Kalendari Kulturor: përvjetori i kuvendit të Lezhës – 2 mars 1444

Mar 2 • Histori, Kulturë

Duke shfletuar kalendarin kulturor-historik, sot përkujtojmë Kuvendin e Lezhës, që u mbajt më 2 mars 1444, në Kishës katedrale të Shën Kollit, në qytetin e Lezhës, aty ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot – Skënderbeut.

Besëlidhja apo Kuvendi i Lezhës, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare.

Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur heroi i kombit shqiptar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha principatat arbërore, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht, realizimi i bashkimit të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij.

Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu deri në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi Lezhës vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman.

Po t’i referohesh dokumentacionit historik kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut. Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në këtë qytet, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë shmangeshin grindjet e mundshme dhe krijohej ideja e barazisë.

Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike të Skënderbeut. Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Europë, pasi një nga idetë me të mëdha të Lidhjes ishte lidhja e Arbërorëve me shtetet e europës perëndimore. Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës.

Skënderbeu ia doli të mbrojë Ballkanin jugperëndimor nga turqit të cilët me 29 maj 1453 pushtuan edhe vetë Kostandinopojën. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit Lidhja e Lezhës e humbi kuptimin e vet dhe shqiptarët i kaploi letargu i gjatë. Do të zgjoheshin vetëm në 1703 në Kuvendin e Arbënit, po në Lezhë, i cili pati po aq qëllime fisnike sa edhe ai i Kastriotit: mbrojtjen e Krishterimit e të Atdheut.

Lidhja e 1444-shit u shërbeu prapë më vonë shqiptarëve si shembull frymëzimi për bashkim në mbrojtje të tërësisë tokësore, kujtojmë këtu Lidhjen e Prizrenit të qershorit të 1878-ës. Ndërsa në këtë ditë, dëshmia që mund të japë Kuvendi i Lezhës është se kur aleancat politike janë të themeluara në ndjenja të sinqerta e të ndërsjellta japin gjithnjë fryte të dobishme në jetën e një kombi. Kjo është arsyeja që shqiptarët e përkujtojnë me nderim këtë ngjarje e krenohen me të edhe pse kanë kaluar kaq shumë vjet. (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »