Dje, më 9 nëntor, në orët e paradites, ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji ka pritur në vizitë provincialen e re të Motrave të Nënë Terezës për rajonin e Ballkanit, Motër Lysa Arackokunnel, bashkë me bashkëpunëtoret e saja.
Vizita e motrave ishte e karakterit njoftues, pasi sipas traditës së motrave të Nënë Terezës, kur të zgjidhet një motër e re në detyra e shërbime të këtilla, informohet ipeshkvi i vendit, në rajonin ku shërbejnë motrat.
Imzot Dodë Gjergji falënderojë motrat e Nënë Terezës për shërbimin dhe dëshminë që e bëjnë në vendin tonë, e në mënyrë të veçantë ndaj të moshuarve, të sëmurëve e të harruarve. Kurse Motër Lysa falënderoi ipeshkvin për mbështetjen prej bariut ndaj motrave të Nënë Terezës, si dhe për ndihmën konkrete në realizimin e misionit të tyre në Kosovë.
Pasi takimit ipeshkvi, bashkë me motrat, u lutën në Katedrale pranë Shenjtërueshmit Sakrament dhe te Altari i Reliktit të Gjakut të Nënë Terezës, për ndërmjetësim dhe lutje për kishën, motrat dhe të varfrit.
Motër Lysa është zgjedhur provinciale nga maji i këtij viti, që e ka zëvendësuar m. Marjetën. Me kombësi është indiane nga shteti i Kerala./drita.info