Një libër i kompletuar për figurën e Shën Gjon Pagëzuesit

“Zëri që bërtet në shkretëtirë” (Mt 3,3)

Shën Gjon Pagëzuesi rreshtohet ndër figurat më të rëndësishme të historisë biblike, përvojës profetike dhe jetës së Kishës, që ka frymëzuar autorë të shumtë të historisë, mendimit teologjik dhe të artit sakral në botë. Mjerisht, sikur për shumëçka tjetër, edhe për të na ka munguar literaturë në gjuhën shqipe. Këndej, dua të përgëzoj Don Agimin, që ka dashur të merret me figurën e Shën Gjon Pagëzuesit, duke ia mundësuar lexuesit shqiptar një libër të begatë për të: me të dhëna biblike, realitetin historik të rrethanave shoqërore, kulturore dhe fetare të kohës dhe vendin që Shën Gjon Pagëzuesi zë në historinë e shëlbimit.

Gjatë leximit të këtij libri, veçmas të pjesës së parë, të paraqitur në mënyrë kronologjike, lexuesi arrin lehtë të hyjë në ngjarjet e mistershme që e kanë shoqëruar jetën e Pararendësit të Krishtit. Libri, megjithëse i mbështetur në literaturë studiuesish të famshëm të jetës së Shenjtit, lë të kuptohet se autori nuk ka dashur të na ofrojë vetëm një studim me të cilin do t’i vinte në pah aftësitë e tij intelektuale, por me modestinë e besimtarit, ka dashur të shpalosë të dhëna për Profetin e Shenjtë dhe ta bashkëndajë me ne përvojën e lutjes dhe meditimit, që gjithnjë të na mundësojë të thellohemi në rëndësinë e një personazhi apo në domethënien e një ngjarjeje biblike, në historinë e shëlbimit. Kjo gjë ndihmon në rritjen shpirtërore, në zgjerimin e kuptimit mbi të shenjtën dhe zbulimin e së vërtetës hyjnore në Shkrimin Shenjt dhe në jetën personale.

Në modestinë e tij të besimtarit, që dëshiron të vërë në dukje një dhuratë feje, autori me një metodologji klasike të studimit, arrin të shtrihet në tërësinë e kuptimit biblik të profetit, ta çojë lexuesin gradualisht te kuptimi biblik i profecisë, domethënia teologjike e jetës së jetueme për Zotin dhe gradualisht të na e zbulojë tërësinë e kuptimit dhe të porosisë biblike. Edhe pse çdo faqe e këtij libri të shpie në thellësi të domethënies së profecisë dhe të ngritë në lartësinë e kuptimit biblik të jetës dhe veprës së Shën Gjonit, megjithatë autori në vijimësi i mundëson lesuesit të gërshetojë njohuritë e ofruara me fenë dhe përvojën e jetës, ashtu që në përfundim të leximit të mos lartësohet pena e autorit, por përjetimi shpirtëror i lexuesit.

Në fund, nuk mbetet gjë tjetër pos të klith si Shën Gjon Pagëzuesi: “Ja Qengji i Hyjit!”, duke parë Krishtin Zot dhe Shpëtimtar në jetën e Profetit, Shenjtit, Kishës, pse jo, edhe në punën e autorit të kësaj vepre dhe lexuesit të saj.

+ Dodë Gjergji, ipeshkëv

Prishtinë, 26 maj 2023

(Ky tekst është parathënie e librit)

Shpëndaje: