Libër për edukimin dhe formimin e vetvetes

Suzana Lekaj, Të jesh vetvetja, Drita, Prishtinë 2022

 

Nga Don Lush Gjergji

 

Suzana Lekaj (motra Franciska) na begaton dhe gëzon me librin e saj tё dytë, kushtuar psikologjisë, përshpirtërisë, jetës sonë të brendshme, i cili vjen pёr neve pas librit të parë “Arti i të jetuarit”, Drita 2021. Që të jemi vetvetja, së pari duhet të jemi në harmoni me veten tonё, dhe me elementet përbërëse dhe të përbashkëta si trupi, psika dhe shpirti, që mos të ndodh ndonjë “diktaturë” e brendshme, apo ndonjë shkapërderdhje jete dhe energjie, apo të jemi fryt i rastit dhe i rrethit, që na kushtëzon dhe sundon. Pa njё “dirigjent” të orkestrës apo tё korit, që nё kёtё rast jemi vetё neve, nuk ka harmoni dhe kënaqësi, dashuri, dhe si pasojë e gjithë kësaj, nuk ka as lumturi.

Motёr Franciska, pikёrisht, për këtë arsye e vë si parakusht thelbёsor dhe qenësor domosdoshmёrinё e të qenit vetvetja, pasi kёshtu kemi mundёsi mё mirё për t’u hapur me të tjerët, pёr tё bashkëpunuar dhe bashkëjetuar me ta, në mёnyrё që edhe ata t’i japin rёndёsinё e duhur dhe të mund tё jenë vetvetja si nё marrëdhëniet dhe jetёn e tyre familjare, po ashtu edhe nё atё profesionale dhe shoqёrore.

Qysh në faqet e para të këtij libri, trajtohen disa çështje shumë të rëndësishme për identitetin dhe personalitetin njerëzor, ku mes tё tjerash vihen nё dukje disa mungesa qenësore tё tij, si: qëllimi, paqartësia, përparësitë e gabuara, apo entuziazmi i pakët, aq sa e gjjithë kjo krijon në ne zbrazëti, ankth, frikë, depresion, që rrënojnë pa mëshirë brendësinë tonë.

Paragjykimet na udhëheqin kah zhvlerësimi i të tjerëve, duke dëmtuar kёshtu vetveten dhe tjerët, si fryt i injorancës, primitivizmit dhe mosaftësisë për takim, afrim dhe bashkim ndërnjerëzor, pasi humbasim mundësinë e vërtetë të njohjes, miqësisë, bashkëpunimit, dhe partneritetit. Me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, çlirohemi prej paragjykimeve (shiko: Mt 7, 1-2; Lk 6, 41 – 41), sepse në dritën e fesë çdo njeri është unik, krijesë e Zotit, vëlla apo motër, edhe më shumë, vetë Jezu Krishti (khs. Mt 25, 31 – 46).

Në kapitullin vijues Gruaja – vlerë e shoqërisë, i bёhet njё analizё domethёnёse faktit sesi femra shpesh trajtohet më shumë si objekt, dhe jo si njё person, duke e pёrdorur atë “jo për atë që është” (f. 20), me forma të ndryshme keqtrajtimi apo dhune, kuptohet, së pari në dëm të botës femërore, por gjithsesi edhe të mbarë shoqёrisё njerëzore.

Shpresa – virtyti që i jep kuptim jetës, është një zbërthim i qëlluar i saj me shumë peshë dhe domethënie, që sipas thënies së Papa Françeskut, i cili thotё: “Mos lejoni t’iu vidhet shpresa”, shihet dhe konsiderohet si nevojë dhe domosdoshmëri për çdo njeri të çdo moshe, kohe dhe rrethi shoqёror. Për neve, të krishterët, shpresa ka një emër, Jezu Krishti, si burim i sigurt i çdo risie dhe sigurie. 4 Suzana Lekaj 5 Të jesh vetvetja Lideri, udhëheqësi, dhe rёndёsia e tij nё përditshmërinё e kohës sonë, ku dallojmё se jo çdo lider është i mirë në kërkimin dhe nё dobinё e të sё mirës së përbashkët, në shërbim të bashkësisë, të vlerave dhe virtyteve, dhe i aftë për komunikim, frymëzim, motivim të forcave pozitive tek grupi, shoqata, apo institucioni qё ai drejton apo udhёheq, për ta nxjerrë dhe dhuruar “pjesën më të mirë të vetvetes – dashurinë” sipas Nënës sonë Tereze.

Kujdesi i njeriut për shpirtin, është një tematikë fatkeqësisht e harruar dhe e mënjanuar, që autorja e shqyrton dhe e trajton me kompetencë të njohurive, si dhe me përvojë të fesë dhe jetës rregulltare. Ajo pohon që “duhet plotësuar një vetëdije e lartë dhe e domosdoshme” (f. 37). Nevojat jetike dhe vetjake, si ushqimi, veshmbathja, dukja, bukuria, shëndeti, gjumi, mundohet t’i plotësojë çdo njeri sipas kushteve, mundësive dhe rrethanave, ndërsa ana shpirtërore është e mënjanuar, apo e harruar aq sa “askush nuk shqetësohet apo nuk e ngre zërin, për të thënë një fjalë për krizat shpirtërore, me të cilat njeriu, shoqëria ndeshet çdo ditë e më shumë.“ (f. 37).

I gjithë ky degradim vjen “si pjesë e varfërisë dhe e plogështisë shpirtërore.” (f. 37). Sot, fatbardhësisht, kemi pothuaj gjithçka mirëpo fatkeqësisht, gati nuk shijojmë më asgjë, jemi të varfër edhe më shumë të mjerë në anën psikike dhe shpirtërore, të pakënaqur, të zbrazët, në një botë pa Zotin – Dashuri dhe pa vëllain apo motrën, siç thotë Nëna Tereze. Pa shëndetin dhe paqen shpirtërore, gjithçka është “pa shije dhe pa ngjyrë.” (f. 38).

Shpirti ynë e kërkon Krijuesin dhe Shëlbuesin – Zotin, besimin, e nëse këtë nuk ia japim shpirtit tonë, atëherë shpirti ynë është i “robëruar” në trupin tonë. Besimi në Zotin, në njeriun, në vetveten, është parakusht si “vlera më e lartë e dashurisë. Dera e çdo marrëdhënie… “ (f. 42).

Motivimi dhe frymëzimi, janë ndër faktorët kryesor të jetës dhe veprimtarisë njerëzore si shprehje lirie, lumturie dhe personaliteti. Motiv – pse, dhe frymëzimi – si, dëshmojnë si jetojmë ne me veten tonё dhe me të tjerët, zbulojnë botën tonë të brendshme, janë si dy këmbë për të ecur, si dy sy për të parë, si dy veshë për të dëgjuar, si dy binarё për të udhëtuar… Nëna Tereze na ka lënë si testament shpirtëror këto porosi: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim… Vetëm Dashuria do ta shpëtojё botën… Kush nuk ka asgjë, jep gjithçka, sepse dhuron vetveten…”

Bullizmi, si fenomen i shpeshtë i kohës sonë trajtohet me shumë kujdes, por edhe me guxim dhe vendosmëri. Ai shihet si dëshirë për të dëmtuar apo njollosur tjetrin nëpërmjet talljes, ironisë, cinizmit, përbuzjes, dhe sesi atë e pësojnë persona tё ndryshёm, të dobët dhe të pavendosur. Burimi i gjithë kësaj është “mungesa e empatisë dhe e ndjeshmërisë që personi ka ndaj vetes, ashtu edhe ndaj tjetrit.” (f. 53).

Ky botim dhe kontribut i m. Franciska Lekaj, është së pari, fryt i jetës dhe i përkushtisë shpirtërore të saj si rregulltare, e sё dyti, ёshtё njё studim i mirëfilltë i botës sonë të brendshme psikike dhe shpirtërore në prizmin e tematikave shumë aktuale pёr kohёn. Nëpërmjet këtij studimi, autorja në një farё mënyrë, është “udhёrrёfyese” e njohjes dhe e komunikimit me vetveten, brendinë dhe thellësinë tonë, pastaj me të tjerët dhe me Zotin.

Prandaj propozoj vëllazërisht, që librin ta lexosh me përkushtim, vëmendje dhe me “zemër”, mos të frikësohesh 7 Të jesh vetvetja që ta njohësh vetveten me tipare dhe karakteristika dalluese, se vetëm ashtu do të kesh mundësi që t’i pranosh të tjerët si miq, shokë, vëllezër, motra, si bashkëudhëtarë dhe bashkëpunues, e mbi të gjitha Tjetrin, Krijuesin dhe Shëlbuesin, Atin tonë të mirë dhe të përbashkët.

Kështu edhe neve, do ta krijojmë dhe do ta shijojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, siç bëri gjatë gjithë jetës Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë, Shën Nëna Tereze./drita.info

(Ky shkim është parathënie librit)

Shpëndaje: