(Don Anton UKA, ETIKA E SYÇELËTSISË. Analizë teologjiko-shpirtërore e Letratve Baritore të Carlo Maria Martini-t, Vëllimi IV, DRITA, Prishtinë 2023, f. 138.)
Don Anton Uka lindi në Stubëll më 7 nëntor 1979; shugurohet meshtar në vitin 2005. Pas studimeve pasdiplomike ka doktoruar në Universitetin e famshëm të Gregorianës me temën: Dëgjimi i Fjalës si metodë – Analizë teologjike – shpirtërore e Letrave baritore të Carlo Maria Martini-t.
Vepra që po e paraqesim në një mënyrë është thelbi i porosive të kard. Martinit në Letra Baritore, si pjesë themelore biblike dhe teologjike, përshpirtërie, edukimi në fe, disi në “stilin” e Zotit, syçeltësisë së shpresës dhe historisë së eskatologjisë për takim, afrim dhe bashkim përfundimtar me Jezusin e ngjallur në amshim.
Temat boshte e këtij trajtim, letrës “Jam te dera” është jeta – vdekja – amshimi si kurorëzim i jetës në kohë dhe në hapësirë, dhe si “përngjarje” me Jezusin e ngjallur.
Një temë e veçantë është koha sipas shikimit njerëzor dhe atij hyjnor, si dhe kuptimi, domethënie, rëndësia për tash dhe në amshim.
Rreth syçeltësisë kardinali C. M. Martini sipas Don Antonit është: “Etika e syçeltësisë do të thotë edhe thirrje për të jetuar me përgjegjësi dhe me entuziazëm çdo akt të pranisë së Hyjit dhe për të kuptuar se vlera më e lartë e çdo zgjedhjeje morale gjendet në përpjekjen për t’i pëlqyer Hyjit dhe për ta shenjtëruar emrin e tij duke bërë vullnetin e tij. Këtë mënyrë të jetuarit dhe të vepruarit, Martini e quan etika e shoshitjes.”
Syçeltësia, sipas kardinal Martinit, është së pari për njerëzit e kushtuar, por edhe për të gjithë të krishterët, sipas parimit të Jezusit : Rrini zgjuar…, dhe dëshmon që i krishteri jeton hic et nunc, këtu dhe tani, por i orientuar kah amshimi dhe pavdekësia.
Letra baritore: ”I flas zemrës tënde”, e paraqet si një lloj rregulle për besimtarët e vet, testamenti shpirtëror. Pas pyetjeve rreth heshtjes së Zotit, fshehjes së tij, shtimit të së keqes, padrejtësive, dhunës, sëmundjeve, rreziqeve, luftës, duke përfunduar që çdo pyetje apo vështirësi, ka vetëm një përgjigje, Jezu Krishti, kryqin i tij, apo të ndihesh i dashur prej dikujt që është më i madh dhe më i mirë se ti…
Në këtë pjesë të Letrës paraqiten tri dhurata: traditio, receptio dhe redditio, pranimi dhe marrja, si dhe kthimi i të mirave të pranuara, si qëndrime jetësore për çdo të krishterë.
Në vazhdim është analiza e Letrës: “Tre tregime të Shpirtit”, mbi rolin e Shpirtit Shenjt në jetën dhe veprimtarinë e krishterë, pa të cilin nuk mund të besojmë, edhe më pak të jetojmë dhe të dëshmojmë fenë tonë.
Roli i Shpirtit Shenjt është i shumëfishtë: sidomos në zbulimin e Atit si Babë – Abba i të gjithëve, me këtë edhe vëllazëria universale, takimi me besimtarët, me jobesimtarët, të varfrit… (Letra: Kthimi te Ati i të gjithëve)
Pjesa përfundimtare i kushtohet të shtunës, Virgjërës Mari si Nëna e jetës, shpresës, dashurisë dhe jetës së krishterë.Libri përfundon me bibliografi të përgjithshme dhe të Carlo Maria Martinit (f. 124 – 127).
Me pak fjalë, ky botim begaton shtypin tonë, është një mundësi e mirë për besimtarë, të krishterë, por edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit dhe zemrës së mirë, që ta fillojnë një ecje burimore në kërkimin e përgjigjeve themelore të jetës me dritën e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.
Prishtinë, 22 shkurt 2024 Don Lush GJERGJI