Gëzimi i Zotit

Sep 15 • Meditimi i ditës

15 shtator 2019 – E diela 24-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 32,7-11.13-14; Ps 51,3-4.12-13.17.19; 1Tim 1,12-17; Lk 15,1-32)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lus për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe çiltërinë se çfarë dëshiron Hyji të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë,

do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.

– – –

Lk 15, 1-32

 

SHËMBËLLTYRA E DELES SË HUMBUR

1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:

“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?

5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”

 

SHËMBËLLTYRA E DRAHMËS SË HUMBUR

8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”

 

SHËMBËLLTYRA E DJALIT TË HUMBUR E TË GJETUR

11 Pastaj vijoi:

“Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.

14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen. 15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. 16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.

17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’

20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.

Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir… !’

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vëriani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’

E filluan të dëfrehen.

25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, 26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. 27 Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. 30 Por, kur të erdhi ky ‑ djali yt ‑ që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’ 31 ’Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky ‑ vëllai yt ‑ pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“

– – –

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Humbur dhe gjetur! Kjo është edhe historia jonë e jetës. Hyji na kërkon gjithmonë, edhe në këtë moment ndërsa jemi duke lutur. A është e lehtë për të më gjetur, apo fshihem nga Hyji? A shtirem se s`jam fare i/e humbur dhe se s`kam nevojë për Zotin?
  • Imagjinoje për pak çaste, çka do të thotë me qenë i mbartur mbi supet e Jezusit. Ndoshta babai im, ose vëllai im i madh dikur më ka pas mbartur kështu. Kujtoje dhe ripërtërije atë gëzim, mirëbesim, siguri, aftësinë për ta parë në botë në një mënyrë të re. Nëse e pranoj ftesën e tij që të kujdeset për mua, që të më mbart, atëherë hyj në një marrëdhënie të ngushtë me Jezusin.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me mirëbesim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »