Nga Don Lush Gjergji
Prizreni, si qendër kishtare sipas të gjitha njohurive dhe dokumentacionit është mjaft i lashtë, i shekujve të parë të krishterimit. Nga dokumentet e deritanishme dimë se për herë të parë Prinatenus, sipas gjitha gjasave Prizreni i sotshëm, përmendet në vitin 485 dhe ipeshkvi ishte Paulus ose Pali. Pastaj aty-këtu përmenden ipeshkvijtë, me ndërprerje, sidomos gjatë shekujve të dyndjeve apo ardhjes së popujve sllavë.
Historiografia moderne bindshëm dëshmon se krishterimi ndër Ilirë ishte përhapur gjatë shekujve të përndjekjeve romake, deri te Edikti i Milanos (313). Martirizimi ishte arsye e lulëzimit dhe organizimit të mirë të krishterë, kishtar, ishin faktorë që ndikuan në krishterimin e botës sllave.
Dokumentet e vërtetojnë këtë si ipeshkvi në vazhdimësi ishte qe nga viti 1020 në bullën e Bazilit II deri në ditët tona.
Kisha e sotme, ndër më të vjetrat në Kosovë, që i ka përballuar stuhive të përndjekjeve dhe të motit, e kohës turko-otomane është ndërtuar gjatë viteve 1865-1870. Ipeshkëv atëherë ishte Imzot Dario BUCCIARELLI (1827-1878), françeskan, i lindur në Castelplanio (Itali) më 4 prill 1827. Më parë ishte ipeshkëv i Pultit gjatë viteve 1860-1864, dhe pastaj u promovua argjipeshkëv i Shkupit me seli në Prizren në vitin 1864.
Një vit pas ardhjes së tij në ipeshkvi e filloi aksionin e grumbullimit të mjeteve dhe ndihmave dhe të projekteve për ndërtimin e kësaj kishe në Prizren, sepse kisha e atëhershme ishte tejet e vogël dhe e dobët, nuk i plotësonte as kushtet elementare për nevoja kishtare. Së shpejti u dha leja për ndërtim edhe me ndikimin dhe pagesën e Perandorisë Austro-Hungareze.
Sipas raportit të J. Myllerit në vitin 1838 mësojmë se kisha e vogël ishte rrënuar dhe në vend të saj ishte sheshi për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje. Janë trillime krejt pa mbështetje shkencore historike pohimet e disave se kinse kisha e sotme e Prizrenit qenka ndërtuar mbi gërmadhat e një kishës ortodokse.
Dario Bucciarelli ndër të tjera ishte pjesëmarrës i Koncilit të Parë të Vatkinait (1869-1870) si dhe i Kuvendit të Dytë të Arbërit (1871).
Ai përpos punës baritore merrej edhe me shkrime dhe studime. Ka botuar edhe dy libra: Gramatica della lingua albanese – Gramatika e gjuhës shqipe (1858) dhe Udha e Kryqit (1862). Ai kishte punuar edhe në përgatitjen e Lidhjes së Prizrenit, si dhe në shumë veprimtari tjera me karakter kulturor, shpirtëror, fetar dhe kombëtar. Imzot Dario Bucciarelli ka vdekur në Prizren më 1. VIII. 1878.[1]
Qysh në vitin 1848 Perandoria Austro-Hungareze kishte kërkuar hapjen e shkollave shqipe që “në shkollat fillore fëmijët duhet të mësojnë gjuhën amtare”. Në vitin 1889 ishte hapur shkolla e parë shqipe pranë Katedrales “Zoja Ndihmëtare”. Disa vite më vonë, saktësisht në vitin 1889, ishte hapur edhe shkolla shqipe për vajza. “Në hapjen dhe zhvillimin e shkollave shqipe, bashkë me atdhetarët në Prizren, punuan edhe klerikët përparimtarë shqiptarë me ipeshkvin e Prizrenit”[2]
Përpos Katedrales ishte Selia Ipeshkvore, rezidenca, seminari ipeshkvor, shtëpia e famullisë, kuvendi i murgeshave, shkollat si dhe shumë shoqata dhe organizata bamirëse.
Aty gjenden edhe disa thesare:
Mbi altar te Katedrales është figura e Zonjës Ndihmëtare, ku paraqiten dy burra dhe dy gra në veshje të vjetër shkodrane duke ikur para kuçedrës gjakpirëse, simbol i së keqes, Djallit, por edhe i sundimit dhe rreziqeve turko-otomane, vepër e autorit të panjohur, dhuratë e Kongregatës “Propaganda Fide” nga Roma.
Mbi kor është përkrenarja e heroit Gjergj Kastrioti me këtë shkrim: GEORGIUS KASTRIOTA, PRIMUS PRINCEPS ALBANIAE (1405-1468) – Gjergj Kastrioti, Princi i Parë i Shqipërisë, si dhe ajo e Janoss Hunyadi, heroit hungarez.
Sipas njohuri dhe dokumenteve historike në katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren ruhen eshtrat apo reliktet e Shën Viktorit (emër nga gjuhën latine), apo Shën Nikës (emërtim në gjuhën greke).
“Emri i këtij shenjti në të dy gjuhët e ka kuptimin e emrit shqiptar Fitim (Fitimtar). Sipas dokumentit të dëshmisë së Imzot Bucciarielit eshtrat e Shën Viktorinit ishin nxjerrë nga varrezat në Ciriakë dhe ato, ia kishte dhuruar atij, Sh. K. Propaganda Fide në vitin 1873 dhe janë të vendosura për nderim në Kishën Katedrale në Prizren nën eletrin e madh më 20 qershor 1875. Kutia është mbyllur dhe është përforcuar me vulën e argjipeshkvit, Imzot Dari Bucciarielit, me dyllë. Konfirmimi i këtij dokumenti është bërë më vonë gjatë administrimit të Ipeshkvisë nga Imzot Smiljan Qekada, më 27 korrik 1963, dhe së fundi gjatë administrimit të Ipeshkvisë nga ana e Imzot Nikë Prelës, më 10 dhjetor 1992.”[3]
Sipas gjurmimeve dhe hulumtime te deritanishme përkrenaren e Gjergj Kastriotit dhe Janoss Hunyadi-t e ka punuar piktori austriak Sincowiss gjatë Lidhjes së Prizrenit (1878).
Po ashtu aty gjendet edhe muralja e Shën Çeçiles, pajtores së këndimit kishtar, si dhe organo, dhuratë e Perandorit Austro-Hungarez Fran JOZEFIT nga viti 1897, që ia kishte dhuruar argjipeshkvit të atëhershëm të Prizrenit, Pashk TROKSHIT, me mbishkrim në gjuhën shqipe.
Në këtë periudhë ishin ndërtuar në Ballkan edhe disa katedrale katolike tjera: në Shkup, Tivar, Durrës, pak më vonë edhe në Shkodër.
Kisha Katedrale ka një stil të kombinuar gotiko-romanik i përshtatur rrethanave, mundësive ndërtimore dhe financiare.
“Katedralja e sotme është ndërtuar në vitin 1970 nga Imzot Darius Bucciarelli. Është shuguruar më 31. X. 1970 me rastin e 100-vjetorit të ekzistimit të saj. Pas kishës së Janjevës (1856) është më e vjetra kishë në Kosovë”[4]
Në këtë katedrale është pagëzuar dhe edukuar babai i Nënës Tereze, Kolë Bojaxhiu (1873-1919), në vitin 1873./drita.info
—————————-
[1] Lexo: Dom Sopi Mark, Historia e dioqezës Shkup-Prizren (IV), në DRITA, nr. 11/1980, fq. 12. Khs. Gjini Gaspër, Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj, Drita, 1992, fq. 201.
[2] Ahmedi Abib, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Orient, Prizren, 1996, fq. 223; Për kontributin e klerit katolik në mbrojtjen, zhvillimin dhe përhapjen e shkollimi, arsimimit në gjuhën shqipe Lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 219-230. Lexo: Gjergji Gjergj, Formimi i shkollave në dioqezë të Prizrenit, në “Drita”, viti III, nr. 1, fq. 4-5,8. Khs. Përgjoka Pjetër, Nëna Tereze frymëzimi për jetën dhe veprën, Shpresa, Prishtinë, 2005, fq. 25-27.
[3] Përgjoka Pjetër, vep. e cit. fq. 24-25. Lexo: DRITA, Revistë fetaro-kulturore, Viti I, nr. 8, 25 tetor 1970, fq. 1-8.
[4] DRITA, Historia e Dioqezës Shkup – Prizren, Viti IX, prill 1978, fq. 11.