Porosia e ipeshkvit Imzot Dodë Gjergjit
për Pashkë 2022
Drejtuar priftërinjve,
motrave të nderit,
besimtarëve
dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë
Fort të dashur,
në këto ditë të bukura kur e gjithë natyra po i rikthehet gjallërimit vet pranveror edhe ne që i besojmë Krishtit të ringjallur, po dalim nga përvoja kreshmore në përvojën e gëzimit pashkvor, sepse me Ringjalljen e Krishtit, jeta përfundimisht ka ngadhënjye mbi vdekjen. E nëpërmjet të Ringjallurit, kemi faljen e mëkateve, shpresën e lume dhe jetën e pasosur.
1. Kjo ngjarje e madhe pajtimi, pastrimi dhe shpresëplote, është fryt i sakrificës së Zotit në kryqin e Kalvarit. Kur Hyji, për dashurinë që pati ndaj nesh, lejoi që Jezusi, Biri i Tij, të pësonte mundimet, e lëshojë në duart tona, me qëllim që dhënësi i jetës, të bëhej edhe shpëtimtari i saj.
Dashuria e Hyjit është e përkryer, pasi Zoti lejoi të jetë i përbuzur nga ata që i ka krijuar, të gjykohej nga ata që po i shpëtonte dhe të vritej nga duart e atyre që do të besonin në Të. Ai, vërtetë vdiq në kryq. E, për t’u siguruar që kishte vdekur, me një heshtë ia shporuan zemrën. E varrosën dhe vunë roje, ashtu që të siguroheshin se nxënësit nuk do të guxonin ta nxirrnin nga aty. E, të tretën ditë, vërtet u Ringjall, vërtet i shpëtoi nga vdekja gjithë ata që do të besojnë në të. Siç dëshmon Shën Pali Apostull: Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re të hirit (Khs. Rom 6, 4), që është paqja e Zotit, pa frikë, pasi jeta ka ngadhënjye mbi vdekjen, dashuria mbi urrejtjen, mëshira mbi mëkatin dhe e përjetshmja mbi të përkohshmen
2. Besimi në të Ringjallurin, gëzimi i fesë, hareja e shpirtit dhe shpresa e lume, na mundësojnë ta duam dhe t’i gëzohemi jetës, duke e lartësuar atë në dimensionin hyjnor. Jemi të vetëdijshëm se, sikur thotë Shën Pali, duhet të gëzohemi edhe pse një kohë duhet të jemi të trishtuar. Pasi, mjerisht, bota akoma i nënshtrohet mëkatit adamik-lakmisë, logjikës kainike që e vret vëllain dhe psikologjisë së turmës që bërtet “hiqe, kryqëzoje”. Si rrjedhojë, në këtë të përkohshme jetojmë të trishtuar përballë të këqijave që na rrethojnë. Këtë e pamë në pafuqinë njerëzore, për t’u përballur me një krijesë krejt të padukshme (sikur ishte virusi). Sot vazhdojmë ta shohim njerëzimin akoma të ngelur të “kryqëzuar” në urrejtjen e zemrës së vetë, pasi edhe sot vëllezërit shamatohen me njëri-tjetrin, çiftet përlahen e shpeshherë ndahen, familjet bien në konflikt, e individët vrasin, vetveten apo njeri-tjetrin. Pastaj, të fortit bëjnë “ligjin” në lagje, të pushtetshmit mbështeten mbi fuqinë e armëve, popujt e mëdhenjtë shfrytëzojnë pasuritë e më të vegjëlve, shtetet e forta i shpallin luftë të panënshtruarave.
Edhe pse bota e njerëzimi mburret me arritjet e shkencës, prosperitetit dhe liritë e fituara, megjithatë shumica më e madhe e njerëzve jetojnë akoma në varfëri, uri dhe përbuzje. Sot, të pastrehët nuk gjejnë kulm mbi kokë, njerëzit nuk gjejnë punë, e punëtori nuk paguhet sa duhet. Është për t’u habitur se me sa lehtësi legjitimohet varfërimi i njerëzve, në emër të mbrojtjes së interesave të të pasurve. Një gjë e tillë u konstatua në kohën tonë, duke mos e marr parasysh shpërndarjen e barabartë të barrës së krizës, as gjatë pandemisë, as gjatë rritjes së çmimeve ose mungesës së të mirave të domosdoshme. Këndej, nuk mund të mos ndjejmë dhembje kur shohim se si pamëshirshëm bombardohen qytetet, se si njerëzit për një moment humbasin jetën ose shohin se si po zhduket para syve të tyre sakrifica e një jete.
3. Gjitha këto gjëra që i përmendëm janë të dhimbshme dhe na nxisin që angazhohemi për kthyer shpresën e të klithim edhe më fuqishëm Aleluja! Ai u ringjall! U ringjall për ta dhuruar fuqinë e kthimit dhe dashurinë ndërnjerëzore! Le të këndojmë e le të galdojmë të përvuajturit, të mjerët, të shtypurit, e të braktisurit e të dëbuarit, sepse Jezusi Zot, Jeta e të vdekshmëve është paqja jonë. Le të shpresojmë në Të, sepse vetëm nëpër Të e me Të do të kemi shitimin, shpërblimin dhe faljen e mëkateve.
Ngjallja e Krishtit nga të vdekurit nuk është vetëm një ndodhi historike, një dëshmi kishtare, e aq më pak një instrument fetar. Ajo është një shfaqje reale e dashurisë së Hyjit Atë dhe të Birit të Tij, ndaj nesh, të cilët për shkak të mëkatit, jemi të detyruar të përballemi me mjerimin njerëzor, të mund të kemi dashurinë, lumturinë dhe paqen e vërtetë, që na dhurohet nëpër Krishtin Shpëtimtar.
Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, mos të molisemi në të sotmen, por të jeni të qëndrueshëm, të palëkundshëm e përparojmë vazhdimisht në veprën e Zotit, të vetëdijshëm se mundi jonë nuk do të mbetet i pafrytshëm në Zotin (khs. Rom 15), sepse Ai është Ringjallja jonë, Pashkët tona!
Të gjithëve ju uroj Pashkë të bardha. Krishti u Ringjall, Aleluja!
+ Dodë Gjergji
Ipeshkëv