ERNEST KOLIQI – nismëtari i prozës moderne shqipe

Nga Xhavit BEQIRI

 

            I

Ernest Koliqi është guri i këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Në një mjedis të shkretë arsimor e kulturor, ai e hodhi i pari farën e sinapit, nga e cila mbiu dhe hodhi shtat trungu i të gjithë sistemit edukativ, arsimor e kulturor në këtë pjesë të etnisë. Përtej figurës: shkollën shqipe në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë e krijuan gjatë viteve ’40 të shekullit XX, afërsisht 200 mësues normalistë, të cilët me misionin e shenjtë të përhapjes së shkronjës shqipe u ngarkuan nga vetë Ernest Koliqi, asokohe ministër i Arsimit.

Për mua, Koliqi është profeti, ndërsa ata normalistë të zgjedhur prej tij, janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva.

 

II

Koliqi e cilësoi poetin tonë kombëtar, At Gjergj Fishtën, interpret i shpirtit shqiptar. Me shumë të drejtë! Mirëpo, shëmbëllyeshëm me të, ky epitet i rri shumë mirë edhe vetë Ernestit, qoftë si krijues, qoftë si veprimtar! Koliqi, njohës i mprehtë i shpirtit dhe trashëgimisë nacionale, ia ndiente dhimbtën dhe ia njihte dëshirat njeriut të vendit të tij.

Përderisa Fishta e krijoi në vargje Lahutën e Malcís, si ep të shpirtit dhe të kujtesës nacionale, Koliqi këtë shpirt e këtë kujtesë e shndërroi në art të përbotshëm letrar nëpërmjet teksteve në prozë: Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936). Kështu, poeti, publicisti e studiuesi Ernest Koliqi, përveç epitetit të themeluesit të shkollës shqipe në Kosovë, e mori edhe epitetin e nismëtarit të prozës moderne shqipe.

“… modeli shkrimor e kulturor i këtij autori është i veçantë në letërsinë shqipe. Në njërën anë hetohet këmbëngulja që vlerat e moçme duhet të jenë bazë për çfarëdo rindërtimi krijues, madje shpesh duke qenë vazhdues i Gjergj Fishtës. Në anën tjetër, duke qenë i shkolluar në Itali dhe duke qenë në kontakt me krijuesit modernë të Evropës ai kërkon në veprën e vet një stil të ri të shkrimit letrar. Në veprat e tij më të mira letrare Koliqi ka arritur të bëjë pajtimin e dy kërkesave të veta, në dukje të papajtueshme.

Koliqi, veçanërisht në prozën tregimtare, ka arritur të sjellë një botë shpirtërore shqiptare, me një harmoni dhe me një stil të veçantë e të ri, me një lakim të panjohur më parë të shqipes”. (Sabri Hamiti, Letërsia moderne, Vepra letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2002, fq. 575).

 

III

Duke qenë vetë nxënës i Kolegjit Saverian të Jezuitëve, Koliqi i njohu dhe i studioi ndër të parët shkollat dhe autorët e Shkollës Letrare të Jezuitvet dhe Shkollës Letrare të Françeskajve, për të parë pastaj kah Qarku i hapur i letërsisë shqiptare.

Veprimtaria më e mirë letrare e Koliqit u shkrua dhe u botua para Luftës së Dytë Botërore. Më vonë ai iu përkushtua më shumë studimeve, punës me studentë në katedër dhe publicistikës. Pas angazhimit politik, Koliqi sikur e pushoi veprimtarinë krijuese letrare, mbase i vetëdijshëm se ky angazhim do t’ia ketë prekur nervin e letrarit. Koliqi ishte themelues dhe drejtues revistave kulturore e letrare me ndikim, në faqet e të cilave botuan emrat më të njohur të letrave shqipe, si: Ora e Maleve, Shkëndija dhe Shêjzat. Këtë të fundit, e udhëhoqi 18 vjet.

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. (Martin Camaj)

Për fund, mund të pohojmë pa dyshim se në veprën e Koliqit i ndeshim tej e tej simbolikën dhe shenjat që lidhen, shenjojnë dhe e përbëjnë semantikën e botës shpirtërore dhe të psikës nacionale: gjaku, mali, deti, ora, zana, hija etj., të cilat, në ligjërimin artistik të këtij krijuesi, i gjejmë me anë të transpozicionit semantik, që në mënyrë të habitshme i bën të bashkëjetojnë në një univers sa origjinal, po aq edhe universal traditën me të renë, kujtesën me vizionin e modernitetit.

Koliqi, rabin i shkollës shqipe në Kosovë, ishte dhe mbetet shkollë e shkrimit të prozës moderne shqipe. Gjuha e Koliqit, me leksikun jashtëzakonisht të pasur dhe me koloritin e rrallë e tipik, pa dyshim, është ndër më të bukurat e tërë letërsisë shqipe. Si e tillë, ajo mbetet një objekt i përhershëm për studime gjuhësore e letrare. 

Vepra letrare moderne e Koliqit përbënte ferk në letërsinë shqipe, ndaj ndikimi i saj ështëi gjithanshëm. Ashtu siç e gjejmë intertekstin kanunor e biblik në veprën e Koliqit, ashtu e gjejmë edhe intertekstin e Koliqit në veprat e autorëve tanë të mëvonshëm, të cilët, duke e lexuar Koliqin e duke mësuar prej tij, e ngritën prozën shqipe në nivele të admirueshme (Camaj, Pashku, Rrahmani, Hamiti…)./drita.info

(Fjala e plotë në inaugurimin e Bibliotekës “Ernest Koliqi” në Prishtinë, më 20 maj 2022)

Shpëndaje: