I Lumi dom Dedë Maçaj u akuzua nga regjimi komunist edhe për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor etj. Prandaj u torturua tmerrësisht, për të pranuar fjalë të pathëna e veprime të pabëra e të sajuara. Sipas shembullit të Mësuesit e Shpëtimtarit të Tij, Jezu Krishtit, dom Dedë Maçaj përballoi fyerjet dhe vuajtjet deri në pushkatim, pa gjyq, më 28 mars 1947 në Përmet, në moshën 27 vjeç.
Më 28 mars kalendari kishtar përkujton të Lumin shqiptar dom Dedë Maçaj, meshtar e martir.
I Lumi dom Dedë Maçaj lindi në fshatin Mal i Jushit, më 5 shkurt 1920. Nxënës i Seminarit Papnor Shqiptar në Shkodër, Kolegjit Saverian, drejtuar prej jezuitëve, vijoi studimet filozofike e teologjike pranë Universitetit Papnor Urbaniana në Romë, ku qe shuguruar meshtar në vitin 1944. U kthye në vendlindje pikërisht në fillimet e persekutimit të të krishterëve nga regjimi komunist. Pas detyrës e misionit të parë më 1945 si zëvendës-famullitar i Katedrales së Shkodrës, ku ishte famullitar dom Mikel Koliqi, kardinali ardhshëm më 1994. Një vit më vonë, më 26 janar 1946 u emërua Administator i famullisë së Sheldisë, duke zëvendësuar të Lumin dom Ndré Zadejën, që ishte pushkatuar nga regjimi komunist më 25 mars 1945, njëzet ditë pas paraardhësit tjetër të rij, të Lumit Dom Lazër Shantojës. Kështu dom Deda qe pasardhësi i tyre në mbarështimin e komunitetit famullitar dhe, siç do të tregojë jeta e tij, edhe në martirizim.
Dom Dedë Maçaj ishte meshtar i ri shumë i zgjuar, i vendosur dhe i patundur. Ishte i qeshur, me takt, i shoqërueshëm, i thjeshtë si një shenjt. Ishte shumë i mirë, shpirtëror, i zellshëm dhe i devotshëm, që e përmbushte shërbimin e tij meshtarak shpirtëror me përgjegjësi e përkushtim. Një lutje, që e bënte gjithmonë dhe ua mësonte edhe të tjerëve, siç ka treguar, më 19 mars 2005, Vasë Toma ishte: “O Zojë, ki mëshirë. Lutur për mua në fill të vdekjes dhe ruaje trupin tim e shpirtin tim përgjithmonë e jetës”. U angazhua shumë për edukimin shkollor, njerëzor dhe të krishterë të fëmijëve, të rinjve të cilët i këshillonte të mësonin shumë për jetën.
Vetëm një vit zgjati misioni i tij meshtarak në Sheldi dhe praktikisht qe viti i vetëm i plotë ku mundit të vërë të gjithë pasionin dhe energjitë e tij në shërbim të atij populli të Hyjit. Nëse zelli i tij i kënaqte besimtarët, jo aq vlerësim gëzonte nga ana e regjimit, i cili shihte tek ai një përhapës të vlefshëm të vlerave të fesë “obskurantiste”. Pastaj ishte fakti se prej pak kohësh ishte kthyer nga Roma dhe, kushedi, mendonin ata të pushtetit komunist të popullit, se çfarë do t’u kishte treguar Papa kundër tyre, dhe pastaj ishte ndikimi i tij i fortë që kishte tek të rinjtë.
Pra, në një mënyrë apo në tjetrën, sipas regjimit komunist që “kishte formuar një fe të re pa fe me në qendër hyjin Stalin dhe donin të zhduknin Kishën e mbarështuesit e saj”, dom Dedë Maçaj duhej të hiqej qafe. Kështu i përgatitën dhe i ngritën një kurth. Megjithëse ishte famullitar, ishte duke mbushur 26 vjeç, dhe megjithëse i brishtë për nga shëndeti, në javën e parë të janarit 1947, u thirr për të kryer shërbimin ushtarak mes keqardhjes së besimtarëve, që ankonin për largimin e tij dhe çorientimin prej faktit se regjimi komunist thërriste edhe meshtarët për të kryer shërbimin ushtarak.
Në Sheldi, një ditë para se të nisej për shërbimin ushtarak, tha në Kishë: Kush dëshiron të marrë pjesë në Meshën e shenjtë të vijë nesër, sepse që nesër nuk do të jem më famullitar ketu. Besimtarët pothuajse parandien se nuk do ta kishin parë më, vetë u grumbulluan dhe e shoqëruan një pjesë të mirë rruge duke lotuar. Që të shmangte më të keqen, i saktë siç ishte, me përpikëri u paraqit në repart. Gjatë shërbimit ushtarak dom Dedë Maçaj ishte shofer i autoambulancës së ushtrisë. Ndryshimin e jetës e të veprimtarive nga prift famullitar në ushtri, dom Deda e jetoi si diçka të diktuar nga regjimi komunist, ndryshim të jetës që ia dhuroi Zotit, edhe pse apo pikërisht sepse shërbimi ushtarak nuk ishte në pajtim me thirrjen e vet.
Nga letrat e tij kuptohet se ai ishte i gatshëm për t’u përballuar me gjithçka “për vullnet të Zotit”. Si shofer ushtarak, një herë, u kthye me vonesë, për shkak se i ishte prishur makina, e kjo u përdor nga regjimi si pretekst politik me pasoja tragjike. Menjëherë më pas u sëmur me grip dhe u dërgua në infermierinë e repartit ushtarak të Përmetit, ku, katër ditë para se të dilte, u arrestua nga komanda e regjimentit. Në momentin e arrestimit, më 10 mars 1947, u tha: Jam i sëmurë! Ata i janë përgjigjur: Do të të shërojmë ne!. Dhe ilaçe regjimi komunist kishte mjaftueshëm në dispozicion, edhe nga ato që të bënin të pushoje….përgjithmonë. Diagnoza iu bë me të shpejt: iu gjetën, madje iu sajuan, veprimtari sabotimi kundër pushtetit popullor dhe vepra spiunazhi në favor të Vatikanit. Praktikisht për regjimin komunist, dhe nuk ishte hera e parë, studimi në Romë e qenia prift katolik, donte të thoshte se ishe spiun i Vatikanit.
Pra, u akuzua edhe për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe se kishte inkurajuar ushtarët që të dezertonin dhe të iknin në Greqi, gjithashtu, duke pasur në ushtri edhe detyrën e radiolidhësit, se ishte kapur ndërsa komunikonte me jashtë. Prandaj u torturua tmerrësisht, për të pranuar fjalë të pathëna e veprime të pabëra e të sajuara, dhe sipas shembullit të Mësuesit e Shpëtimtarit të Tij, Jezu Krishtit, dom Dedë Maçaj përballoi fyerjet dhe vuajtjet deri në pushkatim, pa gjyq, më 28 mars 1947 në Përmet, në moshën 27 vjeç. Së bashku me 38 martirët e Kishës katolike shqiptare, dom Dedë Maçaj u shpall i Lum më 5 nëntor 2016 gjatë Meshës solemne kremtuar në Shkodër. “Po më vrisni vetëm prej urrejtjes që keni për Kishën katolike” tha para se të jepte jetën për Fe e Atdhé.
Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme
Trini e Shenjtë,
Atë e Bir e Shpirt Shenjt,
Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,
që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë
të Lumin Dedë Maçaj, meshtar
si model besnikërie ndaj Krishtit
dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.
Të lutemi me përvujtëri:
ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,
denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë
duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë
e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë
(në këtë moment shprehet kërkesa).
Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.
Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …
(nga Radio Vatikani)