Sot, ditë e shtunë, më 25 nëntor 2023, në vigjiljen e festës së Krishtit Mbreti i Gjithësisë, u mbajt takimi i rinisë dioqezane në Prishtinë, përkatësisht në Katedralen Shën Nënë Tereza, i cili kishte për temë thënien e të lumit Karlo Akutis “Të gjithë lindim origjinal, por shumë vdesim si fotokopje”.
Takimi u nda në dy pjesë:
Pjesa e parë liturgjike, shpirtërore: Në fillim ishte adhurimi me të Shenjtënueshmit Sakrament, gjatë së cilit në meditim, lutje e këngë, u vendos para altarit figura e të lumit Karlo Akutis, e ndarë në 9 pjesë, në formën e një puzzle. 9 të rinj nga famullitë e dioqezës e plotësuan figurën e shenjtit derisa u kompletua imazhi i Karlo Akutis. Kjo bëri që të rinjtë të zbulojnë këtë figurë të kohës sonë, që u prezantua si model i të rinjve katolikë.
Pas adhurimit, u kremtua mesha e shenjtë, të cilën e udhëhoqi ipeshkvi ynë, Mons. Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët e dioqezës. Ipeshkvi me shumë gëzim ju drejtuar të rinjve në këtë ditë, siç e tha, e cila është e të rinjve, e kushtuar dhe e udhëhequr prej tyre. Në këtë ditë duhet të gjithë të zbulojmë gëzimin e të qenit të Krishtit, të krishterë – porositi të rinjtë ipeshkvi, e duke shtjelluar lumturitë e Jezusit, ai inkurajoi që të mos dorëzohen përballë sfidave, vështirësive, tundimeve të botës, por ta drejtojnë shikimin e sigurt të tyre në Krishtin, që sipas shembullit të të lumit Karlo Akutis të mbërrijnë luminë, që e jep vetëm Jezusi.
Pjesa e dytë – programi artistik: Pas meshës, programi artistik, i përgatitur nga të rinjtë e dioqezës, nën udhëheqjen e këshillit të baritores rinore, vazhdoi në Qendrën “BogdaniPolis”. Programi ishte i gërshetuar me muzikë, këngë, valle, video/dëshmi mbi jetën e Karlo Akutis dhe ligjërata e Don Bledar Huba, përgjegjës për bashkësinë e salezianëve në Gjilan./drita.info