Imzot Dodë Gjergji: Te kjo Shenjtënore e Zojës së Këshillit të Mirë e gjejmë shpirtin e ripërtëritjes sonë

Fort të dashur vëllezër dhe motra,

ju rregulltarë, rregulltare,

meshtarë,

të dashur vëllezër në episkopat

 

Në radhë të parë dëshiroj të ju falënderoj për ftesën që ma keni bërë të jam sot prijës i kësaj meshe, e në veçanti dua ta falënderoj Sh.T. Imzot Angelo Massafra, argjipeshkvin metropolit të kësaj dioqeze, i cili është kujdesur që të më bëjë ftesën dhe të më pranoj me dashuri sot këtu në selinë e tij. Më kanë thirr vitin e pandemisë që të jam këtu me ju, por ja që Zoti edhe nëpër vija të shtrembëta shkruan drejtë, siç thotë populli, kështu që me ka mundësuar mua mu në 550-vjetorin e ikjes së Figurës së Zojës nga kjo Kishë në Gjenecan, ta celebrojë meshën ne këtë përvjetor kaq të rëndësishëm.

 

Vëllezër dhe motra fort të dashur,

devocioni i popullit tonë ndaj Zojës së Bekuar është që nga kohët e apostujve i pandërprerë deri tani. Kështu edhe devocioni im ndaj Zojës së Bekuar shtrihet nga fëmijëria ime, pasi kam lindur pranë shenjtërores së Zojës së Letnicës në Kosovë, ku shumë meshtarë e murgesha të dioqezës sonë kanë ndjerë thirrjen e Zotit ose e kanë ushqyer atë thirrje me uratën e vetë pranë kësaj Nëne. Edhe vetë Shën Nënë Tereza pranë kësaj Zoje e dëgjoi thirrjen e Zotit, ju përgjigj asaj dhe u bë murgeshë misionare. Në këtë akt duhet t’i kërkojmë rrënjët e devocionit të saj të përhershëm ndaj Zojës së Bekuar. Ajo thoshte se shoqëria e jonë është kushtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, shkakut të gëzimit tonë dhe Mbretëreshës së Paqes, sepse lindi me kërkesën e saj dhe falë ndërmjetësisë së saj vazhdojmë të zhvillohemi dhe të rritemi. Këndej, nuk mund ta fsheh gëzimin tim e të mos e falënderojë Zotin, Hyjin tonë, që në ditët e para të marsit të vitit 1991, pata fatin të shtegtojë pikërisht mbi rrënojat e kësaj kishe, së bashku me Shën Nënë Terezën, Patër Zef Pëllumbin, meshtarë të tjerë martirë, pastaj edhe me mikun tim të paharrueshëm dhe famullitarin tuaj të dikurshëm, Lucjan Avgustinin, i cili shërbeu ndër ju dhe në këtë Shenjtërore për 12 vite me radhë. Nuk arrijë ta përshkruajë gëzimin e të gjithë atyre përjetimeve të mëdha e të paharruara në të kaluarën, ato momente të bukura të historisë tonë, por njëkohësisht nuk mund edhe të mos dëshmojë që, sa herë vi në këtë kishë ose kur ndalëm të lutën në të, mundohem të kap dhe të përjetoj gëzimin e gjithë atyre që tani kanë kaluar në shenjtëroren e amshueshme, që Hyji i Gjithëpushtetshëm e ka përgatitur për Nënën e Birit të vetë, Mbretëreshën e Qiellit.

 

Motra dhe vëllezër fort të dashur,

jemi në kohën e shenjtë të Pashkëve. Festa e Pashkës së Krishtit të Ringjallur, që e kemi festuar para dhjetë ditëve, edhe shkrimet e shenjta që i lexuam pak me parë, na ndihmojnë me e njoftë të fshehtën e shpirtit, me e kuptua misterin e besimit dhe me e përjetua gëzimin qiellor që Krishti e ka vu në ne. Këndej, edhe njëherë bashkë me të gjithë, dëshiroj të falënderojë Zotin, e si Shën Pali që u thoshte efesianëve, duhet të ju ftojë që të klithim: “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishti i cili na bekojë me çdo bekim shpirtëror ne qiell, ne Krishtin, ne të na zgjodhi para krijimit të botës qe të jemi të shenjtë e të papërlyer para tij në dashuri”. Pali nëpërmjet kësaj ndjenje falënderimi dëshiron t’i bindë efesianët mbi rëndësinë e besimit në Jezu Krishtin, njëkohësisht zbërthen misterin e vullnetit të Hyjit lidhur me ata që besojnë dhe pagëzohen, që do të thoshte se me vullnetin e Hyjit është një kërkesë e përhershme ndajë nesh e ndaj të gjitha gjeneratave, e ndaj secilit, të jemi të shenjtë e të papërlyer para tij, mu ashtu siç është e shenjtë dhe e papërlyer Nëna e tij Virgjëra Mari, Mbretëresha e Qiellit dhe e dheut, Nëna e Apostujve, Zoja e Këshillit të Mirë. Të jemi të shenjtë si të gjithë shenjtërit e kishës, të jemi të shenjtë si martirë të lashtë të Kishës tonë, të jemi të shenjtë sikur është e shenjtë Nënë Tereza, e të jemi të shenjtë siç kanë qëndruar shenjtërisht martirët e kësaj kishe gjatë kohës së komunizmit.

Sigurisht, dikush mund të thotë, ne mëkatarët nuk e kemi ketë zotësi. Po, është e vërtetë, mëkatari nuk e ka këtë zotësi pa mëshirën e Zotit, por me fe është e mundur; kështu kush beson në Krishtin dhe është i begatuar nëpërmjet tij me çdo bekim qiellor, me mirësitë e tija, me hiret dhe me dhuntitë qiellore, arrin të shkëlqejë në shpirtbardhësinë e vetë, të pranojë Zojën e Këshillit të Mirë për nënën e tij, të përjetojë kishën, familjen, Zotin në të cilën ai duhet të jetojë, të jetë brenda tij vullneti i realizuar i Zotit, e të sheh te të mjerët Krishtin e braktisur, tek të varfëritë Krishtin e zhveshur, kurse në ata që vuajnë dhe janë të shtypur ta sheh Krishtin e kryqëzuar.

Gandi, edhe pse nuk kishte arritur asnjëherë t’i besonte plotësisht Krishtit, megjithatë duke i njohtë këto dhunti brenda zemrës së vetë, thoshte kush nuk e ka zemrën e pastër kurrë nuk mund ta njoh Zotin, kurse Shën Nënë Tereza duke mos u mjaftuar vetëm me këtë konstatim të Gandit, ju kërkonte motrave të saja të jenë aktive në këtë përpjekje duke ju thënë ruajeni pastërtinë e zemrës dhe dëlirësinë e shpirtit, sepse ishte e bindur që vetëm zemra e pastër mund të reflektojë dashurinë e Zotit mbi botën dhe mund të ngushëllojë zemrat e njerëzve.

Të dashur, kjo është në të vërtetë e mundshme, sepse shenjtëria as nuk është privilegj i disave, siç thoshte Nënë Tereza e shumë shenjtër tjerë, as nuk është mision i pamundur, por është përgjegjësi dhe detyrë e secilit që të jetojë shenjtërisht, ta pretendojë shenjtërimin e vet dhe të kujdesët që nëpërmjet pagëzimit dhe jetës në përvujtëri të shenjtërojë botën bashkë me Zotin dhe me Shpirtin e tij që na u është dhuruar, kurse sa i përket ligështive tonë na nuk kemi shumë fjalë, na mbetët vetëm të klithim siç klithte psalmisti: “Ki mëshirë për mua O Hyj, pash mirësinë tende, shlyeje mëkatin tim e bëjë të kemi zemrën e pastër” (khs. Ps 51) dhe të vazhdojmë të lutemi së bashku me Kishën duke brohoritur gjithë si besimtarë njëzëri “O i lumi Jezu Krisht zemër butë e i përvujtë, banë që zemra ime ti përngjajë zemrës sate”.

Leximi i parë na dëshmon së apostujt grumbulloheshin në sallën e Darkës së Mbrame ku Krishti e kishte shtruar darkën e shpëtimit tonë, bashkë me Nënën e vetë, dhe ne praninë e sajë përballonin dhimbjen dhe trishtimin për atë çfarë kishte ndodhur në Kalvar, bashkë me të mundoheshin t’i tejkalonin frikërat e zemrës për atë se çfarë do të ndodhte me tutje me ta e me këshillat e sajë arrinin të shpresonin në dhuratën e premtuar që Krishti do t’i jepte Kishës ditën e Rreshajëve. Por jo vetëm në kohën e apostujve, Kisha vazhdimisht që atëherë edhe sot vazhdon të lutët me Nënën, të cilën Krishti ia ka dhuruar prej kryqit; edhe ne barinjtë, apostujt e sotëm, jemi këtu me ju për t’ju lutur asaj të na këshillojë si t’i bindemi Birit të saj, të ndërmjetësojë tek Ai për nevojat tona, ato që i ka kisha sot dhe t’i themi se në kohën tonë, mungon jo më vera në dasmën e Kanës, por mungojnë shumë gjëra në zemrat tona, mungojnë seminaristët në seminar, mungon dashuria, mungon paqja e kështu me radhë.

Këndej le t’i lutemi Zojës së Bekuar ashtu siç i lutej engjëlli ‘Të falemi, o Mari, hirplote, Zoti është me ty’, po ashtu siç i lutej Elizabeta duke e quajtur ‘E Bekuar mbi të gjitha gratë”, pasi mbi të ka zbrit Shpirti Shenjt, në të është mishëruar Fjala nëpër të cilën kemi marrë të gjithë shfajësimin, por edhe i kemi shpëtua ndëshkimit të mëkatit tonë. Ai vetë na ka dhuruar prej kryqit, që të jetë nëna jonë. Kisha vazhdon të lutët, Kisha vazhdon të lutët me të dhe t’i lutet asaj, Nënës së Këshillit të Mirë, duke i thënë se në këto kohërat tona nuk ka paqe në botë, e duke ju lutur asaj që t’i thotë të Birit t’i ndryshojë zemrat që janë mbushur me urrejtje dhe duan ta shuajnë urrejtjen e vetë me luftë dhe popullin që e vuan atë luftë që të mund të përballojë të keqen e kësaj kohe dhe të urrejtjes të zemrës të njeriut, siç tha Papa, sepse si duket është ngjallur Kaini, i cili dëshiron prapë ta vret vëllaun e vetë.

 

Motra dhe vëllezër fort të dashur,

sot kur vijmë këtu në këtë shenjtërore të Nënës së Këshillit të Mirë, Zojës së Shkodrës, buzë Kalasë së vjetër, nuk duhet kurrë të harrojmë që në rrënojat e kësaj kishe dhe në muret e kësaj kishe të ndertume fshihet rrënimi dhe ringritja e jonë e shpejtë gjatë të së kaluarës. Besojë së pajtoheni me mua  nëse them se saherë vi në këtë vend të shenjtë krijohet një përshtypje se po e dëgjon uratën e përgjërimin, klithmën dhe gjëmën e shumë gjeneratave që i lutën Zojës së Këshillit të Mirë, sikur përshpirten dhe shprehin lutjen e zemrës së vuajtur ashtu sikur e kemi zbërthyer këtë vuajtje në këngë ‘Qysh atë ditë që je larguar njëqind të zeza na kanë mbuluar, ktheu o Zojë me na ndihmue”. E Zoja është kthyer. Papa Gjon Pali II e ka pru kopjen origjinale të Zojës me Gjenacan, që u shfaq në festën e Shën Markut, para 550 viteve, por Zojën duhet ta kthejmë ne zemrat tona, sepse ajo nuk është e dobishme për t’u mbyllur brenda mureve të kësaj kishe, por për të zbritur nga këto mure në zemrën e secilit dhe me këshillën, ndihmën e me ndërmjetësinë e saj të mund të zbërthejë të gjitha frytet e dashurisë që shpirti i Zotit i nxitë brenda nesh.

Ndonjëherë na duket sikur po na shkëputët shpirti pasi na duhet të ndjemë edhe ato vuajtje dhe britma shekullore të martirëve tanë, pastaj të duket disi sikur po përmbytët, po përmbytët shpirti, jo nën ujërat e Bunës, që buron këtu nga liqeni i Shkodrës, por në lotët e derdhura të shumë gjeneratave dhe gjakun e derdhur për Atme dhe Fe; të kujtojmë vetëm gjakun e derdhur të martirëve gjatë komunizmit, sepse ky gjak akoma është i freskët në këtë dhé dhe akoma është në memorien e të gjallëve që jemi këtu, jo ndoshta të gjithëve, por të moshuarve sigurisht.

Sot jemi të lirë dhe vijmë pa frikë për t’u lutur në këtë vend për shumë gjëra të mira që Zoti ja ka dhënë Kishës, popullit tonë dhe secilit prej nesh, e për ta falënderuar Zojën për ndërmjetësinë e saj, por mjerisht nuk mungojnë edhe ata të cilët duhet të derdhin lot, duhet të vajtojnë, të shohin britmën e dhimbjes së zemrave të nënave dhe baballarëve për djalin që ka vra dikend ose për birin që ia ka vra dikush, për vajzën që ka ik prej hirit ose për të keqën që i ka ndodhë të shpija. Janë të shumta familje që i lutën edhe sot Zojës së Bekuar dhe e thërrasin që të kthehet me hiret dhe bekimet e Zotit tonë Jezu Krishtit në zemrën e tyre, dikush qanë që i kanë ik fëmijët në dhé të huaj e kanë mbetur vetëm, disa qajnë që i kanë të shpija, por nuk mund të ju japin atë që kanë nevojë ose nuk gjejnë punë e nëse punojnë nuk mund të jetojnë denjësisht, ka edhe ata të cilët qajnë për një gjë tjetër ose për një breng tjetër të zemrës së tyre. Ne e lusim Zojën e Bekuar që të jetë ngushëllim, ndihmë dhe këshill për të gjithë këta. Është e dukshme pra, vëllezër dhe motra, që sot shumë njerëz janë të verbuar e nuk arrijnë të shohin bukurinë e jetës e le ma t’i njohin vlerat e shpirtit. Mungesa e dashurisë e prodhon këtë gjë dhe e bënë njeriun të pafuqishëm që mos të ndjejë përgjegjësi për familjen, për prindërit, për shpinë, për kishën, për shoqërinë e për këtë vend, i cili e meriton dashurinë e të bijve e bijave të veta.  Me një fjalë, është vërtetë e dhimbshme kur sheh se si njerëzit vrapojnë pas çdo gjëje që shkëlqen dhe mendojnë vetëm për vetvete.

 

Motra dhe vëllezër, miq të dashur,

lirisht mund të themi se, të këqijat e sotme nuk janë asgjë ma të lehta, e ndoshta janë edhe ma të këqija se ato të dikurshmet. Dikur, vërtet, na vritnin tjerët, por sot po e vrasim veten dhe njëri-tjetrin, dikur kemi vuajtur me shumë, por kemi vuajtur se kemi qenë besnikë, kemi qenë të pathyeshëm, e sot na u është ligështuar shpirti, sot na u është helmuar zemra, sot na është prishur mendja. Dikur na kanë përbuzur, por na kanë përbuzur sepse nuk kemi dashtë të nënshtrohemi, kurse sot jemi të përbuzur nga ligështia jonë, jemi të përbuzur aq shumë sa pranojmë që lakmia të na prijë, dëshpërimi të na përplasë përtokë ose mungesa e dashurisë të na vejë në konflikt me njëri-tjetrin, mbi të gjitha pasi duam të pasurohemi pa mund, të kënaqemi pa meritë, të kemi të gjitha pushtetet dhe pozitat pa i merituar dhe pa përgjegjësi e të jetojmë pa Zot.

Por, Kisha me të bijtë dhe të bijat e veta, e bashkuar ne këtë shenjtërore rreth Zojës së Bekuar, Nënës së Këshillit të Mirë, kështu siç jemi barinj e grigjë, vazhdon të forcohet për t’i përballuar të këqijat e kësaj kohe duke u mbështetur në të, duke i kërkuar asaj ndërmjetësinë, duke ju lutur asaj për ju, për vete dhe për mbarë popullin shqiptarë kudo, sepse kjo Zojë e Këshillit të Mirë është pajtorja e të gjithëve, këndej dua t’i lutëm së bashku me ju Nënës:

O Nënë e dashur,

o Zojë e Shkodrës,

o urti që ndërmjetëson tek Jezusi,

o Nënë e Kishës, që këshillon të pagëzuarit,

 bën të shohim të gjithë Atë që Ti na thua

e të njohim Atë të cilën ti na e ke dhuruar,

e ti bindemi Atij ashtu sikur na thotë Ai

në mënyrë që Ai t’i shndërrojë zemrat tona,

nga zemrat e thata e boshe,

të jenë zemra të mëshirshme, të ëmbla e të buta,

e të jenë plot dashuri

që e zhduk çdo errësirë, çdo urrejtje dhe çdo gjë të keqe brenda sajë.

Thuaja Krishtit, Birit tënd,

se njerëzit sot nuk kanë lumturi,

nuk kanë shpresë:

E epjau atë.

Dhe si ta përfundojë këtë predikim dhe meditim timin, përveç të kthehem përsëri të ajo kënga e Zojës së Shkodrës: ‘Tut kemi kenën qysh se kemi le. O Zoja e Shkodrës lutu për ne’. Amen./drita.info

 

(Homelia e plotë e Imzot Dodë Gjergjit në meshën solemne të festës së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, në Shenjtënorjën e Zojës, më 26.04.2022. Homelia është përshkruar nga transmetimi i drejtpërdrejt dhe ka vendosur titullin)

Shpëndaje: