MATEJ MAZREKU, argjipeshkëv i Shkupit (1758-1808)

Nga Don Frok Zefi

 

 

a) Origjina dhe emri

Matej Mazreku ka lindur në Janjevë[1], në Kosovë në argjipeshkvinë e Shkupit në vitin 1726,[2] nga babai Ndreu,[3] i lindur dhe i rritur në Janjevë së bashku me kroatët, fliste mirë gjuhën kroate.[4] Studiuesi i ipeshkvisë Shkup-Prizren, dr. Gaspër Gjini, emrin e argjipeshkvit e shkruan “Matija”, ndërsa mbiemrin “Mazareki”.[5] Të gjitha letrat dhe relatat Kongregatës për përhapjen e fesë i ka shkruar në gjuhën italiane dhe në të gjitha ato dokumente është firmosur me emrin “Matteo”, dmth. “Matej,” e jo “Matthias” dmth. “Matija,” ndërsa mbiemrin e vetë çdoherë e ka shkruar “Masarek” që lexohet “Mazrek.”

 

b) Studimet

Kur lindi Matej Mazreku, famullitar i Janjevës ishte Don Mikel Summa, i cili dy vite pas lindjes së Mateut, (1728) është emruar argjipeshkëv i Shkupit. Nuk na është e njohur se gjatë fëmijërisë së Mateut a ka punuar shkolla famullitare misionare për shkollimin e nxënësve, kështu që nuk e dimë se ku Mateu i ka vazhduar mësimet e para. Mund të supozojmë se për arsye të luftës dhe shpërnguljes së argjipeshkvit Suma nga argjipeshkvia (1737), si dhe pasojave që pasuan, shkolla famullitare e misionarëve për nxënës, prej të cilëve zakonisht zgjedhshin kandidatët për priftërinj nuk ka punuar. Tri vjet pas shpërnguljes së argjipeshkvit Suma, Matej Mazreku në moshën 14 vjeçare ka shkuar për studime në Itali. Si konviktor i Kongregatës për përhapjen e fesë është pranuar në Kolegjin Ilirk të Shën Pjetrit dhe Palit në Fermo, ku ka ardhur me 7 gusht të vitit 1740.[6] Ai Kolegj është themeluar me dëshirën e Kongregatës për përhapjen e fesë me qëllim që aty të edukohen klerikët për ipeshkvitë ballkanike. Kolegji nën përkujdesjen e argjipeshkvit e më vonë, kardinalit në Fermo, Karla Gualtieri, filloi punën në vitin 1663, ndërsa me urdhër të papës u mbyll në vitin 1746. Në këtë Kolegj kanë studiuar studentët e besimit romano-katolik. Studimet në këtë Kolegj i kanë mbaruar 193 konviktorë, prej tyre 67 nga Shqipëria, nga Serbia (argjipeshkvia e Shkupit) 15 konviktorë, nga Mali i Zi, (argjipeshkvia e Barit) 20 konviktorë, etj. Kolegjin e kanë drejtuar priftërinjtë shekullarë, konviktorët janë edukuar po ashtu për priftërinj shekullarë. Nga konviktorët më vonë u bënë argjipeshkëv të Shqipërisë: N. Vladani, M. Gjini, G. Teodori, A. Balbi, P. Skura, G. Galata, B. Lindi dhe Gjon Llogoreci. Ndërsa në argjipeshkvinë e Shkupit Mikel Suma, Gjon Nikollë Kazai dhe Matej Mazreku. Studimi në Kolegj ishte falas, të gjitha shpenzimet i mbulonte Kongregata për përhapjen  e fesë, teologët që mbaruan studimet u shuguruan me titull në ipeshkvi ose në misione të tyre. Papa Benedikti XIV, i bashkoi Kolegjin Ilirik të Loretos me Kolegjin Urbanian të Romës me 28 janar 1746. Matej Mazreku me 23 shkurt 1746 ka udhëtuar me konviktorët e tjerë nga Ferma në Romë.[7] Matej Mazreku në Kolegjin Urbanian të Romës ka mbetur deri në fund të studimeve.

 

c) Famullitar dhe vikar gjeneral 

Me të përfunduar studimet në Kolegjin Urbanian të Romës dhe duke u shuguruar si prift, me siguri në Romë, Don Mateo u kthye në Janjevë. Tomë Tomiçiqi, argjipeshkëv i Shkupit në raportin e relates kanonike të argjipeshkvisë në vitin 1756 thotë se Janjeva ka 16 familje besimtarësh katolikë, famullitarë është “shumë i nderuari Don Matej Mazreku, vikar gjeneral, i cili ka 30 vjet, është shumë i zellshëm në shërbim dhe me shumë mençuri drejton punët e argjipeshkvisë.[8]

 

d) Argjipeshkëv

Kardinali përfaqësues i Kongregatës më dekretin 19 nëntorit 1758 e ka emëruar Don Matej Mazrekun argjipeshkëv të Shkupit. Ky dekret është konfirmuar me datë 1 tetor 1758. Në mbledhjen e Kongregatës të mbajtur me 18 dhjetor 1758, Papa Klementi XIII, (1758-1769), emëroi Matej Mazrekun për argjipeshkëv të Shkupit.[9] Megjithëse argjipeshkvi i ri nuk ka LICENCIJAT as doktoratë, papa mendon se ai ka mençuri, gjindshmëri dhe dituri të mjaftueshme për drejtimin e kishës së argjipeshkvisë së Shkupit dhe i ndan DISPENZEN prej GRADUSAVE të përmendur. Mbi betim e dhënë dhe shugurimin ipeshkvor, argjipeshkvi i ri duhet në formën me shkrim të informon Kongregatën për përhapjen e fesë.[10]

 

e) Shugurimi

Argjipeshkvit Mazrek i është dorëzuar shkopi i argjipeshkvit me 12 shkurt 1759.[11] Gati një vit pas emërimit argjipeshkvi Mazrek ka pranuar shugurimin ipeshkvnor në Dubrovnik më 27 shtator 1759.  Atë e ka shuguruar Engjell Lupisi, argjipeshkëv i Dubrovnikut me dy bashkëshuguruesit Benedikt Zuceri dhe Pjetër Dumnën në katedralen e Dubrovnikut.[12]

Menjëherë mbas shugurimit ipeshkvor, argjipeshkvi Mazreku e ka informuar Kongregatën mbi shugurimin dhe largimin e tij nga Dubrovniku, gjë që vërehet nga letra e tij e shkruar menjëherë pas kthimit në argjipeshkvi më  22 shkurt 1760 në Janjevë dhe në të cilën shkruan: “Në një letër të cilën ia kam dërguar shkëlqesisë Suaj nga Dubrovniku iu kam njoftuar mbi shugurimin tim dhe largimin nga qyteti i përmendur. Pas shumë peripecish të përjetuara gjatë udhëtimit më në fund me 4 nëntor të vitit të kaluar kam arritur në argjipeshkvi e cila ishte e boshatisur.”[13] Në përfundim të letrës argjipeshkvi thotë: “Mbi të gjitha unë nga ana ime, me mëshirën e Zotit, nuk do mohoj bashkëpunimin dhe përgjegjësinë në thirrjen time, obligimet e mia dhe të gjitha mundësit, për lavdinë e Zotit. Për përparimin shpirtëror të këtyre shpirtrave të mjerë dhe në kënaqësinë e plotë të shëmbëlltyrës Suaj, Juve që më pranuat mua si më të padenjin, për një shërbim të tillë të lartë.[14]

 

f) Vizitat e para kanonike të argjipeshkvisë

Menjëherë pas kthimit nga Dubrovniku në argjipeshkvi, Mazreku është nisur në vizita famullitarëve dhe famullive. Në letrën e përmendur prej 28 shkurtit 1760 argjipeshkvi thotë: “Mbas dite, kur ua ndava dhuratat turqve dhe kur u informova për mënyrën më të sigurt të kryerjes së vizitës së shenjtë, ia fillova nga Peja, Gjakova, Zogaj, Zymi dhe Prizreni, duke qenë shumë i frikësuar, mbarova vetëm gjysmën e vizitave, duke hyrë e dalë nga qytetet vetëm natën, mirëpo çdoherë i motivuar nga ngushëllimi i besimtarëve katolikë, të cilët urojnë në pakufi, lejojnë dhe falënderojnë shëmbëlltyrën Tuaj, që është ngushëllim dhe denjim me dërgimin e një bariu, megjithëse më të padenjin dhe më të dobëtin. Me ardhjen e pranverës, luftërave qytetare të cilat zhvilloheshin ndërmjet pashëve dhe prijësve turq, nuk kisha mundësi ta e përfundoj pjesën e dytë të vizitës, por e shtyra, deri mbas festës së Pashkëve nëse Zoti lejon. Kur të jetë e përfunduar, shëmbëlltyrës Suaj do t’iu dërgoj një relatë me të gjitha rrethanat dhe ngjarjet e argjipeshkvisë sime të pafat, sipas formularit që më keni dërguar.[15] Argjipeshkvi në të njëjtën letër i tërheq vërejtjen Kongregatës se relata e tij për vizitën kanonike të argjipeshkvisë nuk do të jetë komplete. Mbas vdekjes së argjipeshkvit të Shkupit Gjon Nikollë Kazazit, paraardhësit të Mazrekut, e simbas urdhrit të nxjerrë për të gjallë, vëllai i argjipeshkvit, i painformuar, së bashku me “një prift të painformuar i cili nuk ishte konviktor”, ka djegur dy arka me dorëshkrime të ndryshme, ndër të cilat ishin edhe relatat mbi vizitat kanonike të argjipeshkvisë, dhe një vëllim shumë i vlershëm i dorëshkrimeve të Kazazit, të cilat ai mendonte t’i botonte. Përveç atyre edhe: falënderime, dekrete papnore dhe ato të Kongregatës, me të cilat i është ndihmuar argjipeshkvisë së Shkupit. Argjipeshkvi thotë se për këtë “gjendet në errësirën më të madhe sa i përket shërbimit të tij të ri e të mundimshëm, pasi që është i kufizuar nga ndihma dhe sqarimet e paraardhësve të tij shumë të mençur.” Për këtë lut Kongrregatën që të ketë mirëkuptim për mosdijen dhe mosgjindshmërinë të cilat do të vinë në  shprehje kur do të shkruaj relatën për vizitën e tij kanonike.[16]

 

g) Rrethanat jetësore të argjipeshkvit

Relatën e paralajmëruar mbi vizitën kanonike të argjipeshkvisë, Mazreku e ka shkruar më 30 shtator1760. Në atë relatë ai i ka përshkruar rrethanat jetësore në të cilat ka jetuar. Matej Mazreku është argjipeshkëv i cili nuk ka as katedrale as rezidencë. Çfarë kishte më parë argjipeshkvia, turqit e kishin plaçkitur. Strehohet andej e këndej, e kjo jetën e argjipeshkvit e bën të mjerë dhe shumë të rëndë. Gjatë vitit ishte strehuar kohen më të madhe në shtëpinë e babait në Janjevë, e disa herë gjatë vitit te tregtaret dubrovnikas në Novi Pazar. Argjipeshkvi asnjëherë nuk kishte siguri, qetësi, çdoherë jetonte nën hijen e vdekjes “me vdekje rreth qafës” (con la morte alla golla). Argjipeshkvi nuk guxonte të mbante afër vetes PARAMENTET, por i fshehte tek shtëpitë e besimtarëve. Në një shtëpi mbante mitrën, në tjetrën shkopin ipeshkvor, në të treten PLUVIALIN. Këto gjëra të argjipeshkvit ruheshin kështu nga frika nga frika se mos të humbnin të gjitha përnjëherë nëse do të vinte deri te plaçkitja e shtëpive nga ana e turqve.

Të dy paraardhësit e tij, Andre Bogdani dhe nipi i tij Pjetër Bogdani, argjipeshkvi Mazreku i quan argjipeshkëv të mëdhenj të Shkupit dhe tregon se të dytë ishin me origjinë nga ipeshkvia e Prizrenit. Të dy kanë pasur selinë në Janjevë, e cila është dy ditë ecje larg nga selia argjipeshkvore e Shkupit. Në kohë të luftës, sidomos në vitin 1688 dhe disa vite pas besimtarët katolikë ishin të shpërndarë në të gjitha anët. Pronat e ipeshkvisë, vreshtat dhe gjitha të tjerat janë shkatërruar së bashku me selinë ipeshkvnore. Në kohë të argjipeshkvit Andre dhe Pjetër Bogdani, Janjeva kishte 200 shtëpi të besimtarëve.

Shtëpia famullitare në Janjevë ku e ka pasur selinë argjipeshkvi Mikel Summa është pothuajse gërmadhë. Ajo shtëpi mund të shfrytëzohet për seli ipeshkvnore. Argjipeshkvi Mazreku, përmes njohurve të tij kishte mundësi ta merrte lejen për rregullim, mirëpo ai atë shtëpi do ta rregullonte për kishë. Për këtë gjë, i duhej ndihma e Kongregatës. Nëse Kongregata nuk mund ta e dërgojë atë ndihmë, argjipeshkvi me lejen e Kongregatës do të transferohej në Novi Pazar. Kur për shkak të obligimeve ipeshkvnore ai duhej të shkon në Novi Pazar e priste vdekja nga hajdutët, meqë të shumtën duhet të udhëtojë vetë duke kaluar lumenj dhe ujëra të mëdha.

Argjipeshkvi tani jeton në shtëpi të të atit. Kjo është shumë e papërshtatshme dhe e lidhur me shpenzime. Sipas zakoneve të vendit, argjipeshkvit i duhej pritur të gjithë kalimtarët të cilët i vinë shumë shpesh për vizita. Nëse atë nuk e bën do të ishin të kota të gjitha predikimet e tij./drita.info

 

 

—————————————————————-

[1] Archivio storico della Congregazine per  L, Evangelizzazione dei popoli o “ De Propaganda Fide “ (më tutje ASCPF), Scritture riferite nei Congressi (më tutje SC) SC, Servia, v. 1, f. 573.

[2] ASCPF, Scritture Originali referite nelle Congregazioniu Generali ( më tutje Socg,)  v. 770, f. 26. La relazione della Diocesi di Scopia in Servia.

[3] ASCPF, SC, Servia, v. 3, f. 157.

[4] ASCPF, SC, Servia, v. 2, f. 35.

[5] GJINI, dr. Gaspër, Skopsko-Prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, 1986, f. 191.

[6] BARTOCCETTI, Vittorio, Il Collegio Illirico di San Pietro e Paolo di Fermo, (1663-1746), Estratto dal v. XI, di “Studia Picena”, Fano 1935, f. 33.

[7] Ibid. f. 23.

[8] ASCPF, SOCG, v. 770, f. 26, La relazione della Diocesi di Scopia in Servia.

[9] EUBEL, Conrad, Hierarchia Catholica mediiaevi, T. VI, Monasterii – Patavii, 1898 – 1958, f. 370; ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 557. La Chiesa Arcivescovale di Scopia in Servia fu proposta nel Consistoro delli 18 decembre 1758 a favore di Monsg. Matteo Massarech.

[10] ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 574. Dekreti papnor me të cilin arqipeshkvi Matej Mazreku këshillohet së bashku me formulën e rrëfimit të fesë.

[11] EUBEL, Conrad, Ibid. f. 370.

[12] GJINI, dr. Gaspër, Ipeshkvia Shkup Priuren nëpër shekuj, Drita Ferizaj, 1992, f. 200.

[13] ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 585.

[14] ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 588.

[15] ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 585.

[16] ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 585.

Shpëndaje: