Ligjërim i përmbysur

Nga Xhavit Beqiri

 

Parantezë

Ernest Koliqi, njëri ndër nismëtarët e prozës moderne shqipe, ka një tregim me titull Tregtar flamujsh. Ky tregim, njëri ndër më të realizuarit në të gjithë prozën e këtij krijuesi, shpërfaq një realitet absurd të kohës së autorit, kur njerëzit i ngatërrojnë “kompetencat” dhe pa fije përtese merren me “çështje” të mëdha, të cilave natyrisht nuk janë në gjendje t’u dalin zot. Së pari, meqë nuk janë të përgatitur për këto çështje (tregtari që flet për art, politikë, moral…), dhe, së dyti, meqë nuk i lëshon mendësia e tyre e mykur të shikojnë përtej dioptrisë së tyre dritëshkurtër. Rrjedhimisht, mllefi i studentit të ri – që ruan njëfarë respekti për këtë tregtarin, për shkak të “miqësisë” që paska pasur ky me babanë e tij të ndjerë – është i pashmangshëm. Shpërthimi i tij kundër hipokrizisë së tregtarit çon në thyerjen definitive me “mikun” e prindit, i cili del se vetëm e paska pritur një shkëndijë për t’i dhënë fund “dashamirësisë” për jetimin e mbetur pa mbështetje në një moshë relativisht të njomë, kur rrugët e jetës i dalin përpara me plot të panjohura.

“Heroi” i këtij tregimi të Koliqit, natyrisht, që nuk e duron “filozofinë” e tregtarit, që në njërën anë mburret për patriotizëm, ndërsa në anën tjetër ankohet që nuk mund të shesë dot asnjë flamur, pra nuk mund të fitojë nga shitja e simbolit kombëtar. Po të kishte shpirt konformist studenti i ri do të heshtte, në stilin: “Le të bëjë çfarë të dojë tregtari, për vete e ka!”Mirëpo, në vend të heshtjes, ai zgjedh rebelimin. Frut i këtij rebelimi është përplasja me tregtarin, prej të cilit edhe mund të kishte ndonjë dobi materiale.

 

Tregtarët e kohës sonë

Jo veç si analogji, situata e tregimit të Koliqit gjen përplot pikëtakime me realitetin (absurd) të shoqërisë së sotme shqiptare në Kosovë e në Shqipëri. Intelektuali i ri, i tipit të tregimit “Tregtar flamujsh”, ende pa hyrë mirë në “rrjedhat” intelektuale të këtij mjedisi, që mizën e bën buall, ndërkohë që nuk e sheh malin, ballafaqohet me plotë tregtar të sotëm, shumë të ngjashëm me atë të Koliqit. Dallimi i vetëm është se këta tregtarët e kohës sonë, ndryshe nga ai i tregimit, nuk ngurrojnë që “intelektualizmin” dhe “atdhedashurinë” e tyre ta shesin edhe jashtë strofkullës (dyqanit) të tyre. Këta shkojnë gjithmonë një hap më tej. Tezat e veta janë të gatshëm t’iplasojnë kudo e kurdo. (Madje për të edhe paguhen mirë). Tregtarët e sotëm i ke ku të duash. Më së shumti në ekranet televizive. Janë të njëjtit, çdo natë. E shumta, mund ta ndërrojnë vetëm studion. Aty ku sot (sonte) është njëri, nesër del tjetri. Me të njëjtën “filozofi”, me të njëjtat teza. Janë si një kor i vetëm, që e artikulon shkronjë për shkronjë tekstin e mësuar përmendsh në vorbullën e snobizmit dhe të mungesës së unit, të unit që kaherë e kanë humbur.

Retorika e “filozofëve” dhe “analistëve” të sotëm është si një refren, të cilin atyre ua ka mësuar shqisa e të nuhaturit të lekut. Të atij që e sjell botën. Në emër të tij janë në gjendje të mohojnë edhe emrin e tyre, lëre më simbolin e quajtur flamur, të cilit ata i thonë “leckë”. Kësisoj, dalin pa kurrfarë identiteti, sepse dje kanë qenë “të djathtë”, sot janë “të pavarur”, nesër mund të deklarohen edhe publikisht “të majtë”. Këtë lojë janë mësuar ta luajnë fare mirë, mjafton që dikush t’ua tundë lekun para hundësh.

 

Mbyllje

Përditshmëria jonë është përplot tregtarë. Tregtarë identikë me atë të tregimit Tregtar flamujsh. Janë në gjendje të çirren me vite për atdhetari, për demokratizim të jetës e të shoqërisë, porse u mjafton vetëm një shkëndijë leku që ta përmbysin ligjërimin e tyre kryengulthi dhe të vjellin vrer pikërisht kundër kësaj shoqërie, dmth. kundër bashkëkombësve të vet. Për fat të keq, terreni i tanishëm është më se i përshtatshëm për të tillët. Nga të gjitha anët këta kasnecë të vetëmohimit gëzojnë përkrahjen e fondeve të huaja, të cilët janë në gjendje të financojnë gjithçka që është kundër frymës së nacionalizmës shqiptare, gjithçka që bie erë “internacionalizëm”, dmth. heqje dorë nga identiteti nacional. Prandaj, nuk është aspak befasuese, nëse ndodh ndonjëherë (siç ka ndodhur) që këta kasnecët e internacionalizmit të (ri)fillojnë të “cicërojnë” (nga nostalgjia) në gjuhën që u përshtatet më shumë (serbisht). Madje, duke u krekosur para kamerave kinse po tregojnë shembuj konkretë “zemërgjerësie” ndaj pakicave që jetojnë në Kosovë…/drita.info

 

(Teksti është marr nga libri: Xhavit Beqiri, Gjuha dhe letrat, AIKD, 2005, f. 110-113.)

Shpëndaje: