PRISHTINË, 6 dhjetor 2023: Në Qendrën “BogdaniPolis”, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, të mërkurën, më 6 dhjetor 2023, në orën 19:00, u mbajt Akademia Solemne për “Ditët e Bogdanit” 2023, të cilat organizohen nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH).
“Ditët e Bogdanit” janë themeluar në vitin 2019, nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në përvjetorin e 330-të të kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit, kur u bë edhe rivarrimi simbolik i tij në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Kurse nga vitit 2022, “Ditët e Bogdanit” organizohen së bashku me ITSHKSH, që organizohen për dy ditë: më 5 dhjetor, bëhen homazhe te shtatorja e Bogdanit në Shkup, që gjendet para parlamentit të Maqedonisë, dhe mbahet Akademia Shkencore në ITSHKSH, që konsiston në marrjen e temave, argumenteve dhe personaliteteve të shquara të kulturës shqiptare, kurse në ditën e dytë, më 6 dhjetor, ato mbahen në Prishtinë, me Akademi Solemne, e cila mban një lectio magistralis dhe program kulturor-artistik.
Tema e sivjetme e “Ditëve të Bogdanit” ishte “Imzot Lazër Mjeda dhe Shkupi në kohën e tij”, e cila u trajtua një ditë përpara në Akademinë Shkencore në Shkup, në ITSHKSH, nga studiues nga të gjitha trevat tona shqiptare, akademi e institucione kulturore e kishtare.
Akademia filloi me fjalën përshëndetëse të Dr. Don Shan Zefi, vikar gjeneral i ipeshkvisë, i cili i mirëpriti të pranishmit në emër të Kishës Katolike, e pastaj fjalë të rastit mbajti Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili e cilësoi këtë akademi shumë të rëndësishme për të ringjallur një kolos të kulturës sonë.
Fjalën kryesore në këtë akademi, e quajtur lectio magistralis, e mbajti, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, me temën “Imzot Lazër Mjeda, bariu që ruajti grigjën në furtunat e kohës”, gjatë të cilës bëri një panoramë të thuktë të aktivitetit të këtij prelati të madh, si në fushën pastorale ashtu edhe në atë kulturore e kombëtare. (revista jonë do ta publikojë paraqitjen e ipeshkvit të plotë në ditët në vazhdim).
Në rolin e bashkëorganizatorit foli edhe z. Dr. Skender Asani, drejtori i ITSHKSH, i cili bëri një paraqitje të rëndësishme për rolin e jashtëzakonshëm kombëtar e kulturor të Imzot Lazër Mjedës në Shkup.
Akademia vazhdoi me performancën e pianistes së mirënjohur Lule Elezi dhe Korin e Katedrales, ndërsa u përmbyll me ekspozitën “Dokumente mbi Imzot Lazër Mjeda nga Arkivi i Vjenës”, e përgatitur nga Don Nikson Shabani.
Në akademi morën pjesë, ministrja e MINT, znj. Rozeta Hajdari, sekretari i MKRS-së z. Xheladin Krasniqi, argjipeshkvi i Tivarit në pension, Imzot Zef Gashi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, profesorë, personalitete nga kultura, arti, media e qytetarë të shumtë./drita.info