Inaugurohet Biblioteka “Ernest Koliqi” në Prishtinë

Në ditëlindjen e shkrimtarit të madh shqiptar dhe nismëtarit të arsimit shqip në Kosovë, Ernest Koliqi (20 maj 1903), u bë inaugurimi i Bibliotekës së Ipeshkvisë “Ernest Koliqi”, e cila gjendet në Qendrën “BogdaniPolis”, nën Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Me të drejtë Borges-i kishte thënë se parajsën e imagjinoj si një bibliotekë. Pa mëdyshje, kjo është një figurë e tij domethënëse me ngjyrime biblike, për të treguar praninë e zërave, fjalëve, njerëzve … që e përbëjnë të bukurën parajsore, kuptimin sublim të të qenit njeri. Kjo figurë dukej sikur realizohej këtë të premte, më 20 maj 2022, në Katedralen e Prishtinës, kur me buzëqeshje bashkoheshin miq, dashamirë e krijimtari të të gjithave moshave, për të festuar hapjen e Bibliotekës “Ernest Koliqi” në Qendrën “BogdaniPolis”, në ditëlindjen e shkrimtarit dhe nismëtarit të arsimit shqip në Kosovë.

Në atmosferë festë prerjen e shiritit e bëri kryetari i Komunës së Prishtinës, Z. Përparim Rama, i shoqëruar nga ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, i cili ishte edhe akti solemn i inaugurimit, dhe pastaj vazhdoi me programin kulturor, të kombinuar me këngë, recitim e kumtesë brenda hapësirës së bibliotekës.

Programi ishte caktuar të ketë shumë karakteristika kombëtare e shkondane, pasi Koliqi ka qenë shkodran dhe i ka kënduar asaj më gjuhën e tij prej mjeshtri. Por jo vetëm kjo, por pse shkodran dhe kultura e saj paraqesin një thesar origjinal të kulturës sonë artistike.

Kënga e parë ishte “Moj e bukura More”, të cilën e këndoi Doruntina Gjini, e shoqëruar në piano nga Anamarija Nulleshi, në violinë Qendresa Bunjaku dhe në kitarë Alban Markaj

Pjesa e fjalimeve ishte caktuar për Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkvin e Dioqezës Prizren-Prishtinë, kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, dhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.

 

Fjala e parë përshëndetëse ju dha zotit të shtëpisë, Imzot Dodë Gjergji, i cili tha:

“Përshëndetje të gjithëve e mirë se keni ardhur. Secili prej jush është i rëndësishëm dhe i mirëseardhur, por më duhet të veçoj këtu kryetarin e qytetit tonë, z. Përparim Rama, dhe ambasadorin e Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi.

Katedralja dhe kompleksi i saj përcjellës dëshiron t’i jap një kuptim shpirtëror dhe kulturor qytetit, të risjellë dhe ta ruaj kujtesën e lashtë të historisë sonë. Në kuadër të Katedrales, kemi dashur të kemi qytetin e Bogdanit, që e kemi quajtur “BogdaniPolis”. Por një qytet që nuk ka bibliotekë nuk mund të quhet qytet. Prandaj, edhe BogdaniPolis do ta ketë bibliotekën.

Në bibliotekë është e shkruar andrra e çdo njeriu, sepse nuk ka andërr që nuk lind nga një kujtim i të së kaluarës. Këndej, dikush kishte thënë se nuk ke nevoje me e lyp të ardhmen diku, mjafton të shkosh në bibliotekë, aty do ta gjesh. Sepse në bibliotekë, siç thonte një tjetër, të vdekurit i hapin sytë që të gjallët të mund të shohin. Kurse në një mur të bibliotekës së murgjve në Spanjë, ishte e shkruar “në këtë vend e gjeni gjithë kujtimin e së kaluarës”.

Kështu që ne kemi dashur të japim qytetit, njerëzve tanë, sidomos studentëve, që të kenë një vend të këndshëm edhe të bukur ku mund të studiojnë të kaluarën, kujtesën tonë, por edhe të përgatiten për të ardhmen që i pret.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mijë që janë angazhuar për ta realizuar këtë projekt: që të duket kështu e bukur është kujdesur arkitekti Ardian Dodaj, kurse realizimin e punëve e ka bërë Emanull Gjergji. Në vazhdim dua të falënderoj znj. Edit Shestani nga Shkodra, bibliotekiste, dikur bibiotekiste në Seminarin Ndërdioqezan në Shkodër, e cila ka bërë strukturën e sistemimit të librave, bashkë me znj. Doruntina Gjini, bibliotekistën tonë që do ta udhëheq këtë bibliotekë; meshtarët Don Lushin, Don Fatmirin, Don Albertin dhe Don Marjanin për punën e tyre; piktorin Donat Krasniqi, që e ka bërë këtë pikturë të bukur të Ernest Koliqit, sepse biblioteka e jonë është pagëzuar me emrin e tij, i cili ka qenë misionar i dijes në Kosovë dhe ambasadori i shkollave tona. Urime dhe e gëzofshim të gjithë së bashku.”

 Pastaj ju dha fjala kryetarit të Prishtinës, z. Përparim Rama, i cili tha:

“Është kënaqësi e madhe me qenë sot këtu në praninë e Ipeshkvit, Mons. Dodës, Don Lush Gjergjit, ambasadorit të Shqipërisë z. Minxhozi, Don Fatmirit. Faleminderit që më keni bërë ftesë që të jam sonte me ju.

Më sa duhet, me tërheqjen e pandemisë, Prishtinës po i vijnë të mirat një pas tjetrës me bollëk, si panaire të ndryshme, festivale, koncerte ndërkombëtare. Hapja e kësaj biblioteke është një event i rëndësishëm në radhën e këtyre ngjarjeve të mrekullueshme për kryeqytetin tonë.

Shkodrani Ernest Koliqi, shkrimtar i madh i letërsisë shqipe, ishte siç e dini edhe ministër i arsimit në Tiranë, që në kohën e Luftës II Botërore pruni mbi 200 mësimdhënës shqiptar me hap shkolla shqipe anembanë viseve të Kosovës. Përndjekja e tij dhe ndalimi i veprës së tij nga Shqipëria komuniste e për rrjedhojë nga Kosova, që asokohe thjeshtë irritonte shtetin amë, nuk i kanë ba aspak nder kombit tonë.

Prandaj, përzgjedhja e emrit të kolosit Koliqi për bibliotekën tuaj, dhe inaugurimi i saj pikërisht në ditëlindjen e tij, nderojnë jo veç këtë bibliotekë, as veç Ipeshkvinë, por gjithë kryeqytetin, Kosovën dhe gjithë kombin tonë shqiptar. E kur jemi te letrarët dikur të ndaluar, uroj që kjo bibliotekë të forcojë sa më shumë lidhjet me bibliotekën e françeskanëve të Shkodrës, të cilët me rënien e komunizmit po e ribotojnë me përkushtim të madh veprën e kolosëve të ndaluar katolikë të letrave shqipe, që nga ajo e At Shtjefën Gjeqovit, At Gjergj Fishtës, At Anton Harapit, At Donat Kurtit, At Vinçenc Prenushit, At Bernardin Palajt, e deri te ajo e At Zef Pllumit. Të anatemuar padrejtësisht prej diktaturës komuniste vepra e këtyre kolosëve është në fakt më e shëndosha e letërsisë kombëtare dhe për më shumë është një opus që bibliotekën e Ipeshkvisë e pasuron dhe e nderon.

Bibliotekës i uroj fond gjithnjë e më të pasur librash, lexues gjithmonë e më të shumtë, dhe meqë ambienti i bibliotekës qenka jashtëzakonisht i këndshëm, uroj sa më shumë organizime dhe evnete kulturore. Kuptova se këtu në qendër do të shërbehet edhe ushqim në të ardhmen, prandaj ju falënderoj që Ipeshkvia po ndihmon gjithë studentët tanë, kulturën tonë të shkon përpara, të përparon në mënyrën më të mirë të mundur, duke ofruar këso kushtesh fenomenale. Madje, edhe unë personalisht me siguri do të kaloj kohë në këtë ambient të bukur. Faleminderit e urime gjithëve biblioteka e re Ernest Koliqi.”

 Në mesin e mysafirëve të nderuar në inaugurim ishe edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, i cili me shumë modesti ju drejtua të pranishmëve:

Unë nuk e kisha përgatitur një fjalim, por fjalimin e bëjnë të gjithë këta njerëz që janë këtu. Është një ceremoni shumë e jashtëzakonshme dhe shumë e veçantë.

Ju falënderoj nga zemra mons. Dodë Gjergji, Don Lush, Don Fatmir, kryetari i Komunsë së Prishtinës z. Përparim Rama. Ju falënderoj që u bëmë pjesë e kësaj ceremonie.

Duke pasë përballë këtë korife të madh të historisë, kulturës shqiptare, Ernest Koliqi me veprën e tij tregoi dhe i tregon botës, pavarësisht sistemeve, pavarësisht represionit, e drejta, arti, kultura që i shërbejnë popullit nuk shuhet kurrë. Politika është momentale, ndërsa veprat e kolosëve tanë janë të pavdekshme.

Është një bibliotekë shumë interesante, krejt e veçantë në llojin e vet. Shumë e bukur, një arkitekt fantastik e ka bërë këtë, por ajo që mbush më tepër është vepra e të madhit Ernest Koliqi. Falënderojnë nga zemra edhe ata që kanë ardhur nga Tirana, Shkodra, sepse Koliqi ishte Shkodran e mbetet shkodran, ishte shqiptar dhe mbetet shqiptar, dhe shumë i madh. Besoj se edhe brezat e ri do të përcjellin veprën e tij të pavdekshme. Edhe njëherë falënderoj të gjithëve për këtë privilegj që mu dha me qenë në mesin tuaj këtu. Faleminderit.”

Pas fjalëve përshëndetëse pasoi kumtesa e përzgjedhur për këtë event, që ju besua profesorit universitar, Prof. Xhavit Beqiri: Ernest Koliqi – nismëtari i prozës moderne shqipe, të cilën mund ta lexoni të plotë në këtë vegëz: http://www.drita.info/kulture/letersi/ernest-koliqi-nismetari-i-prozes-moderne-shqipe/

Ernest Koliqi është prozatori modern par excellance. Për ta dëgjuar prozën poetike të tij si tingëllon në shkrodanishten e tij të bukur, ishte përzgjedhur një fragment nga proza “Ujët e pusit”, të cilën e interpretoi ambël studentja e letërsisë Kristinë Berisha, që bëri të na flet Koliqi sot.

Programi vazhdoi me këngë. Kënga e dytë e përzgjedhur ishte “Karajfilat që i ka Shkodra”, e kënduar nga Doruntina Gjini, e shoqëruar në piano nga Anamarija Nulleshi, në violinë Qendresa Bunjaku dhe në kitarë Alban Markaj

Krejt në fund, ju dha fjala Don Fatmir Koliqi, famullitarit të Prishtinës dhe përgjegjësit të bibliotekës, i cili të falënderoi të gjithë për pjesëmarrje, studentët që e kanë realizuar programin e bukur me këngë e prozë dhe të gjithë dhuruesit e librave për Bibliotekën. Në mënyrë të veçantë, madje si surprizë Don Fatmiri na e zbuloi nipin e Ernest Koliqit, Gjon Koliqin, i cili kishte ardhur enkas nga Shkodra me bashkëshorten e tij dhe me disa miq të tij.

Me këngë e bashkëndarje përvojash kulturore e shpirtërore vazhdoi kjo festë në pjesën e Qendrës BogdaniPolis, përkatësisht në Agora ku me dolli uronin njëri-tjetrin për këtë bibliotekë të bukur në ditëlindjen e të madhit Ernest Koliqi./drita.info

Teksti: Revista “Drita”

Fotografitë: Besim Ndau

Shpëndaje: