Porosia e Imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje

Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,

vëllezërve e motrave në fe

dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë!

 

 

Të dashur vëllezër e motra,

pas një viti kremtimesh intensive, në kuadër të vitit të Gjergji Kastriotit, po vij edhe njëherë tek Ju me porosinë time të përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi.

Njeriu, që nga zanafilla, është ndier i braktisur, i vetmuar dhe i humbur në humnerën e mëkatit të vet. Ai është detyruar të përballoj trishtimin e vetmisë në përballje me vetën, me botën, me mëkatin dhe me vdekjen; po ashtu është detyruar të përballoj vuajtjet individuale dhe kolektive gjatë shtegtimit nëpër tokë. Mu për këtë, njeriu  kurrë s’ka pushuar duke kërkuar ta rifitojë atë që ka humbur me mëkatin e vet dhe ta rigjejë Krijuesin e tij, që ta ngushëllonte dhe ta shoqëronte në ditët e jetës mbi tokë. Edhe sot, çdo njeri bartë të  fshehur në zemrën e vetë një dëshirë të mrekullueshme, që të gjejë personin i cili nuk e gjykon, por e kupton dhe i beson.

Për ne të krishterët, ky person është Foshnja e Betlehemit, Mesia, Biri i Hyjit të gjallë. Ne, Atij ia besojmë të gjitha brengat, Atij ia shpalosim të gjitha dëshirat, nëpërmjet uratës ia tregojmë të gjitha fshehtësitë tona, ia rrëfejmë mëkatet, ia besojmë jetën dhe vdekjen,  e Ai na kupton, na beson, na ngushëllon; asnjëherë nuk befasohet nga dobësitë tona,  kurrë nuk na gjykon, gjithnjë na do  e na pajton me Atin tonë qiellor.

Këndej, ne Kisha e Tij, s’pushojmë kurrë duke i ftuar të gjithë njerëzit, që të kthehen e të lejojnë që t’i shndrisë Krishti me Shpirtin e Tij të Shenjtë. Dhe atyre që përpiqen ta gjejë, iu ndihmon t’i lartësojë sytë drejt dritës që shndritë errësirën e zemrave  dhe i aftëson të ecin me gëzim ditëve të jetës. Nën shkëlqimin e kësaj drite dhe shoqërimin e Foshnjës së Betlehemit, çdonjëri prej nesh zbulon në zemrën e vet dëshirën për shenjtërim, dashurinë për çdo njeri dhe  arin të gjejë të mirën në tërësinë e gjërave që e rrethojnë, po edhe mëson të dialogon me të gjithë njerëzit me të cilët e ndanë të përkohshmen.

Me lindjen e Krishtit është hapë një proces i ri i dialogut mes Krijuesit dhe krijesës për shpëtimin e tokës dhe njerëzimit. Preambulë e kësaj marrëveshje në dialog, mes Mesisë besnik dhe popullit   që kërkon dënimin e tij,  mes dashurisë që falë dhe botës që hakmerret dhe mes pushtetit të Pilatit, që gjykon me vdekje në kryq dhe pushteti të Krishtit, që shpërblen me jetën e pasosur është Besëlidhja e vjetër. Kurse teksti i marrëveshjes  është Ungjilli dhe e tërë Besëlidhja e re. Zbatimi konkret i kësaj marrëveshje, të lidhur me Besë, siguron pajtimin përfundimtar ndërmjet Krijuesit dhe krijesës, ndërmjet njeriut dhe Hyjit.  Ky dialog dhe kjo marrëveshje i ofrohet çdo njeriu. Ai që e pranon, e nënshkruan në zemrën e vet   dhe e lejon Kishën që ta pagëzoj me ujë. Kurse Hyji, të njëjtën marrëveshje e nënshkruan me gozhdën e Kryqit dhe me gjakun e të Birit të Tij.

Vëllezër dhe motra,

nëse Hyji s’ka pasur frikë të dialogoi me botën, aq më pak duhet të kemi frik ne të dialogojmë me njëri-tjetrin, në familje e në shoqëri, ndërmjet familjeve, partive dhe popujve. Dialogu është parakusht i paqes, pajtimit dhe të mirës së përbashkët. Buron nga vullneti i mirë dhe dëshira për të ardhmen më të mirë të të gjithëve. Këndej, askush nuk duhet të ndihet i lodhur nga dialogu dhe askush nuk duhet ta keqpërdor apo ta mohoj nevojën për të.

Dëshiroj që në këto ditë Krishtlindjesh të ftoj  popullin tim shqiptar, kudo që jeton, të jetë i vetëdijshëm se udhëtimi shekullor i popullit tonë drejtë kthimit në familjen e popujve të qytetëruar ka qenë tejet i vështirë. Kjo që gëzojmë sot, është arritur me mundë, djersë e gjak të shumë gjeneratave. Këndej, duhet të kihet kujdes që as një dështim i yni ose padrejtësi që na bëhet, të mos e rrezikojë bashkëudhëtimin tonë drejtë të ardhmes me popujt e Evropës dhe Rajonit, sepse e dimë mirë  se si kemi  pësua kurë kemi gabua.

Ftoj edhe popujt e Evropës, sido që janë të organizuar në institucionet shoqërore, politike dhe ekonomike, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim te ne shpatarët. Ne, nuk na befason padrejtësia, sepse jemi të mësuar më të, në të kaluarën. Ne, sot shpresojmë në drejtësi dhe barazi,  në mesin e popujve. Mbi gjitha, popujt e Evropës, nuk duhet ta shohin popullin tim si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit vet. Sidomos ftoj popujt e Rajonit që të mos thurin plane për të ardhmen duke na përjashtuar neve, por të përpiqen se bashku me ne, të arrijmë paqen, të ardhmen ma të birë dhe integrimin në familjen europiane.

Në fund, uroj që Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, ditëlindjen e të cilit po e kremtojmë, t’i mbush zemrat Tuaja me dashuri, ju dhashë forcën për të përballuar vështirësitë e jetës dhe padrejtësitë e botës. Ju ngushëlloftë në pikëllim dhe Ju përcjellë me mëshirë dhe dhembshuri gjatë gjitha ditëve të vitit të ri, që do e fillojmë një javë më vonë.

Ju garantoj të gjithëve, unë dhe e gjithë kisha, se do t’Ju kemi në lutjet tona, do T’ju shërbejmë me përvujtëri dhe dashuri, ashtu si na porosit Foshnja e Betlehemit.

Për shumë mot Krishtlindja dhe Viti i Ri 2019!

Ipeshkvi Juaj, Dodë Gjergji

Shpëndaje: