ANDRE BOGDANI, argjipeshkëv i Shkupit (1656 – 1677)

Nga Don Frok Zefi

 

Sipas të dhënave për fëmijët nën përkujdesje të kolegjit në Loreto, Andre Bogdani ka lindur në fshatin Gianani të Dioqezës së Prizrenit.[1]  Do të jetë se është vetëm një emër tjetër për fshatin Guri, të cilin mons. Gasper Gjini e përmend si vendlindjen e Andre Bogdanit.[2]  Ka disa të dhëna të ndryshme për vitin e lindjes së tij. Sipas llogaritjeve të Gaspar Gjinit, ky mendon se Andre Bogdani ka lindur rreth vitit 1600.[3] Sipas të dhënave të nipit të Andreut, Pjetër Bogdanit, mund të konkludohet, thotë mons. Gjini, se Andrea ka lindur në vitin 1605.[4]   Ekziston një mendim se Andrea ka lindur në 1595.[5] Farlati tregon se Andrea ka lindur në vitin 1607.[6]

Mirëpo, ndër të dhënat për fëmijët nën përkujdesje të kolegjit Ilir në Loreto është edhe ajo për Andre Bogdanin, 24 vjeç në momentin e hyrjes në kolegj.[7] Me urdhër të Kongregatës së Shenjtë për Përhapjen e Fesë, Andre Bogdani hyri në Kolegjin Ilirik në Loreto më 6 gusht 1631. Nga informacioni për fëmijët birësues shihet se çdo fëmijë nën përkujdesje duhet të sillte një certifikatë pagëzimi dhe çdo certifikatë të marrjes së tonsurës së parë ose të urdhrave më të ulëta të marra, nëse kujdestari në fjalë i kishte marrë para se të vinte në kolegj. Jezuitët, të cilët ishin drejtues dhe edukatorë në Kolegjin Ilirik, futnin me ndërgjegje informacionin për çdo fëmijë nën përkujdesje. Prandaj viti 1607 mund të konsiderohet si viti i sigurt i lindjes së Andre Bogdanit. Ky informacion nga lënda arkivore për Kolegjin Ilirik përkon me vitin e lindjes së Andreut, 1607, të dhënë nga Farlati në veprën Illyricum Sacrum.

Prandaj, ai erdhi në kolegj si një djalë i ri 24 vjeçar. Si një fëmijë birësues, por që ishte për kah numri i tepërt, ai hyri në kolegj më 6 gusht 1631, me urdhër të Kongregatës për Përhapjen e Fesë.[8]  Katër urdhrat më të ulët ai i mori në Reçanati më 22 dhjetor 1635. Më 27 dhjetor e mori nëndiakonatin dhe diakonatin më 30 dhjetor 1636. Të gjitha këto urdhra, si dhe presbiteratin, që ai mori më 20 janar 1636 në Maçerata, iu dhanë nga Papa Amico Panico, peshkopi i Reçanatit dhe Loretos.[9] Me lejen e Kongragatës u kthye në atdhe më 10 shtator 1636. Ai shërbeu në vende të ndryshme si meshtarë: fillimisht në Shegjeç, pastaj në Guri i Hasit dhe më 1647 ishte në Prizren.[10] Ai u bë argjipeshkëv i Ohrit,[11] e më vonë i Shkupit.

 

  1. Misionar apostolik i argjipeshkëvies së Shkupit

Andre Bogdani përmendet në raportin e argjipeshkvit të Tivarit, Gjergj Bardhi, drejtuar Kongregatës së Këshillit për argjipeshkvinë dhe famullitë e tij në Serbi nga 4 shkurt 1640, si prift të cilin e mirëmban (mbështetë) Kongregacioni me 30 skuda në vit.[12] Mes 12 prillit dhe 24 nëntorit 1642, argjipeshkvi i Tivarit Gjergj Bardhi shkroi një raport mbi vizitën kanonike të katolikëve në Serbi. Në atë kohë, Don Andre Bogdani ishte famullitar në fshatin e tij të lindjes, Guri.[13]

Në vitin 1644, misionarin apostolik Don Andre Bogdanin e gjejmë si famullitar në Shegjeç. Domethënë, nga Shegjeçi, më 20 mars 1644, Don Andre Bogdani i dërgoi një raport sekretarit të Kongregatës për Përhapjen e Fesë, Francesco Ingoli, lidhje me veprimtarinë e tij baritore në vende të fortifikuara.[14]

 

  1. Argjipeshkëv i Ohrit

Në vitin 1651, Don Andre Bogdani ishte prift në Prishtinë. Kongregata kërkonte një person të përshtatshëm për argjipeshkëv të Ohrit. Si kandidati më i mirë u cilësua prifti në Prishtinë, shqiptari Andrea Bogdani, “një nga priftërinjtë më të mirë të asaj krahine”.[15]  Franjo Bolizza e propozoi atë në vitin 1649, siç mësojmë nga letra e tij drejtuar kardinalit Capponi, për argjipeshkëv të Ohrit. Megjithatë, në të njëjtin vit, argjipeshkvi i Pizës propozoi Gjergj Vladanin për të njëjtën seli,  ose për atë në Pult. Kështu që çështja u shua për një kohë. Inocenti X i besoi atij, Andreut, administrimin e dioqezës së Ohrit në vitin 1651.[16] Andre Bogdani mori shugurimin ipeshkvor në Dubrovnik. Prej aty, më 3 dhjetor 1651, ai kërkoi lejen e Kongregatës për të jetuar në Janjevë ose Prishtinë, siç iu lejua edhe paraardhësit të tij, Rafael Levakoviqit. Argjipeshkvi i Ohrit Andre Bogdani ishte informuar me saktësi se në Ohër nuk ka pothuajse asnjë katolik, ndaj as që donte të shkonte atje.[17] Përveç kësaj, Bogdani kishte frikë se sllavo-ortodoksët vendas mund ta vrisnin.[18] Nuk dihet se çfarë iu përgjigj Kongregata kësaj kërkese të argjipeshkëv Bogdanit, por është e vërtetë se ai, me këshillën e nipit të tij Pjetër Bogdanit, e në kryeveti, si argjipeshkëv i Ohrit, mori Dioqezën e Prizrenit, ndërsa ipeshkvi i së cilës Franjo Sojmiroviqi, me urdhër të Kongregatës, ishte i zënë me një punë në Vllahi, nga ku u kthye në maj të vitit 1652.[19]

 

  1. Argjipeshkëv i Shkupit

Pas një keqkuptimi mes argjipeshkvit Bogani dhe ipeshkvit të Prizrenit Sojmiroviq, komisioni kardinal në Romë mori një vendim të ri për këtë çështje. Bogdani duhej të merrte administrimin e Dioqezës së Prizrenit, si dhe titullin argjipeshkëv i Shkupit dhe administrator i Serbisë. Ndërsa, ipeshkvi i Prizrenit Sojmiroviq u transferua në Ohër. Kufijtë e rinj të dy dioqezave, Prizrenit dhe Ohrit, do të përcaktoheshin nga lumi Morava. Duket se Bogdani fillimisht ka tentuar të banojë në Shkup. Në këtë rast, ky do të ishte argjipeshkëv i parë që u përpoq të rivendoste selinë e Shkupit pas pushtimit turk. Megjithatë, ai gjeti shumë pak katolikë në qytet, pasi shumë prej tyre tashmë ishin konvertuar në islam. Pastaj Bogdani kërkoi strehim në Janjevë, ku banoi, sepse katedralja e Shën Venerandes në Shkup ishte shndërrua në xhami. Në ato kohë të vështira, ai bëri shumë për ta ruajtur dhe rivendosur besimin, i cili tanimë kishte vdekur në shumë zemra. Nuk përkon aspak me të vërtetën se Bogdani nuk ka qenë aktiv në shërbim. E shohim, përkatësisht, se qysh në ditët e para të shërbimit të tij, ai kërkoi ndihmë nga Propaganda për pesë misionarë, për Prishtinën, Trepçën (Mitrovicën), Malin e Zi (Letnicë), si dhe fshatrat Gilase (Gjilan), Bresalce (Bresalcë) dhe Bërnizë (Bërnicë). Në të njëjtin vit, ai raporton për misionarë në pesë vende të ndryshme, të cilët njiheshin si komunitete katolike të mirëorganizuara në ato rajone. Tregimi i tij shterues për të gjitha vendet me jetën katolike në atë kohë, me shumë detaje, tregon një meshtar vërtet të zjarrtë dhe të zellshëm.[20]

 

  1. Dorëheqja nga argjipeshkvia e Shkupit

 Andre Bogdani, argjipeshkvi i Shkupit, i shkruante Kongregatës më 16 qershor 1676 se tashmë ishte 76 vjeç, që ndjente dhimbje këmbësh dhe se kishte edhe vështirësi të tjera. Ai nuk mund të shkojë më as në Shkup, kryeqytetin e selisë e tij, për të kryer shërbimin ipeshkvor. Dhe aq më pak ai mund të shkojë në vende të largëta dhe vështirë të arritshme të argjipeshkvisë së tij për vizita. Prandaj, ai kërkon nga Kongregata që t’i japë leje njërit prej ipeshkvijve fqinjë për ta ndihmuar herë pas here duke i vizituar ato vende. Ai i kujton Kongregatës se një leje të tillë e lëshoi me kërkesë të Fratit Simon Summa, ipeshkëv i Sapës, në 1671.[21]

Më 2 shtator 1676, argjipeshkvi Andrea iu lut Papës që ta lironte nga detyra si argjipeshkëv i Shkupit, sepse ai tashmë është i moshuar dhe i mbushur (grumbulluar) me sëmundje të ndryshme, prandaj me shumë vështirësi mund të kryejë detyrën ipeshkvore. Ai nuk mund të vizitojë më besimtarët e tij, të cilët janë shumë larg njëri-tjetrit. Për shkak të kësaj, argjipeshkvisë tashmë i kanë mbaruar disa herë vajrat e shenjta, kështu që ata (meshtarët) duhej t’i kërkonin për famulli nga dioqeza të tjera. Duke dashur t’ia lehtësonte ndërgjegjen, me vendosmëri ka vendosë, me lejen e Papës, t’iu falënderonte për shërbimin. Është i varfër dhe për të pasur mundësi të jetojë me dinjitet edhe atë pak kohë që i ka mbetur, ai heq dorë nga argjipeshkvia e Shkupit dhe posti i administratorit të gjithë Serbisë në favor të Pjetët Bogdanit, ipeshkvit të Shkodrës dhe jo në favor të askujt tjetër. Duke e shfrytëzuar të drejtën e tij në mënyrën më të mirë, Papa mund ta emërojë Pjetrin Bogdanin argjipeshkëv të Shkupit, sepse nuk ka kundërshtim nga ana e Andre Bogdanit.[22]

Duke falënderuar Kongregacionin në shërbim të argjipeshkvisë të Shkupit në të njëjtën ditë, më 2 shtator 1676, argjipeshkvi Andre Bogdani përsëri thotë se heq dorë nga argjipeshkvia në favor të Pjetër Bogdanit, nipit të tij, dhe jo në favor të disa të tjerëve. Ai lutet që t’i pranohet falënderimi dhe të rekomandohet e ndërmjetësohet para Papës.[23]

Dorëshkrimi tregon se të dy falënderimet e Andresë janë shkruar nga argjipeshkvi Pjetër Bogadani i Shkodrës dhe se argjipeshkvi Andrea vetëm i ka nënshkruar ato. Ndoshta në të njëjtën ditë, pa shënuar vendin dhe datën, Pjetri i shkroi një kërkesë Papës për ta emëruar atë argjipeshkëv të Shkupit, pas të gjitha vështirësive dhe shqetësimeve që përjetoi si ipeshkëv i Shkodrës.[24]

 

  1. Vdekja e Andre Bogdanit

Pas vdekjes së argjipeshkvit Sojmiroviq në vitin 1675, atij iu besua administrimi i Dioqezës së Ohrit. Andrea Bogdani, argjipeshkëv i Shkupit  vdiq në vitin 1684. Pas vdekjes së tij, Kongregatës iu dërgua një kërkesë për të filluar procesin e beatifikimit të tij.[25]/drita.info

 

Fusnotat:

[1] Josip JURIĆ SI – Mijo KORADE SI, Iz arhivske građe o Ilirskom kolegiju u Loretu, Podaci o pitomcima Ilirskog kolegija u Loretu (1580 – 1658), Vrela i prinosi, Zbornik za povijest isusovačkoga reda u Hrvatskim krajevima, 13, Zagreb, 1982., f. 75

[2]  Gaspër GJINI, Skopsko-prizrenska biskupija kroz stoljeća, KS, Zagreb 1986, f. 187

[3]  Gaspër GJINI, Skopsko-prizrenska biskupija kroz stoljeća, KS, Zagreb 1986, f. 187, nota nr. 1

[4] Gaspër GJINI, Skospko-prizrenska biskupija kroz stoljeća, KS, Zagreb 1986, f. 187, nota nr. 1

[5] Gasper Gjini, vepër e cituar, f. 178, nota nr.1. Shih, Hylli i drites, nr.9-10, Skodër 1934, f. 435

[6] Gaspër GJINI,vepër e cituar, f.187, nota nr.1. FARLLATI, Iliricuk sacrum, VIII, 20.

[7] Josip JURIĆ SI – Mijo KORADE SI, vepër e cituar, f. 75

[8]  Josip JURIĆ SI – Mijo KORADE SI, vepra e cituar, f. 75

[9]  Jospi JURIĆ SI – Mijo KORADE, vepra e cituar, Vrela i prinosi, 14, f. 171

[10]  Gaspër GJINI, vepër e cituar, f. 187

[11]  Josip JURIĆ SI -Mijo KORADE SI, vepra e cituar, Vrela i prinosi, 13, f. 75

[12]  Marko JAČOV; Spisi tajnog vatikanskog arhiva XVI-XVIII veka, Beograd, 1983 f. 54

[13]  Marko JAČOV, Spisi Kongragacije za propagandu vere u Rimu o Srbima, 1622-1644,I. Beograd 1986,

[14]  Markom Jačov, Spisi Kongregacije…f. 623

[15] Jovan RADONIĆ, Rimska Kurija i Južnoslavenske zemlje od XVI-XVIII veka, Beograd, 1950, f. 244

[16] Gaspër GJINI, o.c., f. 187

[17] Jovan RADONIĆ, o.c., f. 244

[18] Lettere antiche, vol. 220, f. 324, J. RADONIĆ, o. c. f. 244

[19] Lettere antiche, vol. 220, f. 324, J.RADONIĆ,  o. c. f. 244

[20] Gaspër GJINI, o. c. f. 187

[21] Arhivio Storico della Congregazioni de Propaganda Fide (ASCPF), Sciture Originali riferite nelle  Gongragazioni Generali,(SOCG)  vol. 458, f. 301rv

[22] ASCPF, SOCG, vol, 462, f. 179rv

[23] ASCPF, SOCG, vol. 462, f. 177rv

[24] ASCPF, SOCG, vol. 462, f. 175rv,

[25] Gaspër GJINI, o. c. f. 188

Shpëndaje: