Një përqasje ndryshe për të kremten e Dëftimit (6 janar)
Nga Don Fatmir KOLIQI
Njeriu gjatë jetës së vet aspiron takime; takime të reja me njerëz të rinj. Është një ndjenjë që na ngacmon e na motivon pandërprerë, për të njohur a takuar njerëz të ri, pasi çdo takim është një pasuri e veçantë. Të gjitha takimet ndërnjerëzore aspirojnë kah një Takim vendimtar – Takimi me Absolutin i mishëruar në personin e Jezusit. Rruga për ta takuar Atë, është rrugë e jetës, rrugë e rrugëve. Ngjan të jetë e shkurtër, por mund të ngjajë të jetë edhe e gjatë, tmerrësisht e gjatë. Varet prej njeriut që gjendet në rrugë; si dhe ç’drejtim e bënë rrugën… Porse, kur arrihet te ky Takim, ai shndërrohet në adhurim, në (ri)kthim, në takimin e vetes së vërtetë. Ky takime lind një jetë e re.
Dëftimi – katoliciteti i Krishtlindjes
Në ditën e Dëftimit të Zotit pasqyrohet një Takim i madhe i Tre Dijetarëve me Jezusin foshnje në Betlehem. Është dëftimi historik i ekonomisë hyjnore, në të cilën Jezusi takohet prej popujve paganë, përkatësisht e shtrin veprën e vetë shëlbimprurëse përtej popullit të zgjedhur të Izraelit.
Festa e Dëftimit vjen si plotësim në kohën liturgjike të Krishtlindjes. Liturgjia e quan Dëftimin Epifania – fjalë greke me këtë domethënie; shfaqje, zbulim, dëftim. Mishërimi i Fjalës është ndodhi unikale që i përket tërë njerëzimit. Jo, nuk është vetëm një ngjarje sporadike në skutat e Betlehemit! Apo i përket vetë një vendi apo një populli. Dëftimi është (njëlloj)plotësimi i Krisht-lindjes tek të gjithë popujt, është katoliciteti i Krishtlindjes.
Shkenca në kërkim të Absolutit
Ungjilli i Mateut 2, 1-12, tregon për ardhjen e tre dijetarëve nga Lindja në Jerusalem. Pasi ata mbërrijnë në këtë qytet, e bëjnë këtë pyetje: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet e tona”.
Nga tradita e Kishës mësojmë se këta dijetarë, të a.q. Magë (magus, fjalë me prejardhje persiane që nënkupton njeriun e ditur, të urtë, ai që e dashuron dhe promovon shkencën) ishin njerëz të shkencës, të pasionuar pas hulumtimeve astronomike. Magët në Lindjen e largët dhe të mesme, ishin dashamirë të shkencës, të dijës, urtisë, të ngjashëm me ata që në botën antike greke ishin filozofët (philosophos). Ishin dijetarë që ia kushtonin jetën e tyre përsiatjeve e meditimit për të kapur shkaqet e ekzistencës, qenieve, prandaj edhe përdornin metoda të ndryshme gjatë hulumtimit, nga ato të shkencave natyre deri te ato shoqërore e filozofike, posaçërisht ontologjinë, që në thelb është orvatja dhe synimi për të kapur burimin e gjësendeve, prejardhjen e tyre, kuptimin dhe qëllimin.
Në kërkimet e tyre kundronin me vëmendje lëvizjen e trupave qiellorë, rendin kozmik, me një fjalë, gjithë atë që sot e kundron dhe e studion shkenca e astronomisë. Ishin pagan, na thotë bibla, nuk i përkitnin popullit të zgjedhur, të asaj tradite të hebreje të pasur prej profetëve, të urtëve të Besëlidhjes së Vjetër, të cilët paralajmëronin ardhjen e Mesisë, Shpëtimtarin e botës, Atë që do të ribashkojë popujt në të Vërtetën Hyjnore.
Dijetarët e Lindjes janë një fenomen i parë në historinë e religjioneve, i jashtëzakonshëm në vetvete, që shkencën ia nënshtrojnë Mbretit të yjeve, Atij që është Zot i kozmosit, Atij që yjet i përkulen. Vrojtimet e tyre të gjata e të kujdesshme në kupën qiellore kanë arritur të shkoqisin shenjat që e tregojnë praninë e Lëvizësit të Palëvizshëm (Aristoteli).
Prandaj, në këtë të kremte Kisha me plotë respekt përsiatë dhe nxitë promovim për dinjitetin e atyre që ia kushtojnë jetën shkencës së vërtetë, atyre profesionistëve të shumtë që bëjnë të afrohet së më shumë misteri i krijimit e të hetohet në të Krijuesi i botës. Në jetën e Dijetarëve ne e hetojmë me respekt të theksuar nderimin dhe shtytjen permanente të çdo shkence të vërtetë të njeriut, e cila e trason në mënyrë specifike të vetën rrugëtimin e njeriut, i cili e çon në takim me Zotin.
Festa e Dëftimit na rikthen vëmendjen për të medituar për rrugët e njohjes dhe pranimin e Zotit. Shkenca e bazuar në arsyen e njeriut arrin të njoh Zotin, shkakun e gjithçkaje përmes të dukshmes dhe ligjeve natyrore të vrojtueshme e të kapshme nga arsyeja. Dhe rruga tjetër, e a.q. rruga nga lart, nëpërmjet së cilës Zoti u dëftohet vetë njerëzve, në mënyrë të kapshme për njerëzit: pra iniciativën e bënë vetë Zoti, i cili dëshiron të komunikojë me njeriun si me mikun. Kjo rrugë u bë e reale në personin e Jezu Krishtit.
Ylli i fesë dhe ylli i shkencës
“Panë yllin e tij duke lindur”- thotë ungjilli. Dijetarët kishin vërejtur një lindje të pazakontë në kupën qiellore, një yll të ‘çuditshëm’, që ia kishin përcjell me imtësi lëvizjet e tij derisa nuk kishte pushuar mbi Betlehem. Këta kishin lëvizur bashkë me yllin, duke e bërë një shtegtim thuajse “astronomik”. Këtu e hetojmë një shtegtim prej dijetarëve me qëllimin e vetëm për të zbuluar dhe për ta takuar të vërteten. Ky është një shtegtim krejtësisht i pasionuar, që del natyrshëm prej një shkencëtari, pasi shkenca është një etje e pashuar dhe e vazhdueshme për të njohur të vërtetën, të pafundmen që na shfaqet pjesërisht në të dukshmen e jetës sonë.
Ardhja e tyre në Jerusalem kishte lëkundur shumë studiues, madje tronditur thellë. Tronditjen e kishte ndier edhe mbreti Herod. Në qytetin e njerëzimit – Jerusalem – po takoheshin dy botëkuptime, të ndryshme në përqasje e të ndryshme në qëllime, që shkonin në drejtime diametralisht të kundërta. Kur ndodhi takimi i tyre, lindi shqetësimi shpirtëror dhe intelektual. Pallati i Herodit kishte shuar yjet fetarë dhe ata të dijes, arsyes – po jetonte i mbërthyer në vetvete, i ngurtësuar dhe i verbër, pa shikim të qartë në Kupën Qiellore. Po e bënte një jetë dhe politikë ka qiell. Ai kishte krijuar një botë pa qiell. Për këtë botë nuk ekzistojnë yjet. Nuk kishin hetuar fare lindjen e një Ylli të ri, Dritë të re, që do të jetë Mbret i ri.
Para tij po shfaqeshin tre dijetarë nga një vend i largët, pasionues të astronomisë, do t’i quaja “gjuetarët e yjeve”, me botëkuptime semite-pagane, në kërkim të një shpjegimi të jashtëzakonshëm astronomik. Ata kishin një yll të vetin, por tani po e hetonin se ylli i tyre tani po përkulet para Yllit të ri, të cilën duhet nderuar me përkulje, me adhurim. Nuk e dinin si dhe pse, por e dinin se adhurimi po vije natyrshëm pas një kërkimi, hulumtimi dhe rrugëtimi të gjatë prej vitesh. Pas një vrojtimi të ngulmueshëm, atyre u shkëlqyen sytë dhe mendja, përnjëherë iu zgjerua hapësira e të pamunit dhe shkoqitën të Vërtetën e ‘largët’ që tani po e shihnin ‘të afërt’. Takimi i tyre u shndërrua në përkulje të thellëe adhurim, që sot disave do t’iu duhet e çuditshme e madje e “pakuptimtë”.
Porse, ata nuk e kishin “frikën” si shkencëtar të përkulen para të Vërtetës, burimin e dijës dhe kulmin e kërkimit kuptimplotë të tyre. Me guxim e admirim, pa ngurruar,i sollën dhuratat e çmuara simbolike (ar – kemi – mirrnë). Madje, duke u bazuar në rreshtat biblik, ata nuk u kthyen te Herodi, por të mësuar prej Yllit, u kthyen në vendlindjen e tyre, në drejtim tjetër, që e shënjon kthimin e tyre shpirtëror, përqafimin e Foshnjës së Betlehemit, Jezusin, për të Vërtetën e tyre përfundimtare që e kishin kërkuar tërë jetën. Shkencëtarë e dijetarë të vërtetë!
Në rreshtat fundit të kësaj përqasje, do të doja të kujtoj konstatimin e teologut dhe papës Ratzinger, i cili në përsiatjet e tija teologjike dhe liturgjike, ka shkoqitur një të vërtetë për sa i përket pranisë reale të Zotit në trajtën eukarisitke, si afri e bashkim. Njeriu i kohës sonë – thotë Ratzinger – ka frikë nga prania e Zotit, për Zotin e bërë fëmijë, për përvujtërinë e padurueshme dhe absurde (sipas njeriut modern) dhe për dashurinë flas të Zotit. Sepse ky njeri – vazhdon autori ynë – e do një Zot të largët, të padukshëm, krejtësisht abstrakt e të paprekshëm e mundësisht të mos përzihet në punët e tij.
Ratzingeri na ndihmon ta kuptojmë indiferentizmin dhe ateizmin e sotëm, që shfaqet me një shekullarizëm agresiv e kundërshtues të imanencës së Zotit në ekzistencën e njeriut. Frika e njeriut modern është frika në brishtësinë e tij të thellë e transparente, që s’arrin ta përballojë, prandaj ikën me një vetëkënaqësi nihiliste.
Dijetarët e sotëm, po deshën të shndërrohen në njerëz dashamirë të urtisë, shkencës e të të vërtetës, ata që vetëquhen njerëz të kulturës, nuk do të gabojnë të ndjekin Yllin e Betlehemit, të marrin shembullin e Dijetarëve të Lindjes e të nisen në shtegtim për ta takuar të Vërtetën, thesarin e shkencës dhe të ekzistencës njerëzore. Të dinë të mbajnë shikimin lartë, ta lexojnë Qiellin për të gjetur rrugëtimin që duhet bërë, shtegtimin jetësor prej shkencëtari, pa pasur nevojë të vërdallën në mjegullnajat e paqartësisë dhe hutimit.
Krejt në fund, me pëlqen të ritheksoj katolicitetin e Krisht-lindjes, si një festë për të gjithë që na dhurohet falas, e jo vetëm. Ky katolicitet davaritë frikat dhe ankthet e dritëhijeve të “të vërtetave” të rrudhura që kanë leshu shtat tek shumë “shkencëtarë”.
Do të dëshiroja se kjo ditë të jetë e kushtuar njerëzve të shkencës dhe të kulturës, një ditë-festë për gjithë ata burra dhe gra që me pasion e kërkojnë të vërtetën e krijuar, e nëpërmjet punës së tyre, ne e shohim dhe e kuptojmë më mirë botën./drita.info