MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KRESHMËT 2023

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT

PËR KRESHMËT 2023

 

 

Asketizmi kreshmor, ecje sinodale

 

 

 

Të dashur vëllezër e motra!

 

Ungjijtë sipas Mateut, Markut dhe Lukës bien dakord në rrëfimin e episodit të Shndërrimit të Jezusit. Në këtë ngjarje shohim përgjigjen e Zotit ndaj moskuptimit që dishepujt e tij kishin shfaqur karshi tij. Pak më parë, në fakt, kishte ndodhur një përplasje e vërtetë midis Mësuesit dhe Simon Pjetrit, i cili, pasi kishte shpallur besimin e tij te Jezusi si Krishti, Biri i Hyjit, kishte refuzuar lajmërimin e tij për mundimet dhe kryqin. Jezusi e qortoi fort: “Shporru prej meje, he djallë! Je një shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!” (Mt 16, 23). Dhe ja, “mbas gjashtë ditësh, Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij dhe e i çoi vetëm në një mal të lartë” (Mt 17, 1).

Ungjilli i Shndërrimit shpallet çdo vit të dielën e dytë të Kreshmës. Në të vërtetë, në këtë kohë liturgjike Zoti na merr me vete dhe na çon mënjanë. Edhe nëse angazhimet tona të zakonshme na kërkojnë të qëndrojmë në vendet tona të përhershme, duke jetuar një jetë shpesh të përsëritur dhe ndonjëherë të mërzitshme, gjatë Kreshmëve jemi të ftuar të “ngjitemi në një mal të lartë” së bashku me Jezusin, për të jetuar me Popullin e Shenjtë të Zotit një përvojë asketike të veçantë.

Asketizmi i Kreshmës është një angazhim, gjithmonë i gjallëruar nga Hiri, për të kapërcyer mungesën tonë të besimit dhe qëndresës për të ndjekur Jezusin në rrugën e kryqit. Pikërisht për çka kishte nevojë Pjetri dhe dishepujt e tjerë. Për të thelluar njohuritë tona për Mësuesin, për të kuptuar dhe për të mirëpritur plotësisht misterin e shpëtimit hyjnor, të realizuar në dhurimin total të vetvetes nga dashuria, duhet të lejojmë të udhëhiqemi prej Tij, larg e lart, duke u shkëputur nga mediokriteti dhe kotësia. Duhet të vihemi në ecje, një ecje në ngjitje që kërkon përpjekje, sakrificë dhe përqendrim, si një shëtitje në mal. Këto kërkesa janë të rëndësishme edhe për ecjen sinodale, që ne si Kishë jemi përkushtuar ta realizojmë. Do të na bëjë mirë të reflektojmë mbi këtë marrëdhënie që ekziston mes asketizmit kreshmor dhe përvojës sinodale.

Në “tërheqjen” në malin Tabor, Jezusi merr me vete tre dishepuj, të zgjedhur për të qenë dëshmitarë të një ngjarjeje unike. Ai dëshiron që ajo përvojë hiri të mos jetë vetmitare, por e bashkëndarë, siç është në të vërtetë e gjithë jeta jonë e besimit. Jezusi ndiqet së bashku. Dhe së bashku, si kishë shtegtare në kohë e jetojmë vitin liturgjik, dhe si pjesë e saj, Kreshmën, duke ecur me ata që Zoti na ka vënë pranë nesh si bashkëudhëtarë. Në analogji me ngjitjen e Jezusit dhe të dishepujve në malin Tabor, mund të themi se ecja jonë e Kreshmës është “sinodale”, sepse ne ecim së bashku në të njëjtën rrugë, dishepuj të një Mësuesi. Madje, e dimë se Ai vetë është Udha, e prandaj, qoftë në itinerarin liturgjik, edhe në atë të Sinodit, Kisha nuk bën gjë tjetër veçse hyn gjithnjë e më thellë dhe më plotësisht në misterin e Krishtit Shpëtimtar.

Dhe arrijmë në momentin kulmor. Ungjilli tregon se Jezusi “u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita” (Mt 17, 2). Ja “maja”, qëllimi i ecjes. Në përfundim të ngjitjes, ndërsa janë në malin e lartë me Jezusin, tre dishepujve u jepet hiri ta shohin atë në lavdinë e tij, duke ndriçuar me një dritë të mbinatyrshme që nuk vinte prej së jashtmi, por rrezatonte prej Atij vetë. Bukuria hyjnore e këtij vizioni ishte pakrahasueshmërisht më e lartë se çdo përpjekje që mund të kishin bërë dishepujt duke ngjitur Taborin. Si në çdo shëtitje malore që kërkon përpjekje: duke u ngjitur duhet mbajtur vështrimi i ngulitur mirë kah shtegu; por panorama që hapet në fund befason dhe shpërblen me mrekullinë e saj. Edhe procesi sinodal shpesh duket i mundimshëm dhe nganjëherë mund të dekurajohemi. Por çka na pret në fund është sigurisht diçka e mrekullueshme dhe befasuese, e cila do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë vullnetin e Hyjit dhe misionin tonë në shërbim të Mbretërisë së tij.

Përvoja e dishepujve në malin Tabor pasurohet më tej kur, pranë Jezusit të shndërruar, shfaqen Moisiu dhe Elia, të cilët personifikojnë përkatësisht Ligjin dhe Profetët (khs. Mt 17,3). Risia e Krishtit është përmbushja e Besëlidhjes së Vjetër dhe e premtimeve; është e pandashme nga historia e Zotit me popullin e tij dhe zbulon kuptimin e saj të thellë. Në mënyrë të ngjashme, ecja sinodale është e rrënjosur në traditën e Kishës dhe në të njëjtën kohë hapet ndaj risive. Tradita është burim frymëzimi për të kërkuar shtigje të reja, për të shmangur tundimet e kundërta me mosveprimin dhe eksperimentimin e improvizuar.

Ecja asketike e Kreshmës dhe, në mënyrë të ngjashme, ajo sinodale, kanë si synim një shndërrim personal dhe kishtar. Një shndërrim që, në të dyja rastet, e gjen modelin e vet në atë të Jezusit dhe vepron nëpërmjet hirit të misterit të tij pashkvor. Derisa ky shndërrim të ndodhë në ne këtë vit, do të doja të propozoja dy “shtigje” për të ndjekur në këtë ngjitje së bashku me Jezusin dhe për të arritur me Të qëllimin e synuar.

E para i referohet urdhrit që Hyji Atë u drejton dishepujve në Tabor, ndërsa sodisin Jezusin e shndërruar. Zëri prej resë thotë: “Atë dëgjoni” (Mt 17, 5). Pra, treguesi i parë është shumë i qartë: me dëgjue Jezusin. Kreshma është një kohë hiri në masën që ne e dëgjojmë Atë që na flet. Dhe si na flet? Para së gjithash përmes Fjalës së Zotit që Kisha na ofron në Liturgji: të mos e lëmë të bjerë në vesh të shurdhër; nëse nuk mund të marrim pjesë gjithmonë në meshë, le të lexojmë leximet biblike çdo ditë, qoftë edhe me ndihmën e internetit. Përveç se përmes Shkrimeve, Zoti na flet nëpërmjet vëllezërve dhe motrave, veçanërisht në fytyrat dhe historitë e atyre që kanë nevojë për ndihmë. Por do të doja të shtoja edhe një aspekt tjetër, shumë të rëndësishëm në procesin sinodal: dëgjimi i Krishtit kalon edhe përmes dëgjimit të vëllezërve dhe motrave në kishë, dëgjim reciprok që në disa faza është objektivi kryesor, por që  gjithsesi mbetet gjithmonë i domosdoshëm në metodën dhe stilin e një Kishe sinodale.

Posa e dëgjuan zërin e Atit, “nxënësit ranë me fytyrë përdhe e u trembën për së tepërmi. Por Jezusi u afrua,  i preku dhe u tha: “Çohuni dhe mos u trembni”. Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd përveç Jezusit vetëm” (Mt 17, 6-8). Ja treguesi i dytë për këtë Kreshmë: mos u tërhiqemi në një besim të përbërë nga ngjarje të jashtëzakonshme, nga përvoja sugjestive, nga frika e përballjes me realitetin me mundimet, vështirësitë dhe kontradiktat e tij të përditshme. Drita që Jezusi u tregon dishepujve është një lavdi paraprake pashkvore dhe drejt saj duhet të shkojmë, duke ndjekur “vetëm Atë”. Kreshma është e orientuar drejt Pashkëve: “tërheqja” nuk është qëllimi në vetvete, por na përgatit për të jetuar me besim, shpresë dhe dashuri mundimet dhe kryqin, për të arritur ringjalljen. Edhe ecja sinodale nuk duhet të na mashtrojë se kemi mbërritur në majën e malit kur Zoti na jep hirin e disa  përvojave të forta të bashkimit. Edhe atje Zoti na përsërit: “Çohuni dhe mos kini frikë”. Le të zbresim në fushë dhe hiri i përjetuar le të na mbështesë për të qenë artizanë të sinodalitetit në jetën e zakonshme të bashkësive tona.

Të dashur vëllezër e motra, Shpirti Shenjt na gjallëroftë në këtë Kreshmë në ngjitjen me Jezusin, për të përjetuar shkëlqimin e tij hyjnor dhe kështu, të forcuar në besim, të vazhdojmë së bashku ecjen me Të, lavdia e popullit të tij dhe dritë e kombeve!

Romë, Shën Gjoni në Lateran, më 26 janar, në festën e Kthimit të Shën Palit

 

                                                                                                          FRANÇESKU

Shpëndaje: