Një derëz për në kopshtin e bukurive të Hyjit

Padre Pio dhe Engjëlli i Rojës kanë ardhur te unë në një moment të dhëmbjes shpirtnore, por të lulëzimit në fe. Shoqërimi me ta pastaj ka krijuar në mua një miqësim të ri e plotë shpresë.

Në anën tjetër, ky libërth përvojash nuk është vetëm një demonstrim i pasunisë së pa shterëshme që Kisha dhe tradita katolike ka, por mbi të gjitha një temjan i kandshëm demistifikimi për dukuni e përvoja fetare, që përgjatë shekujve janë mbulu me pluhunin e mosnjohjes.

Raporti jonë jo i ngjeshun me Engjëllin tonë të rojës është një defekt substancial në shqisën e fetarisë. Refuzim i dhuratës së çmueshme të këshillimit, miqësisë dhe ndërmjetësimit.

Padre Pion në këtë rast bëhet një model i përzgjedhun i Hyjit për ne duke na lënë pas një ekzemplar se si qiellorja dhe tokësorja mund të koekzistojnë në plotni si një Kishë e vetme. Ashtu si Shën Bërnardi i Clairvaux, kapucini i përvujtun i San Giovanni Rotondos e jetonte në mënyrë sistematike kuadrin mistik të Amshimit, në përditëshmërinë vet, shpesh herë duke mos mundur t`i ndajë nga realiteti ordiner, tokësor.

Këto përjetime vijnë në këtë përkthim të përmbledhuna 4 P. Ángel Peña O.A.R nga autori si album i bukur katekistik, i cili na shpërfaqë plotninën e jetës që një të krishteri i ofrohet nga gurra e gjallë e fesë. Në anën tjetër, e dëshmon kërkesën për përfshirje a zhytje totale në lutje, dëgjesë dhe shërbesë, si parakushte për pastërti të ndërgjegjës.

Padre Pio është dishepull dhe mbarështrues i zellshëm i projektit palian, “Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta” (2 Timoteut 4,7). Krejt këto të ndërtuara mbi dashurinë ndaj Jezusit, vuajtjen ungjillizuese dhe rezistencën ndaj malinjitetit. Në jetën e tij publike s`mund të gjeni asgjë spektakulare, por në fakt çdo gjë është jo tipike; s`ka fjalë të tepërta e as veprime, ka përgjigje të drejpërdrejta, të vërteta të zbuluara, dashuri çarmatosëse dhe pa shibla. Kapucit prej krejt dhuratave hyjnore me të cilat ishte paisur më së bukuri i rrinte dhurata e konvertimit. Ai kishte një nur të pa shpjegueshëm se si me një shikim a me pak fjalë arrinte të kthente te Jezusi edhe mëkatarin më të madh. Një dendësim i pa kuptueshëm i hyjnores në qenjën e një burri me trup të vogël. Tipike kristologjike.

Për mua, ky libërth është një derëz për në kopshtin e bukurive që Hyji na ka dhuruar nëpërmjet Padre Pios. Është një nxitje për të shtrirë tutje aromën e mrekullive të françeskanit nga San Giovanni Rotondo edhe në mesin tonë. Bekime.

Festa të Shumëve, 2022

(Parathënie e librit nga përkthyesi Visar Berisha)

Shpëndaje: