Në natën ndërmjet 2 dhe 3 prillit 2024, shkoi në shtëpinë e Atit Qiellor jezuiti Át Lello Lanzilli, i cili shërbeu në Shqipëri nga marsi 1993 deri në verën e vitit 2014. Pas 10 vitesh në Romë, ku punoi në Sekretarinë e Vatikanit për Sinodin, në atë për Ekonominë e në Kurien e jezuitëve, po përgatitej të kthehej sërish në vendin, të cilin e deshi me shpirt. Mesha e dritës e riti i salikimit për At’Lello do të jetë me datë 5 prill në orën 10.00 në Kishën e Jezusit në Romë.
“I pëlqeu Zotit të thërrasë p. Lello (Raffaele) Lanzilli pranë vetes, në zyrën e tij në Kurien e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, në Romë”.
Fillon kështu mesazhi tronditës në faqen Facebook të famullisë së Zemrës së Krishtit në Tiranë, që njofton se jezuiti i njohur nga shqiptarët sidomos për punën e tij me rininë, ka ndërruar jetë sot, 3 prill.
Ne, si redaksi e gjuhës shqipe në Radio Vatikan – Vatican News, që kemi bashkëpunuar shpesh me të, bashkohemi me dhimbjen e jezuitëve, të familjes e të gjithë atyre, që e njohën, duke shprehur ngushëllimet tona më të sinqerta. Át Lello pushofsh në paqe!
Át Zef Bisha: Át Lello nuk u ndal kurrë kur duhej mbrojtur e drejta dhe dinjiteti i njeriut
Në faqen zyrtare të internetit të Sinodit të Ipeshkvijve, ku ai shërbeu për një periudhë në Romë, para se caktohej në Sekretarinë e Vatikanit për Ekonominë si sekretar personal i prefektit dhe, njëkohësisht, si Sekretar rajonal i jezuitëve për Evropën jugore, lexohet: “Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit bashkohet me dhimbjen e Shoqërisë së Jezusit dhe me atë të familjarëve për largimin nga kjo botë të Át Raffaele (Lello) Lanzilli, ish-bashkëpunëtor i kësaj Sekretarie. Zoti Ngjallur e pranoftë Lello-n në plotësinë e jetës së tij të re!”.
I lindur në Napoli, Át Lello Lanzilli hyri në Shoqërinë e Jezusit në vitin 1981. Dëshira për të bërë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë, e shtyu në këtë hap. Vinte nga një jetë familjare, për të cilën e falënderonte vazhdimisht Zotin, si edhe nga impenjimi në bashkësinë rinore CVX të Villa S. Luigi, nga studimet në shkollën e mesme dhe nga fillimi i studimeve për drejtësi, nga një pasion i madh për sportin, veçanërisht për futbollin, që i mësoi rëndësinë e qëndresës dhe nevojën e bashkëpunimit për një qëllim të përbashkët.
Pasi përfundoi studimet në teologji e filozofi e pas shugurimit meshtarak, Át Lello shkoi misionar në Shqipëri në marsin e vitit 1993 dhe qëndroi deri në verën e vitit 2014. Shërbeu në Baritorinë Rinore Universitare, duke mbajtur edhe kurse formimi në Tiranë, veçanërisht në fushën shoqëroro-politike. Në vitin 1996, u zhvendos në Shkodër, si atë shpirtëror në Seminarin Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë”, duke kryer edhe detyrën e profesorit të psikologjisë dhe moralit në Institutin Filozofiko-Teologjik të të njëjtit seminar.
Në shtator 2010 u emërua drejtor i gjimnazit ” Át Pjetër Meshkalla”, detyrë, të cilën e mbajti deri në largimin e tij nga Shqipëria. Gjatë këtyre viteve, ishte edhe epror i bashkësisë së jezuitëve në Shqipëri e kancelar i kryeipeshkvisë Shkodër-Pult. E kujtojmë, shkruhet në mesazhin e publikuar nga famullia e Zemrës së Krishtit në Tiranë, kontributin e tij për Kishën dhe për shoqërinë shqiptare në fushën e formimit biblik, teologjik, moral, psikologjik e pedagogjik, si edhe në shoqërimin shpirtëror të meshtarëve e laikëve.
10 vjet më parë u kthye në Romë, por Shqipëria mbeti gjithnjë ëndrra e tij, pika e tij e dobët e pikërisht këto ditë, po përgatitej të kthehej, edhe një herë misionar, në vendin, që e kishte pritur dikur e që tani e konsideronte të tijin. Por Zoti kishte plane të tjera dhe e mori me vete, ndërsa po punonte në tryezën e zyrës së tij në Kurien e Shoqërisë së Jezusit, në Romë. Bashkëpunëtorët e tij në Sekretarinë e Vatikanit për Ekonominë e prisnin sot në mëngjes në punë, të çuditur e të shqetësuar që nuk kishte njoftuar vonesën a mungesën, kur erdhi lajmi për vdekjen. S’mundën të bënin tjetër, veçse t’ia besonin Hyjit të Gjithëpushtetshëm, në meshën e kremtuar për shpirtin e Át Lello-s, në orën 13.
Mesha e dritës dhe riti i salikimit për At’Lello do të jetë me datë 5 prill në orën 10.00 në Kishën e Jezusit në Romë./radio vatikani/