Emërohet Kryeipeshkvi-Koadiutor i Shkodër Pultit: Imzot Giovanni Peragine

Ati i Shenjtë emëroi Kryeipeshkëv Koadiutor të Shkodër-Pultit Shkëlqesinë e Tij, Imzot Giovanni Peragine, aktualisht Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut.

 

Jetëshkrimi i Kryeipeshkvit të Ri Koadiutor të Shkodër-Pultit

Shkëlqesia e Tij, Imzot Giovanni Peragine lindi në Altamura (Itali), më 25 qershor 1965. Ndoqi Shkollën Apostolike të Etërve Barbnabitë nga viti 1976. Më 15 qershor 2017 u emërua Ipeshkëv titullar i Fenice dhe Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut.

Studimet filozofike dhe teologjike i ndoqi në Universitetin Papnor Urbanian, në Romë, ku u diplomua në Teologji Biblike. Më 17 nëntor 1991 bëri kushtet e përjetshme në Kongregatën e Klerikëve Rregulltarë të Shën Palit në Romë, ndërsa më 20 mars 1993 u shugurua meshtar. Pas shugurimit meshtarak, kreu detyrat e mëposhtme: Famullitar dhe Kryetar i Veprimtarive Rinore në Famullinë Nënë të Provanisë Hyjnore, në Firence dhe Mësues Feje në Kolegjin Alla Querce të Etërve Barnabitë.

Në vitin 1998 u dërgua misionar në Shqipëri, ku shërbeu në famullinë e Shën Nikollit  në Milot dhe si përgjegjës për formimin e Seminarit lokal të Kongregatës së tij. Prej vitit 2002 ishte famullitar i Shën Nikollit në Milot dhe dekan i zonës veriore të Kryedioqezës Tiranë-Durrës.

Ishte edhe këshilltar i Këshillit Krahinor të Etërve Barnabitë të Provincës Qendro-Jugore të Italisë.

Nga viti 2008 – deri në vitin 2017 shërbeu si Kryetar i Konferencës Shqiptare të Eprorëve të Mëdhenj.

Nga viti 2009 deri në 2012, Vikar provincial i Provincës qendrore-jugore të Etërve Barnabitë. Nga viti 2009 deri në vitin 2018, Kryetar i Bashkimit të Konferencave Evropiane të Eprorëve të Mëdhenj.

Në vitin 2017 qe emëruar nga Papa Françesku Administratori Apostolik i Shqipërisë së Jugut, ku ka shërbyer deri më sot.

Aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare. (Radio Vatikani)

Ipeshkvia Prizre-Prishtinë uron arqipeshkvin e ri dhe i dëshrion shërbim të shenjtë në Arqidioqezën e Shkodrës!

Shpëndaje: