, 27-32.40-41
Pjetri me shumë çiltërsi rrëfen para Sinedrit besimin e tij në Krishtin e ngjallur. Ishte e nevojshme të tregohej vdekja dhe ngjallja e Krishtit me terma që të kujtonin personin e Moisiut. Në fakt Jezusi është rinjohur nga Pjetri “kryetar dhe shpëtimtar”; tituj të tillë i ishin dhënë edhe Moisiut. Si njëri dhe tjetri janë bërë kryetarë dhe shpëtimtarë të popullit edhe pse kanë qenë mohuar nga populli.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, i sollën apostujt e i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti: “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.” Pjetri dhe apostuj përgjigjën: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngajarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.” I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, u urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. Dhe çdo ditë, si në Tem-pull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi. Fjala e Zotit.
Psalmi 30
Ref: Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
————————————-
O Zot, Hyji im,
unë të thirra e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
————————————-
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
————————————-
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time
e më ngjeshe me hare.
O Zot, Hyji im,
do të të lavdëroj për amshim!
————————————-
Leximi i dytë Zb 5, 11-14
Një turmë e madhe që brohoret Qengjin që i ka shpëtuar është imazhi i asaj që ndodh në Qiell. Një shenjë e kësaj asambleje festive është për ne Eukaristia që duhet të kremtojmë me më shumë entuziazëm dhe bindje. Hyji është pronari i vërtetë i historisë: nuk është një që mbizotëron, por një qengj i therur.
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull
Unë, Gjoni, në vegim dëgjova zëra shumë engjëjsh përreth fronit, gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë, mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash. Brohorisnin me zë të lartë: “I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!”. Dhe çdo krisjesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: “Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!” Kurse katër gjallorët thoshin: “Amen!” ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan. Fjala e Zotit.
Aleluja
U ngjall Jezu Krishti, dhe i shëlboi njerëzit në mëshirën e vet.
Aleluja
Ungjilli Gjn 21, 1-19
Jezusi është në bregun e detit të Galilesë, simbol i amshimit, ndërsa dishepujt e tij gjenden në det në vështirësi e në rrezik. Nuk e njohin menjëherë Jezusin. Vetëm besimi mund t’i ndihmojë ta njohin. Jezusi vetë përgatit drekën dhe ha me ta pas peshkimit të mrekullueshëm. Pastaj ripo-hon Pjetrin, i cili e pati mohuar, si bariun kryesor të grigjës.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij. U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!”. Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri. Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!” I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyun. Mandej i tha: “Më ndiq mua!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Ata që kanë takuar Jezusin e ngjallur, provojnë dhuratën e një jete të re, së bashku me persekutimet. Apostujt të dërguar përpara gjykatës deklarojnë: “Duhet t’i bindemi Hyjit më tepër se sa njerëzve”, duke shpallur me guxim që i Kryqëzuari është ngjallur.
Jezusi takon në breg të liqenit disa dishepuj që nuk kishin peshkuar asgjë gjatë gjithë natës, por nuk e njohin e u thotë: “Hidhni rrjetat…”. Rrjeta mbushet me peshq të mëdhenj. Mrekullia është imazhi i misionit apostolik universal: të mbledhë shumëllojshmërinë e popujve në bashkimin e Kishës.
“Atëherë ai dishepull që Jezusi e donte i tha Pjetrit: Është Zoti!”. Gjoni paraqet çdo dishepull të vërtetë, secili prej nesh që është objekt i dashurisë personale të Jezusit e që i përkon një dashurie të tillë. Në zemrën e tij ndizet një intuitë: “Është Zoti, është Jezusi i ngjallur!”. Kjo dëshmi e shkurtër besimi është dhuratë e Zotit e përfshin edhe Pjetrin.
Jezusi në breg gatuan peshkun dhe thotë: “Ejani të hamë”. Fjalët dhe skena na kujtojnë Eukaristinë. Çdo të diel edhe neve na është dhuruar të rijetojmë përvojën e pranisë së të Ngjallurit në mes nesh. Jezusi, para se t’i besojë Pjetrit detyrën për të “kullotur” Kishën, i kërkon: “Ti, a më do?”. “A më do më shumë se çdo person të dashur, më shumë se jetën tënde?”.
Sa gëzim do t’i dhuroje Jezusit duke iu përgjigjur: “O Zot, ti di gjithçka; ti e di se të dua!”; e sa i lumtur do të ishe nëse lidhja me të do të ishte e plotë.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, t’i lutemi Zotit që në jetën tonë të përditshme të shkëlqejë gjithnjë e më shumë mesazhi i Krishtit të ngjallur, fitues mbi mëkatin dhe mbi vdekjen.
L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, na dëgjo.
L. Për Papën, pasardhësin e Pjetrit: që në Kishë të jetë shenjë e bashkimit dhe mirësisë dhe të dijë të bëhet zëri i të vetmit besim. Të lutemi
L. Për misionarët dhe ata që përhapin Ungjillin dhe që shpallin Krishtin në situata rreziku dhe përndjekjeje: që të ndjejnë fuqinë e Shpirtit Shenjt që na detyron që të mos heshtim. Të lutemi
L. Për të gjithë të krishterët: që të jetojnë risinë e Ungjillit me një besim të ripërtërirë dhe shpresë dhe ta dëshmojnë me vërtetësi. Të lutemi
L. Për ne që marrim pjesë në këtë liturgji, që përballë vështirësive të jetës nuk shkurajohemi duke u mbyllur në vetvete, por i përgjigjemi gjithmonë thirrjes sate me besim. Të lutemi
M. Pranoji lutjet tona, o Atë: ti që, në fuqinë e Shpirtit Shenjt që jep jetën, na bën të besojmë në Jezu Krishtin e ngjallur, na bëj të denjë të jetojmë misterin që kremtojmë. Nëpër Krishti Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)