Karabinierët e festojnë patjoren e tyre “Virgo Fidelis” në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Festa e Kushtimit të Virgjrës Mari, më 21 nëntor 2023, këtë herë u shënua në mënyrë krejt të veçantë Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Pasi që Karabinierët në këtë ditë e shënojnë festën e Pajtores së tyre “Virgo Fidelis” (Virgjra besnike), ata zgjodhën Katedralen e Shën Nënë Terezës për ta shënuar solemnisht këtë festë.

Në prani të madhe të karabinierëve, pjesëtarëve të tjerë të Kfor-it, si dhe të besimtarëve tanë, mesha u kremtua në të dy gjuhë, italisht dhe shqip, të cilën e udhëhoqi ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji.

Krejt në fillim, pas fjalës së rastit, të pranishmëve iu drejtua Gjenerali Riuggero Capodivento, i cili e përshkroi rëndësinë e kësaj feste historike të tyre. Ndër të tjera, ai theksoi se në ditën e sotme, si në Itali, ashtu kudo në botë ku shërbejmë, i kujtojmë dhe nderojmë karabinierët e rënë më 21 nëntor 1941 në betejën e Culqualber-it në Afrikë.

Në homelinë e tij, Ipeshkvi ynë, pasi i përshëndeti të pranishmit, i falënderoi që kanë zgjedhur Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, për të shënuar festën “Virgo Fidelis”, si dhe për kontributin e tyre në shërbim të paqes në vendin tonë.

“Emërtimi apo titulli “Virgo Fidelis”, është shumë domethënës, sepse, flet për besnikërinë e dyfishtë të Virgjres Mari. Së pari në lidhje me planin e Zotit për shpëtimin e botës, të cilit ajo iu përgjigj me zemërgjerësi, plot fe e dashuri, duke e shprehur me fjalët: “Fiat voluntas tua”, “u bëftë vullnesa jote”. Pastaj, në lidhje me njerëzimin për shëlbimin e tyre, duke e sjell në botë Shëlbuesin.”

Duke folur për rolin e Zojës së bekuar në jetën e Kishës, Ipeshkvi theksoi se “Virgo Fidelis” është edhe Nënë e Dhimbshme dhe në kujdes për njerëzit, dhe i ftoi të pranishmit të luten për paqe në mbarë botën, sidomos për paqe në Lindjen e Mesme dhe ne Ukrainë.

Duke i falënderuar për praninë e tyre dhe për gjithë kontributin që japin në shërbim të paqes në Kosovë, ai shprehu mirënjohjen edhe për dëshminë e krishterë të tyre. Me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar, “Virgo Fidelis”, Zoti ju ruajt juve, familjet tuaja dhe botën mbarë.

Mesha vazhdoi me lutjet e besimtarëve italisht dhe shqip, pastaj, nga ana e Karabinierëve paraqitja e dhuratave simbolike kushtimore. Përndryshe, i gjithë ky solemnitet u shoqërua me këndimin e bukur të dy Koreve, atë të Katedrales dhe të Karabinierëve.

Në fund të meshës, me përshpirtëri u recitua “Lutja e Karabinierit”, ndërsa Gjenerali Capodivento, i dhuroi Ipeshkvit figurën e Zojës “Virgo Fidelis”.

Shoqërimi i përbashkët vazhdoi në Qendrën “Bogdanipolis”, gjatë koktejit të begatë me specialitete italiane i përgatitur prej tyre./drita.info

Shpëndaje: