Imzot Luigj Bumçit, ipeshkvi madh, në përvjetorin e vdekjes, që punoi për unitetin e Kishës e të Kombit. Nuk la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush pyet: ç’vepër të madhe i la Shqipërisë – mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë: i la Korçën e Gjirokastrën!
Duke shfletuar kalendarin historik, me 1 mars, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit (1 mars 1945), ipeshkvit të madh, që punoi për unitetin e Kishës dhe të Kombit Shqiptar. Nuk la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush pyet: ç’vepër të madhe i la Shqipërisë – mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë: i la Korçën e Gjirokastrën!
Mori pjesë në Kongresin e Durrësit, përzgjidhet ministër pa portofol në qeverinë e Turhan pashës dhe përtej qershorit të 1919 si kryetar i Dërgatës në Konferencën e Paqes në Versajë, Paris. Mbajti fjalimin e pergatitun nga Fishta “Të drejtat e Shqipnisë etnike” dhe shkruan “Mëvetësinë e tanësinë tokësore e Shqypnisë mbrenda kufijve ethnikë e respektim i të drejtave syprane të kombit shqyptar”.
Imzot Bumçi lindi më 6 nëntor 1872 në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në shkollën e jezuitëve, ku shpejt ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë. Hyri, prandaj, në Seminarin Papnor, ku mësoi në Kolegjin Saverian dhe njëkohësisht filloi përgatitjen filozofike e teologjike për rrugën e priftit dioqezan, që kishte zgjedhur. Shpejt u shqua për një mençuri të jashtëzakonshme, që e vuri në krye të shumë veprimtarive të Seminarit e të Kolegjin Saverian.
U bë shumë i njohur edhe për humorin e tij tejet të hollë, që e bëri të shkëlqejë në vise e rrethana të ndryshme. Në garën e satirës – shkruan ipeshkvi Imzot Zef Simoni në librin e tij “Portrete klerikësh katolikë” – mund të hahej vetëm me një Atë Fishtë. E ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të ndiqje një garë të tillë ndërmjet dy njerëzve, që veç shumë cilësive të mëdha, kishin edhe humor të spikatur”. Mësimet e larta i kreu në Itali, ku edhe u shugurua meshtar. Mbas shugurimit, shërbeu për pak kohë si famullitar në fshatra të ndryshme të Veriut.
Ndërkaq filloi edhe veprimtarinë atdhetare. Qe atë shpirtëror i kryengritësve të Malësisë së Madhe, që rrokën armët për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke; kryesoi delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku mbajti një fjalim, që pati jehonë të jashtëzakonshme e që meriton të zërë vend në të gjitha antologjitë e letërsisë shqiptare, si një nga prozat oratorike, me karakter të fuqishëm atdhetar.
Në Konferencën e Paqes në Paris delegacioni shqiptar u ndodh para një problemi jetik për tërësinë e tokave shqiptare: Korça e Gjirokastra rrezikoheshin të shkëputeshin nga Shqipëria, sipas marrëveshjes së fshehtë ndërmjet Titonit e Venizelosit, nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Rusisë. Delegacioni shqiptar nuk u mjaftua ta mbronte çështjen shqiptare në Konferencë, por duke përfituar nga fakti se në të bënin pjesë dy klerikë, të cilët tashmë kishin fituar emër kudo në botën katolike, e pikërisht Imzot Bumçi e sekretari i tij, Atë Gjegj Fishta, u ndal në Romë, ku kërkoi audiencë te Papa.
Papa Benedikti XV i priti menjëherë dhe u premtoi se do të ndërmjetësonte pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e Shqipërisë. “Diplomat i spikatun, me natyrën e qetë të shtresave qytetare shkodrane, me stil plot gjallni jete, me prirje të theksueme për jetën politike, i guximshëm e i stërvitun, i peshuem e modern, ai punoi me zell për një Shqipni të çlirueme nga feudalizmi e mbrapambetja. Na kujton së largu figurën e kardinalit francez Richelieu” – kështu shkruan për të Imzot Zef Simoni, në sa ia pikturon portretin në librin e tij “Portrete klerikësh katolikë“. Si u shugurua ipeshkëv, u emëruar bari shpirtëror i dioqezës së Lezhës. Selinë e tij, sipas traditës, e pati në Kallmet, ku ndërtoi edhe Kishën që sot i është rikthyer besimtarëve.
Kongresi i Lushnjës e vuri Imzot Luigj Bumçin në krye të Këshillit të Lartë të Shqipërisë. Nga kjo tribunë, u bë i njohur nga të gjithë si njeri me mençuri të jashtëzakonshme; që njihte në mënyrë të përkryer gjuhët kryesore evropiane. Me kulturën e tij të gjerë, e linte me gojë hapur çdo njeri që komunikonte me të.
Nuk la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush pyet: ç’vepër të madhe i la Shqipërisë – mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë: i la Korçën e Gjirokastrën! Vdiq në vitin ogurzi 1945 më 1 mars në selinë e dioqezës së tij, ndërsa mbi Shqipërinë ndehej terri e terrori. Trupi i tij u varros në Kishën e Kallmetit.
“La Libre Parole” ka botuar, të dielën e 22 qershorit 1919, në ballinë, intervistën ekskluzive të Imzot Luigj Bumçit, asokohe delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Një thirrje për Shqipërinë
Intervistë me Imzot Bumçin
Ipeshkvi i Lezhës mes tjerash pati pohuar: “Shqipëria, e gjymtuar në Kongresin e Londrës në 1913 në dobi të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, pati dhimbjen të shihte edhe një herë këto fuqi të fundit të pretendojnë territore të reja shqiptare në Kongresin e Paqes dhe vë në dukje se këto pretendime të pajustifikuara patën një pritje dashamirëse në Paris.
A është e nevojshme të përgënjeshtrohen shpifjet e bëra kundër nesh? Ato të kujtojnë shumë argumentet e ujkut kundër qengjit.
Për shekuj, ne luftuam kundër pushtuesve pa lejuar kurrë që të asimilohemi prej tyre : kundër legjioneve romake, pastaj kundër bandave sllave. Ne kemi ruajtur gjithmonë pavarësinë dhe unitetin tonë kombëtar”.
(marrë nga Radio Vatikani)