Porosia e Imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje 2023

“Lavdi Hyjit në më të lartin qiell

e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” ( Lk 2,14)

 

Të dashur vëllezër e motra në pagëzim,

dhe ju njerëz vullnetmirë,

 

Me gëzimin e engjëjve po vij te Ju me porosinë time për festën e Kërshëndellave, për të bashkëndarë gëzimin e kësaj feste, dhe  për t’ju grishur ta pranojmë, t’i besojmë dhe ta duam me gjithë zemër Jezusin, foshnjën e Betlehemit. Pasi, më Të, jeta jonë do të shndërrohet në këngë qiellore, si himn lavdie ndaj Hyjit dhe si këngë lahute për paqe në familje, në popullin tonë dhe në mbarë dheun.

Mishërimi i Fjalës në kraharorin e një virgjëre, në familjen e re të Marisë dhe Jozefit, dhe lindja e tij në heshtjen e një nate dimri është dëshmi e madhe dashurie. Hyji nuk ka dashtë të vijë ndër ne duke manifestuar forcën e gjithëpushtetësisë dhe lavdisë së tij, për të na frikësuar ose për të na detyruar t’i nënshtrohemi Atij, por, duke merr natyrën tonë njerëzore, me përvujtëri e shfaqi  dashurinë e tij atërore ndaj nesh. Me këtë mënyrë, Ai ka dashur të vejë paqen mes Krijuesit e krijesës, Hyjit të tejetshenjtë e njeriut mëkatar. E përmes kësaj marrëdhënie të pastër dashurie, paqja e tij, hiri dhe e vërteta të banojnë në zemrat e njerëzve për të krijuar shenjtër që rrezatojnë dhe përçojnë me jetët e tyre dritë hyjnore në botë.

Paqja dhe pajtimi realizohen në jetën e të pagëzuarve në plotni, kur çdo i pagëzuar jo vetëm që arrin ta ketë dhuratën e madhe që jep Princi i paqes, por ai vetë bëhet dhuratë e Zotit për botën, si kasnec e dëshmitar. Si i tillë, ai gjatë gjithë ditëve të jetës së tij shndërrohet në ftesë hyjnore për gjithë njerëzit, që të bëhen zemërbutë e të përvujtë, që ta duan e mos të tremben, sikur thoshte Jezusi nxënësve të vet: “Mos kini frikë! (Lk 2,11a). E, kjo paqja që buron prej Krishtit (khs. Gjn 14,27), e mbillet në jetën e atyre që kanë dhuratë prej Zotit dhe në emër të tij punojnë për paqe mes njerëzve, është këngë e vazhdueshme e korit të engjëjve dhe të pagëzuarave, që jehonë në botë: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve”!

Miq dhe dashamirë,

Me gjithë zemër uroj që paqja e Hyjit të mbretërojë në zemrat tuaja, “pasi aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur” (Gjn 3,16). E, mbretëria dhe paqja e Tij s’do të ketë mbarim (khs. Is 9, 6). Këndej, përvujtnisht të përkulemi para kësaj Foshnje dhe t’ia dhurojmë frytet e paqes dhe të dashurisë së tij, që kemi grumbulluar gjatë ditëve të jetë sonë, sepse “Hyji është Dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.” (1 Gjn 4, 16b).

Për shumë mot Kërshëndellat!

Ipeshkvi juaj,

+ Dodë Gjergji

Shpëndaje: