20 prill 2022 – E Mërkura e Pashkëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 3,1-10; Ps 105,1-4.6-9; Lk 24,13-35)
Prania e Hyjit
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.
Liria
Ndërsa e ke filluar këtë meditim, bëhu i/e vetëdijshëm/e për praninë e Zotit me ty tani… çfarë po vë re?
Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm, a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla, do të vendosi që edhe në të ardhmen t`iu siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala
Kaloje këtë kohë duke e përqendruar veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutjeje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.
Lk 24,13-27
13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti:
“Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”
Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj:
“A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”
19 Ai i pyeti:
“Po çka?”
Ata iu përgjigjën:
“Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”
25 Ai u tha:
“O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”
27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.
Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Gjëja e parë që bën Jezusi i ringjallur në këtë pjesë të ungjillit është se i fton dy dishepujt të ndajnë me të shpresat që i kishin pasur dhe se si ato shpresa ishin shuar. A po të kujtohet ndonjë ndjesi zhgënjimi në jetën tënde që Jezusi mund të të ftojë ta ndash më hollësisht me të?
- Bashkohu me dy dishepuj në rrugën e tyre nga Jerusalemi për në Emaus. Ndjeje zhgënjimin, dekurajimin, humbjen e tyre. Dëgjo kur Jezusi ua shpjegon atyre kuptimin e Shkrimit Shenjt. Ji i/e vetëdijshëm/e se sa shumë digjej zemra në ta. Çfarë ndryshimesh të disponimit – nga depresioni në ngazëllim! A po ta ngroh Jezusi edhe zemrën tënde? A sheh ndonjë gjë në një dritë të re?
- Jezusi reagon ndaj bashkë-ndarjes së tyre duke u treguar atyre se si Hyji po vepronte në të vërtetë në gjithçka që kishte ndodhur. Në këtë kohë lutjeje, si e ndjen se Jezusi reagon ndaj zhgënjimeve të tua? Ndërsa e dëgjon tani pjesën e dytë të ungjillit, vë re se çfarë i ndryshon këta dishepuj nga një çift i dëshpëruar që ikën nga qyteti në dëshmitarë të etur për të treguar atë që kanë parë dhe dëgjuar.
Lk 24,28-35
28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë:
“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”
Dhe hyri që të rrijë me ta.
30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën… Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit:
“Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”
33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë:
“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”
35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.
Bashkëbisedimi
- Ulu në tryezë me dishepujt dhe Jezusin në Emaus. Vë re nuancën eukaristike të asaj që Jezusi bën me bukën.
- A e njohim atë në thyerjen e bukës sa herë që marrim pjesë në gostinë eukaristike? A je si këta dishepuj dhe dëshiron të ndash përvojën tënde të Zotit të ringjallur me të afërmit e tu?
- Flit me Jezusin tani se si ti vetë mund të jesh më plotësisht një dëshmitar/e entuziast/e i/e gjithçkaje që do të thotë ringjallja në jetën tënde.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.
Jezusi në të vërtetë kurrë s`u zhduk. Ai është i pranishëm në bekim dhe në thyerjen e bukës: çdo altar është Emaus, vend i kësaj ngjarjeje. Në Emaus jemi çdo herë kur e ndajmë ndonjë vakt të familjes ose miqësisë.
Lut për ata me të cilët e ndan bukën – bukën eukaristike ose atë të thjeshtë. Ndoshta çdo bukë është e shenjtë, dhe çdo vakt një vakt i shenjtë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë Mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell, ashtu në tokë! – Bukën tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë. E mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi. Amen! Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.