IMZOT LAZËR MJEDA, FRYMËZUES I NJË EPOKE TË RE NDRYSHIMESH POZITIVE NË BOTËN SHQIPTARE

Nga Skender ASANI

 

Në vitet 1909-1921, Argjipeshkvia e Shkupit kishte fat të madh me emërimin e Imzot Lazër Mjedës në krye të saj. Koha kur ai e kreu me dinjitet këtë detyrë, ishte e mbushur me ngjarje dramatike, me prishje të balancave gjeopolitike ku ishte tepër vështirë t’i shërbeje kauzave të shenjta kombëtare e fetare.

Jemi në kohën kur njëra perandori po ikte, kurse tjetra po vinte, por që të dyja po linin gjurmë robërie mbi viset shqiptare, ku Shkupi përbënte një prej qerthujve të zhvillimeve politike e gjeostrategjike. Jemi në kohën kur kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Tereza (26 gusht 1910), të cilën e kishte krezmuar pikërisht Imzot Lazër Mjeda, në vendlindjen e saj në Shkup.

Imzot Lazër Mjeda gjatë 13 viteve sa ishte në krye të Argjipeshkvisë së Shkupit, ju deshtë të vepronte në dy fronte: në njërën anë luftonte që të mbajë gjallë moralin dhe dinjitetin e besimtarëve katolikë shqiptarë në ditët e fundit të Perandorisë Osmane, kurse në anën tjetër të mbante shënime dhe të raportonte në qendrat evropiane për pasojat tragjike mbi shqiptarët që lanë luftërat ballkanike, Lufta e parë botërore dhe më vonë Mbretëria Serbe‐Kroate‐Sllovene (SKS).

Në raportet që Imzot Mjeda i dërgonte botës perëndimore për gjendjen e rëndë të shqiptarëve e për masakrat që kryheshin ndaj tyre, gjenin burim informacioni edhe shumë gazetarë, diplomat e udhëpërshkrues perëndimorë që vizitonin Shkupin dhe viset shqiptare pas depërtimit të ushtrive pushtuese serbe. Në këtë punë të palodhshme atij i ndihmoi edhe Don Zef Ramaj.

Një kontribut të veçantë, ndonëse në prapaskenë, të Imzot Lazër Mjedës e shohim edhe në përgatitjen e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ismail Qemali gjendej në Vjenë para shpalljes së pavarësisë, dhe kishte probleme financiare që të udhëtonte në Shqipëri. Ai kishte mbetur në Vjenë dhe nuk mund të vinte në Shqipëri. Kështu që Imzot Lazër Mjeda mobilizoi miqtë e vet të qeverisë Austro‐Hungareze dhe ia mundësoi Ismail Qemalit që përmes një anije të veçantë të financuar nga Vjena, të vinte deri në Durrës.

Mjeda veproi deri më 1921 në Argjipeshkvinë e Shkupit. Në vitit 1921 largohet “në heshtje” prej Argjipeshkvisë së Shkupit pas presioneve të strukturave policore  e shtetërore serbe.

Por, gjurmët e punës së tij do të ngelin edhe pas largimit nga Shkupi, për arsye se gjatë gjithë kohës ai mbolli fidanët e devotshmërisë ndaj Zotit dhe Atdheut.

Jemi me fat që kishim një udhëheqës shpirtëror si Imzot Lazër Mjeda, vepra dhe shëmbëlltyra e të cilit duhet të na frymëzojnë për një epokë të re ndryshimesh pozitive që duhet të ndodhin në botën shqiptare./drita.info

 

(Fjala e mbajtur në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit” 2023 në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, më 6 dhjetor 2023)

Shpëndaje: