Ditëlindja e Shën Nënë Terezës u kremtua me një akademi solemne

Të premten, më 26 gusht, në Qendrën “BogdaniPolis” u përkujtua ditëlindja e shenjtëreshës shqiptare, Shën Nënë Tereza, me një akademi solemne të organizuar nga Katedralja e Prishtinës, përkatësisht Dioqeza e jonë Prizren-Prishtinë.

Jeta është mundësi, pranoje.

Jeta është bukuri, admiroje.

Jeta është lumturi, shijoje.

Jeta është ëndërr, zbatoje.

Jeta është sfidë, ballafaqoje.

Jeta është detyrë, kryeje.

Jeta është lojë, luaje.

Jeta është e çmueshme, nderoje.

Jeta është pasuri, ruaje.

Jeta është dashuri, përjetoje.

Jeta është fshehtësi, zbuloje.

Jeta është premtim, plotësoje.

Jeta është pikëllim, tejkaloje.

Jeta është himn, këndoje.

Jeta është tragjedi, zbute.

Jeta është aventurë, zbërtheje.

Jeta është kënaqësi, meritoje.

Jeta është jetë, mbroje.

Me këto vargje poetike dhe urate të Nënë Terezë për JETËN nisi akademi solemne, me të cilën edhe filluan zyrtarisht “Ditët e Nënë Terezës”, të cilat do të zgjasin deri më 5 shtator. Sivjet këto ditë të veçanta përkojnë me 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim.

Akademinë solmne e hapi, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, i cili thekësoi rëndësinë e këtyre ditëve kushtuar Nënë Terezës, për të marr nga shembulli dhe jeta e kësaj gruaje të madhe e të shenjtë. “Janë 25 vite kur Nënë Tereza ka kaluar në amshim, vite këto që ajo nuk është fizikisht ndër ne, por janë vite kur më intenzivisht jemi me të. Sepse dëshirojmë t’i ngjajmë asaj në përvujtëri, në dashuri, në thjeshtësi, në sakrificë, në punët e vogla të përdishtme por me një dashuri të madhe, për të qenë edhe ne si ajo laps në dorën e Zotit, që nëpërmjet jetëve tona të shkruajë në zemrën e njerëzve dashurinë e vet. Nënë Terza ka qenë e tërhequr prej një rreshti ungjillor, përkatësisht të Krishtit, i cili thotë: isha i uritur, më keni dhënë të ha, kam qenë i etur, më keni dhënë të pi, kam qenë i zhveshur, më keni veshur, kam qenë në burg, keni ardhur  të më vizitoni, kam qenë shtegtar e më keni pëbujtur… Vërtet, – vazhdoi ipeshkvit – Nënë Tereza në çdo njeri të uritur në këtë botë e ka parë Krishtin e uritur, në çdo njeri të etur e ka pa etjen e Krishtit në kryq. Prandaj, ajo edhe e ka marr si motot të jetës së saj dhe të motrave të saja, klithjen e Jezusit “Kam etje”. Atëherë, nëse e marrim këtë moto të Nënë Terezës dhe e përkthejmë në ditët e sotme, mund të them se sot ne kemi etje për dashuri, si popull, si vend, si familje, kemi etje për njëri-tjetrin. Prandaj, ju ftoj të gjithëve, gjithë kombin tonë, që ta shuajmë këtë etje e të mbushemi me dashuri, duke e marr shembull Nënën, e cila thonte se e kam në zemër Popullin tem Shqiptar. Le të ecim pra gjatë këtyre nëntë ditëve, vazhdoi imzoti, të ushtrohemi në dashuri, që të mund ta shohim në sy njëri-tjetrin, t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit, ta përkrahim njëri-tjetrin, e të ecim së bashku për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Le të jetë një mbrëmje e begatshme, e frymëzuar prej kësaj Nane, që kur të dalim nga këtu, të mund të jemi edhe ne pak Nënë Tereza”, ishin fjalët nxitëse të ipeshkvit tonë.

Akademia vazhdoi me promovimin e librit anglisht të Don Lush Gjergjit, “I hold my Albanian People in my hart” i cili është përkthim i librit shqip “E kam në zemër popullim tem Shqiptar. Bashkëbisedime me Nënë Terezën”, i përkthyer bukur nga Z. Avni Spahiu, i botuar sivjet nga Sh. B. “Drita” dhe “Iliria” New York. Përkthyesi ishte edhe promovues i librit, i cili theksoi se populli ynë është i bekuar për shenjtorët që ia ka dhanë botës. Nënë Tereza është ajo që qëndron në piedestalin e shentjorëve në shek. XXI. Për njerëzit që e kanë takuar atë, që nuk janë shumë, ka qenë një privilegj i madhe. Njëri prej tyre ka qenë Don Lush Gjergji, i cili i ka shkruar disa libra për jetën dhe veprën e saj. Këtu e kemi njërën prej këtyre librave të përkthyera në anglisht, me një titull të veçantë “Unë e kam në zemër Popullin tem Shqiptar”, i cili vë në spikamë lidhjet e Nënë Terezës me shqiptarët, 5 vizitat e saj në Kosovë e të tjera. Paraqitjen e plotë mund ta lexoni në këtë lidhëse: Nënë Tereza – përfaqësuesja e virtyteve të kombit tonë (drita.info)

Akademia u pasurua me muzikë të përzgjedhur siç është “Valsin Hyjnor” himnin e  Nënë Terezës, i kompozuar nga Lorenc Antoni dhe Genc Tukiçi, e i interpretuar shkëlqyeshëm nga sopranoja Arta Jashari,  e shoqëruar në piano nga Panvera Hoxha.

Edhe pse kanë kaluar 25 vjet të kalimit në amshim, Shën Nënë Tereza mbetet muzika hyjnore që Zoti na e dhuron nga qielli në botën e sotme me plotë zhurma e shqetësime. Ajo dinte të falënderonte për muzikën kështu:

Të falënderoj, o Zot,

Për dhuratën e muzikës.

Në praninë tënde e pranojnë harmoninë e mahnitshme të saj.

Kur këndoj për Ty,

Të dëgjoj në këngën tënde!

Nënë Tereza ka jetuar si vajzë e re në Shkupin atëhershëm ku ka pasur banda muzikore shqiptare dhe kanë kultivuar këngën e bukur shqiptare. Ajo gjithnjë ka qenë e angazhuar në këto aktivitete kulturore, artistike. Prandaj, edhe një akademi kushtuar asaj nuk mund të mos ketë edhe këtë përmasë të këngës së bukur shqiptare për ta kujtuar një kulturë të kultivuar në qytetin e saj të lindjes. Kështu, kënga “Kroi i fshatit tim”, u këngua me shumë art nga sopranoja Arta Jashari, e shoqëruar nga tingujt e pianos e luajtur nga Pranvera Hoxha. E për të plotësuar këtë pjesë muzikore, ishte Genc Krasniqi, mjeshtri i kitarës, i cili e këndoi këngën “Kaçurrela”.

Ligjëratën kryesore të Akademisë, e mbajti Don Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezë, i cili u përqëndrua në librin e tij të fundit si një trashëgimi dhe frymëzim. Ligjërata e plotë mund të lexohet në këtë lidhëse: Pse libri “E kam në zemër pupullin tem Shqiptar”? (drita.info)

Fjalë rasti mbajti kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, i cili pasi përshëndeti dhe falënderoi për këtë akademi të shkëlqyeshëm, ai ndau me pjesëmarrësit një kujtim dhe eksperiecë në Londër e cila lidhet me Shën Nënë Terezën dhe që ka qenë inspirim në jetën e saj. Njëra ndër thënie e saja që e ka përcjell jetën e tij, ishte “Ne jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashni të madhe.”

Akademia u përmbyll me një koktej rasti, e cila ishte organizuar për të bashkëndarë momente vëllazëre dhe urimi për këto ditë të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore në nder të shenjtëreshës shqiptare./drita.info

Përgatiti për Dritën: Doruntina Gjini

[masterslider id=”16″]

Shpëndaje: