Një enciklopedi e vogël për figurën e Át Gjergj Fishtës

(Tonin Çobani & Ndue Ballabani, At Gjergj Fishta. Vende – vite – vepra, Drita & Botimet  Fishta, Prishtinë 2021, f. 413)

Nga Fatmir Koliqi

Në përvjetorin e 150-të të lindjes së poetit tonë kombëtar Át Gjergj Fishta, Sh. B. “Drita” në bashkëpunim me “Botimet Fishta” e ka botuar librin e dy studiuesve, Tonin Çobani dhe Ndue Ballabani, me titul “Át Gjergj Fishta. Vende-vite-vepra”.

Unë sot nuk do të bëj një promovim klasik të veprës, por fjala ime ka të bëjë me pse-në e botimit të kësaj vepre nga Sh. B. “Drita”, organ i Dioqezës Prizren-Prishtinë, drejtor i të cilës jam aktualisht.

Kur autorët më dorëzuan tekstin si manuskript dhe e lexova me qëllim për të vlerësuar nëse duhet të botohet nga shtëpia jonë botuese, zbulova një tekst shumë interesant dhe vendosa që me shumë dëshirë ta botojmë në këtë jubile të lindjes së At Gjergj Fishtës, poetit tonë kombëtar, për dy arsye që po i rendis para jush këtu më poshtë.

  1. Metoda: Përqasje holistike

Ky libër dallon nga librat e tjerë që janë botuar deri më sot për At Gjergj Fishtën, për një fakt shumë të rëndësishëm dhe shumë praktik e divulgativ, do të thoja: autorët kanë zgjedhur një përqasje holistike divulgative dhe eseistike, për ta paraqitur njërën ndër figurat më komplekse të letrave shqipe dhe kulturës sonë në përgjithësi.

Fishta nuk është personalitet që kapet lehtë si për nga arritjet e larta artistike po asht edhe për nga veprimtaria e tij e larmishme dhe shumë dimenzionale kulturore, shoqërore dhe edukative, sepse Fishta është njëkohësisht françeskan, prift katolik, pionier i shkollës shqipe, filolog, ati i alfabetit të kombit, edukator, studiues e hulumtues, botues shkencor, dramaturg, diplomat, akademik, e mbi të gjitha poet, që diti me e lartësue në këngë shpirtin e kombit.

Atëherë, nëse Fishta ka këto dimensione, atëherë si të paraqiten këto të gjitha për lexuesin e sotëm në një pëlhurë të pakëputur, të përmbledhur dhe të lexueshme për lexuesin e sotëm?

Autorët, Çobani dhe Ballabani, që bartin edhe kompetencën intelektuale dhe shpirtërore, kanë arrit me e na dhanë Fishtën e plotë, të pa fragmentuar, të pacunguar, duke e plotësuar një zbrazëtirë të madhe të të kaluarës, pasi Fishtën shpesh në të kaluarën, e kemi parë pa zhgun, pa teatër, pa veprimtarinë e tij diplomatike e pa shpirtin e tij prej leadership-i, i cili në vizionin e tij e ka shpëtuar shqiptarin nga orientalizmi përdhunues ndaj kulturës sonë ndër shekuj.  

  1. Tipologjia: Doracak

Fishta, jo vetëm se është poet kombëtar, madje poet i popullit, njëlloj “Sommo poeta shqiptar”, një Dante shqiptar, por ai është një figurë e madhe në shumë fusha, dhe vetëm duke e njohur në tërësinë e tij, ai bëhet i kuptueshëm, i dobishëm dhe referencë e përhershme e identitetit tonë kulturor dhe kombëtar.

Ky libër do të jetë tepër i dobishëm për mësues e profesor, për student e për çdo shqiptar që do me e mbajt të gjallë shpirtin e përkatësisë nacionale. Pra është një manual edukativ për kulturën, një mjet për ta ruajtur dhe ushqyer kujtesën tonë kombëtare. Sepse, Fishta nuk ka nevojë për neve, ne kemi nevojë për Fishtën. 

(Fjala në promovimin e librit në Kolegjin AAB, Prishtinë, 6 tetor 202)     

Shpëndaje: