Nën tingujt e pianos të këngës së njohur të Beethoven – Für Elise, të interpretuar nga nxënësja Luiza Matoshi, nisi prezantimi i botimeve të “Dritës” të vitit 2023, në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, në mbrëmjen e së premtes, më 22 shkurt 2024.
Pas disa viteve, Shtëpia botuese “DRITA” rikthehet me ngjarjen kulturore të përvjetshme, të prezantimit të botimeve të saja gjatë një viti. U prezantuan tetë libra nga katër seritë e botimeve: letërsi (2), monografi (1), teologji (3), përshpirtëri (2).
Në fillim e mori fjalën përshëndetëse drejtori i shtëpisë botuese Don Fatmir Koliqi, i cili falënderoi të pranishmit, bashkëbotuesit, autorët dhe të pranishmit:
Jam shumë i lumtur, që pas disa viteve, rikthehemi përsëri më ngjarjen e përvjetshme të prezantimit të botimeve të Sh. B. “Drita”.
Dëshiroj me i falënderue për prani shkëlqesitë e tyre, Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkvin tonë, mbështetës i madh i Dritës, Imzot Zef Gashi, argjipeshkvin e Tivarit në pension, bashkëpunëtor shumëvjeçar i “Dritës” si autor e përkrahës.
Bashkëbotuesit z. Frano Kulli, z. Skender Asani, z. Kristë Shtufi, autorët dhe gjithë juve miq të kulturës dhe librit. Faleminderit që sot janë me ne Kultplus dhe RTK, dhe po e përcjellin këtë ngjarje kulturore.
Sot po e fillojmë, në fakt, një aktivitet të ri mujor, të quajtur “PENA E DRITËS”, në bashkëpunim me Bibliotekën “Ernest Koliqi”, që në javën e fundit të çdo muaji do të mblidhemi këtu në këtë bibliotekë të bukur për ngjarje kulturore, d.m.th. promovime, përvjetorë, autorë e ngjarje të tjera të ndryshme nga bota e kulturës dhe artit.
Takimin e parë po e fillojmë këtë muaj me prezantimin e botimeve të Dritës e do të vazhdojmë pastaj me tematika tjera që do të informoheni në ditët në vazhdim.
Më lejoni që si përgjegjës i Sh. B. “DRITA” të bëjë një prezantim krejt të shkurtër të “Dritës”:
Shtëpia jonë botuese është organi i Ipeshkvisë sonë, e cila që nga vitet e 90-ta, ka filluar të botojë libra, kryesisht nga lëmi të shkencave humane, botime të kulturës shqiptare dhe kulturës së krishterë ndër ne. Ajo që në fillimet e saja, së pari si revistë e më vonë edhe si shtëpi botuese ka si moto “Drita lufton kundër errësirës kur ndriçon”. Botimet janë të ndara në seri botimesh, që aktualisht janë 11 seri. Ajo ndër vite i ka rifreskuar këto seri, disa prej tyre i ka bashkuar apo shkrirë e disa i ka krijuar të reja. Prej këtyre serive janë botuar 148 tituj.
Ajo që e ka karakterizuar Shtëpinë tonë, viteve të fundit, është bashkëpunimi me shtëpi botuese tjera në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë: siç janë Enti botues “Gjergj Fishta” Lezhë, ITSHKSH Shkup, me të cilin kemi edhe një marrëveshje bashkëpunimi, dhe Sh. B. “Aphabet JH” Prishtinë. Është një rast i volitshëm sot me i falënderua për bashkëpunimin e mirë dhe të frytshëm deri më tash e në të ardhmen, që shpresojmë shpejt me botime të reja.
Sh. B. “Drita” pas disa viteve përvojë në botime, është në fazën e re të organizimit të saj dhe në mundësinë e projekteve më serioze dhe afatgjata. Përveç nevojës së saj për t’u modernizuar në aspektin e publikimeve, ajo është po ashtu edhe fazën e projekteve kapitale për Kishën dhe kulturën tonë në përgjithësi. Përveç botimeve të rregullta që do të vijnë këtë vit e viteve tjera, Po ju kumtoj se jemi në përgatitje të dy projekteve të mëdha, që dëshiroj të bashkëndaj me ju sot,
-
- Historia e Kishës Katolike në Kosovë (4 vëllime)
- Historia e Mendimit Shoqëror të Kishës Katolike (10 vëllime)
Prezantimi i parë ishte libri i Joseph Ratzinger – Benedikti XVI, “Hyrje në Krishterim”, njëra ndër kryeveprat e shekullit XX, bashkëbotim me shtëpinë botuese “Alphabet JH”. Për këtë vepër foli pronari i “Alphabet JH” dhe përkthyesi, prof. Kristë Shtufi, i cili tha se është libër manual, doracak nëpër universitete botërore. Një libër i shkruar dhe i strukturuar mirë, që shtjellon me një kthjelltësi të mahnitshme termat e filozofisë dhe të teologjisë. Për këtë arsye, përkthimi i saj në gjuhën shqipe është një ngjarje kulturore tek ne.
Prezantimi i dytë ishin dy veprat e serisë “Letërsi”, të cilat janë fryt i bashkëpunimit me Entin Botues “Gjergj Fishta” nga Lezha, që janë: Gjergj Fishta, “Letërsia dhe artet që na duhen. Eseistikë. Libri është përgatitur nga Tonin Çobani dhe Don Ndue Ballabani. Një libër i cili mbledh shkrimet e poetit kombëtar në lëmi eseistikes. Kurse libri i dytë është nga Tonin Çobani dhe Don Ndue Ballabani, “Gjergj Fishta poeti kombëtar i shqiptarëve … dhe një album fotografik”. Për këto libra foli prof. Xhavit Beqiri, i cili për të parën vepër tha, ndër të tjera:
Shumica e lexuesve emrin e Gjergj Fishtës e lidhin me kryeveprën e tij letrare, epin Lahuta e Malcís. Mirëpo, Fishta ishte edhe poet lirik (Mrizi i Zanave dhe Vallja e Parrizit), dramaturg, satirist dhe kritik letrar. Në fakt, kritikën e tij letrare, dhe kulturore përgjithësisht, ai e shkroi në formë të esesë. Edhe në këtë fushë, ai la shkrime të vlefshme, shumë prej të cilave mbeten përherë aktuale, si për dijen dhe kompetencën e gjerë intelektuale të autorit të tyre, ashtu edhe për stilin, shprehësinë dhe sintaksën thellësisht shqipe me të cilën janë shkruar. […]
Në fushë të eseistikës, Fishta e zhvilloi edhe polemikën, ku, pa dyshim, mbetet ndër penat më të spikatura të publicistikës shqipe.
Fishta, dijetar e krijues par excellence, qe edhe njohës, shkoklues (term i tij, v. j.), analizues e interpretues i artit letrar. Ai dëshmon një kulturë të gjânë letrare, një informacion të rrallë për veprat kryesore dhe për autorët më të shquar të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore, madje që nga Antika deri në kohën e tij. Po ashtu, njeh dhe komenton me argumente bindëse mendësinë, kulturën, historinë dhe shpirtin e shqiptarit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, kur e shkruan Parathënien e kësaj vepre të mbledhun e të përgatitun nga Shtjefën Gjeçovi. Shkrimet e Fishtës, të përmbledhura në këtë botim, janë një thesar i rrallë i mbarë publicistikës sonë kombëtare. Ato janë shkruar shpesh për “tema të ditës”, porse, realisht, janë shkollë më vete e shkrimit eseistik e polemist, një tip i veçantë shkrimi, që në letrat shqipe kulmoi me brezin e artë të viteve ’20-30 të shekullit XX, por që, për fatin tonë keq, u shua me vendosjen e sistemit monist në Shqipëri dhe nuk u ringjall më kurrë.
Kurse për librin e dytë, prof. Xhaviti theksoi:
Ky libërth ofron të dhëna për fëmijërinë e Gjergj Fishtës, Zefit të vogël, për fillet e shkollimit të tij dhe talentin e hershëm për të krijuar vargje autoriale, të cilat, së pari i botoi te revista Albania e Faik Konicës. Po ashtu, në këtë botim gjejmë të dhëna për raportin e Fishtës me folklorin, por edhe me mitologjinë. Jepen shembuj konkretë nga variantet e këngëve popullore dhe varianteve në të cilat shfaqen ato këngë në krijimet e Fishtës, për mënyrën se si i inkorporonte Fishta vargjet e rapsodive popullore në tekstet e veta autoriale, për ndryshimet që u bënte si në planin tematik, ashtu edhe në strukturën e vargjeve etj.
Librin nga seria e botimeve “Monografi”, Don Lush Gjergjit, “Nënë Tereza. Dashuria në veprim” në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe maqedonisht, bashkëbotim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), për të cilën foli drejtori i institutit, Dr. Skender Asani. Ai e cilësoi si një ngjarje të rëndësishme për Maqedoninë, pasi libri në mënyrë shumë të qartë dhe dokumentare e pohon origjinën e Gonxhe Bojaxhiut, pasi në Maqedoni ka pasur tendenca të forta për t’ia ndryshuar origjinën shqiptare të Nënë Terezës. Z. Asani, pas një analize historike të pranisë së krishterimit në Maqedoni si një hallkë e vetme e pashkëputur për të vërtetuar praninë e popullit tonë shqiptar në këto treva, në këtë kontekst libri është një vazhdimësi e kësaj hallke dhe dëshmi se krishterimi e ka formësuar identitetin tonë autokton, kurse Nënë Tereza është personaliteti më sublim i kësaj pranie.
Prezantimin e botimeve të serisë së botimeve “Përshpirtëri” e bëri Dr. Visar Berisha, që është edhe përkthyesi i librit nga italishtja “Padre Pio dhe engjëlli rojës i tij”, i cili është një libërth, që kap një segment të jetës së tij të shenjtë, me engjëllin e rojës. Padre Pio e përdorë në mënyrë të pastër traditën dhe e bartë në jetët tona.
Kurse libri i dytë i Don Agimin Qerkinit, “Shën Gjon Pagëzuesi. Pararendësi i Jezu Krishtit”, u cilësua si një katekizëm për këtë figurë të madhe biblike. Dr. Berisha ftoi të lexohet ky libër, sepse janë sistemuar mirë të dhënat jo vetëm për Shën Gjonin, por edhe për rrethanat, historinë e vendit e tjera, në një gjuhë të kapshme dhe të pasur, të ilustruar me piktura të përzgjedhura.
Librat e serisë “Teologji”, Don Anton Uka, “Etika e syçeltësisë. Analizë teologjiko-shpirtërore e Letrave Baritore të Carlo Maria Martini-t, Vëllimi IV”, dhe Don Pal Tunaj, “Martirët: Ekumenizmi i Gjakut”, i paraqiti Don Lush Gjergji, i cili i vlerësoi si dy ardhje nga meshtarë të rinj, në fushën e teologjisë.
Libri i Don Anton Ukaj është vëllimi 4, nga dizertacioni i tij në gjuhën italiane mbi letrat baritore të Kardinal Carlo Maria Martini. Kurse libri dytë i Don Pal Tunaj, parqet një studim mbi rëndësinë që martirët kanë në lëvizjen ekumenike ndërmjet kishave.
Pas prezantimit të librave, ju dha pak minuta për t’i dëgjuar autorët e librave edhe bashkëbotuesit, me të cilët “Drita” ka bashkëpunuar gjatë këtij viti në botime.
Mbrëmja kulturore u shoqërua edhe me pika muzikore në violinë Erik Satie, Gnossienne No 1, e interpretuar nga Aniset Cej, dhe në kitarë “Syzeza” e interpetuar nga Genc Krasniqi. Ky takim u mbyll me një koktej rasti për të bashkëndarë përvojat kulturore të pjesëmarrësve/drita.info
Përgatiti: Doruntina Gjini