ITSHKSH dhuron libra për Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë

Shkup-Prishtinë, 17 maj 2022 – Në prag të hapjes së Bibliotekës “Ernest Koliqi”, e cila do të funksionojë në kuadër të Ipeshkvisë së Kosovës, drejtori i ITSHKSH, Prof.dr. Skender Asani, me bashkëpunëtorët, dhuroi disa tituj librash. Me këtë rast Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergj, shprehu mirënjohje dhe falënderoi ITSHKSH për kujdesin e treguar ndaj thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërinstitucional në mes të Shkupit dhe Prishtinës. Ky bashkëpunim, sipas tij, po ndodhë në momentin e duhur kur po hapet një bibliotekë e cila do të ketë vepra të rëndësishme edhe nga ITSHKSH (Instituti i Trashigimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup).

Drejtori i ITSHKSH, Prof. Skender Asani, dhuratën simbolike të librave e shoqëroi me konstatimin se Ipeshkvia e Kosovës ka bërë veprimin e duhur me hapjen e një biblioteke që do të mbaj emrin e një prej kolosëve më të mëdhenj të kulturës shqiptare, siç është Ernest Koliqi. Sipas Asanit, Koliqi mbolli farën e iluminzmit në trevat lindore shqiptare, duke dërguar mësues e libra që ishin “infuzion” shpirtëror i kësaj hapësire etnike shqiptare.

Pasi foli për disa aktivitete që ishin bërë në bashkëpunim me institucionet përcjellëse të Ipeshkvisë së Kosovës, siç është redaksia e Revistës “Drita”, Dr. Asani e informoi Imzot Dodën Gjergjin për planet dhe strategjinë e ITSHKSH në të ardhmen, ku theks të posaçëm i kushtoi shënimit të 25-vjetorit të vdekjes së shenjtores Nëna Tereze. Me këtë rast, tha ai, do të organizohet manifestimi tradicional “Drita e Gonxhes” (26 gusht – 5 shtator), ku janë paraparë disa aktivitete të përbashkëta kulturore-letrare që do të mbahen në Shkup e në Prishtinë në mes të  ITSHKSH, gjegjësisht Departamentit i Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereze dhe Revistës “Drita”.  Një rekapitullim i aktiviteteve të vitit të kaluar, në formë shkrimesh e studimesh do të vjen në numrin e parë të revistës “Drita e Gonxhes”, e cila është pjesë integrale e manifestimit me të njëjtin emër, ndërkohë që në numrin pasues do të vijnë aktivitetet e këtij viti, tha Dr. Asani.

ITSHKSH dhe Ipeshkvia e Kosovës do të vazhdojnë të këmbejnë dije e përvoja në të ardhmen me qëllim të avancimit të bashkëpunimit e mirëkuptimit ndërinstitucional, ku theks i posaçëm do t’i vihet emancipimit të mëtejmë kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe komunikimit të saj me shoqëritë e tjera. (ITSHKSH)

[masterslider id=”14″]

Shpëndaje: