Nga Don Frok Zefi
a) Origjina dhe studimet
Gjon Nikollë Kazazi është lindur në Gjakovë në vitin 1702,[1] nga babai Nikolla[2], kurse emrin i nënës nuk është i njohur. Sipas dëshmisë të Feliks Mandinit, priftit të ipeshkvisë së Budves, Gjoni “ka rrjedhur nga prindërit besimtarë krishterë të ndershëm, nga një martesë legjitime.”[3] Letrat e veta të dërguara Kongregatës për përhapjen e fesë shpeshherë i firmos me mbiemrin Nikolloviq (Nicolovich), e disa herë këtij mbiemri sllav ia bashkangjitë nofkën KAZAZI. Kështu në relaten mbi vizitën e Ipeshkvisë katolike në Bullgari në vitin 1742, është firmosur: “Gjon Nikolloviq (Casasi) nga Gjakova.[4] Në letër të 10 marsit të vitit 1743, ngjit me mbiemrin Nikolloviq, ai e shton nofkën Kazazi. [5] Betimin e dhënë si argjipeshkëv i Shkupit i zgjedhur, ai kështu e fillon: “Unë Gjon Pagëzuesi Nikolloviq Kazazi …”[6] Meqë mbiemrin e kishte të sllavenizuar, me siguri me nofkën Kazazi ai ka dëshiruar të thekson se është me origjinë shqiptar.
Studimet i filloi si konviktor i kolegjit Ilirik Shën Pjetri dhe Shën Pali në Fermo, ku ka arritur më 21 maj 1720.[7] Që nga muaji qershor të njëjtit vit, ai kaloi në Loreto, në Kolegjin ilirik të atjeshëm.
Sipas dëshmisë së dëshmitarit me rastin e emërimit për argjipeshkëv të Shkupit më 1743, Gjoni atëherë i kishte 41 vjet.[8] Kjo do të thotë që ka lindur në vitin 1702, dhe si djalë i ri 18 vjeçar filloi studimet.
Duke bërë regjistrin e konviktorëve të kolegjit ilirik të Loretos, që çdo vit është dërguar Kongregatës për përhapjen e fesë, rektori i kolegjit gabimisht ka shënuar se Gjoni i ka 16 vjet. Përveç asaj, rektori ka shënuar që Gjon Nikolloviqi është nga Gjakova, që studion lëndët gramatikore, që në kolegj ka zënë vendin e zbrazët të argjipshkvnisë së Shkupit dhe se ka një vit që është në kolegj.[9] Gjoni në vitin 1722 ka studiuar lëndët retorike.[10] Në vitin 1723 ka studiuar filozofinë.[11] Meqë mungojnë regjistrat e konviktorëve për disa vite të ardhshme, në bazë të tyre nuk mund të konkludohet se cilin vit Gjoni i ka mbaruar studimet në Loreto. Mirëpo, tanimë i përmenduri dëshmitari Feliks Medini me rastin e emërimit të Gjonit për argjipeshkëv të Shkupit, dëshmon se kishte 16 vjet që Gjoni kryente detyrën e priftit.[12] Nga kjo dëshmi mund të konkludohet që Gjoni studimet i ka mbaruar në vitin 1727, dhe se po atë vit ai është shuguruar për prift. Duke përfunduar studimet, Gjoni ka doktoruar në filozofi dhe teologji.[13]
b)Misionari apostolik
Argjipeshkvi i Fermos, Imzot Allesandro Borxhia di Velletri, Gjon Nikollë Kazazin e ka pranuar në rendin e prezbiterianve.[14] Kur Don Gjoni është kthyer në argjipeshkvinë e Shkupit, argjipeshkvi Mikel Suma e emëroi misionar në Prizren. Në relaten mbi vizitën kanonike të argjipeshkvisë së Shkupit të vitit 1729, Suma cekë se në mision në Prizren janë dy priftërinj – Don Ndre Sergnia dhe Don Gjon Nikolloviqi. Ata kujdesen për 12 shtëpi të krishtera me 85 frymë. Atje argjipeshkvi i ka krezmuar 20 meshkuj dhe 15 femra. Këta priftërinj kujdeseshin edhe për vendbanimin e Saristës, në të cilin kishte 6 familje me 60 frymë, nga të cilat argjipeshkvi i krezmoj 6 meshkuj dhe 2 femra. Këta misionar kujdeseshin edhe për 200 shpirtra të shpërndarë nëpër rrethinën e Prizrenit.15 Don Gjoni është transferuar nga Prizreni në Gjakovë për shërbim pastoral, të cilin e kryente së bashku me Don Anton Teodorin.16 Si misionar në Gjakovë merrte ndihmë prej 25 skudash në vit nga Kongregata për përhapjen e fesë.17 Këtë ndihmë e ndante me Anton Teodorin, i cili shërbente në Zogaj, e banonte në Gjakovë. Në vitin 1734 Don Gjoni e firmosi dëftesën në të cilën shkruante: “Unë më poshtë i firmosuri Gjon Nikolla, misionar në Gjakovë, vërtetoj se kam marrë nga kryemurgu Jurje Jurjeviq 25 skuda dhe deklaroj se me këtë kam mbuluar shpenzimet për një vit, ndihmë kjo e cila vjen nga hirësia e Kongregatës së Shenjtë për përhapjen e fesë, dhe me këtë deklaroj se i kam të mbuluara shpenzimet deri në fund të vitit 1744, me çka e vërtetoj me firmën personale.”18 Meqë Don Gjoni një pjesë të vitit 1734 ka jetuar në Prizren si misionar, dhe meqë ndihmat i kanë arritur në mision ai është firmosur si misionar i Prizrenit.19
Në relatën mbi vizitën kanonike argjipeshkvisë së Shkupit, argjipeshkvi Suma thotë se misioni i Gjakovës i ka 25 familje besimtarësh katolikë dhe 126 frymë. Në këtë mision bën pjesë edhe famullia e Zogajve, e cila është larg nga qendra tri orë ecje, e cila ka 14 familje besimtarësh katolik me 218 frymë, Radogoshi me 20 familje besimtarësh dhe 200 frymë, Rypa me 13 familje besimtarësh dhe 205 frymë, CRASTROSINA20 me 13 familje besimtarësh dhe 180 frymë BROCANZI21 me 5 familje dhe 47 frymë, DUIANCHE22 me 6 familje besimtarësh dhe me 90 frymë. Përpos fshatrave të përmendura në rrethinë ka edhe 1.000 frymë të cilave sakramentet ua ndan vikari gjeneral Don Gjon Nikolla dhe kolegu i tij Don Anton Teodori.23
c) Vikar gjeneral
Mikel Suma e ka emëruar Don Gjonin si vikar gjeneral ngase ai dallohej për zgjuarsi dhe mençuri të veçantë. Në dëshminë e lartpërmendur Don Gjoni ishte firmosur si vikar gjeneral dhe misionar i Prizrenit.24 Në të njëjtën relatë nga viti 1735, argjipeshkvi Suma thotë se Don Gjoni është misionar dhe vikar gjeneral në Gjakovë.25
Kur argjipeshkvi Suma u largua në vitin 1737 nga argjipeshkvia me një pjesë të besimtarëve, Don Gjoni si vikar gjeneral ka drejtuar argjgjipeshkvinë e Shkupit. Françeskanët në letrën e datës 23 mars të vitit 1738, e informojnë prokuratorin gjeneral të misioneve në Romë, se turqit kanë shtirë me armë në vikarin gjeneral të argjipeshkvisë së Shkupit.26
Vitet pas luftës austro-turke 1737-1739, si vikar gjeneral i argjipeshkvisë së Shkupit, ishin shumë të rënda. Pra Don Gjoni në vitin 1740 sipas të gjitha gjasave në marrëveshje me argjipeshkvin e Zarës, Vinçenc Zmajeviqin, mbikëqyrësin apostolik për Shqipëri, Serbi dhe Bullgari, udhëton në Romë. Me atë rast ai vetë dorazi i ka dhënë Kongregatës për përhapjen e fesë, relatën në të cilën shqyrton disa gjëra të veçanta të cilat kanë të bëjnë me priftërinjtë, të cilët kishin qenë konviktorë të Kongregatës dhe në disa të tjerë që nuk kishin qenë konviktorë.
Me siguri me propozimin e mbikëqyrësit apostolik për Serbi, Shqipëri dhe Bullgari, argjipeshkvit të Zarës, Vinçenc Zmajeviqit, Don Gjoni është emëruar vizitator apostolik i argjipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopoles në Bullgari. Kjo relatë kishte pasoja të rëndësishme për besimtarët katolik bullgar, të cilët kishin mbetur pa ipeshkëv dhe priftërinj.
d) Argjipeshkëv
Argjipeshkvi i Zarës dhe mbikëqyrësi apostolik, Vinçenc Zmajeviqi, shkruan më 20 shtator 1742, nga Zara, Kongregatës për përhapjen e fesë falënderim të veçantë argjipeshkvit Mikel Sumës në argjipeshkvinë e Shkupit. Zmajeviq me gjithë shpirt dëshiron që pasardhës i Sumës të jetë “zotëri Gjon Nikolla, vikari gjeneral i tij dhe vizitatori i tanishëm apostolik i Bullgarisë.” Më të mirë se ai nuk ka, meqë si prift është “njeri i shenjtë, i shkolluar dhe shumë i mençur.” Në fund Zmajeviqi thotë: “Zoti le të frymëzoj shëmbëlltyrën tuaj, ngase Nikolla më së shumti i përgjigjet shpëtimit të argjipeshkvisë, e cila ishte e shkatërruar dhe e lënë në harresë nga lufta e kaluar, ende gjallëron me providencën çudibërëse të zotit, prudencës së shenjtë dhe dashurisë së merituar të vikarit Nikollë.”27
Kongregata për përhapjen e fesë ka shpallur dekret me të cilin Gjon Nikollë Kazazin e propozon për argjipeshkëv të Shkupit me 12 maj 1743. Dekreti është bërë publik në mbledhjen plenare të Kongregatës, në të cilën është diskutuar për emërimin e ipeshkvit të viseve Bullgare, falënderimin e argjipeshkvit Mikel Sumës dhe propozimin që Don Gjon Nikollë Kazazi të emërohet për argjipeshkëv të Shkupit.
Me dekretin e datës 23 shtator 1743, papa Benedikti XIV, Don Gjonin e pranoi për argjipeshkëv të Shkupit. Kurse Kardinali Portokarrero e shuguroi Don Gjonin, me 29 shtator 1743, në Romë.28
Gjatë qëndrimit në Romë, Gjoni në vitin 1740 zbuloi në Bibliotekën e Kongregatës për përhapjen e fesë29 të vetmin ekzemplarë të ruajtur deri me sot të “Mesharit”30 të Gjon Buzukut i botuar në vitin 1555. Pastaj ka botuar veprën origjinale me titull: “Breve Compendio della Dottrina Christiana,” e shtypur në Romë në vitin 1743. Pas faqeve hyrëse, në të cilat gjenden emrat e personave që kanë lejuar dhe kontrolluar tekstin, vjen nënshkrimi i autorit: “D. Joanne Nicolovich Casasi vicari generali archiepiscopi Uscopiensis.” Nga këta rreshta vërehet se vepra fillimisht ishte e shkruar në latinisht e italisht e më vonë ishte përkthyer në shqip. Nga faqja 5-45 është shtypur teksti shqip me titull “Doktrina e Kërshten.” Vepra ka një vlerë të rëndësishme ngase është shkruar në dialektin, i cili në atë kohë është folur në Gjakovë dhe në rrethinë.31 Argjipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi është përpjekur, kur kishte mundësi, personalisht të kryente vizitat “Ad Limina Apostolorum”. Bernardin Botiniusi, kanonik ALTARISTA i bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, ka lëshuar dëshminë që Gjon Nikolla, argjipeshkv i Shkupit personalisht ka vizituar “pragun e bazilikës së Apostullit të Parë,” më 14 prill 1744.32 Të njëjtën ditë e ka vizituar edhe bazilikën e Shën Palit në rrugën e Ostisë. Për këtë vizitë dëshminë e ka lëshuar benediktini Viktor Amadeus Patrici, famullitar i kuvendit.33 Argjipeshkvi Gjon Nikolla në vitin 1750 për herë të fundit ishte në Romë dhe me atë rast personalisht bëri vizitën “ad Limina”. Ignacije Reali, kanonik ALTARISTA i bazilikës së Vatikanit ka lëshuar dëshminë me të cilën tregon se argjipeshkvi i Shkupit personalisht e ka vizituar bazilikën e Shën Pjetrit, me 2 prill të vitit 1750.34 Ndërsa benediktini Leander Perfeti vikar i kuvendit me dëshminë e tij tregon se Gjon Nikollë Kazazi, argjipeshkëv i Shkupit, me 2 prill të vitit 1750 e ka vizituar bazilikën e Shën Palit në rrugën e Ostisë.35 Gjon Nikollë Kazazi, argjipeshkvi i Shkupit ka vdekur me 5 gusht të vitit 1752.36 Mbas vdekjes së tij, argjipeshkvinë një kohë e ka drejtuar Don Nikollë Mesi.37 Mesi në thirrjen dhe lutjen e Gjon Nikollës ka ardhur në arqiipeshkvinë e Shkupit.38 Me 15 janar të vitit 1753, për arqiipeshkv të Shkupit është emruar Antonio Vokativo, një i huaj i cili nuk kishte guxim të pranoi atë detyrë.39/drita.info
___________________________________________
[1] ASV, PROCESSUS DATARIAE, v. 120, f. 371 v.
[2] ASV, PROCESSUS DATARIAE, v, 120, f. 379 r.
[3] ASV, PROCESSUS DATARIAE, v. 120, f, 371 v.
[4] ASCPF, SOCG, v. 715, f. 185 v, Visita delle Diocesi di Soffia e Nicopoli nella Bulgaria.
[5] ASCPF, SOCG, v. 715, f.
[6] ASV, PROCESSUS DATARIAE, v.120, f. 360 r, FORMA JURAMENTI proffessionis FIDEI A Cathedralibus. EGO Joannes Bapta Nikolovich Casasi Electus Ecclae. Archiepis Scopien in Servia firma Fide credo…
[7] BARTOCETTI, Vitorio, Il Collegio Ilirici di san Pietro e Paolo di Fermo (1663-1746), Studia Picena, v. XI, Fano 1935.
[8] ASV, PROCESSUS DATARIAE, v. 120, f. 371 v.
[9] ASCPF, COLLEGI VARI, v. 35, f. 658.
[10] ASCPF, COLLEGI VARI, v. 35, f. 661.
[11] ASCPF, COLLEGI VARI, v. 35, f. 674.
[12] ASV, PROCESSUS DATARIAE, v. 120, f. 371 v.
[13] ASCPF, SC, SERVIA, v. 1, f. 352 r
[14] ASCPF, SC, SERVIA, v. 1, f. 352 r.
15 ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 263.
16 ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 264.
17 ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 264.
18 ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 264.
19 ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 266.
20 Emër vendbanimi i panjohur
21 Emër vendbanimi i panjohur
22 Emër vendbanimi i panjohur
23 ASCPF, SOCG, v. 686, nr. 9, ff, 26-27.
24 ASCPF, SC, Servia, v. 1, f. 266.
25 ASCPF, SOCG, v. 686, nr. 9, ff, 26-27.
26 ASCPF, Acta, v. 108, Diskutuar në takimin e Kongregatës me datë 14 prill të vitit 1738.
27 ASCPF; SOCG, v. 715, f. 240.
28 ASV, Procesus datarie, v. 120, ff. 360rv, 368.
29 Biblioteca de Propaganda Fide, Roma
30 Missale Romanun in Lingua Albanese
31 GJINI, dr. Gaspër, Ipeshkvija Shkup-Prizren nëpër shekuj, Zagreb, 1986, f. 174.
32 ASV, S. Congreg. Concili-Relat. Visitationes ad limina – Scopien, v. 728. Dokumentet janë të radhitura sipas
viteve, por nuk janë të faqosura, (paginuara).
33 ASV, S. Congreg. Concili-Relat. Visitationes ad limina – Scopien, v. 728.
34 ASV, S. Congreg. Concili-Relat. Visitationes ad limina – Scopien, v. 728.
35 ASV, S. Congreg. Concili-Relat. Visitationes ad limina – Scopien, v. 728.
36 GJINI, dr. Gaspër, Ipeshkvija Shkup-Prizren nëpër shekuj, Zagreb, 1986, f. 190.
37 PREMORU, Milan, Katolički nadbiskup u Skoplju – Po vatikanskim izvorima – Glasnik Naučnok Društva,
Shkup, 1926, f. 332.
38 GJINI, dr. Gaspër, Ipeshkvija Shkup-Prizren nëpër shekuj, Zagreb, 1986, f. 190.
39 ASCPF. SOCG, v. 741, ff.43.