Konferencë e Caritas Kosova në Mitrovicë: Paqja dhe pajtimi janë të mundshme, dëshmuan të gjithë njëzëri

Dje, më 1 dhjetor 2023, në Mitrovicë, u mbajt Konferenca “Paqja dhe pajtimi janë të mundshme”, i organizuar nga Caritas Kosova. Ky event i rëndësishëm në qytetin e Mitrovicës, dha një shembull konkret për paqe, nga lidershipi i Caritasit, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues akademikë, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe promovues të paqes. Kjo ngjarje ishte një dëshmi e fuqishme e ndikimit transformues që mund të ketë uniteti, mirëkuptimi dhe qëllimi i përbashkët.

Në sfondin e rrethanave delikate në veri të vendit, Caritas Kosova e realizoi këtë konferencë e cila mblodhi së bashku shumë qytetar për të konstatuar njëzëri se Paqja dhe Pajtimi janë të mundshme.

Don Viktor Sopi, drejtori gjeneral i Caritas Kosova hapi konferencën me porosinë që duhet të kultivojmë dashuri për njëri-tjetrin për të arritur deri te paqja dhe pajtimi. Ai po ashtu theksoi angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Caritasit për të qenë shembull i promovimit të paqes dhe mbështetjes së njerëzve pa dallim.

Imzot Dodë Gjergji, president i Caritas Kosova, i dha drejtimin konferencës duke eksploruar hapa veprues drejt arritjes së paqes dhe pajtimit. Vështrimet e tij ishin udhërrëfyes për tejkalimin e sfidave me të cilat përballet shoqëria në këtë pjesë të vendit. Ai porositi: ”Mos keni frikë nga paqja dhe guxoni të pajtoheni. Paqja fillon duke eksploruar thelbin e dinjitetit njerëzor në gjithanshmërinë e kuptimit që bartë në vete. Më e rëndësishme ndër të gjitha dimensionet e paqes mes njerëzve është vetëdija: që të gjithë njerëzit janë të barabartë, dhe çdo njeri gëzon të drejtën të jetoj i lirë dhe në paqe. Pasi, jeta në paqe, ofron dobi të shumta për secilin veç e veç, dhe për të gjithë së bashku.” – porositi ipeshkvi dhe vazhdoi: “Personat që janë të gatshëm për pajtim tashmë kanë kaluar një udhëtim të brendshëm dhe një proces reflektimi duke shqyrtuar ndërgjegjen. Këndej, janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë, të komunikojnë e të bashkëndajnë përvoja të tilla me të tjerët. Sikur janë bashkëpunëtorët në Caritas Kosova dhe në disa organizata tjera që punojnë në dobi të paqës dhe pajtimit. Puna dhe dëshmia e këtyre njerëzve të lirë e të guximshëm na bëjnë të besojmë se paqja  dhe pajtimi nuk janë një utopi, por një dëshmi reale jetëve njerëzore në Kosovë. Në veçanti, të atyre që jetojnë këtu në veri.”

Drejtoresha akademike e IBCM, znj. Jelena Djokic, u thellua në fuqinë transformuese të arsimit në shërimin e përçarjeve. Diskursi i saj hodhi dritë mbi mënyrën sesi arsimi mund të jetë një mjet i fuqishëm në nxitjen e mirëkuptimit dhe unitetit. Ajo po ashtu foli mbi aspekte praktike të krijimit të kushteve për kultivimin dhe promovimin e paqes dhe të pajtimit në institucionin që ajo drejton.

Z. Xhemajl Veliqi, nga Universiteti Isa Boletini, hulumtoi rolin kryesor të njohjes në mes të njerëzve dhe komuniteteve dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë në rrugëtimin drejt paqes së qëndrueshme. Diskursi i tij theksoi rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të bazuara në mirëkuptim dhe besim si hap esencial për arritjen e paqes në mes të njerëzve.

Znj. Blagica Radovanoviq, drejtoreshë e OJQ-së Santa Maria, theksoi rolin vendimtar të grave në procesin e ndërtimit të paqes. Vështrimet e saj hedhin dritë se si pjesëmarrja aktive e grave mund të kontribuojë për një paqe më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ajo paraqiti aspekte praktike të bashkëpunimit në mes të grave, pa dallim, për të mirën e përbashkët.

Konferencën e pasuruan edhe dëshmi nga bashkëpunëtor dhe përfitues të mbështetjes së Caritas Kosova.

Kjo konferencë dhe përkushtimi i Caritas Kosova për të nxitur unitetin dhe mirëkuptimin padyshim që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Mitrovicë, duke frymëzuar individët dhe komunitetet që të vazhdojnë të ndërtojnë ura drejt një të ardhmeje të përbashkët.(Caritas Kosova)

Shpëndaje: