Gjergj Fishta, LETËRSIA DHE ARTET QË NA DUHEN. Eseistikë. Përgatitur nga dr. Tonin Çobani dhe Don Ndue Ballabani, Botimet Fishta & Drita, Tiranë, Prishtinë 2023
Nga Xhavit Beqiri
Shumica e lexuesve emrin e Gjergj Fishtës e lidhin me kryeveprën e tij letrare, epin Lahuta e Malcís. Mirëpo, Fishta ishte edhe poet lirik (Mrizi i Zanave dhe Vallja e Parrizit), dramaturg, satirist dhe kritik letrar. Në fakt, kritikën e tij letrare, dhe kulturore përgjithësisht, ai e shkroi në formë të esesë. Edhe në këtë fushë, ai la shkrime të vlefshme, shumë prej të cilave mbeten përherë aktuale, si për dijen dhe kompetencën e gjerë intelektuale të autorit të tyre, ashtu edhe për stilin, shprehësinë dhe sintaksën thellësisht shqipe me të cilën janë shkruar.
Në fushë të eseistikës, Fishta e zhvilloi edhe polemikën, ku, pa dyshim, mbetet ndër penat më të spikatura të publicistikës shqipe. Do ta veçoja këtu sidomos polemikën “Gabove Hilë!”. Atë Zef Pllumi (në librin “Histori kurrë e shkrueme!”) dëshmon se Hilë Mosi ka pasur një konflikt me Patër Gjergj Fishtën, të cilin Mosi e përjetoi rëndë. Aty Pllumi shkruan: “…kur u ba ministër i Arsimit Hilë Mosi shpalli programin e monopolizimit të shkollave dhe e vuni në rend të ditës për t’u zbatue sa ma parë. Në shtyp, me “Hyllin e Dritës”, nisi një polemikë ndërmjet Patër Anton Harapit dhe Hilë Mosit. Hilë Mosi atëherë i shkroi nji letër të hapur revistës “Hylli i Dritës”, por asaj letre të hapun iu përgjigj Patër Gjergj Fishta me nji polemikë klasike tue thanë: “Gabove Hilë!”. Kështu Hilë Mosi mbet i vramë prej asaj polemike. Nuk kishte çka me i përgjegjë e çka me i thanë Patër Gjergj Fishtës edhe fill mbrapa dha dorëheqjen se u sëmurë.”
Libri Letërsia dhe artet që na duhen, i përgatitur nga dr. Tonin Çobani dhe Don Ndue Ballabani, përmbledh në një vëllim eseistikën e Fishtës. Pas Parathënies, ky libër është sistemuar në katër pjesë: Kreu I Ese letrare artistike; Kreu II Ese reaguese; Kreu III Ese për Media-n, dhe Kreu IV Ese kulturore. Po ashtu, ky botim përmban edhe një Indeks (emrash).
Fishta, dijetar e krijues par excellence, qe edhe njohës, shkoklues (term i tij, v. j.), analizues e interpretues i artit letrar. Ai dëshmon një kulturë të gjânë letrare, një informacion të rrallë për veprat kryesore dhe për autorët më të shquar të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore, madje që nga Antika deri në kohën e tij. Po ashtu, njeh dhe komenton me argumente bindëse mendësinë, kulturën, historinë dhe shpirtin e shqiptarit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, kur e shkruan Parathënien e kësaj vepre të mbledhun e të përgatitun nga Shtjefën Gjeçovi.
Shkrimet e Fishtës, të përmbledhura në këtë botim, janë një thesar i rrallë i mbarë publicistikës sonë kombëtare. Ato janë shkruar shpesh për “tema të ditës”, porse, realisht, janë shkollë më vete e shkrimit eseistik e polemist, një tip i veçantë shkrimi, që në letrat shqipe kulmoi me brezin e artë të viteve ’20-30 të shekullit XX, por që, për fatin tonë keq, u shua me vendosjen e sistemit monist në Shqipëri dhe nuk u ringjall më kurrë.
(Paraqitje në mbrëmjen e prezantimit të botimeve të Sh. B. “Drita”, Prishtinë, më 22 shkurt 2024. Titulli është i redaksisë)