Ungjillizuesi i shqiptarëve

Përqasje për festën e kthimit të Shën Palit, apostull (25 janar)

 

Nga Don Fatmir KOLIQI

 

Ditëfesta liturgjike e kthimit të Shën Palit, apostull, më 25 janar, në Dioqezën Prizren-Prishtinë, tash disa vite ka marrë një rëndësi të veçantë, për shkak se është zgjedhur të jetë ditëfestë e kushtuar katekumenëve (kandidatët e rritur për pagëzim) dhe neofitëve (të pagëzuarit e rinj të rritur).

Prandaj, është një rast i mirë, që në këtë ditëfeste, të motivohemi për ta njohur më mirë këtë Apostull të identitetit të krishterë e ta bëjmë të njohur për të gjithë si ugjillizuesin e stërgjyshërve tanë, popullit tonë, të pasurohemi nga mësimet e tij dhe të nxitemi – ne, Kisha në Kosovë – për veprimtari misionare në frymën paliane.

Që kjo e vërtetë të mos të jetë vetëm një reflektim a kujtim për një histori të lashtë, a njëfarë nostalgjie a mirazh i pakapshëm e magjik, atëherë duhet të jetën një rigjetje e rizgjim në shpirtin e një vigani të fesë, si grishje e përhershme shpirtërore e baritore për të (ri)shpallur dhe (ri)dëshmuar Ungjillin pa droje, në territore ku ai vetë e ka mbjellë Ungjillin tash e 20 shekuj më parë, kur shtegtonte për ta shpallur takimin me Zotin tonë Jezu Krishtin, si themel dhe brumosje të qytetërimit të dashurisë.

Se Shën Pali është apostulli që i ka ungjillizuar stërgjyshërit tanë, iliro-arbnorët, dhe prej tij janë krijuar bashkësitë e para të krishtera në trojet tona, ai e dëshmon vetë këtë gjë: “Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark deri në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom 15, 19).

Shën Pali është pra mbjellësi i farës së krishterimit te shqiptarët, ungjillizuesi i popullit tonë ilir-arbnor-shqiptar. Ai, pikërisht ai, e mësoi popullin tonë se krishterimi është një takim, një shtegtim, një shpallje dhe një qytetërim i ri, dhe e bër pjesë të këtij njerëzimi të ri.

 

Krishterimi është takim  

Shën Pali, para se të bëhej apostull, ishte Sauli mendjemprehtë, fetar i rreptë e i ngurtë i një tradite të lashtë hebraike, që kishte marrë mësimin ndër “shkollat” më me famë të kohës, nën drejtimin e mësuesit Gamaliel. Sauli ishte një njeri “i përkryer/ideal” i kohës, që e priste një karrierë brilante prej rabini. Aspiratat e tij të fuqishme drejt kësaj karriere, bënin që jeta e tij të ishte aq e përkushtuar, sa që ishte i gatshëm edhe të aprovonte dënime qoftë edhe me vdekje, madje-madje edhe të marrë pjesë në zbatimin e tyre (pëlqimi dhe pjesëmarrja në vrasjen e Shtjefnit, khs. Vap. 7, 58; 8,1), për ta ruajtur të paprekur traditën shpirtërore dhe materiale të popullit të tij, që e konsideronte të shenjtë e i gatshëm të jipte edhe jetën.

Porse, jeta e tij ndryshoi tërësisht dhe bashkë me të edhe karriera e tij, kur gjatë rrugës së tij për Damask, derisa po shkonte t’i prangoste e t’i burgoste të krishterët, e pati një takim të jashtëzakonshëm me Jezusin (khs. Vap 9, 1-19). Ky takim shndritës, Saulin e shndërroi në Pal, në apostull. Ai u bë vetë i prangosuri dhe i burgosuri i hirit të Krishtit, siç do ta dëshmoj në letrat e tija, kur thotë: “Sepse edhe vetë kam qeni zënë prej Krishtit Jezus” (Fil 3, 12).

Leximi dhe meditimi i ngjarjes së Damaskut, na dërgon te një përfundim shumë i rëndësishëm: ngjarja përvijon një përmasë teologjike edhe shpirtërore personale, që e portretizon tërësisht jetën e Shën Palit, por edhe të çdo të krishteri, se krishterimi është takim me Personin e Jezu Krishtit të Ringjallur. Shën Pali na ka mësuar çfarë është Takimi i takimeve, përmes të cilit ne e takojmë Zotin e vërtetë dhe nëpërmjet tij realizojmë takimet ndërnjerëzore, që shndërrohen në një kulturë marrëdhëniesh dhe dialogu.

 

Krishtërimi është shtegtim

Takimi në Damask me Jezusin e Nazaretit, me të Ringjallurin, që dikur e persekutonte tek ndjekësit e tij, të quajtur të krishterë, Palin e vë në lëvizje tërësisht dhe ia këput prangat e paradigmës së tij hebraike, të mbyllur, sektare dhe reduktuese,  për ta nxjerr nga rrethi i mbyllur i një populli. Ai tani përjeton shteg-hapje, çelje të horizontit, të një paradigme të re dhe e kupton se në personin e Jezusit gjendet universaliteti, katoliciteti i popullit të tij (hebre), i ekzistencës së tij dhe i gjithëve (paganëve). Ai vetë do ta pohojë këtë shndërrim mentaliteti – metanojën intelektuale – dhe këtë paradigmë të re të të besuarit dhe të marrëdhënieve ndërnejrëzore, kur e thotë se “nuk ka më hebré as grek, skllav as të lirë, mashkull as femër, por të gjithë janë një gjë e vemte në Jezu Krishtin” (Gal 3,28).

Kjo e ka shtyrë Palin të bëhet Shtegtar i botës dhe Aposull i popujve, për t’iu dhuruar të gjithë popujve Ungjillin e Zotërisë së tij, që e realizoi në udhëtimet e tij apostolike, duke shkuar tej për tej vendet e Mesdhut dhe dhe duke përshkuar kulturat e kohës. Kështu atë “mund ta quajmë “njeri i tri kulturave”, duke pasur parasysh prejardhjen e tij judaike, gjuhën e tij greke e privilegjin e tij si ‘civis romanus’ (nënshtetas romak), siç e dëshmon edhe emri i tij me origjinë latine”. (Benedikti XVI).

Pali na mësoi se të jesh i krishterë, do të thotë të jesh një shtegtar i përhershëm, të jesh në lëvizje të pandërprerë dhe në marrëdhënie me të gjithë popujt dhe gjuhët – katoliciteti i besimit.

 

Krishterimi është shpallje

Edhe pse Pali nuk ishte prej atyre të dymbëdhjetëve, të zgjedhur prej Jezusit në bregun e Galilesë apo tek tavolinat tatimbledhëse të Perandorisë apo diku tjerë që do të mund të “kapej prej syrit të Jezusit”, ai qe zgjedhur prej vetë Jezusit, në një kohë tjetër, për të qenë vegël për ta bërë të njohur Emrin e tij para popujve paganë (khs. Vap 9, 15). Personi i tij, në njëfarë mënyre, bëhet vetë mision i shpalljes së ungjillit, pasi kthimi i tij i mrekullueshëm shihej qartë si vepër e ungjillit, e Fjalës, që ai u bë vegël e saj.

Pali na ka lënë një dëshmi të jashtëzakonshme, e cila u bë moto dhe nxitje e veprimtarisë së tij apostolike. Ai thotë “Të shpall ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që duhet ta kryej: I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjllin!”. (1 Kor 9, 16).

Kur ta kuptojmë se në çfarë dhe çka kemi besuar, nuk mund të mos flasim e të mos e dëshmojmë. Njohja, takimi dhe përqafimi i të vërtetës na bën misionarë, shpallës të tij. Nuk ka më kurrfarë arsye për ta justifikuar një qëndrim komoditeti që do të na bënte pasiv, dembelë në apostullat a të frikshëm në raport me këtë fakt.

 

Krishterimi është qytetërim

Teologjia paliane e ka mbrumë një mënyre të jetës që është bërë një qytetërim i ri  mbarëbotëror për të gjithë popujt, që e kanë pranuar krishterimin.

“Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni mësuar simbas të vërtetës që është në Jezusin: në fuqi të së cilës u duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës – njeriun e vjetër, të cilin prirjet e prujta e çojnë në bjerrje, dhe duhet të përtërihemi me shpirtin e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar simbas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.” (Ef 4, 20-24).

Gjuha e paliane prek drejt e në palcë të çështjes, dhe, si e tillë, ajo bart në vetvete një fuqi të papërballueshme, si një shpatë dytehëshe. Ai nuk duron sinkretizma, laramanizma jetese. Sipas tij, me pagëzim jemi veshur me një petk të ri e jemi shndërruar në njerëz të ri, që ka krijuar një stil të ri të jetës, qytetërim të ri krishteror, që e quajmë qytetërim i dashurisë.

 

Krishterimi është ripërtëritje – shpirti palian në krishterimin e sotëm

Më tepër se jetëshkrimi i tij kronologjik, që mund të jetë mahnitës në vetvete, personaliteti i tij model dhe unikat i jetës së krishterë duhet të rikthehet si frymëzim për Kishën e sotme, që nuk ndryshon shumë nga ajo e kohës së tij. Shën Pali ishte njëri ndër ata burra të fesë që me guxim e pa përtesë e lëvroi ungjillin në të gjitha tokat e Mesdheut, duke e mbjellur kështu farën e krishterimit në Europë, edhe në trojet tona shqiptare.

Ai është figurë e tejkoshme, e cila ka çka të na thotë edhe neve, të krishterëve të sotëm, seps tek kjo figurë e jashtëzakonshme e shumëdimensionale, ne sot e gjejmë shembullin dashurisë dhe përkushtimit të plotë ndaj Zotit dhe Kishës, prejt të cilës duhet të burojë edhe dëshira jonë për t’ua transmetuar të tjerëve.

Te Pali e gjejmë një shpirt të pathyeshëm për të dëshmuar të vërtetën me ngulm, pa lejuar asnjëherë të tundohemi të biem në demagogji apo korrektësi politike a kulturore që ngashënjehemi dita-ditës.

Pali na tregon se e vërteta kërkon një zemër të hapur e bujare, guximin për ta përqafuar atë edhe kur kërkohet sakrifica. Kauzat e mëdha kërkojnë impenjim, të përballojnë me sfida dhe vuajtje të mëdha.

Pali na mëson të mos biem pre e ndarjeve dhe ideologjive sektare që mund të lindin brenda bashkësive të krishtera, apo që vijnë nga jashtë, qofshin ato me proveniencë shpirtërore apo kulturore, politike apo ekonomike.

Pali na mëson të mos biem pre e karrierizmave dhe turravrapeve që e venisin jetën e shpirtit, që sot në botën moderne e quajmë burnot – shkrirje e pakuptimtë në veprimtari si pasion për arritje apo karrierë. Një ideologji kjo e kohës sonë dhe patologji me pasoja të mëdha traumatike.

Pali na mëson se duhet për t’i përdorë të gjitha mjetet që na i jep koha për ta shpallë Ungjllin, si e vërtetë që e fisnikëron njeriun dhe ia plotëson aspiratat e tij të jetës.

Prej Palit mësojmë shembullin e njeriut që di të bashkëpunojë ngushtë me gjithë njerëzit, mentalitetet dhe me kulturat e ndryshme. Është figurë për ta marrë si  shembull të inkulturimit.

Pali na mëson se duhet ta lejojmë Krishtin t’na baj njerì.

Sot të krishterët kanë nevojë gjithnjë për guximin, nxitjen, dashurinë dhe shpirtin flijues palian për ta dëshmuar Jezu Krishtin edhe në shekullin e ndryshimeve marramendëse mbarëbotërore, progresin teknologjik ngashënjyes, manipulimeve gjenetike e “diktaturës së relativizmit” (Benedikti XVI).

Fryma paliane është një injeksion i përhershëm për Kishën, që e rigjeneron shpirtin e saj për të shpallur me guximin Krishtin dhe për të promovuar vlerat e Ungjillit në shoqërinë tonë./drita.info

Shpëndaje: