HIJESHIA E FORMËS

(Zef Chiaramonte, Vulë uji / vjersha malli,  Nuova Ipsa, Palermo, 2015)

 

Nga Xhavit BEQIRI

 

Poetët janë botë më vete, botë e veçantë. Të tilla i kanë edhe shenjat, nëpërmjet të cilave shquhen dhe realizohen qoftë si krijues, qoftë si pjesëtarë të shoqërisë njerëzore. Njëjtësimi i tyre me veprën shpeshherë është aq i fuqishëm, sa ne, si lexues, e harrojmë fare autorin, por jo edhe veprën, e cila jehon në përjetësi. Ndonjëherë, mjafton një fjalë e vetme, një stilemë, për t’u bërë shenjë dalluese e një autori, për t’u shndërruar me kohë në një figurë, në një sinekdokë.

 

Vulë uji: shumësia e kuptimeve

  Pasi e kemi rilexuar librin Vulë uji (Marca d’acqua) të poetit arëbëresh Zef Kjaramonte (Giuseppe Chiaramonte), me nëntitullin “orientues” vjersha malli, mund të theksojmë se uji është figura/sinekdokë e këtij poeti. Varësia e emrit të autorit sikur është mbuluar nga ky lloj i veçantë i metonimisë, nga titulli – Valë uji.

Vetë poeti sqaron/udhëzon se vulë uji është filigrani, si shenjë a vulë e fabrikave antike të letrës, që gjendet zakonisht në qendër të fletës; sot e gjejmë në kartmonedha (shih fusnotën në faqe 39). Por, përtej këtij shpjegimi libror, leximet (dhe hamendësimet) tona si lexues na shpiejnë hullive të tjera, që e pasurojnë shumë kuptimin.

Uji është rrjedhë, pra është jetë! Jeta njëjtësohet me ujin, pa të cilin nuk ekziston dot.

Në kuptimin biologjik, uji dhe ajri janë kushti i jetës, janë kushti i ekzistencës të çdo qenieje mbi këtë botë.

Në kuptimin metafizik, uji është simboli i jetës. E, meqenëse jeta është antitezë e vdekjes, ky simbol bart edhe kuptimin e dritës, e kundërta e territ, bart kuptimin e së mirës përballë së ligës.

Në kuptimin biblik, uji është shenjues i pastrimit dhe pagëzimit shpirtëror, është akt i pranimit dhe marrjes së hireve, por dhe të përgjegjësive që rrjedhin prej këtij akti.

Në poezinë e Kjaramontes, shikuar thjesht nga prizmi estetik, uji sugjeron edhe jetën, edhe pastërtinë, edhe të bukurën… Një idealitet i gjakuar poetik, që synon ngadhënjimin ndaj botës së errët të ligësisë.

Vulë uji mund të interpretohej edhe si “ankesë në akull”, apo “kështjellë prej rërës”, për shkak të brishtësisë së kësaj sintagme në botën reale. Përtej paradoksit, madje përtej një oksimoroni të goditur mirë, vulë uji, në botën e artit poetik të poetit Kjaramonte, shpërfaqet si vulë jete, vulë përjetësie, pasi që vula e ujit shndërrohet në ikonë të idealitetit për të bukurën, për humanen dhe të përkryerën.

Leximet e mëtejmë, nëse kalojmë kah rrafshi psikologjik a filozofik i interpretimit, mund të na e sugjerojnë ujin si fashitës të zjarrit. Në realitetin e botës së artit erotik, zjarri dhe uji krijojnë antitezën e përhershme të një bote të pandashme: atë që e krijon zjarri, mund ta shuajë vetëm uji.

Asnjë botë nuk është e mundur pa ujin, ndaj fuqia magjike e kësaj fjale nuk i duron humnerat e kuptimeve të përditshme tokësore, por synon hapësirat e kaltra qiellore, në të cilat figura e ujit bëhet reflektim i botës së ëndërruar të poetit. Një botë e vetja tërësisht, e virgjër dhe e brishtë si vetë poezia, si vetë malli mbi të cilin marrin formë ndjesitë dhe reflektimet e poetit të këtij vëllimi.

 

Këmbëngulja për formën

“Vjershat e këtij libri të vogël në format, po të pasura në vlerë estetike, përkufizohen si vjersha “malli”, pra, dashurie. Dashurie në kuptimin më të lartë dhe më të gjerë të fjalës duke e përfshirë dashurinë ngushtësisht erotike të çiftit të përjetshëm burrë-grua, por edhe dashurinë universale për njerëzit, për Perëndinë, për natyrën, familjen, vendlindjen, atdheun”, ka vërejtur studiuesja Klara Kodra në parathënien e këtij botimi (fq. 13.). Madje, ajo vlerëson, me të drejtë, se “poezia e Kjaramontes është, mbi të gjitha, një poezi e dashurisë për jetën dhe për vlerat etike në të cilat poeti beson, ndonëse sot janë në krizë” (po aty.).

Në vargun e Kjaramontes edhe vjershat e mirëfillta erotike dalin me një ndjeshmëri (sensualitet) të veçantë, ku hijeshia e formës i jep vlerë estetike shprehjes poetike, duke e thyer me elegancë çfarëdo vrazhdësie të pritshme të përshkrimit të aktit (real) jetësor. Pra, mikrobota poetike e kësaj poezie, me mikrotemat e saj të goditura, është në sinkroni të plotë me frymën krijuese të poetit Zef Kjaramonte, i cili, sa është i kursyer në shprehje e vargje, po aq është i thellë e i shumëfishtë në domethënien e fjalës dhe të sugjestioneve që arrin të na shkaktojë nëpërmjet saj.

Madje, konciziteti i vargut, fuqia shprehëse dhe konotative e tij, këtë poet arbëresh e përafron me vargun e poetëve tanë tipikë të kësaj fryme, si A. Podrimja, S. Hamiti, A. Shkreli, Rr. Dedaj e të tjerë, të cilët e ndërtuan botën e tyre poetike duke e përsosur me pasion dhe durim ligjërimin artistik nëpërmjet figurës letrare, të cilën e ngritën në kult, krejtësisht ndryshe nga letërsia socrealiste e kohës, e cila, në emër të krijimit të “njeriut të ri”, ia kishte vënë vetes qëllim parësor “vrasjen” e figurës, rrënimin e mitit letrar.

Sensi poetik i autorit të shtangë me realizime të papritura kontrasti, siç është ky në poezinë “Shtatori” (fq. 35), në të cilën: sapo arrijtëm te kështjella antike / pamëshirshëm ndër ne / acari / piku

Këmbëngulja e poetit për të punuar me vargun e tij si në aspektin e formës gjuhësore, ashtu edhe në atë të përjetimit estetik që synon t’ia transmetojë lexuesit është cilësi më vete e këtij krijuesi. Zefi e ka mënyrën vetjake të ndërtimit të tekstit poetik, ashtu siç e ka edhe mënyrën krejtësisht vetjake/personale të shjellimit artistik të botës që krijon. Prandaj, themi pa hezitim se poezia e tij është një univers i veçantë letrar jo vetëm në kuadër të letërsisë së sotme arbëreshe, por edhe në kuadër të letërsisë shqipe në përgjithësi. Ai arrin që nëpërmjet copëzave, nëpërmjet episodeve të rëndomta jetësore, të krijojë art me vlera të përbotshme estetike. Fundja, a s’është ky një gjakim i secilit krijues?!

Nga aspekti kompozicional, vëllimi Vulë uji nuk është ndarë në pjesë a kapituj. Vjershat e pasojnë njëra-tjetrën me harmoninë e admirueshme të vargut të lirë, si dhe me mesazhin që përçojnë; ato e bartin natyrshëm botën e ndjesive lirike të poetit në botën tonë të kaosit ekzistencial, për të na sugjeruar se fuqia dhe bukuria e jetës sonë qëndron pikërisht në atë botën tonë të vogël, të cilën ne, të shumtën e herave, as që e vërejmë se ekziston, e lëre më ta jetojmë apo ta shijojmë, për shkak se jemi të prirur të vrapojmë pas temave “të mëdha”, në dallgët e të cilave treten si të mos ishin fare bukuritë e jetës së përditshme.

 

Atdheu, dashuria, humanizmi…

Poet i pakompromis i dashurisë, Kjaramonte e krijon botën e lirikës së tij nëpërmjet një trinie të përhershme: lirika arbërore (patriotike), lirika erotike (dashurore) dhe lirika me motivet e dashurisë universale. Me një fjalë, ashtu si në realitetin hyjnor, poeti e mbështet gjithçka në këtë ndjesi sublime, në këtë forcë që nuk e lejon kozmosin të ndalojë: në dashuri!

Kufiri arbëresh/sicilian i poezisë së Zef Kjaramontes, nëpërmjet dashurisë si vulë thelbësore e saj, është thyer; poezia e tij është bërë pjesë e poezisë së përgjithshme shqipe dhe, si ujë/vulë përjetësie, do të lundrojë në magjinë e kësaj bote të pandashme poetike nacionale.

Në poezinë nistore të këtij libri, Vendtakimet, poeti jep tablonë e vetëdijes për përkatësinë e dyfishtë identitare, për jetën dhe gjëllimin në mes Lindjes dhe Perëndimit, në cepin e kufirit që ndan, por edhe bashkon etninë, besimin, kulturën: gurë kufiri / të pakaluar / vendet e takimeve tona / Arbëria e Sicilisë / liqen kuej ikona e papas / Roma aq e bukur atë mbrëma / Gjithnjiherje* kundërshtare të nesërmen / Orvieto / Trieste / e ëmbla Akuilé / Matanë dyert e Lindjes (*arbërisht: paprimtmas).

Mandej, duke i dhënë formë pikturës së kësaj poezie, me qytete të bardha / tërheqëse, me mure e dantella / rrethuar / në bukurinë e detit / zhytyr, Kiaramonte heq siparin e “vendndodhjes” mes Bizantit dhe Stambollit, në një gjendje pezull, që në këtë poezi, nëpërmjet intertekstit, del si krahasim me retë që/ luejnë n’naltësi si qingjat n’kodrina (nga Esad Mekuli).

Edhe në këtë poezi, si në secilin krijim të realizuar mirë, kufiri në mes personales dhe së përgjithshmes shkrihet në një; ndjesitë subjektive të krijuesit dalin në pah edhe në vendpërplasjet e qytetërimeve e kulturave të mëdha: mes Bizantit dhe Stambollit / pezull / dhe mes reve që / luejnë n’naltësi si qingjat n’kodrina / gjithnjë do shoh n’ëndërr / dhe Ty.

epilogun e kësaj poezie, shpirti poetik ngrihet e shpërthen kundër gjendjes pezull, kundër ndarjes, sepse bota e poezisë është botë e dashurisë dhe e bashkimit: nëse fati na ndau / kush e ndali vrapimin / kohën / kohën do ta ndal / ta kthej prapa.

Pjesëmarrja e shpeshtë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ia kanë mundësuar poetit arbëresh ta njohë mirë çështjen e Kosovës dhe pozitën e saj të brishtë në ish-federatën jugosllave. Poeti e ndien mirë hatanë që po priste Kosova dhe populli i saj. Në poezinë Si Kosova u’, të shkruar më 1989, me pesë vargje, që kanë një nëntekst të fuqishëm, ai jo vetëm që rrëfen të kaluarën e të tashmen, por jep edhe vizionin e së ardhmes tragjike: pranvera të varfëra / vitet tanë pa të korra / tue pritur vapën / dogja fletë* e dru / milikurë** t’i bëj ballë dimrit (*arbërisht: gjethe; **arbërisht: lakuriq, v. j.)

Kosova e dërmuar nga pranverat e varfra dhe vitet shterpe pa të korra, e vetme, lakuriqe, thuajse e pashpresë priste t’i bënte ballë stuhisë që pritej të vinte (dhe që erdhi vetëm dhjetë vjet më vonë, në trajtën më të egër). Poetit i mjaftojnë vetëm pesë vargje për ta krijuar pamjen tragjike të Kosovës në të tri kohët!

 

Poezi malli e kujtese

Poezia e Zef Kjaramontes është poezi e mallit dhe e kujtesës, është poezi ndjenjash të çiltra e të pacensuruara. Për poetin nuk ka tema tabu. Ai këngëton hapur e natyrshëm për ndjesitë dhe gjakimet më intime erotike, kur shkruan (në poezinë Ti) për miken që iu dhurua vajzë e re, e cila dridhet si hardhi, teksa ia bredh dorën lehtë mbi gji dhe ia lëmon sisët si mollë, por edhe për gëzimet e emocionet e zakonshme që të sjellë jeta, si fryt i kësaj dashurie shpirtërore e fizike (si në poezitë për vajzat e veta, Donika dhe Ksenja).

Porse, po ashtu, ky poet nuk ia përton aspak të krijojë vargje që e theksojnë edhe mjerimin dhe tragjedinë e shoqërisë njerëzore, si te poezia Tirana gusht 1991, nëpërmjet së cilës na e rikthen në kujtesë zezonën që la pas diktatura e Enverit dhe e moralit të rrejshëm të komunizmit në Shqipëri: pranë pilastrit të cunguar / me të zeza / një grua plakë / kla e këndon me zë të lartë / rroftë Enveri / rroftë partia / poshtë e poshtë Ramiz Alia / me gjithë kurvat e tija.

Tragjika e rrënimit të shoqërisë së asokohshme shqiptare, në këto vargje, shenjohet me ngjyrën e zezë të plakës, ndërsa zëri i saj, teksa qan e këndon me zë të lartë, shndërrohet në kod/mjet të ironizimit të moralit të liderit të ri Ramiz Alia. Sheshi i zbrazët, plot më lypës, e zhgënjen thellë poetin arbëresh, i cili merr një goditje të rëndë në takimin e parë me Shqipërinë e ëndërruar, Arbërinë e lashtë, të cilën e sheh se si e kishte katandisur Enveri, duke i lënë trashëgim vetëm mjerimin. Mirëpo, edhe këtu, si në shumicën e poezive të tij, Kiaramonte del nga pellgu i dëshpërimit nëpërmjet figurës së kontrastit. Pas një ironie tjetër për liderin komunist, me vargjet: gjë nuk di për këtë Ali / dhe sa kurva ka n’gjini, poeti vizitor ec më tej, për të takuar simbolin e shpresës: një Kalorës nga kali zbret / më shikon / më përshëndet / Oj ti i gjakut tonë të shprishur / që shpëtove n’Itali / kështu i cfilutur mos më rri / do shpëtojë kjo Shqipëri. Fanitja në befasi nga Kalorësi (Gjergj Kastrioti – Skënderbeu) për poetin është si një ogur për të ardhmen, sepse: kah Onufri pra më shpin / tek i tiji Krisht në ikonë / ku për Pashkët shpëtimtar / shkul njeriun nga Pisë* e varr. (*arbërisht: ferr).

Nëpërmjet paralelizmit, që merr formë si diskurs biblik, heroi ynë nacional shëmbëllen me Krishtin shpëtimtar, i cili për Pashkë shkul njerëzimin nga ferri dhe varri dhe i prin kah liria, kah paqja e përjetshme dhe takimi me Krijuesin.

Kiaramonte shfaq po këtë sensibilitet poetik edhe ndaj figurës së Nënës Terezë, të cilën, në poezinë Teresa Gonxhe Bojaxhiu, e cilëson si mëmë për të gjithë të sprasmit e botës.

Ndërsa, në poezinë Vllastarët e t’Arbërit dhe, Kiaramonte vajton tragjedinë e etërve tanë, të cilët me dhimbje u shtrënguan t’ia lënë turkut Himarën / Epirin / Muzaqenë… / të bukurën More. Në truallin ku më parë arbërorët punuan tokën, vunë vreshtat, ngritën shtëpitë e ruajtën fenë e besën, ku pagëzaun arbërisht male, gropa, fusha, lumenj e sheshe… turku dogji e rrënoi gjithçka: turq të tjerë / shfarosën sot Arbërinë, na duhen shumë / vllastarë të rinj.

Rrënimi është i gjatë, i madh, i plotë, ndaj poeti këlthet se duhen vllastarë të rinj, për të krijuar sërishmi atë që (na) është zhbërë.

Poezia e vëllimit Vulë uji, sado që të krijon përshtypjen e njëfarë mallëngjimi apo trishtimi të lehtë, ajo, para së gjithash, karakterizohet tejetej nga vizioni i poetit për ngadhënjimin e së bukurës ndaj së shëmtuarës, të dashurisë ndaj urrejtjes. Është poezi me tone të thella të përvojave sublime personale të autorit, që shkrihen e pikëtakohen me lehtësi me përvojat dhe me vlerat e përgjithshme të shoqërisë njerëzore./drita.info

Shpëndaje: