Mos të vijë marre ta dëshmosh Jezusin

E diela II e Kreshmës – Viti A

 

Leximi i parë  Zan 12, 1-4

Abrahami braktis qytetin e tij, që ishte ndër më të lulëzuarit e asaj kohe; braktis të afërmit dhe fenë e fisit të vet; shkatërron lidhjet më të forta dhe fillon një aventurë plot me rreziqe me Hyjin. Hyji zgjedh në të një njeri të gatshëm, të pakushtëzuar nga historia e kaluar, për të ripërtërirë dialogun e ndërprerë nga mëkati dhe për të filluar jetën e një populli të shenjtë. 

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti i tha Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj. Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj. Do ta bëj të madh emrin tënd. Ti do të jesh bekimi. Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty, do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës!” Atëherë Abrahami u nis sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe me të shkoi edhe Loti. Abrami kishte shtatëdhjetë e pesë vjet, kur u çua prej Harranit. Fjala e Zotit

 

 

Psalmi  33

 

Ref: Na e jep, o Zot, mëshirën tënde, sepse në ty shpresojmë

——————————–

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

——————————–

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

——————————–

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

——————————–

 

Leximi i dytë  2 Tim 1, 8-10

Nisma është gjithmonë e Hyjit, si kur bëhet fjalë për krijimin e botës, ashtu edhe kur thërret njeriun në jetë, edhe kur e shpëton kur ka mëkatuar. Edhe besimi është së pari një dhuratë e Hyjit, e së dyti përgjigjja e njeriut. Kjo është sidomos kuptimi i Kreshmeve: është një kohë për të ripërtërirë përgjigjjen tonë të dashurisë duke ditur çfarë dashurie të madhe Krishti Jezus ka për ne. 

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin dhe u dëftua tani me ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit. Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë: “Ky është Biri im: Atë dëgjoni!”

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli  Mt 17, 1-9

Jezusi sapo u ka shpallur apostujve mundimin dhe vdekjen e tij të afërt; por ata nuk e kanë kuptuar. Shndërrimi ka si qëllim të tregojë hyjninë e Jezusit dhe të parashpallë ngjalljen e tij pas udhës së kryqit. Në të vërtetë vdekja e Krishtit, qe realiteti që më shumë se gjithçka apostujt e kundërshtonin dhe për këtë realitet Jezusi duhet t’i përgatiste. Këtu mbi malin Tabor Jezusi nuk është ndryshe nga ai që do të jetë në Kalvar: këtu gjendet maksimumi i dashurisë së Hyjit, këtu gjendet shpallja e një fitoreje mbi vdekjen që do të trondisë historinë e njeriut.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shnditshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Kush ka vendosur të investojë jetën e tij në Hyjin, duke hequr dorë nga idhulli i parasë, i suksesit, i fuqisë, i seksit, mund të shndërrohet.

Jezusi “u shndërrua ndër sy të tyre”. Ai u shndërrua nga Hyji, i cili kryen këtë mrekulli në njerëzimin e tij. “Fytyra i shkëlqeu porsi dielli”. “Lavdia” e Hyjit, plotësia e tejmbushur e jetës së Hyjit shkëlqen mbi tërë personin e Jezusit. “Lavdia” sekrete e Jezusit, që zakonisht fshihej nën një njerëzim të përbashkët, tashmë shpërthen jashtë në një çast.

Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të”. Këto dy personazhe përfaqësojnë Ligjin dhe Profetët e përmbledhin Besëlidhjen e Vjetër: të dy kanë qenë mbi malin Sinai dhe u është shfaqur një vizion i Hyjit. “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër”. Ati përsërit deklaratën e bërë tashmë në pagëzim, por shton “Atë dëgjoni” domethënë pranoni Jezusin si Mesinë e vuajtur, që arrin në lavdi nëpërmjet shërbimit të kryqit deri në vdekje. Ndiqeni në të njëjtën rrugë. Kjo përvojë do të nxisë guxim e besim në Jezusin dhe në dishepujt përballë vuajtjes dhe vdekjes, që nuk është fjala e fundit.

Qëllimi përfundimtar është drita e ngjalljes. Shndërrimi është ecja e zakonshme e një feje që përparon me vështirësi, në të përditshmen, nën shoqërinë e një Jezusi që nuk na mahnit me bukurinë e tij, por është në udhëtim drejt Jerusalemit. Të krishterët nuk mund të banojnë në mënyrë të qëndrueshme në asnjë “Tabor” të kësaj bote.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, Jezusi na fton të ecim me të, në rrugën e kryqit dhe të ngjalljes. Liturgjia na ndihmon të kuptojmë që shndërrimi i tij është paraprirja e ngjalljes. Të lutemi së bashku e të themi:

Dëgjoje, o Atë, lutjen e bijve të tu.

L. Mbi malin Tabor Krishti është shfaqur në shkëlqimin e lavdisë së tij, që Kisha të reflektojë gjithmonë dritën e Zotit të saj në shtegtimin tokësor. Të lutemi.

L. Për njeriun e sotëm, në kërkim të një domethënieje të jetës së tij, që t’i afrohet mesazhit të Ungjillit me zemër të butë dhe të përvuajtur. Të lutemi.

L. Që, nën shembullin e Abrahamit, mikut të Hyjit, të pranojmë me mirënjohje dhuratën e besimit e të vihemi në kërkim të vullnetit të Hyjit. Të lutemi.

L. Që secili prej nesh, i ndriçuar nga fytyra e Krishtit, të jetë edhe ai dritë drejt atyre që çdo ditë trokasin në portat tona në kërkim të bukës dhe të një jetë të denjë. Të lutemi.

M. O Hyj i mëshirës së thellë, që në fytyrën e shndërruar të Birit tënd Jezus na tregon rrugën për të ardhur tek ti, na jep forcën të kthehemi në jetën tonë të përditshme dhe t’u tregojmë praninë tënde vëllezërve tanë, me dëshminë e besimit tonë. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: