Kremtimi i Festës e Zojës Ndihmëtare dhe përfundimi i ecjes sinodale në nivelin dioqezan

Në ditëfestën liturgjike të Zojës Ndihmëtare, pajtores së Katedrales së Prizrenit, më 24 maj 2022, është kremtuar solemnisht mesha e shenjtë e kryesuar nga bariu i dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me meshtarët. Kjo meshë e shenjtë ka shënuar edhe përfundimin e ecjes sinodale në nivelin dioqezan, e cila pati filluar vitin e kaluar. Me këtë rast është dorëzuar edhe dokumenti përfundimtar nga komisioni sinodal, i përbërë nga Don Albert Demja (sekretar), Don Lush Gjergji dhe Don Pal Tuna.

Në emër të komisionit, Don Lush Gjergji, anëtari më i vjetër i tij, me fjalët e tij gjatë dorëzimit të dokumentit ipeshkvit, theksoi se “ne si komision i sinodit e kemi kënaqësinë ta paraqesim punën një vjeçare të ecjes sinodale në dioqezën tonë, të cilën e kemi bërë përmes takimeve nëpër bashkësitë famullitare në tërë dioqezën, me të gjitha kategoritë e besimtarëve tanë. Ky dokument është njëlloj drithniku apo hamari që i kemi mbledh, i kemi dëgjua nga besimtarët tanë, që ky ngadalë të përpunohet prej Shpirtit Shenjt, për të gatuar një bukë, ushqim shpirtëror. Ju kemi përmbajtur tri parimeve bazë të sinodit: bashkim, pjesëmarrje dhe mision.”

Pas dorëzimit të dokumentit, Imzot Dodë Gjergji, e mbajti homelinë e rastit që po e japim thuajse të plotë:

“Si bari i kishës dioqezane Prizren-Prishtinë dëshirojë përzemërsisht dhe nga thellësia e zemrës të ju falënderojë të gjithë juve, gjithë kishën që ka bashkëpunuar gjatë një viti në ecjen tonë dioqezane simbas ftesës se Atit të shenjtë, Papa Françeskut. Dëshirojë t’i falënderojë rregulltarët e rregulltare që kanë qenë aktiv në këtë ecje, këshillat e kishave, katekistët, laikët e sigurisht meshtarët, famullitarët dioqezan e në fund edhe komisionin dioqezan, që sot në mënyrë solemne e kanë dorëzuar para meje dokumentin që ka buruar nga takimet e shumta gjatë këtij viti, si përmbledhje, fryti të punës 1 vjeçare. Këtë dokument unë do ta dorëzoj në dy Konferencat Ipeshkvore: në atë të Shqipërisë, ku ne jemi pjesë aktive dhe në atë të Shën Çirilit dhe Metodit, ku ne jemi pjesë juridike. Këto të dyja konferencat për ne janë legjitime edhe nga realiteti që jetojmë edhe nga Selia e Shenjtë. Prandaj, ky kontribut do të jetë i bashkuar me kontributet e të gjitha kishave në rajon dhe pastaj do të bëhet një sintezë tjetër duke e përmbledhur kontributin e të gjitha kishave e do t’i dërgohet Papës, nË emër të të gjithë ipeshkvijve, ashtu që në pjesën e dytë të këtij viti dhe vitit tjetër vazhdojmë të ecim sëbashku me kishën universale për të ardhur deri të konkluzioni final. E krejt në fund të kësaj ecje trevjeçare, Papa Franqesku do t’i drejtohet të gjithë kishës universale me një dokument postsinodal.

Përveç falënderimit për punën, unë dua të falënderojë secilin prej jush, çdo bashkësi rregulltare, çdo familje, çdo famulli që e ka lutë Zotin gjatë kësaj kohe që të ketë sukses puna jonë e përbashkët, sepse urata është fuqia jonë. Edhe sot ne jemi të bashkuar në uratë në ketë shërbim, e ku ka ma mirë se të bashkohemi rreth Nënës sonë të përbashkët, Mbretëreshës së Qiellit dhe tokës, Nënës së Kishës dhe Nënës së Krishtit.

Kemi dëgjuar që kjo praktikë e lutjes ka qenë edhe ne zanafillën e kishës, ku apostujt mblidheshin me Zojën e Bekuar, Nënën e Zotit tonë Jezu Krishtit, bile i kemi edhe me emra apostujt të cilët kanë qenë. E nuk bëjmë asgjë tjetër sot përveçse jemi bashkuar këtu rreth Krishtit me Nënën e tij dhe e falënderojmë atë për të gjitha të mirat që ka ndërmjetësuar dhe frymëzimin e Shpirtit Shenjtë që e kemi pasur gjatë ecjes tonë sinodale njëvjeçare.

Ne jemi edhe ne momentin e gëzimit dhe të takimit si çdo takim me Krishtin. Çdo takim me Nënën e tij është moment gëzimi për ata që besojnë vërtetë. Dhe ashtu duhet të jetë. Nuk ka Njeriu besimtarë nuk ka moment më të lumtur se sa kur takohet me vëllezërit dhe me gjithë kishën, me Nënën e Zotit dhe me vetë Zotin tonë Jezu Krishtin, rreth altarit të sakrificës së madhe të shpëtimit tonë, që është Mesha e Shenjtë.

Ky gëzim, ky entuziazëm, ndoshta i mungon kishës tonë. Këndej edhe një nga konkluzionet e këtij dokumenti që sot mu dorzua është se kisha jonë ka mbetur në përgjumjen e një lashtësie të madhe historike, një tradite të lashtë dhe të lavdishme, një trashëgimie të madhe shpirtërore të burrave dhe të grave, që kanë jetuar dhe kanë dëshmuar Krishtin në këtë kishë gjatë shekujve dhe ne mundohemi me jetua me atë lavdi, duke i kryer do shërbesa, do rite, do lloje praktikash fetare, ama kemi ngelur në sipërfaqen e kësaj kohe dhe nuk na bënë ma përshtypje festa e Zojës, ku sot gjysma e Prizrenit nuk është këtu në kishë, në festën e katedrales sonë të vjetër. Shumë njerëz janë ftofë, janë ftofë edhe brenda kishës, edhe ne që jemi priftërinj e motra, edhe ne jemi ftofë, na u ka ftofë shpirti e nuk na banë përshtypje, nuk e ndjejmë atë gëzimin e Elizabetës kur shërbejmë, jo pse nuk e kemi edhe nuk dimë ta shfaqim, por pse nuk dimë ta përjetojmë ngjarjen e veprës së Zotit në ne. Prandaj, na vyen gëzimi i zemrës për atë që jemi, për hiret dhe dhuntitë që Zoti na i ka dhënë dhe për shpirtin e tij që e kemi në vetvete, e ku mundemi ne të ndihemi të plogështe e të trishtuar ose të pazemër, kur ne jemi bashkë ne uratë, ne veprim, ne shërbim, ne shpallje.

Sugjerimi i dytë ndoshta është edhe për krejt kishën, jo vetëm për kishën tonë, që të kalojmë nga meshtari vetëm shërbyes, meshtari ritual, meshtari që kremton në altar ose fol vetëm prej ambonit, në meshtarin bari që hynë në mesin e deleve të veta, që i tremb, që i njehë ato, që i ushqen, që kujdesët për to, që i ndihmon të përballojnë sfidën e jetës, që ndan dhimbjen, gëzimin, trishtimin, suksesin e harenë me besimtarin e vetë.

Por, edhe anasjelltas, është tejet e nevojshme që besimtari jonë ta ndryshojë mendësinë e tij mbi Kishën. Unë kam ecur nëpër të gjitha famullitë tona, kam folur me të gjithë ata që kanë dashur të flasin me mua, kuptohet nëpër famulli, ama nuk është e drejtë që besimtari jonë ta krijojë në mendjen dhe ne zemrën e tij figurën e ipeshkvit të vetë, që të jetë i fort si kryeministër, apo si një ministër, si ambasador, apo edhe një president. Nuk është e drejtë ta ulim ipeshkvin, Bariun e Kishës, në atë nivel e një shërbëtori mondan, shekullar. Ne mendjen dhe në zemrën e besimtarit, të priftit, të murgeshës duhet të jetë figura e ipeshkvit, figura e Krishtit e ta kemi si Krishti. Prandaj, Kisha sot nuk lutët për ipeshkvin ose meshtarët, sepse ipeshkvi është me meshtarë ipeshkëv, pa meshtarët nuk është Ipeshkëv. Nuk po flasë për veten time, por për ipeshkvin në përgjithësi. Ne duhet ta ndryshojmë mendësinë, që mos të dëgjohet që besimtarët flasin për priftin çka bani, çka tha, ku shkojë, erdhi, doli, po ban këtë, po bën atë.. etj, e nuk lutemi për ta. Pse? Sepse e përjetojmë si lidhjen tonë të botës, jo si lidhjen tonë me qiellin. Ndoshta besimtari do të thotë, ne do të donim ta përjetonim si të tillë, por ju nuk e meritoni. Është e vërtetë që së meritojmë, por është e vërtetë edhe kjo se as ti se meriton me kanë katolik, se ne të gjithë jemi mëkatarë, gjithë i kemi limitët tona, ama je i/e tillë, katolikë, bijë e bija të Hyjit, sepse jemi të zgjedhur prej Krishtit, Ai na ka bashkuar, Ai na ka zgjedhur, Ai na ka ofruar, prandaj ne duhet të ngrihemi pak ma lartë së bota, sepse nuk jemi të kësaj bote, nuk mund të mendojmë siç mendon bota. Ne jetojmë siç jeton bota, sepse hamë edhe pimë, na nxeh dielli, na lag shiu, i përjetojmë gjërat këtu në tokë si krejt bota, ama ne nuk jemi prej kësaj bote dhe ne jemi vetëm drita dhe kripa e kësaj bote.

Vëllezër dhe motra, duhet të përpiqemi në ecjen tonë sinodale ta kuptojmë që secili prej nesh që ka marrë pagëzimin është pjesë e një trupi, i një familje që është Kisha, të lidhur mes veti dhe gjymtyrë që nuk mund të ndahen as nuk mund të shahën, as nuk mund të lëvdohen e as nuk mund të krenohen, por duhet të jemi të gjithë të gatshëm për të dhënë më të mirën tonë për  lavdinë e Zotit në këtë vend, e me sakrifikua gjithë çfarë kemi për ta rikthyer popullin tonë tek Krishti, në mënyrë që të gjithë ata të cilët arrin ta zbulojnë praninë e Krishtit në jetën dhe zemrën e tyre, të mund të pagëzohen në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt, siç kemi filluar të pagëzojmë.

Ka edhe disa sugjerime të tjera, të cilat do t’i botojmë në revistën Dritë dhe do të keni mundësi t’i diskutoni me meshtarët. Por, në anën tjetër, unë do të vazhdojë edhe më të bëjë ecjen time sinodale për të afruar të gjithë katolikët në një bashkësi të fortë, jo në një bashkësi ku pritet prej ipeshkvit, as një bashkësi ku ipeshkvi pret prej popullit, as një bashkësi ku priftërinjtë presin prej besimtarëve e ku besimtarët presin prej priftit, por ku të gjithë ne bashkohemi për të parë e dëgjuar se çka pret Krishti prej nesh e çfarë duhet të bëjmë ne në këtë kohë, duke e bashkëndarë barrën, përgjegjësinë, gëzimin dhe shpresën. Sepse vetëm kështu ne do të arrijmë të kemi një kishë, e cila nuk do të jetë aq e madhe sikur ka qenë ne të kaluarën ndoshta, as nuk do të jetë aq e pasur sikurse është kisha ne Evropë dhe ne vendet e tjera, por do të jetë kishë e gjallë, funksionale dhe ungjillizuese në këtë vend, aq sa do të na mundësojë Shpirti i Zotit që e kemi brenda nesh. Amen.”

Përvoja sinodale e Kishës në Dioqezën tonë do të ketë një ecje edhe në vazhdim – siç u shpreh ipeshkvi – e cila do të angazhohet për të rindërtuar një bashkësi që di me ju përgjigje sfidave të kohës për të dëshmuar, ashtu si në të kaluarën, Krishtin e pranishëm në nënqiellin tonë./drita.info

Teksti dhe fotografitë: Revista Drita

Shpëndaje: