Kosova në marrëdhëniet diplomatike Zvicër-Jugosllavi (V)

 Me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

 

Nga Zef NOKA

 

Për çdo vit, dhjetëra mijëra punëtorë sezonalë nga Jugosllavia udhëtojnë në Zvicër për të punuar në industrinë e ndërtimit dhe në bujqësi. Foto nga stacioni i trenit Buchs (SG) në 1978. Burimi: Thomas Bürgisser, Als die Schweiz versuchte, Jugoslawien zu retten, në: Neu Zürcher Zeitung, 20.02.2023.

Dokumenti nr. 9.

Mistria e jashtme e Zvicrës, departamenti politik, e udhëhequr nga Rene Felber[1] kishte vendosur që Zvicra duhet të ndërhyjë në mënyrë bilaterale te qeveria jugosllave në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ajo e autorizon përfaqësinë e sajë diplomatike në Beograd që të protestojë ashpër kundër sulmeve të forcave serbe të sigurisë te organet e larta të Ministrisë së Jashtme jugosllave dhe të kërkoj respektimin e detyrimeve ndërkombëtare. Ndërkohë, thuhet n kërkesën për të protestuar, drejtuar ambasadës Zvicerane në Beograd, se kjo protestë bilaterale nuk do ta aktivizojë edhe mekanizimin KSBE-së.

P.B.73. Youg.O.-NB/WIA[2]

Dërguesi : Departamenti Politik[3]

Ambasadës në Beograd

Bernë, 21.08.1990  10:20

Për: Ambasadën në Beograd

Nga: Departamenti Politik l

 

Ndërhyrja bilaterale për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë

  1. Ju njoftojmë se shefi i departamentit sot vendosi që Zvicra të ndërhyjë në mënyrë bilaterale te qeveria jugosllave lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Por mekanizmi KSBE-së[4] nuk do të thirret.
  2. Prandaj ju udhëzojmë të paraqiteni te organet e larta të ministrisë së punëve të jashtme të Jugosllavisë dhe të depononi një deklaratë zvicerane me përmbajtjen e mëposhtme: Qeveria zvicerane është thellësisht e shqetësuar për zhvillimin e situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë. Ajo nuk mund të pranojë që të jenë pezulluar të drejtat kushtetuese të popullatës shqiptare, siç është e drejta për media në gjuhën shqipe. Ju gjithashtu të protestoni ashpër kundër sulmeve të forcave të sigurisë serbe në krahinën autonome dhe kundër përdorimit të papërshtatshëm të forcës kundër popullatës civile. Qeveria zvicerane kërkon që qeveria jugosllave të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare në këtë fushë dhe për të parandaluar me forcë sulmet e mëtejshme dhe për të rivendosur rendin kushtetues. Qeveria zvicerane kërkon nga qeveria jugosllave të deklarohet brenda një periudhe të arsyeshme kohore.
  1. Për ambasadat zvicerane në Suedi, Austri dhe Finlandë: Informoni qeveritë tuaja pritëse për këtë qasje zvicerane.[5]

Origjinali: D afettra

Kopje:

-BRF

-JAC

-DV

-DP II

-DP Ill

-PS

-WER

-SIN. WOK, NB

– Ambasada në Stokholm

– Ambasadës në Vjenë

– Ambasadës në Helsinki

Dokumenti nr. 10.

Dokumenti konfidencial flet për aneksimin e krahinës autonome të Kosovës nga ana e Serbisë. Efektet e para pas ofensivës masive serbe në Kosovë. Që nga shpërbërja e parlamentit të Kosovës nga Beogradi në korrik 1990, politika serbe e represionit është intensifikuar. Kjo situatë e tensionuar e bënë të pamundur dialogun me opozitën shqiptare e cila po angazhohet për një zgjidhje paqësore. LDK, e regjistruar në ministrinë federative të drejtësisë si parti politike, dhe jo siç ishte e zakonshme në atë kohë, te organet e Serbisë, ishte për bojkotimin e zgjedhjeve në vitin 1990. Degjenerimi i politikës së Milosheviqit në politikë pushtuese. Qeveria serbe po shfaq vështirësi në rritje në ruajtjen e fasadës së shtetit ligjor dhe se ka diskredituar disa herë Jugosllavinë në arenën ndërkombëtare. 

Origjinali: AY[6]

Kopje për: BRF, JAC, SRU, KJP, KT, SFR, MA, GRN, SIN, SI, HO, DY, NI, GWB, BOD, LA, AX, PB, RAE, WI, GH, LH, WOK, CFR, AJ, HIR.

Pasi ta keni lexuar shkatërroni kopjen në mënyrë konfidenciale!

Beograd         14.9.1990                10h15

Konfidenciale

DFPJ[7] sekretariati politik

Kopje për:

  • DFPE,[8] ZFTJ,[9] sekretari shtetërorë, Blankart
  • DFPE, ZFTJ, ambasadorit Arioli
  • DFPJ, departamenti politik 1.
  • DFPJ, sekretarit gjeneral R. Schaller
  • Ambasadës në Vjenë, atasheut të mbrojtjes, kolonel Ott (ju lutem dërgoni me korrier)
  • Ambasadorit Indermuehle, Ferienadresse

p nr. 14/1990.    380.0-knl/clm

 

Kosova: efektet e para të ofensivës serbe në shkallë të gjerë

Situata në krahinën zyrtarisht autonome të Kosovës, sot praktikisht e aneksuar nga Serbia, ndryshoi në javët e para të korrikut me shpërndarjen e parlamentit në Prishtinë dhe shkarkimin e qeverisë.

Pezullimi i mediave në gjuhën shqipe dhe shkarkimet masive nga puna, masat e veçanta të marra nga qeveria serbe, të cilat shkelin kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare, por synojnë të rivendosin përfundimisht “kushtet kushtetuese” në Kosovë, që nënkuptojnë forcimin drastik të pozicionit serb, gjë që e bën të pamundur çdo dialog me opozitën shqiptare dhe zgjidhja paqësore e konfliktit është e pamundur për momentin.

Arsyeja – apo preteksti – për këtë politikë të përshkallëzuar të dhunës, e cila po përballet me kritika nga jashtë (demarshe nga shumica e qeverive perëndimore duke u mbështetur në mekanizmat e KSBE-së ose në mënyrë bilaterale, si p.sh. Zvicra), ishte “deklarata e pavarësisë” e Kosovës, me të cilën 114 deputetë shqiptarë u nënshkruan më 2 korrik para ndërtesës së Kuvendit të mbyllur në Prishtinë për barazinë e pakicës shqiptare me popujt e tjerë shtetepërbërës të Jugosllavisë dhe për krahinën kërkuan një status “si për njësitë e tjera të Federatës”.

Millosheviqi befasoi dukshëm opozitën shqiptare me ofensivën e tij politike: lëvizjet alternative, mbi të gjitha Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u regjistrua si parti më 7 shtator në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe jo te autoritetet serbe siç bëhet zakonisht, u mjaftuan me thirrje për rezistencë pasive dhe jo të dhunshme, bojkotimin e tyre për referendumin e organizuar të 1./2. korrik për kushtetutën e re serbe, e cila supozohet të kufizojë autonominë e mbetur te krahinës përpara se të mbahen zgjedhjet e para të lira, padyshim që nuk pati efekt. Me bojkotin e shpallur të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike vështirë se do të mund të merret parasysh. Më e keqja se pamjaftueshmëria e mjeteve demokratike në këtë konflikt është fakti se, për herë të parë, liderë individualë të opozitës shqiptare janë angazhuar hapur për ndarjen e krahinës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërisë, nëse një zgjidhje e kënaqshme rezulton e pamundur. Kështu që Millosheviqi arriti ta ngushtoj alternativën shqiptare aq larg sa ajo bëri që të bëhen deklarata separatiste, të cilat në sytë e shumë jugosllavëve legjitimonin ato jo dhunuese. Është e vërtetë se mosbindja civile e popullatës etnike shqiptare e ka dobësuar ekonominë e Kosovës deri në atë masë saqë vetëm 30% kapaciteteve janë duke shfrytëzuar. Megjithatë, kolapsi i pritshëm ekonomik në këtë rajon do të godasë së pari shumicën e popullsisë shqiptare.

Në këtë kontekst, greva e përgjithshme 24-orëshe e 3 shtatorit mund të shihet si përgjigja e parë konkrete e opozitës shqiptare, e cila është ende e angazhuar për një zgjidhje demokratike dhe jo të dhunshme të konfliktit të Kosovës dhe është përmbajtur nga çdo provokim (demonstrate , terrorizëm) që do të çonte në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndërhyrje të reja të dhunshme. Thirrja e sindikatës së re të pavarur u ndoq nga pothuajse të gjithë punëtorët me origjinë shqiptare. Udhëheqja serbe, nga ana e saj, mundi të parandalonte mbylljen e shërbimeve publike duke dërguar punëtorë serbë në Kosovë. Që atëherë, represioni i përditshëm ka marrë represione të reja ekonomike: mbyllje të disa qindra dyqaneve shqiptare, masa disiplinore ndaj grevistëve, shkarkime masive të shqiptarëve të Kosovës që zëvendësohen me serb, administrim i detyrueshëm në ndërmarrje.

Kjo politikë, e cila ka kohë që ka pushuar të përkrahet nga republikat e tjera anëtare, rrezikon gjithashtu zhvillimet në nivel federal dhe ekuilibrin e brishtë në shtetin shumë-etnik: shoqëruar me agjitacion nga pakica serbe në Kroaci (Knin), Bosnje dhe Hercegovinë (Foca), dhe përpjekjet e Malit të Zi për t’u bashkuar me “mëmëdheun” serb, synon një referencë të qartë të pozicionit në lidhje me riorganizimin e vonuar të Jugosllavisë pas 40 viteve të sundimit socialist. Përpjekje të tilla synojnë të rivendosin dominimin serb, i cili u arrit të parandalohej në federatën e Titos, dhe hasen në rezistencë nga tendencat konfederale në Slloveni dhe Kroaci. Merret në konsideratë se shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Kosovë të paktën mund  të rrezikojë hyrjen e shumëpritur të Jugosllavisë me procesin e integrimit evropian (afrimi me KE dhe EFTA, aplikimet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe OECD). Mbi të gjitha, megjithatë, është programi i reformave të Markoviqit ai që kërcënohet nga ky radikalizëm: ndryshimet kushtetuese të miratuara përfundimisht nga Dhoma Federale, të cilat synojnë të mundësojnë zbatimin e programit të Markoviqit, e vetmja fije shprese në horizontin jugosllav, kërkojnë miratimi i parlamentit republikan dhe ai krahinor, shpërbërja e parlamentit në Prishtinë e vë seriozisht projektin në pikëpyetje.

Udhëheqja serbe gjithashtu ka arritur të diskreditojë Jugosllavinë ndërkombëtarisht përmes disa incidenteve: së pari, përfaqësuesit shqiptarë të parlamentit krahinor do të ndiqen penalisht pse kanë vizituar qeveri të Evropës Perëndimore. Dy prej tyre ishin pritur me 3.8. në Bernë. Për më tepër, ndërhyrja masive e policisë në një tubim pritës të senatorit amerikan Robert J. Doles në Prishtinë më 28 gusht 1990 e diskreditoi në SHBA përsëri politikën serbe. Në konferencën për shtyp, Dole tha se ishte “thellësisht i shqetësuar nga politikat brutale represive të Serbisë komuniste, të cilat janë në kontrast të fortë me zhvillimet progresive në Kroaci dhe Slloveni.” Më e turpshme është arrestimi i shkurtër dhe dëbimi pasues i katër anëtarëve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit. Në një përgënjeshtrim të parë, faktet e rastit thjesht u mohuan nga autoritetet serbe. Edhe pasi anëtarët e delegacionit paraqitën prova në televizionin austriak, udhëheqja e Serbisë u kap në deklarata gjithnjë e më konfuze rreth keqkuptimeve të supozuara në shtypin e huaj.

“Fatkeqësi” të tilla tregojnë se qeveria e Beogradit është gjithnjë e më në vështirësi dhe vështirë se është në gjendje të ruajë fasadën e një shteti kushtetues. Nëse deri më tani programi nacionalist i Millosheviçit është parë si një politikë agresive por konsekuente për të mbrojtur pakicën serbo-malazeze në Kosovë, për të shpëtuar regjimin e tij komunist dhe ndoshta për të siguruar karrierën e tij politike,  në javët e fundit ajo ka degjeneruar në një politikë të thjeshtë pushtuese që kërcënon të zhytet gjithnjë e më shumë në të paarsyeshmen.

Presioni ndaj Millosheviqit po rritet edhe brenda Serbisë me fushatën e ardhshme zgjedhore, edhe pse nuk mund të pritet shumë nga partitë opozitare serbe në drejtim të zgjidhjes paqësore të problemit në Kosovë: qëndrimi i vazhdueshëm antishqiptar i partive është kryesisht për shkak të klimës politike në Serbi. Popullsia vendase duket se mbështet politika të ashpra në Kosovë dhe Serbinë jugore, ku grupet myslimane shkaktuan së fundmi trazirat e para. Tendencat ksenofobike po përhapen. Prandaj, zgjedhjet demokratike vështirë se do të sjellin paqen e shpresuar për Kosovën. Edhe Millosheviqi do të dijë të luajë sërish me kartën e tij nacionaliste.

Feldmeyer[10]

Ambasuisse

Dokumenti nr. 11.

Takimi i të Ngarkuarit me Punë të Zvicrës në Beograd, z. Feldmeyer, me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Për këtë bisedë-intervistë informohen institucionet e ndryshme të Zvicrës lidhur me situatën politike të shqiptarëve në Jugosllavi si dhe qëndrimet shqiptare në raport me rrethanat e tensionuara politike. Rugova, përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit në Prishtinë, dhe figurat tjera politike shqiptare – emrat e të cilëve nuk përmenden – shprehen lidhur me qëndrimet e palës shqiptare. Me këtë rast ishte thënë se, në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mund të përbënte padyshim një opsion serioz, përveç opsioneve tjera. Rugova si udhëheqës karizmatik dhe i moderuar nuk është i sigurt se do të jetë në gjendje të kontrollojë për kohë të gjatë grupin e simpatizantëve të tij për rezistencë paqësore.

Ambasada zvicerane në Jugosllavi[11]                                              Beograd, 29 prill 1991

                                                                                                            Bircaninova 27

                                                                                                            Numri postar 817

                                                                                                            Tel. : 646899

Ref. : 380.0 – FM/BE

Konfidenciale

                                                            DFPJ[12]

Shefi të Sekretariatit Politik

RP No 13/1991

                                                Kopje: -Sekretariati shtetëror F. Blankart, ZFÇJ[13]

                                                            -Ambasadorit S. Arioli, ZFÇJ

                                                            – ZFÇJ, Evropa Juglindore

                                                            – Divizioni politik I, ZFÇJ

                                                            – Divizioni politik III, ZFÇJ

– J. – D. Vigny, Shërbimi i të Drejtave të Njeriut DDNP[14]

– Ambasadorit R. Weiersmüller, koordinatori i politikave ndërkombëtare për refugjatët.

– DMF[15]-GRS

-Ambasadës zvicerane ne Vjenë, (kolonel C. Ott)

Kosova në parantezë

(Intervista Feldmeyer me Ibrahim Rugovën (X), Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe figura të tjera opozitare shqiptare të Kosovës, në Prishtinë dhe Pejë si dhe me përfaqësuesin e Komitetit të Helsinkit në Prishtinë (Y))

Institucionet e saj politike të pezulluara, ekonomia e saj e paralizuar, Kosova e bllokuar duket se është harruar nga të gjitha partitë e tjera jugosllave. Në krahinën e kontrolluar nga serbët ( me 2 milionë banorë, 85-90% e të cilëve janë shqiptarë), e privuar nga autonomia e saj e mëhershme, opozita shqiptare ushtron rezistencë pasive. Pa e pranuar ajo i kthen sytë drejt Shqipërisë. Udhëheqësit e saj kanë frikë se nuk do të jenë më në gjendje t`bindin njerëzit e tyre që të përmbahen për kohë të gjatë derisa kushtet përkeqësohen. Mund të shfaqen forca të gatshme për konfrontim.

Parlamenti dhe qeveria krahinore u pezulluan në korrik 1990 pas deklaratës së deputetëve shqiptarë që kërkonin statusin e një republike të barabartë me të tjerat. Autonomia u ngushtua nga kushtetuta e re e Serbisë e shtatorit 1990, e cila i zhveshi krahinat nga të gjitha pushtetet shtetërore.

Masat e emergjente sipas ligjit për “rrethana të jashtëzakonshme” lejuan shkarkime masive nga puna. Parlamenti serb “suspendoi” përfaqësuesin e Kosovës në presidencën jugosllave pas tërheqjes së përkohshme të presidentit Joviq në mars të vitit 1991 dhe në të njëjtën kohë hoqi presidencën e Kosovës. Ai nuk ka marrë një vendim për “statusin” që do i takon krahinës në zëvendësimin e kushtetutës së vjetër dhe as në funksion të zgjedhjeve krahinore. Serbia po kryen një rindarje administrative (5 rrethe) që komprometon unitetin krahinor.

Gjendja sociale po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Bashkëbiseduesit vlerësojnë në 70.000 numrin e shqiptarëve të shkarkuar për arsye politike, pra për shkak të refuzimit të sistemit të vendosur nga autoritetet serbe në bazë të masave të jashtëzakonshme. Papunësia është veçanërisht shqetësuese për të rinjtë që përbëjnë një shumicë të madhe të popullsisë. Ata ikin në mërgim në numër të madh (nën presionin e policisë dashamirëse serbe) sidomos në Zvicër, ku po rriten numri i azilkërkuesve. Emigrimi është burimi i domosdoshëm i të ardhurave në situatën aktuale. Solidariteti i organizuar mes shqiptarëve ju mundëson të mbijetojnë pa punë.

Për shkak të mungesës së burimeve, situata ushqimore është e pasigurt. Ne nuk jemi të uritur, edhe nëse nuk mund të hamë mishi çdo ditë. Nuk ishte e mundur të verifikoheshin shenjat e kequshqyerjes së fëmijëve të raportuara në raporte të ndryshme. Shërbimi shëndetësor është prekur rëndë nga shkurtimet politike (1100 shqiptarë, mes tyre 100 mjekë dhe mësues). Në fakultetin e mjekësisë është ndërprerë viti akademik. Në rrezik janë edhe arsimi fillor dhe i mesëm, të cilit i janë shkurtuar fondet. Rilindja, e vetmja gazetë e përditshme në gjuhën shqipe, e ndaluar, nuk del më dhe shërbimet e radiotelevizionit në shqip u pezulluan në korrik të vitit 1990, pas institucioneve të krahinës. Kanë mbetur vetëm disa të përjavshme. Prandaj, situata vazhdon të përkeqësohet. Liderët e opozitës shqiptare nuk flasin më për shkelje të të drejtave të njeriut, por për mohim të plotë. Megjithatë, sipas tyre, marrëdhëniet ndëretnike janë të këqija, nuk ka konflikte me pakicat serbe dhe malazeze.

Opozita shqiptare në provincë justifikon bojkotin e saj ndaj zgjedhjeve republikane në Serbi, të cilat do t’i kishin sjellë atyre 30 vende në parlament: ajo nuk donte të hynte në një farsë të tillë, duke miratuar një regjim jodemokratik në të njëjtën kohë edhe pezullimin e autonomisë. Shqiptarët nuk mund të pranonin të konsideroheshin si komb i dorës së dytë. Udhëheqësit e tyre nuk presin asgjë nga opozita antikomuniste në Serbi. Me përjashtime të rralla (të gjelbërit), liderët e këtyre partive, ndonëse më shumë të brengosur për të drejtat civile, janë po aq nacionalistë sa partia në pushtet, dhe ndonjëherë edhe më nacionalistë. Dëshmi për këtë është gjuha e përdorur nga zyrtarët e Partisë Demokratike të Serbisë, të cilët kanë ardhur në Kosovë për të krijuar seksione lokale (shqiptarët e Kosovës si pakicë duhet të gëzojnë të drejtat e parashikuara në konventat ndërkombëtare). Ata rrezikojnë të humbasin vota duke treguar shumë mirëkuptim për shqiptarët, siç thotë një deputet demokrat nga Beogradi, i cili gjithashtu i konsideron shqiptarët ” “too uncomprosising“”. Nga këndvështrimi i Kosovës, pra, ngjarjet në Beograd, të cilat përballën “nacionalizmin ekstrem kundër komunizmit ekstrem”, nuk arritën asgjë. Nuk mjafton vetëm rrëzimi i Millosheviqit, i cili sigurisht ka përgjegjësi të madhe për situatën aktuale; na duhet një serb de Gol që nuk e shohim se po vjen. Nuk kemi iluzione për vendosmërinë e Serbisë për të dominuar. Shqiptarët e KOSOVËS nuk kanë asnjë mbështetje nga Vojvodina, përveç disa hungarezëve nga kjo krahinë tjetër, të rreshtuar me Beogradin që nga revolucioni “anti-burokratik” i vitit 1988.

Shqiptarët e Kosovës shprehin keqardhje për mungesën e mbështetjes nga Sllovenia dhe Kroacia (përveç shtypit). Një delegacion parlamentar slloven thuhet se e ka parë këtë realitet gjatë një vizite të fundit në Prishtinë. Krerët e këtyre republikave janë të gjithë të angazhuar në mosmarrëveshjet e tyre me Serbinë, Sllovenia me planet e saja për “pavarësi” dhe Kroacia me tensionet serioze kroato-serbe në territorin e saj. Më së shumti, Kroacia përdori represionin serb në Kosovë për të potencuar nevojën për t’i dhënë fund Jugosllavisë së dominuar nga serbët. Madje, opozita shqiptare dyshon se presidenti kroat dhe ai serb kanë arritur një marrëveshje në kurrizin e Kosovës: ajo ka frikë se Millosheviqi ka arritur ta bind Tuxhmanin të mbajë një qëndrim të rezervuar ndaj politikës serbe në Kosovë, Kroacia, e ndjeshme ndaj trazirave të pakicës serbe, shpreson që aspiratat e saja për pavarësi më të madhe (konfederatë) do të hasin në  mirëkuptim. Kosova është lënë jashtë debatit për të ardhmen kushtetuese të vendit, i cili ka nisur mes presidentëve të gjashtë republikave. Askujt nuk i intereson Kosova as në lidhje me referendumet që duhet të organizohen në republika (federatë apo konfederatë) dhe me të cilat liderët republikanë duan mbi të gjitha t’u japin ideve të tyre njëfarë legjitimiteti: Ibrahim Rugova thotë se shqiptarët e Kosovës mund të marrin pjesë “si komb”.

Sipas Prishtinës, deklaratat perëndimore të mbështetjes për unitetin e Jugosllavisë mbështesin shtet ndërtimin, ku Serbia dominon: Evropianët dhe amerikanët janë në fund të fundit garancia e një Serbie antidemokratike që janë mbrojtësit kryesorë të saj.

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës presin që vendet neutrale si Zvicra të ushtrojnë presion diplomatik (d.m.th. përmes mekanizmit të dimensionit njerëzor të KSBE-së) dhe se ata duhet të jenë sa më të hapur ndaj fluksit të emigrantëve që kërkojnë punë nga ajo krahinë (ata falënderojnë Zvicrën, e cila mirëpret kaq shumë prej tyre, për mirëkuptimin).

Ndihma e ofruar në kuadër të EFTA-s është gjithashtu e mirëseardhur, vëren X. Megjithatë, Megjithatë, Y. dëshiron që ndihma perëndimore për Jugosllavinë të kushtëzohet me përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Opozita shqiptare vazhdon të pretendojë zyrtarisht statusin e republikës për Kosovën, ashtu si kombet e tjera të Jugosllavisë. Shqiptarët, populli i tretë i Jugosllavisë dhe një popull i ndarë, refuzojnë të konsiderohen si pakicë kombëtare dhe aspirojnë të njihen si elementë përbërës në republikat e tjera (Maqedoni, Mal të Zi) ku janë pakicë. Udhëheqësit e tyre kujdesen të nënvizojnë se ata synojnë të arrijnë pavarësinë e tyre brenda Jugosllavisë (“një minimum” specifikon njërin prej tyre). Ata janë jashtëzakonisht ngurrues, por ende të paqartë, për çështjen e një bashkimi të mundshëm me Shqipërinë, që po bëhet gjithnjë e më tërheqës me avancimin e procesit të demokratizimit të nisur nga Tirana. Ata e dinë mirë se ideja e Shqipërisë së Madhe do të ngrinte çështjen e kufijve dhe se do të shkaktonte konflikt e gjakderdhje; porse ata nuk duan gjakderdhje dhe duan një zgjidhje paqësore. Megjithatë ata ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri. X. u prit aty me nderime në fund të shkurtit, si i ftuar i Partisë Demokratike ashtu edhe i Presidentit Ramiz Alia (kontakti i parë i këtij lloji që nga viti 1912). Ai nuk anashkalon qëndrimet e PD-së në favor të një bashkimi të mundshëm. Ai la të kuptohet se mëtimi do të jetë edhe më i madh nëse Kosova nuk ka një vend të pranueshëm brenda Jugosllavisë dhe nëse nuk gëzon një formë të vetëqeverisjes. Një ditë ndoshta, do të mbetet vetëm ky opsion, nëse Evropa nuk vepron, paralajmëron y. Në këtë drejtim, X. mohon ata që kanë shkuar aq larg sa të shqyrtojnë hapur idenë e bashkimit.

            Në këtë drejtim, X. mohon ata që kanë shkuar aq larg sa të shqyrtojnë hapur idenë e bashkimit, në veçanti Veton Surroin, liderin e ri të opozitës (partisë parlamentare), i cili gjatë një interviste për televizionin suedez më 14 mars, kishte vlerësuar se procesi do të fillonte që në këtë vit. Nga pikëpamja taktike, kjo deklaratë e parakohshme doli të ishte një gabim i madh: ajo sjell me vete një nga tezat për separatizmin shqiptar.

Në diskutimin më spontan, disa bashkëbisedues e shprehën hapur zhgënjimin e tyre për rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo tregon shumë për shpresat që ata mbështetën te demokratizimi i regjimit të Tiranës me të gjitha pasojat e mundshme… Çka bie në sy është dendësia e lidhjeve familjare dhe lidhjeve tjera ndërmjet udhëtarëve ndërkufitar, veçanërisht në Pejë dhe rajonet fqinje. Megjithatë, ky kufi, ‘më i lartë se Muri i Berlinit’, duket se nuk ka qenë kurrë plotësisht i pakalueshëm. Për të mos përmendur numrin e madh të refugjatëve që kanë mbërritur në Jugosllavi gjatë vitit të kaluar, lëvizjet e kalimit tani po fitojnë vrull: për shembull, qindra shqiptarë përpiqen të vijnë në Maqedoni për të festuar Bajramin me vëllezërit e tyre në fund të Ramazanit; kjo çoi në incidente; policia jugosllave i ktheu mbrapsht. Jugosllavia akuzon Shqipërinë se po kërkon të heqë kufirin. Ajo i frikësohet fluksit të dhjetëra mijëra shqiptarëve, të cilët sipas të thënave po përgatiten ta kalojnë atë në ditët në vijim. Në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë, të gjitha opsionet do të jenë të hapura, duke përfshirë bashkimin me Shqipërinë, thotë Y.; në çdo rast, nuk do të jetë e mundur të mbahet Kosova nën dominimin e Serbisë, të perceptuar si shtypëse, më shumë se dhjetë deri në pesëmbëdhjetë, vazhdon ai: do t’i jepet një lloj autonomie (“self-rule”). Qëndron në duart e Evropës të krijojë kushtet për këtë, përndryshe do të ekspozohej ndaj tensioneve shpërthyese dhe terrorizmit.

Nga gjashtë partitë që formojnë opozitën, Lidhja Demokratike e Kosovës është deri tani më e forta. Ajo thuhet t`i ketë 700,000 anëtarë. Udhëheqësi i saj, shkrimtari Ibrahim Rugova është një personazh karizmatik dhe i moderuar. Nëse partitë e tjera (partia parlamentare, socialdemokrat, demokristiane, republikane fshatare) shprehin interesat e tyre, të paktën me emër, kjo është e një rëndësie dytësore; ata të gjithë bien dakord për gjënë thelbësore, përkatësisht çështjen kombëtare, dhe përbëjnë një front kombëtar dhe jo parti që shprehin ideologji të ndryshme. Atëherë pse kinse ky fragmentim në dukje? Ne donim t’i jepnim popullit një sistem shumë partiak në funksion të zgjedhjeve hipotetike federale, shpjegon X. Ai specifikon se këto parti të ndryshme dhe e tija, të cilat fillimisht u regjistruan qëllimisht vetëm te autoritet federale (dhe jo republikane), kishin më shumë gjasa të toleroheshin nga autoritetet sesa vetëm një parti e vetme kombëtare.

Nëse X. shfaqet si vërtet i moderuar, ai e din se nuk është i sigurt se do të jetë në gjendje të kontrollojë grupin e simpatizantëve të tij për një kohë të gjatë. Ndonëse synon të vazhdojë rezistencën pasive duke shmangur provokimin e regjimit serb, duket se ka frikë se nuk do të mund ta përmbajë padurimin e tyre duke pasur parasysh përkeqësimin e vazhdueshëm të situatës. Rrymat e gatshme për konfrontim mund të marrin përsipër. Në Kosovë atëherë mund të ketë një shpërthim të ri dhune si në 1981, 1989 dhe 1990. Ideja e bashkimit me Shqipërinë është hedhur në Kosovë, ndonëse liderët e opozitës shqiptare i shmangen prononcimit për këtë çështje dhe asnjëra palë nuk e ka marr në program. Ekziston një vetëdije e fortë për ndarjen e popullit shqiptar gjatë historisë. Në rast shpërbërjeje, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mund të jetë padyshim një opsion serioz, varësisht nga situata që do mbizotëroj në momentin e caktuar në shtetin fqinj.

Ambasadori i Zvicrës:

p.O.

 

(Feldmeyer)[16]

 

Dokumenti nr. 12.

Përndjekjet nga autoritetet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës janë shtuar muajt e fundit. Situata në arsim, shëndetësi, pushimet nga puna, situata e shqiptarëve në Maqedoni, azilkërkuesit nga Shqipëria. Largimi nga puna i shqiptarëve të Kosovës. Partitë opozitare në Kosovë, puna e “gjykatave për kundërvajtje” serbe në Kosovë, bastisjet dhe kërkimi i armëve, situata e shqiptarëve të Kosovës në ushtrinë jugosllave. Përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Nënvizimet në tekst janë të bëra si në dokumentin origjinal.

Ambasada zvicerane ne Jugosllavi[17]                                                          Beograd, 23.09.1991

                                                                                                            Bircaninova 27

                                                                                                            Numri postar 817

                                                                                                            Tel. : 646899

Ref. : 131.40-ES

Konfidenciale

                                                                        Drejtuar :

Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë

Enti Federal për Refugjatët,

(Dokumentacioni për vendet)

3003 Bern

Kopja (pa bashkëngjitje) u dërgohet:

– DFPJ[18], Drejtoria e së Drejtës Ndërkombëtare, Seksioni për të drejtat e njeriut

– DFPJ, Departamenti Politik I

– DFPJ, Koordinator për politikën ndërkombëtare të refugjatëve

Situata e përndjekjes së shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni

Duke iu referuar pyetjeve tuaja të 21 majit, 4 qershorit dhe 19 gushtit 1991, të cilave kjo ambasadë deri tani u është përgjigjur vetëm pjesërisht, do t’ju jap disa të dhëna për gjendjen e përndjekjes së shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni. Mirëpo, pyetjeve tuaja për rrezikimin e ushtarëve dhe dezertorëve shqiptarë të Kosovës nuk mund të marrin përgjigje përfundimtare; në përgjithësi është e saktë se, meqë informacionet konkrete e të besueshme për përndjekjen e motivuar politikisht dhe etnikisht po bëhet gjithnjë e më vështirë për t’u marrë, kjo e ka shtuar izolimi i Kosovës përbrenda Serbisë.

 

Kosova

Zhvillimi i situatës së përndjekjes në përgjithësi

Përndjekjet nga autoritetet serbe ndaj kosovarëve janë shtuar muajt e fundit. Në Kosovë sot ekziston vetëm një shtet juridik i kufizuar. Vëzhguesit shpesh theksojnë se i vetmi institucion shtetëror funksional në Kosovë është policia.

Prezenca e madhe e policisë serbe në fakt mund të veprojë pak a shumë sipas dëshirës. Në Prishtinë, në veçanti, ata ndalojnë kalimtarët ose hyjnë në banesa me pretekste të tilla si shkelje e rregullave të komunikacionit ose dyshime për posedim të paligjshëm të valutës së huaj. Ndonjëherë ajo i rrah ata, kinse të  kapurit në vend, ose i çon në komisariat dhe i ndalon për një natë. Masa të tilla kurrsesi nuk kanë për qëllim vetëm ata shqiptarë të Kosovës që bien në sy për sjelljen e tyre kundër serbe. Mund të preken edhe qytetarët politikisht plotësisht pasiv. Sulmet e tilla të policisë synojnë të frikësojnë – ose të provokojnë (shih letrën time të 29 gushtit 1991 për përshkallëzimin e situatës në Kosovë) të popullatës shqiptare. Kjo formë e përndjekjes zyrtare, e cila po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, rrallë mund të vërtetohet. Të prekurit i shmangen dhënies së informacionit konkret për persekutimin që kanë pësuar, nga frika e hakmarrjeve të mëtejshme dhe nuk ka asnjë provë dokumentare për incidente të tilla.

Masat e tjera përndjekëse që mund të prekin të gjithë shqiptarët e Kosovës, pavarësisht nga aktiviteti politik, janë bastisjet e shtëpive gjatë natës nga policia apo ushtria, gjoja kërkim të armëve. Kjo masë duket se zbatohet kryesisht në fshatra.

Shqiptarët e Kosovës që shprehin opinionin publik kundër-serb në çfarëdo mënyre – mjafton grisja e një fotografie të Presidentit serb ose brohoritja e sloganit “Kosova Republikë” – duhet të llogarisin me represionin policor edhe më të shtuar se pjesa tjetër e popullsisë. Personat të cilët akuzohen për sjellje të tilla nga policia, si rregull, përveç bastisjes i nënshtrohen procedurave të shkurtuara gjyqësore pranë të ashtuquajturës “Gjykatë Komunale për Kundërvajtje” (Opstinski sud za prekrsaje). Mund të shqiptojë dënime me burg deri në 60 ditë. Në këto procedura të shkurtra mund të ndodhë që të mos jepet aktgjykim me shkrim. Por edhe nëse një azilkërkues paraqet një aktgjykim të pretenduar nga një gjykatë e tillë, autenticiteti i vendimit nuk mund të kontrollohet nga një regjistër, siç do të ishte rasti me një gjykatë të rregullt. Kohët e fundit gjithnjë e më pak procese politike janë zhvilluar në bazë të neneve të sigurimit të shtetit, por gjithnjë e më shumë gjykime para “gjykatave komunale për kundërvajtje”. Kjo pasi autoritetet serbe nuk duan t’u japin të huajve asnjë mundësi për të denoncuar përndjekjen politike në Serbi. Procedurat para një “gjykate komunale për kundërvajtje” janë të padëmshme për Serbinë në këtë kuptim, pasi që të njëjtat procedura, për shembull, fillohen edhe në raste të kundërvajtjeve në trafikun rrugor. Me fjalë të tjera, një dënim nga një “gjykatë komunale për kundërvajtje” nuk thotë asgjë për përndjekjen politike.

Prej disa javësh vëzhguesit presin që opozita në Kosovë të heqë dorë nga qëndrimi i saj i mëparshëm i moderuar në favor të një konfrontimi të hapur me autoritetet serbe (shih letrën time të 29 gushtit 1991). Nëse kjo vërtetë ndodh, mund të pritet një shtypje edhe më e fortë e kosovarëve. Rritja e fundit e raportimeve për sulme ndaj patrullimeve të policisë në Prishtinë mund të interpretohet gjithashtu si një tregues i mundësisë së intensifikimit të mëtejshëm të aktiviteteve të policisë në Kosovë.

Qershorin e kaluar, parlamenti serb miratoi një ligj të ri “për punët e brendshme”. Ai mund të shërbejë, të paktën teorikisht, si bazë ligjore për përndjekjen politike në të ardhmen për shkak të disa dispozitave të saj (përkatësisht nenit 11, 13 dhe 15). Të bashkangjitur do e merrni tekstin e ligjit dhe një përkthim të një artikulli gazete që shqyrton në mënyrë kritike ligjin (i shfaqur në një botim nga intelektualë kritikë serbë në Beograd).

Serbë sot nuk janë vetëm policia, por edhe gjyqtarët në Kosovë. Kjo do të thotë se shtrohet pyetja nëse kosovarët mund të llogarisin në procedura të drejta apo nëse duhet të pranojnë një “etno-polarizim” për procedurat penale jopolitike, të zakonshme. Përgjigja nuk është e qartë. Mund të aplikohet patjetër një “etno-polarizim”. Në anën tjetër, ka edhe gjyqtarë të drejtë dhe të paanshëm serbë, të cilët nuk e shohin përkatësinë etnike si kriter për dënimin. Nuk është ashtu se, Serbia i dërgon vetëm gjykatësit antishqiptarë të shkojnë në Kosovë, përkundrazi, transferimi në Kosovë – që nuk është i pëlqyer – mund të vendoset në kuptimin e një “ndëshkimi” të gjyqtarëve kritikë – pra, shpesh, pikërisht të atyre që nuk janë antishqiptarë.

 

Situata në fushën e kujdesit mjekësor

Kujdesi mjekësor në Kosovë është i pamjaftueshëm. Nga njëra anë, ka shumë pak ilaçe në dispozicion (rrethanë që aktualisht vlen për të gjithë Serbinë). Së dyti, ka shumë pak mjekë në Kosovë; 1200 mjekë shqiptarë thuhet se janë pushuar nga puna dhe janë zëvendësuar nga vetëm 700 mjekë serbë. Së fundi, ka mungesë besimi mes kosovarë dhe mjekëve serbë.

Teorikisht, të gjithë banorët e Jugosllavisë kanë sigurim shëndetësor. Megjithatë, thuhet se shumë kosovarë nuk janë të siguruar. Kjo mund të shpjegohet me faktin se këta persona nuk janë regjistruar në kompaninë e sigurimeve sepse kanë bojkotuar administratën e tyre serbe. Kjo ambasadë nuk ka dijeni për ndonjë refuzim të autoriteteve serbe për regjistrimin e shqiptarëve të Kosovës. Megjithatë, fakt është se, kosovarët e siguruar mund të llogarisin vetëm në disa shërbime mjekësore, pasi fondet e sigurimeve shoqërore në Kosovë vuajnë – edhe më shumë se fondet në pjesën tjetër të Jugosllavisë – nga një krizë e frikshme financiare.

Situata në arsim

Fillimi i vitit të ri shkollor, që ishte dashur të fillonte në fillim të shtatorit, është në qendër të polemikave të ashpra. Fillimi i shkollës është shtyrë për 1 tetor. Megjithatë, mbetet e pasigurt nëse të rinjtë shqiptarë do munden dhe a donë të ulen në tavolinat e shkollës. Pala serbe dhe ajo shqiptare fajësojnë njëra-tjetrën për mjerimin në sistemin shkollor. Autoritetet dhe mediat serbe pohojnë se shqiptarët po bojkotojnë shkollat. Nga 120 mijë nxënës, vetëm katër u regjistruan për vitin e ri shkollor. Kosovarët dhe burime të pavarura nga ana tjetër bëjnë të ditur se autoritetet serbe po refuzojnë t’i regjistrojnë nxënësit në shkolla për shkak se certifikatat e tyre të fund vitit nuk kanë vulë zyrtare konfirmuese. Në fakt, Serbia nuk i njeh provimet e fundvitit në Kosovë për shkak se mësimdhënësit atje mësonin sipas një kurrikule të paligjshme (“programi mësimor i Republikës së Kosovës” apo “Plani i Rugovës”). Për këtë arsye në fund të gushtit u pushuan nga puna 6000 mësues të shkollave të mesme shqipe.

Situata në Universitetin e Prishtinës është po aq e vështirë. Shumica e profesorëve shqiptarë (gjoja dy në ditë) janë pushuar nga puna. Konkretisht në fakultetin e mjekësisë thuhet të se nuk ka më profesor shqiptar. Disa nga profesorët janë zëvendësuar me serbë. Kurse studentët kërkojnë mësime në gjuhën shqipe dhe nuk duan të regjistrohen në kurse te profesorët serbë.

Pushime nga puna në fusha të tjera të motivuara politikisht dhe etnikisht

Pas ngjarjeve të verës së vitit 1990, mijëra shqiptarë të Kosovës humbën vendet e tyre të punës për shkak të refuzimit të njohjes së autoritetit serb. Që atëherë – dhe veçanërisht në muajt e fundit – ka pasur një sërë pushimesh të tjera nga puna. Jo gjithmonë motivi etnik-politik për largim nga puna është aq i dukshëm siç është në rastin me shembujt e mësuesve, profesorëve dhe mjekëve të dhënë më lart. Jugosllavia po përjeton një krizë të thellë ekonomike, e cila po e prek edhe Kosovën. Mbylljet e ndërmarrjeve dhe pushimet nga puna mund të jenë për arsye ekonomike. Shkarkimet e shqiptarëve politikisht të padëshiruar, megjithatë, vazhdojnë të ndodhin.

Varet nga rasti individual nëse të shkarkuarit për arsye politike i nënshtrohen diskriminimeve të mëtejshme zyrtare. Nëse arsyeja e shkarkimit ishte, për shembull, se kosovari në fjalë ka organizuar një grevë, kështu ka të ngjarë për ngacmimet shtesë policore (kontroll shtëpie, marrje në pyetje), pasi ky person konsiderohet si pjesëtar aktiv i opozitës. Ish-policët shqiptarë që humbën punën në verën e vitit 1990 për shkak të refuzimit të autoritetit serb mund të klasifikohen veçanërisht të rrezikuar duke pasur parasysh situatën aktuale në Kosovë. Mirëpo nuk dihen raste konkrete të përndjekjeve të  ish-policëve.

Refugjatët nga Shqipëria

Në pyetjen tuaj në këtë drejtim ju i referoheni rastit të një djali të prindërve shqiptarë që kanë statusin refugjatë në Jugosllavi dhe u dëbuan nga Jugosllavia në vitin 1990. Nga dëbimi janë prekur edhe 16 të rinj të tjerë me situatë të ngjashme. Ata janë të gjithë bij prindërish që ikën nga Shqipëria në Jugosllavi në vitet dyzetë, pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë. Të bashkangjitur po ju dërgoj një tekst të përpiluar nga UNHCR për rastin e këtij dëbimi.

Në vitet 1990/91 – veçanërisht në muajt shkurt deri në prill 1991 – pati një valë tjetër refugjatësh nga Shqipëria. Disa prej tyre ishin refugjatë me prejardhje serbe ose malazeze që donin të vendoseshin në Jugosllavi; në mars 1991, 1700 prej tyre gjetën strehim të përkohshëm në Mal të Zi. Thuhet se ekziston një plan për integrimin e këtyre refugjatëve, i cili përfshin vendosjen e tyre në Kosovë (shih edhe artikullin e bashkangjitur në të përjavshmen e Beogradit “Politika International” të korrikut 1991). Megjithatë, shumica e atyre që ikin nga Shqipëria në Jugosllavi nuk kanë ndërmend të qëndrojnë. Përkundrazi, ata duan të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara. Që kur Shtetet e Bashkuara filluan të kufizojnë praktikat e tyre të pranimit në prill 1991, fluksi i refugjatëve në Jugosllavi është ulur ndjeshëm (në rreth 100 njerëz në muaj, plus “udhëtarët e paligjshëm në kufi” krhs. artikullin e bashkangjitur nga “Politika International” nga gushti dhe shtatori 1991 ). Në Jugosllavi kalimi i paligjshëm i kufirit është vepër penale. Shqiptarët e arratisur dhe të kapur nga serbët në Kosovë duhet të vuajnë një dënim me 30 ditë burg. Kushtet në burgje janë të këqija.

Situata e shqiptarëve të Kosovës në ushtri

Marrja e informacioneve në këtë fushë është veçanërisht e vështirë. Kjo vlen edhe për pyetjen nëse ushtria ende po rekruton kosovarë në shkallë normale. Përgjigja më e afërt me të vërtetën është se rekrutimi është normal deri në rritje të lehtë, edhe pse kosovarët kryesisht përdoren vetëm në pozita ndihmëse (kuzhinierë, etj.). Ushtria Jugosllave (APJ) nuk mund të lejojë të mos rekrutojë, sepse i mungon numri për shkak të humbjes së ushtarëve sllovenë dhe kroatë dhe vështirësive me rekrutimin në Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë. Nga ana tjetër, një rekrutim masiv i kosovarëve nuk ka gjasa (të paktën për momentin). sepse APJ i klasifikon si më pak të besueshëm se serbët. Më 30 gusht 1991, opozita shqiptare e Kosovës kërkoi që APJ të mos i përdor në luftën kundër popujve jugosllavë (këtu ishin menduar kroatët). Kosovarët janë thirrur nga opozita, nëse u jepet rasti, t’iu shmangen detyrimeve imorale që ju ngarkohen.

Refuzimi i shërbimit ushtarak është vepër penale në Jugosllavi, kjo vlen njësoj si për serbët ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës. Aktualisht, si në Kosovë ashtu edhe në pjesën tjetër të Serbisë, shumë të rinj po i shmangen rekrutimit duke u fshehur gjatë rekrutimit.

Partitë opozitare shqiptare të Kosovës

Zhvillimet e reja që ja vlejnë të potencohen:

  • Pesë partitë kryesore opozitare po përpiqen të paraqesin një front më të bashkuar. Për këtë, ata kanë krijuar një komision të përbashkët koordinues, të kryesuar nga Ibrahim Rugova nga Lidhja Demokratike.
  • Pesë partitë planifikojnë të riaktivizojnë parlamentin e Kosovës, i cili u shpërnda nga Serbia në vitin 1990. Ajo duhet të zgjedhë një qeveri për Kosovën (qeveria e koalicionit të partive të përfaqësuara në parlament). Ministrat thuhet se duhet të jenë pjesërisht brenda dhe pjesërisht jashtë Kosovës. Në këtë projekt, komisioni koordinues i pesë partive mbështetet nga Forumi i Intelektualëve në Prishtinë, i cili megjithatë dëshiron të bëjë një hap më të shpejtë se komisioni.
  • Ibrahim Rugova ka bërë të ditur se në Kosovë do të mbahet referendum për sovranitetin e krahinës. Megjithatë, nuk dihet përmbajtja dhe koha e saktë e një referendumi të tillë, si dhe mënyra se si do të zhvillohet.
  • Kontaktet me Shqipërinë e pesë partive, si dhe ato të Forumit të Intelektualëve dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Kosovës, janë intensifikuar në dy muajt e fundit. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë përmendet hapur sot nga Ibrahim Rugova si një opsion në rast se kërkesa për statusin e republikës për Kosovën brenda Jugosllavisë nuk plotësohet ose nuk mund të plotësohet sepse Jugosllavia nuk do të ekzistoj më dhe në rast të një “Jugosllavie të mbetur” e të dominuar nga serbët”.

Fatkeqësisht pyetjes suaj për partitë e reja të themeluara nuk mund të përgjigjet, pasi dihet pak për partitë e vogla opozitare.

Maqedonia

Vlerësohet se janë rreth gjysmë milioni shqiptarë maqedonas, që është rreth një e katërta e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Megjithatë, ky numër është shumë i diskutueshëm, pasi vetë shqiptarët e Maqedonisë pretendojnë se është 800 mijë.

Marrëdhëniet ndërmjet popullatës maqedonase dhe shqiptare janë të tensionuara. Sidomos në Maqedoninë Perëndimore, e cila është zonë me popullatë më të dendur nga shqiptarët, dhe në kryeqytetin e republikës, Shkup, ku rreth gjysma e popullsisë tani është shqiptare. Shumë maqedonas kanë frikë nga “shqiptarizimi” dhe i trajtojnë bashkëqytetarët e tyre shqiptarë me një qëndrim mbrojtës dhe shpesh diskriminues. Vitet e fundit ka pasur edhe masa zyrtare përndjekjeje ndaj shqiptarëve në formën e shtypjes së dhunshme të demonstratave dhe zhvillimit të gjyqeve politike. Përveç kësaj, thuhet se kanë ndodhur shkarkime me bazë etnike dhe kufizime në zgjedhjen e lirë të profesionit të shqiptarëve. Por, përndjekja nuk është në përmasat e asaj të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Dy parti shqiptare përfaqësohen në parlamentin e Maqedonisë, i cili u zgjodh në vitin 1990 dhe ka 120 vende: Partia për Prosperitet Demokratik (partia e tretë më e madhe në Maqedoni me 25 vende) dhe Partia Popullore Demokratike. Në lidhje me pyetjen tuaj lidhur me partitë e tjera maqedonase, ju referoj tekstin e bashkangjitur nga “Radio Free Europe Research” i datës 17.5.1991.

Tensionet mes maqedonasve dhe popullatës shqiptare janë shtuar së fundmi. Me rastin e referendumit të 8 shtatorit për pavarësinë e Maqedonisë, partitë shqiptare kërkuan bojkotimin e votimit për të protestuar për situatën e shqiptarëve në Maqedoni. (Më parë ata tashmë e kishin bojkotuar regjistrimin – si shqiptarët e Kosovës).

Nga pala maqedonase shqiptarët janë kritikuar ashpër pse kanë qëndruar mënjanë. Madje, Partia Kombëtare e Maqedonisë mësohet se ka bërë thirrje që dy partitë shqiptare të ndalohen. Prandaj vëzhguesit presin që represioni ndaj shqiptarëve të intensifikohet.

I ngarkuari me punë zvicerane a.i.

(Feldmeyer)[19]


[1] I lindur me 14.03.1933- vdes me 18.10.2020. Prej vitit 1.1.1988 – 3.31.1993 Shefi i Departamentit Federal për Punët e Jashtme (ministër i punëve të jashtme).

[2] BAR, CH-BAR#E2010A#1999/367#633*, titulli dosjes: Allgemeines (1988–1990), edhe në: dodis.ch/56751.

[3] Ministria e jashtme e Zvicrës.

[4] Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë

[5] Përpiluesi: Beat Nobs, i lindur me 21 qershor 1954, 26.10.1989–1994 bashkëpunëtor diplomatik në DPJZ/Sekretariati Shtetëror/Drejtoria Politike/Departamenti Politik I.

[6] BAR, CH-BAR#E2010-02A#1996/400#15*, titulli dosjes: Belgrad (1988–1990), edhe në: dodis.ch/54599.

[7] Departamenti Federal i për punët e jashtme.

[8] Departamenti Federal për punë Ekonomik.

[9] Zyra Federale për Tregtinë e Jashtme.

[10] Denis Feldmeyer, I lindur me 29 shtator 1950 Bernë, 10.1.1988–1992 i ngarkuari me punë në ambasadën zvicerane në Beograd.

[11] BAR, CH-BAR#E7115A#1999/273#960*, emri dosjes: Allgemeines (1991–1991), edhe në: dodis.ch/58747.

[12] Departamenti Federal i Punëve të Jashtme

[13] Zyra Federale për Çështjet Ekonomike të Jashtme.

[14] Drejtoria e të Drejtës Ndërkombëtare Publike.

[15] Departamenti i mjekësisë familjare

[16] Denis Feldmeyer, I lindur me 29 shtator 1950 Bernë, 10.1.1988–1992 bashkëpunëtor në ambasadën zvicerane në Beograd.

[17] BAR, CH-BAR#E4280A#2017/359#53*, titulli i dosjes: Albanische Minderheit in der Provinz Kosovo – Band 1 (1985 –1991), numri i dosjes 777.5/1, edhe në: dodis.ch/58641.

[18] Departamenti Federal I Pune te jashtme i Zvicrës.

[19] Denis Feldmeyer, I lindur me 29 shtator 1950 Bernë, 10.1.1988–1992 bashkëpunëtor në ambasadën zvicerane në Beograd. Nënvizimet janë sipas origjinalit.

Shpëndaje: