Bariu i mirë ju flet zemrave

E diela IV e Pashkëve – Viti C

 

 

Leximi i parë   Vap 13, 14.43-52

Pali dhe Barnaba konstatojnë që ungjillëzimi është i lidhur ngushtë me persekutimin. Çdo herë që Pali u drejtohet hebrenjve përplaset me refuzimin e tyre; por ky është një fakt pozitiv, sepse shtyn apostullin për t’u shpallur Ungjillin paganëve. Çdo mision duhet të kalojë përmes provës, në fakt duhet shumë guxim për të qenë të krishterë. Kur fillohet të jetohet seriozisht Ungjilli, shfaqet hija e kryqit.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Pali e Barnaba u nisën nga Perga e arritën në Antiokinë e Pisidisë. Të shtunën hynë në sinagogë dhe u ulën. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë judenj dhe proselitë të përshpirtshëm shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët i porositnin dhe i nxitnin të qëndrojnë në hirin e Hyjit. Të shtunën mbas ngarendi pothuajse mbarë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. Judenjtë, kur panë të gjithë atë shumicë populli, i kapi smira, zunë t’u kundërshtojnë me të shara fjalëve të Palit. Atëherë Pali e Barnaba u thanë plot guxim: “Më së pari është dashur t’u shpallet juve fjala e Hyjit. Por, mbasi ju e përbuzni dhe veten nuk e çmoni të denjë për jetën e pasosur, atëherë ne po u drejtohemi paganëve. Sepse kështu na ka urdhëruar Zotëria: ‘Të kam caktuar të jesh dritë për paganët, që ta çosh shëlbimin deri në skajin e tokës’.”  Paganët, kur i dëgjuan këto, gëzoheshin dhe e madhëronin fjalën e Zotit dhe të gjithë ata që e ndinin veten të caktuar për jetën e pasosur, u bënë besimtarë. E fjala e Zotit hapej nëpër mbarë atë krahinë. Por hebrenjtë ngucën disa gra në shenjë që besonin në Hyjin dhe krerët e qytetit e shkaktuan një salvim kundër Palit e Barnabës dhe i dëbuan prej vendit të tyre. Ata atëherë e shkundën pluhurin e këmbëve të veta si dëshmi kundër tyre dhe shkuan për Ikon. Ndërkaq nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  100

 

Ref: Ne jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij

—————————————-

Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,

shërbeni Zotit me hare,

dilni para tij me brohoritje!

—————————————-

Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:

Ai na krijoi e atij i përkasim:

jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.

—————————————-

Sepse i mirë është Zoti,

e amshuar dashuria e tij,

nga breznia në brezni besnikëria e tij.

—————————————-

 

Leximi i dytë    Zb 7, 9.14-17

Gjoni na paraqet parajsën si një festë shu-më të madhe popullore, në të cilën lavdë-rohet Hyji dhe takohen të gjithë vëllezërit. Pjesëmarrësit janë veshur me të bardha, ngjyra e gëzimit, e pafajshmërisë, dhe kanë në duar palma, simbolin e fitores. Është një ftesë e madhe për shpresë për të kri-shterët e persekutuar të së shkuarës. Edhe për ne është një qëllim për t’u arritur edhe pse jetojmë dramën e ndarjes, të moskomu-nikimit dhe të boshllëkut të ekzistencës.

 

Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull

Unë Gjoni pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Dhe engjëlli më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit. Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet. Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija. Sepse Qengji që është në midis të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.” Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 10, 27-30

Jezusi deklaron se vetëm kush ka zemrën e hapur ndaj besimit mund të pranojë fjalët e tij. Judenjtë presin që Jezusi të bëjë Mesinë sipas mentalitetit të tyre të paracaktuar. Janë ata që deklarojnë karakteristikat e sakta që duhet të ketë Mesia. Për të hyrë në besim është e nevojshme të jemi të gatshëm për të realizuar planin e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi tha: “Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime. Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit. Unë dhe Ati jemi një”. Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Sot është e Diela e Bariut të mirë dhe kremtojmë ditën botërore të lutjes për thirrjet. Krishti Jezus e përmbledh të gjithë përvojën e krishterë në Ungjillin e sotëm. Flet për një lidhje të thellë mes Tij, i ngjalluri dhe dishepujve të tij. Paraqet imazhin e bariut të mirë e të grigjës, kishës.

“Unë i njoh delet e mia”. Nuk bëhet fjalë për një njohje sipërfaqësore, formale. Në Bibël “të njohësh” tregon një marrëdhënie dashurie personale, të thellë, tërësore. Jezusi më siguron: “Unë të njoh”, di gjithçka për ty. Gjithçka e jotja më intereson. E kam për zemër jetën tënde. Të dua.

“Unë u jap atyre jetën e amshuar”, ia vlen të themi: vetë jetën e Hyjit, bashkimin e Birit me Atin, (꞊Shpirtin Shenjt). Ja dhurata e përjetshme që Jezusi u bën të tijve, realitetin mbinjerëzor në të cilin i përcjell. Në marrëdhënie me Krishtin të tijtë “dëgjojnë zërin e tij”, e mirëpresin, e brendësojnë, e ruajnë në zemër, e sidomos lejojnë të mbizotërohen nga Ai që flet.

“Më ndjekin”: dëgjesa bëhet ecje pas hapave të bariut. Delet e tij “nuk do të humbasin kurrë” e “askush nuk do t’i grabisë nga duart e tij”. Në duar të Tij do të kenë sigurinë maksimale, sepse ato i përkasin Atit, i cili me Jezusin ruan grigjën. “Unë dhe Ati jemi një gjë e vetme”. “Duke dëgjuar zërin” e Jezusit përfshihemi në këtë bashkim mes Atit e Birit, dhe do të bëhemi gjithnjë e më shumë një gjë e vetme. Nëse jetoj i bashkuar me Jezusin, mund të them edhe unë: “Unë dhe Ati jemi një gjë e vetme”.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, sot Zoti na shfaqet neve si Bariu i Mirë. Le të paraqesim lutjet tona që të kryhet vullneti i Zotit dhe të bëhet një vathë e vetme me një bari të vetëm.

L. Të lutemi së bashku e të themi. O Bari i amshuar, udhëhiqi bijtë e tu.

L. Që Jezusi Bariu i Mirë, të jetë modeli i të gjithë atyre që në bashkësinë kishtare janë të ngarkuar me përgjegjësi. Të lutemi

L. Që të gjithë popujt e tokës të dinë të rinjohin në Krishtin Bariun e Mirë. Të lutemi

L. Për ata që ia kanë kushtuar jetën e tyre Zotit, që të jenë gjithmonë shpallës besnikë të fjalës së Bariut të Mirë. Të lutemi

L. Për fëmijët: të mësuar nga shembulli i të afërmve dhe edukatorëve, që të rriten në hir dhe dije dhe të vlerësojnë në jetën e tyre momentet e takimit me Jezusin në lutjen dhe në dëgjimin. Të lutemi

L. Për bashkësitë tona famullitare që të jenë shtëpi e shkollë për të gjitha thirrjet. Të lutemi

L. Për secilin nga ne këtu të pranishëm: të dimë të zbulojmë thirrjen tonë e ta jetojmë me atë dinjitet prej bijsh të Hyjit dhe me përgjegjësi. Të lutemi

M. O Zot Jezus, pranoji lutjet tona e bëj që në Kishën tënde të mos mungojë kurrë ai që shpall fjalën tënde e t’u shërbejë me mirësinë tënde të gjithë atyre që ti thërret që të bëhen populli yt i shenjtë. Ti je Hyji e jeton e mbretëron për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpëndaje: