Papa: të moshuarit të jenë “mësues të dhembshurisë” e shpresë për të rinjtë

Në videon me ndjetin e lutjes për muajin korrik, publikuar sot nga Rrjeti Botëror i Lutjeve e kushtuar të moshuarve, Papa Françesku na fton të lutemi që “përvoja dhe urtia e atyre, që jetojnë “moshën e tretë” t’i ndihmojë të rinjtë ta shohin të ardhmen me shpresë dhe përgjegjësi. Ati i Shenjtë kujton Ditën Botërore të Gjyshërve dhe të të Moshuarve, që do të kremtohet më 24 korrik

 “Ne të moshuarit”, që “shpesh kemi ndjeshmëri të veçantë për kujdesin, reflektimin dhe dashurinë”, jemi “ose mund të bëhemi mësues të dhembshurisë”. Françesku, i cili në dhjetor do të mbushë 86 vjeç, flet në emër të bashkëmoshatarëve në videomesazhin me ndjetin e lutjes për muajin korrik, që u publikua sot nga Rrjeti Botëror i Lutjeve për Papën. Në të, Ati i Shenjtë i fton gjithë të krishterët të luten që “përvoja dhe mençuria” e të moshuarve “t’i ndihmojnë më të rinjtë ta shikojnë të ardhmen me shpresë dhe me përgjegjësi”. E kujton se më 24 korrik, do të kremtohet Dita e dytë Botërore e Gjyshërve dhe e të Moshuarve, themeluar nga vetë Françesku për t’i “festuar” ata.

Për të moshuarit, shumë projekte asistence e jo jete

Duke përmendur Takimin X Botëror të Familjeve, që sapo përfundoi në Vatikan, Papa thekson: “nuk mund të flasim për familjen pa folur për rëndësinë që kanë të moshuarit ndërmjet nesh”. “Nuk kemi qenë kurrë kaq të shumtë në historinë e njerëzimit, – vëren Ati i Shenjtë, duke e futur vetveten në radhët e të moshuarve – por nuk e dimë mirë si ta jetojmë këtë fazë të re të jetës: për pleqërinë ka shumë projekte ndihme, por pak projekte për jetën”. Plakja e popullsisë prek sidomos vendet më të zhvilluara, në të cilat 25 për qind e të moshuarve, fatkeqësisht, jetojnë vetëm.

“Në të moshuarit kemi shpesh ndjeshmëri të veçantë për kujdesin, reflektimin dhe dashurinë për të tjerët. Jemi, ose mund të bëhemi, mësues të dhembshurisë. E sa shumë mund të bëhemi!”

Gjyshërit janë “buka, që na ushqen jetën”

“Në këtë botë të mësuar me luftë”, Papa Françesku kërkon një “revolucion të vërtetë dhembshurie”.

“Për këtë, kemi përgjegjësi të madhe ndaj brezave të rinj”.

Duhet ta kujtojmë, përfundon Papa: “gjyshërit dhe të moshuarit janë buka që na ushqen jetën, janë mençuria e fshehur e një populli: prandaj është bukur të bëjmë festë me ta e, për këtë, kam themeluar një ditë kushtuar atyre”.

“Të lutemi për të moshuarit, që të shndërrohen në mësues të dhembshurisë, që përvoja dhe mençuria e tyre t’i ndihmojnë më të rinjtë ta shohin të ardhmen me shpresë dhe përgjegjësi”.

Farrell: nevojitet baritori e zakonshme për të moshuarit

Papa Françesku “na fton të ndërgjegjësohemi për rëndësinë e të moshuarve në jetën e shoqërisë dhe të bashkësive tona”, por kjo duhet bërë “jo në mënyrë episodike, por strukturore, me një vëmendje të zakonshme baritore”, komenton kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, që bashkëpunoi në realizimin e “Videos së Papës” për muajin korrik. Sipas kardinalit irlandez, duhen vendosur “baza për një punë baritore afatgjatë, e cila do të përfshijë dekadat e ardhshme”. Me Ditën Botërore të Gjyshërve dhe të të Moshuarve, Ati i Shenjtë, përfundon Farrell, nënvizoi sërish “rëndësinë e luftës kundër kulturës së hedhurinave”, por vuri në dukje edhe se “Kisha është pranë të moshuarve”, (radio vatikani).

 

 

 

 

 

 

 

Shpëndaje: