Nga Ndue Ukaj
“A ka send mâ të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimn nji kombi zhytë n’ errsin e padijes?”- pyet Doda personazhi kryesor i novelës “Gjaku” të Ernest Koliqit dhe vazhdon: “Ai qi kalon nëpër popull tue hidhë faren për nji jetë mâ të mirë, ai qi e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen, ai qi bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave, shkurt: kush i difton nji udhë tërë qytetnije të vërtetë, â i denjë me qênë i nderum si gjysmë perendije.” Këto ideale të shprehura përmes zërit të një personazhi, janë ideale që formuan autorin dhe u bënë ide e ideale të veprës së tij, të cilat Koliqi i shndërroi në postulat të veprës së tij të shtrirë në shumë fusha të dijes, të artit dhe të arsimit shqip.
…
Rrethanat e vështira nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar dhe pasojat e mjerueshme që la robëria e gjatë në kulturën dhe artin shqiptar kanë bërë që shkrimtarët shqiptarë të ngarkohen me një mision për çka flet Koliqi përmes zërit të personazhit të prozës “Gjaku”: që ata të hapin udhë të re qytetnije, të ndezin dritën në terr, të ujitin tokën e tharë dhe të bëhen gurrë frymëzimi për breznitë e reja. Koliqi ishte krijues i këtyre përmasave: ai shkroi poezi e solli në shqip poetë të njohur botërorë, u bë njëri nga nismëtarët më në shenjë të prozës modern, u angazhua për arsimin shqip dhe themeloi institucione të dijes e të kulturës. Pra, ai jetoi një jetë i ushqyer nga ideale sublime dhe realizoi punë sublime.
Këto ide e ideale, Koliqi i kultivoi në disa fusha të shkrimit. Në tekste të shumta eseistike, studime, të shkruara me erudicion, ai analizoi fenomene politike e kulturore dhe dëftoi se “nji lis pa rrajë nuk qindron në kambë, dhe se nji komb qi përbuzë traditat e veta, vendos vetëvrasjen e vet.”
Në fushën e mendimit dhe të veprimit politik, ai ishte formuar me ide fisnike dhe politikën e mirëfilltë e lidhte me kulturën “… nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veçse nji lojë kote, qi argëton ndoshta ata qe e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.”
Në fushën e studimeve letrare, shquhet libri i tij “Dy shkollat letrare Shkodrane”, në të cilin, përmes tipologjisë së krahasimeve, pikëtakimeve dhe dallimeve realizoi një studim shumë domethënës për kontributin e françeskaneve dhe jezuitëve në letërsinë shqipe, duke u përqendruar te poetët përfaqësues, Ndre Mjeda e Gjergj Fishta.
E, figura e Koliqit është e lidhur ngushtë edhe me arsimin shqiptar, veçmas me atë të Kosovës, kontributi madhor i të cilit u bë përcaktues i shumë rrjedhave të mëvonshme arsimore, kulturore e politike, sepse kjo traditë u thadrua thellënë ndërgjegjen e Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ndonëse në rrethana tepër të vështiratë luftës, ai solli në Kosovë – një çetë të dritës – çetë kjo që vendosi bazat e arsimit shqip dhe themelet e kulturës shqiptare, duke lidhë njëherësh fije të këputura të identitetit shqiptar.
Kur Shqipëria ra nën kthetrat e dergjës komuniste, Koliqi me plagë në shpirt e i shpallur tradhtar nga ata që e instaluan një pushtet të dhunshëm, primitiv e të mbarsur me urrejtje, emigroi në Itali, por kurrë s’e ndali punën dhe veprimtarinë e tij fisnike për kulturën shqiptare. Dhe në Romë, përveç punës së vyeshme akademike, themeloi edhe Revistën “Shêjzat,” e cila u kthye në një tribunë të rëndësishme të zhvillimit tëalbanologjisë shqiptare.
Martin Camaj, një personaliet tjetër shumë i rëndësishëm i kulturës shqiptare dhe i ndikuar prej Koliqit, shkruan se: “Shêjzat” shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare.”
…
Jeta dhe vepra e Koliqit, janë sintezë e ideve e idealeve të larta estetike dhe kulturore. Ai jetoi me vetëdijen se kultura ishte arma kryesore për të rindërtuar shpirtërisht kombin shqiptar të lodhur nga robëria e gjatë: “… sidomos kultura asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese që mërzisin e molisin popullin e Shqipnis së mjerë.”
Kurse në fushën e letërsisë, Koliqi vlerësohet me të drejtësi nismëtari i prozës moderne shqipe, krah për krah të cilit rrinë emrate mëdhenj si Konica, Kuteli, Migjeni. Me veprat letrare “Tregtar flamujsh“, 1929, “Hija e maleve“, 1935, “Pasqyrat e Narçizit”, 1936, Koliqi i dha prozës shqipe një timbër të veçantë dhe ngjyrime të mahnitshme narrative.
…
Termi letrar “moderne” këtu e ka kuptimin e një dukurie të re letrare që manifestohet në stil, tema, në forma e shkrimit, si dhe në procedime letrare. Pra, modernia – ka kuptimin e një vlere të re letrare, më të avancuar, më të mirëfilltë; me që ajo i tejkalon modelet pararendëse dhe njëkohësisht i krijon të rejat. Proza e Koliqit i tejkaloi modelet pararendëse të shkrimit dhe krijoi modele të reja, sidomos të prozës psikologjike e tregimit psikospektiv, në të cilat, siç thotë Aurel Plasari, vërehet dukshëm elemente të analizës psikologjike të llojit frojdist.
Pra, në përkim me prozën e Koliqit, modernen e përdorim si term për të shënuar atë tipin e letërsisë, që, në mënyrë autonome, ndryshe nga paraardhësja, solli risi në ligjërimin letrar, në tema, në procedimin strukturor të ndërtimit dhe funksionimit të tekstit letrar në gjitha nivelet mbarështimit estetik e kompozicional.
Dihet se deri në kohën kur Koliqi u paraqit në letrat shqipe, letërsia shqipe dominohej nga poezia dhe proza ishte zhanër i kufizuar. Ajo pak prozë që ishte shkruar e shkruhej dominohej nga një përmasë e thellë moralizuese, sentimentaliste dhe didaskalike (proza e H. Stërmilli, N. Nikaj, M. Gramenos, etj.), me mbipeshim të rolit të ngjarjes, e ndonjëherë edhe me imitim (jo ne kuptimin aristotelian), dhe mbeti larg trendëve moderne. Prandaj, Koliqi konsiderohet si njëri nga themeluesit dhe krijuesit më të talentuar të fillimit të prozës moderne shqipe, gjë të cilën e kanë pohuar lexues dhe studiues shumtë të prozës së tij. Ai çeli rrugë për lërimin e prozës e cila iu iku modeleve ligjërimore të mëparshme, u defamiljarizua nga letërsia e mëhershme, dhe ripozicionohet drejt një ligjërimi më të avancuar që përplotësoi në shkalle më të lartë letrare estetikën e tekstit. Në këtë aspekt, ky lloj shkrimi fut në lojë komplikime narrative, ndërfutje interkomunikuese, duke shfaqë karakterin intertekstual të teksteve letrar edhe strukturën e hapur (Umberto Eco) e shumështresore.
…
Në traditën letrare europiane, modernia u zhvillua nga fundi i shekullit XIX dhe fillim i shekullit XX dhe shquhej me karakteristika të shumta, që nga theksimi i individualitetit kreativ, invencioneve – shfaqja e fenomeneve të reja-thyerja e konvencave letrare e stilistike, prurja autonome e fenomeneve letrare, në forma dhe përmbajte të reja letrare, ligjërimore dhe stilistike-estetike.
Por, krahasuar me prozën europiane dhe me zhvillimin e madh të saj, proza në letërsinë shqipe është paraqitur relativisht vonë, dhe si e tillë ka ecë me një ritëm të ngadalshëm. Në këtë kontekst, Koliqi konsiderohet më të drejtë prozator me prirje moderne, me veçanti shkrimi, sidomos me tregimet e tij, që prozës shqipe ia dhanë një formë të re, një përmbajtje të re, një tematikë të re, një stil të ri, një shprehje të re, një prirje të fuqishme novatore, ku refuzohet lineariteti tregimor, dhe realizohet një raport të ri mes kohës dhe hapësirës. Koliqi e eliminoi gjuhën e zakonshme drejt një gjuhe figurative, me atribute të forta letrare, stilistike e estetike. Si e tillë, kjo prozë është krijuar përmes dy tipareve sintetizuese: duke përthithë eksperiencat e jashtme me të brendshme. Këtu, eksperiencat e jashtme, janë dijet e autorit empirik, të përftuara nga literatura botërore e nacionale, ndërsa eksperiencat e brendshme mishërohen e manifestohen përmes kulturës së moçme nacionale, miteve dhe oralitetit, të cilat autori i funksionalizon për t’i dhënë karakter intertekstual prozës së tij. Kështu, ai i dha impuls të ri prozës shqipe dhe kontribuoi në integrimin e saj në rrjedhat e prozës moderne europiane.
Koliqi ka krijuar disa lloje tematike të tregimeve, prej atij ku trajtohet realiteti aktual i kohës dhe nevojat e domosdoshme të transformimit të tij kah modernia (“Gjaku”, “Diloca”), te tregimet me elemente të traditës orale, (“Nusja e mrekullueshme”, “Kërcimtarja e Dukagjinit”), deri te tregimet personale që shfaqen te “Pasqyrat e Narçizit”. Këto të fundit janë subjektive e me tipare autobiografike, ku autori kërkon shenjat e identifikimit identitetin krijues dhe ekzistencial, përmes shenjash e simbolesh, të cilat i gjen në ambientin shqiptar. Në nivelin artistik, këto proza janë artistikisht më të realizuarat. Vetë autori i quan “poemtha në prozë.”
Pra, kontributi i Koliqit në kulturën shqiptare është shumëdimensional, kurse në fushën e prozës, ai mbetet nismëtar i tregimit modern shqiptar, njëri nga klasikët më të mirë të letërsisë shqipe dhe shkrimtar i idealeve të larta letrare e kulturore./drita.info