Deklaratë e Ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergji për vrasjet e gravë në Kosovë

Deklarata

 

Në emër të Kishës Katolike dhe me autoritetin tim si ipeshkëv, dëshiroj të shpreh ndjenjat e mia më të thella të keqardhjes dhe të dhimbjes për ngjarjet e fundit të dhunës ndaj grave në vendin tonë. Dhuna në çdo formë është një shkelje e thellë e vlerave hyjnore, të cilat si besimtarë jemi thirrur t’i përfaqësojmë, promovojmë dhe mbrojmë.

Kjo formë e dhunës, që po shkakton humbje të jetëve njerëzore dhe vuajtje të pafundme për familjet e prekura e për fëmijët e nënave të vrara, nuk mund të pranohet dhe të tolerohet. Këndej, si besimtarë dhe si shoqëri, ne duhet të bashkëpunojmë për të ndërtuar një mjedis ku gratë dhe të gjithë individët të ndjehen të sigurt dhe të respektuar, varësisht vështirësive që paraqiten në jetën e çdo familjeje.

Duhet të bëjmë më shumë për të promovuar një kulturë të paqes, respektit dhe barazisë gjinore në çdo sferë të shoqërisë sonë e sidomos brenda familjeve tona, sikur na mëson Bibla: “Kështu, edhe ju burra, bashkëjetoni në mënyrë të njerëzishme me gratë tuaja duke pasur parasysh natyrën më delikate të femrës; kini nderim për to, sepse edhe ato bashkë me ju, do ta trashëgojnë hirin e Jetës, në mënyrë që të mos pengohen lutjet tuaja…” (1 Pjt 3,7). Duke vepruar në këtë rrugë, ne do të zbatojmë më mirë misionin tonë si besimtarë dhe do të kontribuojmë në ndërtimin e një realiteti më të drejtë dhe më njerëzor.

Në këtë moment rrëqethës, ftojmë udhëheqësit fetarë, autoritetet civile dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkohen për të ndërmarrë masa të menjëhershme për të parandaluar aktet e dhunës dhe për të ndërtuar një shoqëri ku çdo person, pa dallim, të gëzojë të drejtat e jetës. Por, jo vetë për të jetuar, por për t’i mundësuar çdokujt që të ketë një jetë të sigurt, të dinjitetshme dhe të lumtur.

Lusim Zotin për shpirtin e grave të vrara nga dora e atyre që do të duhej t’i duanin, qëndrojmë pranë fëmijëve të tyre dhe shprehim ngushëllimin tonë familjeve të prekura, e, njëkohësisht, bëj thirrje të angazhohemi në veprime konkrete për të siguruar që kjo gjë të mos ndodhë kurrë më në shoqërinë tonë.

 

Dodë Gjergji  

Ipeshkëv i Dioqezës Prizren Prishtinë

Shpëndaje: