Si mund t’i lë mënyrat e vjetra të sjelljes?

Dec 10 • Meditimi i ditës

10 dhjetor 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 41,13-20; Ps 145,1.9-13b; Mt 11,11-15)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
Dhe më tërheq kah gjithçka që është e mirë,
Duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
Në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të bëhem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhuruar.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala e Zotit

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 11, 11-15

 

11 Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai. 12 Që prej ditëve të Gjon Pagëzuesit e deri tani Mbretëria e qiellit po depërton me vështirësi e vetëm të fortët e shtijnë në dorë. 13 Vërtet të gjithë Profetët dhe vetë Ligji paralajmëruan deri te Gjoni. 14 Ai është ‑ nëse doni ta merrni vesh të vërtetën ‑ Elia, që duhej të vijë. 15 Kush i ka veshët për të dëgjuar, të dëgjojë!

 

Ç´po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Këtu në Javën e Dytë të Ardhjes i kthehemi Gjon Pagëzuesit si urë midis Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re. Ajo që dimë për Gjonin, na kujton profetët e mëdhenj, ata që folën kundër dështimeve të njerëzve dhe i drejtuan ata drejt premtimit të Zotit. Edhe pse e njihte se kush është Jezusi, Gjoni nuk bëhet kurrë dishepull i Jezusit. Gjoni nuk e kalon kurrë plotësisht urën. Cilat janë mendimet e mia për Gjonin dhe rolin e tij në udhëtimin e Ardhjes?
  • Ka diçka si një ndalje kohe për të dëshmuar marrëdhënien midis Gjonit dhe Jezusit që do të paraqitet në javët deri në Mishërim. Pavarësisht madhështisë së Gjonit, Jezusi na kujton se jemi në një pozitë më të privilegjuar. Si të krishterë besimtarë, i kemi vendet tona në Mbretërinë e Zotit. Si më duket kjo siguri?
  • Kush i ka veshët për të dëgjuar, të dëgjojë”. Ndërsa e dëgjoj përsëri këtë fragment shumë të shkurtër, e dëgjoj pasionin në zërin e Jezusit, dëshirën e tij për të hyrë në jetën time.

 

Bashkëbisedimi

I kërkoj Zotit të më udhëzojë. Si mund t’i lë mënyrat e vjetra të sjelljes që të mund t’i përkas së resë?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto disa minuta vetëm me ty. Shumë nga ata që e dëgjonin Jezusin e dëgjonin edhe Gjon Pagëzuesin. Ndoshta e pyesnin veten se cilin mësues do të zgjedhnin. Jezusi e vlerësonte Gjonin si njeriun nga më të mëdhenjtë të lindur ndonjëherë, por e bëri të qartë se është duke lindur një kohë e re. Në mbretërimin e Hyjit që e sjell Jezusi të gjithë do të jenë bijtë e Hyjit (Gjn 1,12).

O Zot, më bëj dëgjues më të mirë. Më çliro nga zhurma dhe e folura me potere në mënyrë që të dëgjoj për nevojat e të afërmve. Bëj që të mos kem frikë nga heshtja, sepse atëherë ti je duke më folur. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »