Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Jahja Drançolli
Historia e Prishtinës, përkatësisht e krishterimit në kryeqytetin tonë, akoma nuk e ka një studim të plotë të saj. Si duket, mungojnë studime të mirëfillta që do të mund të shërbenin për një histori të plotë e të denjë që e meriton ta ketë Prishtina. Megjithatë, dokumentet arkivore, arkeologjia dhe studimet nga fusha të ndryshme deri më tani na ndihmojmë të krijojmë një panoramë të përafërt për historinë e krishterimit në Prishtinë dhe në rrethinën e saj. Njëri nga personat kompetent në këtë fushë, pa mëdyshje, është historiani ynë i njohur, medievalist, Prof. dr. Jahja Drançolli, me të cilën e kemi zhvilluar një intervistë ekskluzive për këtë çështje, me rastin e festave të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri 2021, të cilën do ta publikojmë në disa vazhdime në portalin e revistës sonë Drita.
- I nderuar Profesor, Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, në shikim të parë duket të jetë një qytet i ri dhe pa ndonjë trashëgimi të lashtë. Porse, përkundër kësaj varfërie së sotme, nëse mund të themi kështu, Prishtina ka rrënjë të lashta dhe shumë interesante, sidomos rrethina e saj. Kur mund të gjejmë të dokumentuar për herë të parë Prishtinën si vendbanim dhe në çfarë konteksti dhe gjendjeje?
Prof. Drançolli: Kushtet e përshtatshme klimatike, pozita e mirë gjeografike që zë Kosova në Ballkanin Jugperëndimor, e sidomos begatitë natyrore, kushtëzuan që Prishtina me rrethe të saja, të hynte në radhën e zonave më të rëndësishme kulturo-historike, ku i ndeshim vendbanime dhe eksponate arkeologjike që nga periudha e neolitit (koha e Gurit të Ri).
Në dokumentacionin që ruhet në arkiva të Muzeut të Kosovës, Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve dhe të Institutit Arkeologjik të Kosovës, rezultat ky që del nga gërmimet dhe përnjohja, si dhe nga gjetjet e rastit, provohet se, që nga mijëvjeçari i gjashtë, para erës sonë, në Prishtinë dhe rrethe të saj, janë ngritur vendbanime të përhershme, si, bie fjala, në lokalitetin, te Spitali i Ri i Prishtinës, një vendbanim i hapur, lokaliteti shumështresor i Matiçanit (periudha e Neolitit, Eneolitit) dhe Varreza Mesjetare e Hershme, lokaliteti shumështresor, Fafosi, lokaliteti shumështresor Tjerrtorja, ku është zbuluar Hyjnesha në Fron, etj. Ndër tiparet kryesore të këtyre lokaliteteve është edhe qeramika, nga dolën vepra të rralla të artit nga argjila e pjekur. Për shembull, realizimi tipik i figurave monumentale nga lokalitetet e përmendura na ofron një variant të veçantë të quajtur “Varianta e Kosovës”.
Gjatë mijëvjeçarit të IV para Kr. në Prishtinë dhe rrethe të saj është e pranishme edhe “Kultura e Vinçës”, e cila ka trashëguar shumë elemente nga kultura paraprake të njohur me emrin “Kultura e Starçevës” dhe disa elemente nga bregdeti i Dalmacisë (varianti Danilo) dhe Shqipërisë (Kolshi II dhe Dunaveci). Vendbanime të kësaj kulture i ndeshim edhe në Prishtinë, në lokalitetin Tjerrtorja (e zbuluar më 1951), më pastaj në katundin Barilevë, në lokalitetin shumë shtresor, “Arat e Kovaçit”, në vendbanimin e Bardhoshit (rreth 5 km në veri të Prishtinës, zbulim rasti më 2002), ku janë mbi dhjetë figurina të punuara nga dheu (terakota), që kishin madhësi të ndryshme, deri në miniaturë. U zbuluan, gjithashtu edhe artefakte nga inventari i shtëpisë, vegla pune, armë prej guri dhe ashti. Kultura e Vinçës, e cila zë të njëjtin territor gjeografik si edhe kultura e Starçevës, siç u theksua edhe më lartë, është një variant i veçantë. Specifikat e kësaj variante të paraqitura në territorin e Kosovës së sotme është paraqitja monumentale e figurës së femrës, përkatësisht Nënës së Madhe të Hyjnive (Magna Mater Deorum). Arti tipik kosovar i këtyre figurave zë vend të rëndësishëm jo vetëm në Ballkan por edhe në Europë.
Periudha kalimtare prej epokës së bronzit në epokën e hekurit në Prishtinë dhe rrethe të saj, është përfaqësuar me varreza të bëra në enë të dheut (urne), që deri me sot janë zbuluar, sidomos në Berrnicën e Poshtme, Keçikollë, Fafos (Prishtinë), Grashticë, dhe Graçanicë te lokaliteti, Fusha e Çerkezëve. Tuma gjendet këtu në një terren të sheshtë në parapashpinën e pjesës së djathtë të lumit Graçanica, rreth 500 m. Në verilindje nga dera veriore e Ulpianës, rreth 200 m nga varreza e Ulpianës. Lartësia e tumës është rreth 2.30 cm. Është e mbuluar me dhe. Në pjesën qendrore është varri i murosur me shtatë rende tullash, ku kanë qenë të vendosur mbetjet e kufomës së djegur me një inventar të pasur. Gjatë gërmimit janë zbuluar 3 varre të tjera nga mesjeta e hershme. Varreza të këtilla janë zbuluar edhe në territore të tjera të Dardanisë, e cila me vija të trasha mund të ndiqet në kufijtë veriorë, Novipazar, Nish, e gjithë treva e Kosovës, Maqedonia Veriore dhe rrethet e Kukësit, Tropojë e Dibër të Shqipërisë së sotme Verilindore.
Kultura materiale dhe shpirtërore e zhvilluar në Prishtinë dhe rrethe të saj gjatë kësaj periudhe historike, përveç disa tipareve lokale ruan unitet kulturor edhe etnik pothuajse me të gjitha fiset ilire. Kjo periudhë përfaqësohet edhe me lokalitetin e Kolevicës (një paralagjë e Prishtinës) i zbuluar gjatë përnjohjes në vitet 1967/68, ku pas një zbulimi të rastit të një varri (tumë e shënuar me shifrën N), janë sjellë në Muzeun e Kosovës katër thika të lakuara nga hekuri. Me rastin e përnjohjes së lokalitetit në fjalë nga ekspertet e Muzeut të Kosovës në vitin 1968, dyshohet se gjetjet e përmendura i përkasin një tumë ilire të shkatërruar.
Gjatë shekujve IV-II para Kr., Prishtina me rrethe të saj mori një zhvillim të hovshëm të kulturës dardano-ilire, zhvillim ky që përfshiu edhe tërë Ilirinë e Jugut. Nga kjo periudhë janë zbuluar shumë qendra në Dardani përgjithësisht, si dhe në Prishtinë në veçanti. Këtu duhet veçuar lokalitetet shumështresore, si, Damastioni (te Kishnica?), Ulpiana, Gërmia (Prishtinë), etj. Në këtë kohë kalohet nga varrimet tumulare në varrime të sheshta, duke i ripërdorur në raste të veçanta edhe tumat. Njoftimet e deritanishme shpien në konstatimin se, kultura qytetare dardane e shfaqur edhe në trevën e Prishtinës kishte lulëzuar gjatë shekujve IV-III para Kr., ndërkaq në shek. II para Kr., pati një rënie për shkak të rrethanave politike, që kishin përfshirë tërë Ilirinë.
Nga fundi i shek.. I para Kr., edhe dardanët pësojnë fatin e njëjtë me ilirët e tjerë, duke rënë nën sundimin romak, fat këtë që e kishte pasur edhe treva e Prishtinës.
Nën Perandorinë Romake, pozitën e veçantë strategjike të kësaj treve e përbënin udhëkryqet rrugore tejet të rëndësishme për zhvillimin historik të kësaj ane, të cilat lidhnin mirë Europën Qendrore me pjesët e Jugore, Juglindore dhe Jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rruga më e rëndësishme që kalonte nëpër këto anë ishte rruga Viminacium-Naissus-Lissus nga koha e sundimit të perandorit romak, Trajanit (98-117 pas Kr.). Nuk zotërojmë me njoftime të sakta burimore lidhur me drejtimin e trasesë në fjalë, aq më parë kur dihet se janë ruajtur fare pak gurët miljar, të cilat shërbenin si shenja të orientimit rrugor. Në të vërtetë përveç dy sosh të zbuluara në Kaçanik, që nga koha A. Evans-it dhe N. Vuliç-it, është zbuluar edhe një në Ulpianë, një në kodrën e Kulinës (në veriperëndim prej Prishtine), dhe një në Kumanovë (që bënë falë për stacionin Viciana). Meqë, gurët miljar në fjalë nuk janë gjetur “in situ”, ato vështirë që mund të na shërbejnë për përcaktimin e saktë të drejtimit rrugor, por mund të shërbejnë vetëm si dëshmi për ekzistimin e rrugëve në këto anë gjatë kohës së perandorëve romak, Trajan dhe Hadrijan. Si burim i vetëm më i saktë për përcaktimin e drejtimeve rrugore, sidomos për trevën e Prishtinës janë Itineraret. Sipas Itinerareve, rruga që zgjatej nga Viminacium (Kosotolac jo larg prej Beogradit) drejt Naissus-it, është ndarë në një stacion në dy drejtime. Një drejtim zgjatej duke kaluar nëpërmes trasesë Vrajë – Kumanovë – Selanik, i dyti ndërkaq shkonte në drejtimin, Hammeo (Prokupa) – ad Fines (Kurshumlia) – Vindenis (te Podujeva) – Vicianum (Çagllavica, sot paralagje e Prishtinës) – Theranda (Prizreni) – Gabuleum (Kukës?) – Crevenis (Vau i Spaçit) – Adpicaria (Puka) dhe arrinte në Lissus (Lezhë). Meqë, më tepër në këtë rast na intereson treva e Prishtinës, duhet vënë re se, nga Vicianum-i (Çaglavica e sotme) është ndarë një trase, që shkonte në Juglindje të Ulpianës për në Scupi (Shkup), dhe tjetri në drejtim Jugperëndimor të Ulpianës dhe nëpërmes të Therandës, Gabuleum-it arrinte për në Lissus, drejtim ky që ekziston edhe në ditët e sotme. Në të vërtetë ky drejtim ekziston edhe sot e gjithë ditën, nëpërmes rrugës, Prishtinë – Prizren – Kukës. Kjo traditë rrugore e ndiqet edhe gjatë mesjetës, ku Prishtina fal kësaj pozite u bë qendër e njohur që lidhte dy qytete xehetare ndër më të njohurat në Europë, Novobërdën me Trepçën.
Gjatë antikitetit të vonë, treva e Prishtinës është përfshirë në kuadër të Provincës së Dardanisë e ngritur në vitin 297, në kohën e sundimit Dioklecian, perandor romak me origjinë ilire. Në këtë kontekst, sipas kronistit bizantin, Prokopit të Cezaresë (fundi i shek. V – mesi i shek. VI pas Kr.) në veprën e tij monumentale me titull De Aedificiis (Mbi ndërtimet) shkruante se Justiniani, perandor me origjinë ilire (527-565), për t’u mbrojtur nga barbarët, vetëm në Dardani ndërtoi 8 fortifikata, dhe rindërtoi 61 të tjera. Kjo dëshmi e Prokopit është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike. Një veçanti e trevës së Prishtinës, për shek. IV-VI, është prania e një numri relativisht të madh të fortifikatave (“qytezave”), që i takojnë popullsisë autoktone dardane. Studiusi Emil Çershkov, një ndër arkeologët e parë, që ka bërë kërkime arkeologjike në Kosovë, ka zbuluar afro 100 fortifikata të këtilla. Vetëm në trevën e Prishtinës janë të njohura, fortifikata në Siçevë, Berrvenik, Grashticë, Hajkobillë, Keçikollë, Koliq, Glogovicë, Veletin (Shashkoc), Sharban, etj. Sipas kërkimeve të tij Çershkov kishte vërejtur se ato ndërlidheshin drejtpërdrejtë me dardanët dhe se disa prej tyre, të vendosura pranë qendrave xeherore, mbijetuan nga lashtësia, jo vetëm në kohën e vonë antike por edhe në mesjetë, gjithmonë të banuara me popullatë vendore.
- Po, emrin Prishtina, që sot kryeqyteti ynë e bartë, kur e hasim në dokumente?
Prof. Drançolli: Emri ose apelativi i qytetit të Prishtinës sipas burimeve që zotërojmë ruan një traditë të lashtë. Së këtejmi, në një dokument (akt apo diplomë), që mbanë datën 1071, lexojmë pasazhin: “Pristinum uero rogamus dari Maçulino, Arbensi comiti qui noster est. Que omnia volumus ut dictum monasterium excepto nominato pristino habeat […]”. Në historiografi, aktin në fjalë për herë të parë e përmend historiani Joannis Lucii, si dhe pas tij Daniele Farlati në vëllimin monumental me titull, Illyricum Sacrum, Tomus Quintus, Ecclesia Jadretina cum sufraganeis, et ecclesia Zagrabiensis, Venetiis: apud Sebastianum Coleti, MDCCLXXV. Pas tij, këtë dokument e botuan edhe studiuesit e shquar të shek. XIX-XX. Nga të gjitha botimet në fjalë, del qartë se akti i referohet princit të Arbës (sot ishulli Rab në Kroaci). Mirëpo, është me interes të dimë se çka është pristinum, që përmendet po në këtë akt?
Pasazhi i tekstit latin që u përmend më sipër, veçanërisht fjala pristinum tërhoqi vëmendjen e shumë studiuesve prej gjysmës së dytë të shekullit XIX deri në ditët e sotme. Kështu, studiuesi Iuan Kukuljevic-Sakcinski mendon se është fjala për ndonjë dhuratë kishtare. Ndërkaq, medievalistja e madhe Nada Klaić, profesoresha ime në Zarë dhe Zagreb, mendonte se fjala apo termini pristinum “duhet të përcaktonte ndonjë lokalitet”, lokalitet ky që ka mundur të ishte edhe Prishtina jonë, e cila përmendet pikërisht në shek. XI. Fjalës pristinum i sillen edhe paleografët e shquar të shek. XXM, të cilët nuk dyshonin në transkribimin dhe transliterimin e drejtë të fjalës pristiunum. Sipas mendimit të tyre dhe sidomos duke pasur parasysh studimet e Du Cange, njërit ndër themeluesit e bizantologjisë, është e qartë se është fjala “për disa dhurata princit të Arbës, të cilat njëkohësisht shpjegojnë kuptimin e fjalës pristinum – pristina”.
Është me interes të theksohet se fjala pristinum përmendet edhe në dokumente mesjetare të dialektit dalmatin. Në këtë aspekt supozimet për transkribimin jo të drejtë të fjalës pristinum apo dyshimit për lëshime teknike–materiale të noterit që shkroi aktin nuk kanë mbështetje shkencore. Mirëpo, na duket se rezultatet e deritanishme mund të plotësohen me sukses dhe të arrihet në zgjidhjen e enigmës, nëse merren në konsideratë edhe të dhënat që ofrojnë burimet bizantine dhe perëndimore të kohës. Dhe me të vërtetë, në përmbajtjen e të ashtuquajturës përmbledhje Liber Albus fshihen marrëveshjet midis Venedikut dhe partnerëve të tij lindorë (Bizantit, shteteve kryqtare dhe arabe). Sipas tekstit të ruajtur në Liber Albus, perandori bizantin Aleks Komneni ua kishte dhuruar dukës së Venedikut dhe institucioneve të ndryshme venedikase shumë privilegje. Aty përmendet edhe apelativi pristinum. Mirëpo, fjalën pristinum, botuesit, G. L. Fr. Tafel – G. M. Thomas e zëvendësojnë me fjalën pistrina. Bizantologu Du Cange në një vepër të tij e shpjegon apelativin pristrinum, duke ofruar për këtë çështje më shumë shembuj nga burime mesjetare bizantine. Ndërkaq, në një studim tjetër të po këtij studiuesi, ku trajtohen disa çështje nga latiniteti mesjetar, si, p. sh. fjala manceps – pistor publicus, fjalët pistoria, pistores dhe manceps ishin ngushtë të lidhur me antikitetin.
Përmbajtja që ofron një akt apo diplomë e vitit 1071, ruan vlera të mëdha shkencore për etimologjinë e qytetit Prishtina, sidomos kur dihet mirëfilli se treva iliro-arbërore e Kosovës gjatë gjithë mesjetës ishte e lidhur në mënyrë reciproke ngushtë me Bizantin dhe me shtetet rreth Adriatikut. Prandaj, është shumë e natyrshme që edhe në trevën e Kosovës së sotme të ndeshim fjalë e terme që korrespondonin me leksikun e të gjitha trevave të afërta, ku vazhdonte jeta e qytetëruar që nga antikiteti, çështje për të cilën kanë folur shumë studiues të njohur. Në këtë aspekt nuk kanë mbështetje shkencore gjykimet e ndonjë studiuesi për etimologjinë sllave të qytetit Prishtina, aq më tepër kur dihet se serbët në Kosovë e vendosën pushtetin e tyre nga fillimet e shek. XIII dhe më tej deri nga mesi i shek. XIV, ndërkaq apelativin pristinum–pristina e ndeshim jo vetëm gjatë mesjetës parasllave, por edhe gjatë antikitetit.
Impuls të madh për zhvillimin e qytetit në qendër të madhe gjatë gjysmës së dytë të shek.. XIV dhe më tej kanë dhënë raguzanët, të cilit nëpër Prishtinën dhe rrethet, bënin mbartjen e xeheve shumë të kërkuara në të gjitha qytetet e Adriatikut. Në këtë kontekst, Prishtina përmendet dendur në dokumente raguzane, së pari në vitin 1325 (“Prtistinae, mense octobris […] comuni Ragusi praecepit, ut sive cephalia Elias sive Thomas veniant tributium S. Dimitrii solvant), për të vazhduar më pastaj gjatë gjithë mesjetës së zhvilluar. Gjithashtu, Prishtina ishte e pranishme edhe në burime bizantine. Së këtejmi, për Prishtinën (Pristinon) njoftime interesante ndeshim te Jan Kantakuzeni (Ίωάννης Καντακουζηνός, 1295/6-1383), perandor dhe historian i madh bizantin, i cili kishte vizituar Prishtinën në vitin 1342, si dhe në burime të tjera bizantine të shek. XV.
- Ulpiana Antike, që e kemi rreth 10 km afër Prishtinës, është njëra ndër vendet arkeologjike më të pasura të krishterimit të shek. II-III në këtë pjesë të Kosovës. A mund ta konsiderojmë Ulpianën si paraprijëse të krishterimit në rajonin e Prishtinës?
Prof. Drançolli: Me Ediktin e Milanos (qershor 313), u vendos për herë të parë toleranca fetare për krishterimin brenda Perandorisë Romake, pra edhe në Provincën e Dardanisë. Atëherë, u dha të gjithë personave liri të adhuronin çfarëdo hyjni që ata të dëshironin. Siguroi të krishterët për të drejtat ligjore (përfshirë të drejtën për të organizuar kisha), dhe drejtoi kthimin e shpejtë te të krishterët e pasurisë së konfiskuar. Ediktet e mëparshme të tolerancës kishin qenë jetëshkurtra si regjimet që i sanksiononin, por kësaj here dekreti vendosi në mënyrë efektive tolerancën fetare. Kopjet ekzistuese të dekretit janë ato të postuara nga Licinius në pjesët lindore të perandorisë. Në kushte të tilla, njëra ndër qendrat më të njohura të krishterimit të hershëm në Dardani ishte Ulpiana. Pikërisht, nga treva e kësaj qendre të madhe të antikitetit, dalin edhe monumente epigrafike me përmbajtje të krishterimit. Në Ulpianë, si qendër ipeshkvore, nga arkeologë është zbuluar një bazilikë, ku janë ruajtur reliktet, përkatësisht eshtrat e martirëve të Ulpianës, Florit dhe Laurit. Kohë më parë (2014), po në këtë lokalitet është zbuluar edhe një kishë paleokristiane e shek. IV- VI. Kur është fjala për këta dy martirë të parë të njohur të krishterimit nga Dardania e antikitetit, është për të vënë re se, martirët në fjalë dardanë nga Ulpiana, u ngritën gjatë mesjetës në kultin e martirëve kishtarë bizantin, si dhe të sllavëve të ardhur, të cilët krishterimin e përqafuan nga mesi i shek. IX. Që këtej, në një kalendar palestinezo-gruzian të shekullit X (atëbotë pjesë të Bizantit), përmendet Flori dhe Lauri, së bashku me Palin e me motrën Julianën-“Flor et Lauri, Pauli et sororis eius Juliana […]”. Emri i këtyre martirëve nëpërmjet kishës bizantine, është nderuar shekuj me radhë edhe nga sllavët e ritit ortodoks. Me siguri se, emrat e këtyre martirëve, sllavët i përvetësuan nga popullsia vendëse arbërore. Një shembull të mirë ku përmendet Flori dhe Lauri është menologu i Patrikanës së Pejës i vitit 1561.
- Nga Ulpiana Antike e shekujve II -V, e njohur si “Justiniana Secunda”, e deri në shek. XV çfarë ka ndodh me rajonin e Prishtinës. A kemi të dhëna dokumentare për praninë e krishterimit dhe organizimin e saj, pasi, ju në një intervistë për Klan Kosova keni deklaruar se objekti i parë fetar në Prishtinë ka qenë Kisha e Shën Mërisë në Qytetin e Vjetër në vitin 1424?
Prof. Drançolli: Ndikimi i Kishës Bizantine në Kosovë ishte i fuqishëm sidomos pas ndarjes së kishave (1054), në kishën romano-katolike dhe bizantine-ortodokse. Në trevën e Dardanisë, para ndarjes së kishës konfensionalisht, gërshetoheshin interesat latino-romane me ato greko-bizantine, çështje që u institucionalizuan definitivisht me ndarjen e Kishës. Rezultatet që pasuan nga ndasitë konfesionale, gjithsesi u shtresuan me kohë jo vetëm në kulturën popullore. Më parë, më 1019, Ipeshkvia e Lypjanit si pasuese e Ipeshkvisë Ulpiana – Justiniana Secunda, kishte hyrë nën juridiksionin e Argjipeshkvisë së Ohrit, e cila kishte në atë kohë një shtrirje në veri gjerë në Danub dhe Savë, në jug, përmes Sirmium – Rashë – Prizren, deri në Durrës. Kufijtë e sipërm, me disa zgjerime në perëndim të këtij kufiri, ishin njëkohësisht edhe kufijtë e Bizantit ortodoks.
Me zgjerimin e shtetit nemanjid në drejtim të jugut, nga kapërcyelli i shek. XII dhe gjysma e parë e shek. XIII, në kuadrin e tij hyri edhe Kosova. Atëbotë, zgjerohet edhe Kisha Ortodokse Serbe me të gjitha tiparet që i zotëronte kisha ortodokse bizantine: ligje bizantine, vepra të njohura teologjike, literaturë didaktike, arte, zeje, me të cilat jeta kishtare pasurohej me objekte të domosdoshme nga arkitektura, piktura kishtare, deri te veshjet e etërve dhe enët kishtare. Kisha Ortodokse Serbe, deri në vitin 1219, ishte nën juridiksionin e Kryepeshkopatës Autoqefale të Ohrit. Në këtë vit, me iniciativë të Shën Savës, ajo u shpall e pavarur, me seli në Zhiçë të Rashës. Kjo seli pas sulmeve të bullgaro-tataro-kumane, nga gjysma e dytë e shek. XIII u bart në Pejë. Krahas shpalljes së Perandorisë Serbe, në vitin 1346, Kryepeshkopata Serbe u ngrit në shkallë patrikane me seli në Pejë.
Meqë, fshatrat përfshiheshin në prona kishtare, pjesa e madhe e popullsisë fshatare e Kosovës gjatë shek. XIII-XIV ishte e detyruar të lidhte fatin me Kishën Ortodokse Serbe. Ndërkaq, pjesa e popullatës që jetonte në qytete, pra, jashtë pronave kishtare, përmes kolonistëve dalmatinë, gjermanë e italianë, qe influencuar dhe lidhur me Kishën Romake. Përqafimi i ortodoksisë nga arbrit dëshmohet më së miri nga lista e banorëve, ku krahas klerikëve katolikë, të cilësuar me apelativa që përdoren edhe sot në gjuhën shqipe: prift, dom, abat, përmenden edhe klerikët ortodoksë të cilësuar si: pop, pope, papas dhe kallogjer.
Në këtë kontekst shtrohet pyetja se ç’kishte ndodhur me ndikimin e Kishës Katolike në popullsinë e Kosovës mesjetare. Është e njohur se Kisha Katolike e Romës kishte mbijetuar traditën gjatë tërë periudhës së para sundimit nemanjid dhe, që nga themelimi, ajo koordinonte politikën e vet me politikën e shtetit. Kleri i Kishës Ortodokse Serbe, në kuvende të organizuara nga mbretërit serbë, i jepte përkrahje pushtetit mbretërorë. Kisha Katolike e Romës, ndërkaq, edhe pse deri në fillim të shekullit XIV, kishte pozitë të mirë në Serbi, prapëseprapë nuk zotëronte aq privilegje sa zotëronte kleri ortodoks, aq më tepër, kur dihet se sipas neneve 6, 7, 8 dhe 9 të Kodit të Dushanit, dënoheshin predikuesit e konfesionit katolik, përkatësisht nëse prifti i ritit latin e kthente në “fenë” latine ndonjë të krishterë (këtu me këtë term mendohet vetëm për të krishterët ortodoks-J.D.), do të dënohej sipas ligjit të etërve të shenjtë.
Edhe pse Kisha Ortodokse Serbe gjatë kohës së sundimit nemanjid në Kosovë ishte faktorë më rëndësi i jetës shpirtërore, ajo mori rol të theksuar në kohën e Perandorisë Serbe. Megjithatë, sunduesit e dinastisë nemanjide drejtonit sytë shpesh herë në drejtim të Papatit. Madje, edhe vetë perandori Dushan, i cili, si është cekur më lartë, ndaloj propagandën katolike, në disa raste bëri përpjekje të gjente mbështetje të Papa. Përpjekje të tilla kishin bërë edhe mbretërit nemanjidë para Dushanit. Njoftimet e kohës dëshmojnë për dhuratat e perandorit Dushan blatuar kishave ose kuvendeve latine.
Luftën për pavarësi në kuadër të shtetit nemanjid Kisha romano-katolike e Romës e filloi në formë më të theksuar më shpalljen e Kishës së Pavarur Ortodokse Serbe. Mirëpo, aktiviteti i Kishës romano-katolike në këtë aspekt u kufizua kryesisht vetëm në ato vise bregdetare nëpërmjet të cilave arbrit mbanin lidhjet me Kishën roman-katolike. Më përmasa ca më të vogla u shtri kjo luftë edhe në Kosovë, pra edhe në trevën e Prishtinës. Në këtë konstatim arrijmë kur merren parasysh relacionet e Papatit me ipeshkvijtë dhe famullitë romane-katolike, të cilat vepronin në Kosovë. Sipas korrespodencës së Papës Inocenti III (1198-1216) nga viti 1204, përmendet ipeshkvi katolik i Prizrenit (Prisreniensis). Po në këtë vit përmendet edhe ipeshkvi roman i Shkupit, të cilin e ndeshim edhe më parë në shekullin XI. Aksioni i Papatit në Kosovë mori hov në veçanti në gjysmën e parë të shek. XIV. Lidhur më këtë, nga disa dokumente, dalë nga zyra e Papatit, njihemi me ekzistimin e famullive katolike në Kosovë dhe marrëdhëniet e papatit me to. Në dokumentin e Papës Benedikti XI (1303-1306), shkruar në Lateran, më 8. XI. 1303, ndër pesë famullitë katolike në trojet e Mbretërisë Nemanjide, përmendën Famullia e Trepçës (De Trepzo) dhe e Graçanicës (De Grazaniza). Përmbajtje identike ka edhe dokumenti i Papës Klementit VI (1342-1352), shkruar në Avinjon, në vitin 1346. Në këtë dokument, si sufragan i dioqezës së Kotorrit, përmenden famullitë e Prizrenit, Novobërdës, Janjevës dhe Trepçës. Ndërkaq, Papa Urbani V (1362-1371), në vitin 1367, ndërmori një aksion të gjerë, të cilin e drejtoj kundër skizmës, që kishte zënë rrënjë në Arbëri dhe Rashë (Serbi). Po ashtu bëri përpjekje që me ndihmën e misionarëve raguzanë, kotorras, durrsakë, venedikas dhe ndonjë tjetër, të realizonte një union kishtar.
Në saje të interesimit të raguzanëve për jetën religjioze në kolonitë, ruhen të dhëna të bollshme për zhvillimin e Kishës Katolike në Kosovë. Madje, sipas njoftimeve të kohës, mund të konstatohet se në disa koloni raguzane në Kosovë si, për shembull në Novoberdë, Janjevë, Prishtinë dhe Trepçë, ka shumë më tepër shënime për Kishën romano-katolike sesa për atë ortodokse. Në mbështetej të materialit të shkruar e të ruajtur në arkivat e proveniencave perëndimore, në radhë të parë në arkiva të Raguzës, Kotorrit e të Vatikanit, ndeshim në të dhëna të mjaftueshme për veprimtarinë e një numri të konsiderueshëm të famullive dhe të kishave katolike në Kosovë, si, bie fjala, në Prishtinë e përmendur në vitin 1424, ndërsa ndërtimi saj kishte nisur në vitin 1387.
Pas inkursioneve të osmanëve, në trevën e Kosovës vërehet një tërheqje e madhe e pjesëtarëve të klerit katolik vendës dhe të huaj. Me rënien përfundimtare të Kosovës më 1455, bëhet regjistrimi i një pjese të saj më 1455. Sipas të dhënave të cilat dalin nga ky regjistrim, që përfshinte vetëm familjet e “timarit” të spahijve, e jo të “haseve” të sulltanit dhe të sanxhakbeut, del se, nga numri i gjithëmbarshëm i fshatrave të Kosovës (623), pa klerikë ishin 322 fshatra dhe me klerik 301. Nëntë të dhjetat të fshatrave kishin vetëm nga një klerik (270); të rralla ishin ato që kishin nga dy klerikë (28) dhe më të rrallë mbi dy klerikë. Në qytete të mëdha, ndërkaq, numri i klerikëve ishte më i madh, ku pjesën dërmuese e përbënte kleri katolik.
- Çfarë ishte demografia religjioze e qytetit të Prishtinës në periudhën kur ishte Kisha e Shën Mërisë, a ka pasur bashkësi tjera fetare në atë periudhë?
Prof. Drançolli: Pas vdekjes së Dushanit (1355), të cilin dokumentet e kohës e quanin për mbret dhe perandor të rasianëve, romejve, bullgarëve dhe arbërve, gradualisht nisi të rivendoset struktura e vjetër etnike dhe fetare e periudhës paradushaniane. Madje, në gjysmën e parë të shekullit XV, periudhë kjo kur kishte nisur së ndërtuari Kisha e Shën Mërisë (1387-1424), pjesën më të madhe të popullatës e përbënin arbrit, raguzanët, kotorrasit, dalmatët, italianët, të gjithë të besimit romano-katolik (latinët), ndërsa pjesa më e vogël përbëhej edhe nga popullata greke (bizantine), rasiane (serbe), e ritit ortodoks-bizantin. Lidhur me praninë osmane në Prishtinë dokumentet heshtin deri në vitin 1439, kur në qytet ishte instaluar edhe administruesi osman Esebech (Turcho), historia e të cilit pothuajse ka kaluar në heshtje deri në vitin 1448, kur hungarezët në krye me Janosh Huniadin, në aleancë me arbrit në krye me Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, zhvilluan një luftë të përgjakshme në afërsi të Prishtinë, në Fushë Kosovë, e quajtur Beteja e Kosovës e vitit 1448. Edhe pse si fitimtar të betejës, osmanët do të shtrijnë pushtetin e tyre në Prishtinë vetëm në vitin 1455.
Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut (DAD): Dokument që bën fjalë për bujarët dhe tregtarët raguzanë në Prishtinë, marrë nga regjistrat Letterae et commissiones di Levantis (11 mars 1445).
Periudha e ndërtimit të Kishës së Shën Mëria, që padyshim provonte dhe ardhjen e një periudhe të ngritjes së Prishtinës në një qendër të madhe kishtare, është shoqëruar edhe me ngritjen e Prishtinës në një qendër të madhe ekonomike, financiare, konsullore, dhe se sipas relacionit të A. Komulović (1584) ishte edhe qendër ipeshkvore.
Relacioni i A. Komulović, i vitit 1584, në të cilën përmendet se Prishtina kishte qenë seli ipeshkvore.
Kjo është mundësuar vetëm në saje të afërsisë së saj me miniera pothuajse më të njohura të Ballkanit siç ishin, Novobërda, Trepça, Janjeva. Në këtë kohë Prishtinë si qytet gëzonte autonomi të plotë në krye me kefaliun, një përfaqësues më i lartë i qeverisjes lokale në qytetet mesjetare. Kjo periudhë përkon edhe me shpalljen e Prishtinës dhe Novobërdës si qendra më të njohura konsullore të Ballkanit. Vendimi për caktimin e konsullit të parë me seli në Prishtinë, respektivisht në Novobërdë, qendra këto që do ta trashëgonin traditën diplomatike-konsullore të Prizrenit, është marrë më 16 gusht 1396. Përveç kësaj, në Këshillin e Vogël të Raguzës (Consilium Minus), që nga viti 1399, janë caktuar komisione gjyqësore të përbëra me konsullin në krye i shoqëruar me dy gjykatës, të cilët zgjidhnin konteste të bashkëqytetarëve të tyre në Prishtinë.
Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut (DAD): Emërimi i konsujve për Novobërdë dhe Prishtinë (16 gusht 1396)
6. Nëse po, atëherë kur ka filluar kjo prani, nëse jo atëherë kur mendohet të jetë ngulur prania otomane dhe myslimanet si komunitet në Prishtinë?
Prof. Drançolli: Prania e popullatës osmane në Prishtinë dhe ndërrimi i strukturës fetare gradualisht zuri fill pas rënies së qytetit nën pushtetin osmane me 1455, vit ky që shënonte edhe rënien e Kosovës nën osmanët. Është interesante të theksohet se defteri parë i hollësishëm osman i vitit 1455 (Defteri i Vilajetit Vëlk), nuk e përmend Prishtinën por vetëm fshatrat që i takonin qytetit në fjalë. Aty përmendet Harilaqi (Arhilaça), Bellaçevci e ndonjë tjetër. Qyteti i Prishtinës së bashku me lagjet e saj përmendet në defterë osmane të viteve 1477, 1487.
Së këtejmi, sipas defterit të vitit 1477, Prishtina zotëronte 9 lagje. Në mesin e tyre edhe lagjen Latinar me 5 shtëpi, ku jetonin ekskluzivisht pjesëtarët e ritit romano-katolik. Sa i përket strukturës fetare, nga 351 shtëpi që i kishte qyteti i Prishtinës në vitin 1487, 51 shtëpi i takonin besimit islam. Duke u ngjitur në shekullin XVI, përkatësisht rreth 100-vite pas regjistrimeve të para osmane në Prishtinë, defterët e viteve 1566-1574 kishin regjistruar 19 lagje myslimane dhe 8 të krishtera në mesin e tyre edhe lagjen Latin (romano katolik) me 6 shtëpi. Me fjalë të tjera, gjysma dytë e shekulli XVI shënon ndryshime të mëdha në strukturën fetare të Prishtinës, çështje kjo që dëshmohet edhe në relacionet e priftërinjve në raport me papët (shiko relacionin e Aleksandër Komuloviç [1584], Pjetër Mazrekut [1523, 1624], etj.), si dhe në burime zyrtare raguzane të vitit 1588 ku përmendën tregtarë të besimit romano-katolik nga Prishtina.
Kjo rënie e popullatës së krishterë në Prishtinë është si pasojë e procesit të islamit (një çështje diskutabile jo vetëm në historiografinë tonë), si dhe mërgatës së popullatës së krishterë drejt Hungarisë, Dalmacisë dhe Italisë, të shoqëruar me kolonizimin osman të qytetit./drita.info
Relacioni i Pjetër Mazrekut (1623) si vizitator apostolik në Hungari, Bosnjë, Serbi dhe Bullgari.
Intervistoi: Don Fatmir Koliqi