Kryeministri Kurti për “Ditët e Bogdanit” 2023: Pjetër Bogdani është teologu, filozofi dhe shkrimtari i shquar arbën!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit 2023”, e cila u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë më  6 dhjetor 2023. Ai e mbajti fjalën e rastit, të cilën po e japim të plotë:

 

I nderuari Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës,

I nderuari z. Skënder Hasani, Drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup,

I nderuari Argjipeshkëv nga Tivari në pension, Imzot Zef Gashi,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar deputetë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të Kosovës,

Të nderuar besimtarë, qytetarë, zyrtarë,

Të nderuar të pranishëm,

 

Teksa kalojnë ditët e dhjetorit dhe po i afrohemi festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri për të cilat tashmë kanë nisur përgatitjet, jemi mbledhur sonte këtu në Qendrën BogdaniPolis në Prishtinë, në këtë akademi solemne për Ditët e Bogdanit.

Këtë 6 dhjetor, u bënë 334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, teologut dhe shkrimtarit të shquar arbën, i cili vdiq nga murtaja pikërisht këtu në Prishtinë. Pjetër Bogdani vdiq në një kohë kur po u printe mijëra kryengritësve vendas në luftërat austro – osmane në fundshekull të XVII. Vetëm katër vite më parë, më 1685, Bogdani e kishte botuar në Padova të Italisë, librin “Çeta e profetëve”, e cilësuar tashmë si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe.

Në një raport të datës 1 janar 1684, që Pjetër Bogdani ia kishte dërguar Kurisë Papnore në Romë, e në të cilin ai e njoftonte Selinë e Shenjtë për gjendjen në Kosovë, ndër të tjera ai ka shkruar, po citoj: “Nëpër Kosovë, janë edhe këto vende: Prishtina, e cila nuk ka kështjellë dhe s’është e rrethuar me mure, por është një vend i banuar me rreth 3000 shtëpi”, mbaron citati.

Njësoj sikur atëherë, Prishtina edhe sot nuk ka kështjellë dhe nuk është e rrethuar me mure, por 339 vite pas prej kur Bogdani shkroi kështu për të, numri i shtëpive në Prishtinë është shumë më i madh se aq në secilën lagje të saj, teksa Prishtina sot është kryeqyteti i Kosovës, kryeqendra e Republikës tonë demokratike, ku tashmë çdo vit shënohen Ditët e Bogdanit.

Ndër kohëra, vepra dhe jeta e Pjetër Bogdanit, këtij kleriku katolik, teologu, filozofi dhe patrioti të shquar, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve. Nga Gjon Nikollë Kazazi te Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Injac Zamputti, Eqrem Çabej, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi dhe Shaban Demiraj, e deri te Anila Omari, Evalda Paci e Luigj Marlekaj.

Fjalët për veprën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë e të teologjisë. Ne të tjerëve, na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit, sikur sivjet për të kujtuar Lazër Mjedën, një tjetër klerik katolik të shquar shqiptar, që përtej punës së tij prej kleriku, kreu dhe shumë aktivitete patriotike.

Për angazhimin e tij patriotik, Lazër Mjeda u përndoq dhe u burgos nga autoritetet okupatore serbe, meqë ai kishte denoncuar me raport krimet e ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, raporte këto me të cilat u shërbye edhe austriaku Leo Freundlich, për veprën e tij aq me vlerë: “Golgota shqiptare”.

Të nderuar të pranishëm, më lejoni që si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në këto Ditët e Bogdanit, sonte t’iu uroj shumë shëndet dhe të mbara, në çdo përpjekje tuaj për të mirën publike të shoqërisë sonë, për paqe dhe përparim dhe për Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit!

Marrë nga Kryeministri – Zyra e Kryeministrit (rks-gov.net)

Shpëndaje: